Weber: Qeveria e ardhshme e Kosovës do ta ketë të vështirë me presidentin Thaçi që “tradhtoi interesat nacionale për motive personale”

Bodo Weber thotë se deklaratën e pesë qeverive të fuqishme nuk e sheh si tendencë për t’i ndalur zgjedhjet në Kosovë. Përkundrazi, ai thotë se deklarata ishte thirrje e drejtpërdrejtë për Beogradin dhe Prishtinën. Zgjedhjet le të mbahen në Kosovë, thotë Weber për Express, ndërsa ia kujton qeverisë së ardhshme të Kosovës se do ta ketë të vështirë me presidentin Thaçi që “tradhtoi interesat nacionale për motive personale”.

Deklarata e Quintit, në të cilën kërkohej të mos vihen pengesa të tjera, por të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, u pa si enigmatike.

A po donin pesë fuqitë e mëdha që Kosova të mos shkojë në zgjedhje të reja, të cilat do ta pengonin rinisjen e dialogut me Serbinë?

Eksperti gjerman pranë Këshillit për Politika të Demokratizimit, Bodo Weber, nuk e sheh deklaratën e shteteve të QUINT-it (Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës) të lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat po i kërkojnë partitë politike në Kosovë, pasi kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje në korrik.

“Ndryshe nga pjesa tjetër e atyre që reaguan menjëherë ndaj deklaratës së QUINT-it në Kosovë dhe jashtë saj, unë nuk e shoh atë të lidhur direkt me zgjedhjet. Unë e shoh si hapin e parë të Perëndimit për rivendosje të negociatave finale, pas shkuarjes së zonjës Federica Mogherini dhe ardhjes së Joseph Borell, bashkë me akterë të tjerë kryesorë të Perëndimit që po pozicionohen përreth për një rinisje të dialogut”, ka thënë Weber.

Eksperti gjerman thotë se ish-ndërmjetësuesja e dialogut, Federica Mogherini, bashkë me presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, i kanë humbur dy vjet të bisedimeve duke sjellë në tavolinë ide për ndryshimin e kufijve. Sipas tij, Perëndimi nuk do që më të humbet kohë.

“Janë humbur dy vjet të dialogut, së pari nga zonja Mogherini dhe ekipi i saj që e kanë lënë Beogradin me sjelljet e saj politike dhe veprimet për ta shtyrë procesin nëpër drejtime të ndryshme. Pastaj tre negociatorët, që larguan negociatat nga kornizat e tyre, duke folur për ndryshime territoriale, shkëmbim territoresh, korrigjim i kufijve. Duke vënë fokusin në harta, në vend të diskutimeve për një marrëveshje paqeje të vërtetë, këta rrezikuan stabilitetin në rajon”, shprehet Weber.

“Në këtë kuptim, kërkesa në deklaratën e QUINT-it që i bëhet Beogradit për të ndalur aktivitetet për tërheqjet e njohjeve të Kosovës paraqet kthimin e parë dhe të rëndësishëm. Jam i sigurt që hapat e ardhshëm dhe deklaratat e tjera më të drejtpërdrejta janë të nevojshme të bëhet një rivendosje e negociatave, po ashtu t’i risigurojë akterëve politikë në Kosovë se do të bëhet një marrëveshje. Një që është e bazuar në respektimin e pavarësisë së Kosovës me kufijtë ekzistues dhe se nuk duhet të hapin bisedime të tjera për territoret”, ka shtuar ai.

Tutje Weber thotë se asnjëherë nuk ka parë tendenca të QUINT-it për ta ndalur mbajtjen e ndonjë palë zgjedhjeve në Kosovë dhe Serbi. As atëherë, kur sipas tij, zgjedhjet janë mbajtur për të shtyrë zbatime të marrëveshjeve.

“Që nga fillimi i dialogut politik, që nga nënshkrimi i marrëveshjes në prill të vitit 2013, Perëndimi dhe QUINT-i kurrë nuk i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mos mbajnë zgjedhje të jashtëzakonshme, edhe pse shumica e këtyre zgjedhjeve kanë pasur qëllim të luajnë me sistem, pra të vonojnë zbatimin e Marrëveshjes së Prillit”, ka thënë eksperti gjerman për Gazetën Express.

Weber beson se tani në Kosovë ka arsye që vendi të shkojë në zgjedhje, por i kujton sfidat që do të ketë qeveria e re, e më kryesoren ai e sheh presidentin Thaçi dhe mënyrën se si ai e ka devijuar dialogun për interesat e tij personale.

“Plus që, këtë herë ekzistojnë arsye të mirë brenda Kosovës që të shkohet në zgjedhje, përfshirë edhe mungesën e unitetit për dialog. Ndonëse, nuk jam i sigurt se si legjislatura e ardhshme dhe partitë udhëheqëse do t’i zgjedhin këto sfida, duke filluar nga sfida më e madhe; fakti që (ish) kryenegociatori ka tradhtuar interesat nacionale për motive personale”, është shprehur eksperti gjerman.

Deklaratën që shtetet e QUINT-it e nxorën ditë më parë theksohej që institucionet kosovare dhe ato serbe nuk duhet në asnjë mënyrë të ndërmarrin veprime që e vonojnë fillimin e dialogut.

“Kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e QUINT-it të lëshuar të martën.

Edhe profesori amerikan, Daniel Serwer, e ka analizuar deklaratën e QUINT-it. Ai thotë se nuk ka asnjë arsye të mirë për t’u ngutur.

“Nuk di ndonjë arsye të mirë për ngutje tani. Kosova është në një gjendje të dobët me një kryeministër në detyrë dhe me një president të skaduar”, ka thënë Serwer.

Derisa deklarata e QUINT-it u komentua si kundërshtim i mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, tha se ajo u lexua gabimisht.

“Çështja e mbajtjes së zgjedhjeve ose jo është krejtësisht e Kosovës”, ka shkruar të mërkurën ambasadori. /Gazeta Express/

Burim: Gazeta Express

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*