Veriu i Kosovës si Somalia

Shkruan:
Xhafer Shatri

Veriu i Kosovës sot është pazari më i madh i Evropës; aty shitet e blihet çdo gjë: së pari e ardhmja e qytetarëve të Kosovës, sovraniteti dhe dinjiteti i shqiptarëve…, e pastaj tullat, nafta, politika, drutë, prodhimet ushqimore, armët, droga, lopët, spiunët, njerëzit…, çdo gjë. Në krejt këtë tregti kriminale përfitimet më të mëdha i nxjerr Serbia dhe pushtetarët më të lartë të Kosovës, sepse familjarët e këtyre të fundit janë ingranazhi themelor i saj.

  1. Pas Fusnotës vijnë negociatat për Veriun e Kosovës

Denigrimi i Kosovës me çoroditjen e emrit dhe, përmes tij, vënien në pikëpyetje edhe të statusit të saj nuk do të harrohen kollaj, përkundër zhurmës dhe demagogjisë së shpëlarë të pushtetarëve imoralë.

Fusnota ishte testi përmbylltar për hapjen e negociatave për Veriun e Kosovës, gjegjësisht formimin e një entiteti serb atje, përmes të cilit në Kosovë do të mbahet pezull çdo gjë: kufijtë, sovraniteti, politika, ekonomia, siguria dhe çdo segment i jetës së përditshme të qytetarëve.

Aksioni i zhurmshëm i 25 korrikut 2011, në thelb nuk kishte për qëllim vendosjen e sovranitetit ne Veri, por poshtrimin e Kosovës dhe përgatitjen e terrenit për më të keqen. Sepse në atë aksion nuk kishte asgjë serioze dhe jo për fajin e policëve e aq më pak të kolegut të tyre që u vra, por për fajin e drejtpërdrejtë të Hashim Thaçit, i cili, në mungesë të një elite të qëndrueshme në vend, e ka kthyer Kosovën në një république bananière; një vend pa dinjitet dhe pa të ardhme.

  1. Për gjendjen në Veri ka shumë gjynahqarë

Veriu i Kosovës, për turpin tonë dhe të bashkësisë ndërkombëtare, i përngjan më së shumti Somalisë. Aty nuk ka as shtet, as ligje, as shpresë. Fillimisht, Veriun akoma pa përfunduar lufta, e ka braktisur paria e Kosovës, pastaj ndërkombëtarët, pastaj elita intelektuale, pastaj mediet e më vonë të gjithë. Në fakt ky edhe ishte qëllimi i Serbisë, sepse një territor të braktisur nga të gjithë nuk është ndonjë problem ta vësh nën kontroll.

Veriu i Kosovës sot është pazari më i madh i Evropës; aty shitet e blihet çdo gjë: së pari e ardhmja e qytetarëve të Kosovës, sovraniteti dhe dinjiteti i shqiptarëve…, e pastaj tullat, nafta, politika, drutë, prodhimet ushqimore, armët, droga, lopët, spiunët, njerëzit…, çdo gjë. Në krejt këtë tregti kriminale përfitimet më të mëdha i nxjerr Serbia dhe pushtetarët më të lartë të Kosovës, sepse familjarët e këtyre të fundit janë ingranazhi themelor i saj.

Në kohën kur Kosova kishte dhe ka parlament, president, qeveri, institucione…, Qeveria e Serbisë ka blerë dhe vazhdon të blejë ditën për diell me mijëra hektarë toka që ishin prona shekullore të shqiptarëve dhe të boshnjakëve. Askush deri sot nuk e ka ngritur zërin për këtë: as parlamenti, as presidenti, as qeveria, as mediet. Askush.

Ky është shëmbulli më konkret se për gjendjen në Veriun e Kosovës ka shumë gjynahqarë.

  1. Rreziku vjen nga politikanët që e ‘kanë bishtin e zënë me derë’

Sipas të gjitha gjasave çështja e Veriut të Kosovës do të shtrohet në tavolinën e negociatave pas zgjedhjeve në Serbi. Dhe, në këtë rast, raporti i forcave që, në gjithëçka është themelor, do të jetë i disfavorshëm për Kosovën. Qe pse:

Serbia do të ketë qeveri legjitime, të dalë nga vota të rregullta;

Serbia tashmë është kandidat për t’u bërë pjesë e BE-së;

Serbia ka institucione të qëndrueshme;

Serbia ka strategji të qartë: copëtimin me çdo kusht të Kosovës dhe pamundësimin e saj për t’u bërë shtet.

Kosova ka parlament, qeveri dhe president por pa legjitimitetin e votës së lirë.

Kryeminstri ynë njihet botërisht si kryeorganizatori i vjedhjes industriale të votave. Ai është objekt hetimesh ndërkombëtare, jo për trafik me organe të njerëzve, siç po bën zhurmë Serbia, sepse kjo është shpifje, por për gjëra krejt tjera: vrasje të kundërshtarëve politikë (Ahmet Krasniqi, Ekrem Rexha etj., ); trajtim çnjerëzor të deputetëve të Kosovës gjatë kohës së luftës në Qirez; krime të kryera nga strukturat e udhëhequra prej tij pas luftës dhe, mbi të gjitha si organizator i ngjarjeve të përgjakshme të vitit 2004, që de facto e shtruan në tavolinë çështjen e copëtimit të vendit dhe i hapën udhën planit të Ahtisarit, i cili, de facto, e bëri Kosovën shtet asimetrik.

Duke pasur Kosova kryeministër një person me një bagazh të tillë mbi supe, çdo negociatë e saj me Serbinë a priori do të jetë e dëmshme për të. E keqja më e madhe është se Hashim Thaçi nuk është i vetmi politikan që e ka ‘bishtin e zënë me derë’, e ky lloj politikanësh janë potencialisht të rrezikshëm për vendin.

  1. Loja e rrezikshme me kufij

Politika e Serbisë, pavarësisht grindjeve triviale, në thelb është unike. Të gjithë, pozita dhe opozita, pajtohen se, tash për tash, Kosovën e kanë humbur, sikundër që pajtohen se duhet të bëjnë të pamundurën që ta marrin një copë të mirë të saj.

Ndërkaq, në Kosovë është e kundërta; sa permendet plani i Ahtisarit, sa përmendet Ahtisari plus, sa përmendet statusi special, sa përmendet ndërrimi i territoreve, sa përmendet bashkimi kombëtar. Një kakofoni e marrë që pasqyron më së miri mjerimin politik në Kosovë. Ajo që paria e Kosovës nuk e përmend asnjëherë është fakti se loja me kufij do të thotë luftë; se çdo përpjekje që çon te krijimi i një entiteti serb në Kosovë do të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për të ardhmen e Kosovës por edhe për sigurinë e rajonit.

Pikërisht mungesa e një qëndrimi të vendosur të institucioneve të Kosovës, ka bërë që herë Buseku, herë Bilti e herë ndonjë tjetër, të dalin me propozime konkrete për copëtimin e vendit tonë sikur të ishte fjala për akullnajat e Grenlandës. Paria e Kosovës asnjëherë nuk ka reaguar ndaj këtyre deklaratave të porositura keqdashëse e të rrezikshme.

Mediet tona, në një masë të mirë të kontrolluara, organizojnë debate për çdo gjë, madje edhe për borën e bollshme, por jo për këso çështjesh madhore që mbajnë opinionin në ankth. Natyrisht, edhe kjo heshtje flet shumë.

Në anën tjetër, të abuzosh nga Prishtina e gjetkë me dëshirat legjitime të shqiptarëve të Kosovës Lindore etj. është marrëzi. Atyre duhet dërguar mesazhi gjithëmonë i munguar nga paria e Kosovës: mos i braktisni me asnjë çmim trojet tuaja dhe varret e të parëve. Qëndroni aty se do të vijnë ditë të mira edhe për ju. Qëndroni se kurrë, kurrë nuk do t’ua kthejmë shpinën…

Elita politike duhet të jetë e njëzeshme kur është në pyetje sovraniteti i vendit: Kufijtë mund të korrigjohen në mirekuptim të plotë vetëm në mes të dy vendeve sovrane që njohin njëri-tjetrin, që nuk kanë probleme madhore mes tyre. E këso marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë vetëm pas disa dhjetëvjeçarësh.

Edhe kërkesa për bashkim kombëtar përballë rrezikut të copëtimit të Kosovës është vetëm një llomotitje. Pika e parë unifikuese për gjithë elitën shqiptare gjithandej duhet të jetë: bërja e Kosovës shtet.

Dhe tash më duhet të jetë e qartë për të gjithë se këtë nuk mund ta bëjnë kurrë ata që kanë urdhëruar të vriten rivalët politikë; ata që kanë dhënë prova se janë cuba e mafiozë të pandreqshëm.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*