Udha e gjatë deri te liria

Shkruan:
Xhafer Shatri

Tregim në katër pjesë

 

Sot u bënë 35 vjet nga dita që në Burgun Qendror, në Beograd, u mbyt mizorisht njëri prej veprimtarëve më të paepur të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, Heroi i Kombit, Zijah Shemsiu.

Propaganda e shfrenuar serbe arrestimin dhe vrasjen mizore të Zijah Shemsiut e lidhi me njërën prej aferave më të rënda e më të shëmtuara antishqiptare të njohur me emrin “Rasti Martinoviq“. Ishte fjala për vetëlëndimin e një ushtaraku rezervë e manjaku seksual serb, me emrin Gjorgje Martinoviq, i cili pastaj, i nxitur nga autoritetet serbe të pushtimit, akuzoi shqiptarët si sulmues të tij. Ky rast i shëmtuar kishte ndodhur mu në ditën që u mbyt mizorisht Zijah Shemsiu.

Shtypi i tërbuar serb, nuk ngurroi që këtë këtë shpifnajë të paparë t’ia faturojë familjes së Zijah Shemsiut, ani se që të katër burrat e shtëpisë ndodheshin shumë muaj më parë në burg dhe njëri prej tyre, Zijahu ishte masakruar po atë ditë.

Zijah Shemsiu u lind në fshatin Përlepnicë, komuna e Gjilanit, më 1 korrik 1950 dhe u vra më 1 maj 1985 në Burgun Qendror të Beogradit..

Si 20 vjeçar doli në mërgim dhe atje iu bashkua Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, duke u bërë shpejtë një nga shtyllat kryesore të saj.

Po e publikoj në vijim këtë shkrim për Zija  Shemsiun, të botuar këtu e 21 vjet më parë, në revistën “Pasqyra“ numër 9, datë 2 shtator 1999.

 

1.

Në njërën prej ditëve të fundit të pranverës së vitit 1971, në Banhofin e Bernës zbritën edhe dy djem që vinin nga një vend krejt i harruar me emrin Kosovë. Njëri syresh ishte i hollë, me flokë të gjatë, ngjyrë gështenjë. Ende nuk i kishte mbushur njëzet vjet. Nga sytë i shkëlqente një blertimë, si uji i burimit nën hijen e shelgut. Posa zbritën në peron po i thotë bashkudhëtarit:

– Hapi sytë se n’vend të huaj merr n’thu më lehtë, por rrëzohesh më keq.

Ai tjetri, që ishte krejt i hutuar e pyeti:

– Kah me shku na tash?

– Drejt, kah po shkojnë të tjerët dhe mos u huto se nuk është bërë hataja qe kemi ardhur këtu. Sepse n’katund temin stacioni i trenit është shumë më i madh se ky këtu dhe ndërtesat më të lartat për nja disa kate.

–    Shuj more zhelan se po t’ndien kush!

–   A di çka? A ulemi dhe ta marrim nga një kafe, se po më duket se jemi lodhur pak.

U ulen në bistron Rapid në ndërtesën e Stacionit. Kur erdhi kamerieri iu drejtua në gjermanisht se çka dëshironin.

–    Një bucelë me qumësht të dhisë!

–    Nicht fertich.

–    Kafe sade!

–    Ja Kafe!

–  Sade.

–  Nain sade, ja kafe.

Ua solli kafetë.

–  Pas pak nga prapa banakut drejt tyre u drejtua një i ri:

–  Mirëdita, prej nga jeni?

–  Nga Perlepnica

–  Nga Pograxha e Gjilanit

–  Unë jam nga Kaçaniku… Po punoj në këtë bistro. Po ju, çka ju ka qitur puna?

–  Erdhëm edhe na me pa dynja me sy, tha flokëgjati.

–   Çka dini me punu, tha kaçanikasi.

–  Unë ndërtojë aeroplana, ndërsa ky, shoku im është usta i madh për trena, tha flokëgjati.

–  E di se shqiptari i di dhe punon të gjitha, por unë e kam pa hajgare.

–  Kemi dalur jashtë për të gjetur ndonjë punë verës, përndryshe kemi qëlluar të dy pa asnjë zanat.

–   Po flas me padronin dhe besoj se mund të gjeni punë këtu, njëri në kuzhinë dhe tjetri në servis. Shkoi dhe erdhi me padronin.

–  Si e ke emrin Zijah Shemsiu, u përgjigj flokëgjati.

–  Sa vjet i ke?

– 20.

 Po ti?

Naim…

Të nesërmen ia filluan punës. Në fillim ishte vështirë, por pasi i theu disa gota dhe mori disa hungërime në gjermanisht, u mësua. Gjuhën e mësoi shpejt dhe pa u bërë 3 muaj komunikonte për marak dhe shërbente si të kishte mbaruar shkollën e turizmit. Kishte një dilemë a të shkonte në Kosovë të regjistrohej në studime apo ç’të bënte. I pëlqente të ishte i pavarur, të fitonte vetë  bukën e gojës. Gradualisht u mësua edhe me ritmin e punës. Fitonte një rrogë solide, ndihmonte  shtëpinë, udhëtonte te shokët dhe te të  afërmit në Zvicër e Gjermani… Gjithnjë me  një hare të pashqitshme. Pas disa vitesh u njoh me Gertën, një  bernoaze shumë simpatike. Ajo admironte humorin e tij dhe qasjen e drejtpërdrejtë  ndaj halleve të përditshme të jetës, ndërsa ai atë sjelljen e saj lirshëm dhe komunikimin pa asnjë kompleks…

Jetonin bashkë. Pas disa muajsh u lindi një djalë.

– Një ditë shkoi ta vazhdojë pasaportën në Ambasadë. E dorëzoi dhe i thanë të vijë të nesërmen. Kur shkoi e futën në një zyrë, në katin e parë. Aty e priti një burrë rreth dyzetvjeçar që iu paraqit si Marko.

 Ti je Zijahu?

– Po.

– Ti punon në Rapid?

– Po.

– Ka kohë që kam pasur dëshirë të bisedojmë.

– Po ju dëgjoj, tha, ndërkohë që iu kujtua se  e kishte parë atë fytyrë shpeshherë andej,  kah Bahnhofi.

– Unë jam konsulli, merrem më shumë me  problemet që i kanë zemljakët tanë. Kam dëgjuar se ti je shef i servisit në Rapid dhe kam dëshirë të bisedojmë pak për do gjëra të rëndësishme… Andej nëpër  Bahnhof kalojnë plot njerëz.

– Po për atë punë është bahnhofi. Vazhdimisht udhëtojnë e zbresin njerëzit,  ia ktheu me një indiferencë të plotë.

–  … na kemi armiq…, emigracioni është i  rrezikshëm, ata po dërgojnë në Jugosllavi bomba, po edhe libra armiqësorë, po bëjnë  propagandë… ne si qytetarë e kemi për detyrë ta mbrojmë vendin nga rrënuesit e  ndryshëm… Ne kemi nevojë që nëse ti sheh ndonjë njëri të rrezikshëm të na telefonosh menjëherë. Ja për shembull a të  kanë rënë në sy ndonjëherë ndonjëri prej këtyre personave? Këta sillen shpesh këndejpari… Dhe i vuri në tavolinë 4 fotografi. Dy i njohu menjëherë, ishin gazetarë të rinj, njëri bashkëfshatar, ndërsa tjetri gjilanas. Flitej se askush nuk e di se ku ndodhen prej vitesh. Dy të tjerët nuk i njihte.

U përmbajt dhe tha krejt qetë:

–  Nuk më kujtohet t’u kem shërbyer ndonjëherë këtyre personave. Megjithëse, siç e  dini, kamerieri gjatë shërbimit më shumë duhet të kujdest për atë që bart se sa të shohë ata të cilët shërben. Duke shikuar  ndonjë qikë të mirë, më ka rastisur t’i thej  filxhanat dhe ta bëj helaq edhe ndonjë klient…

–  – Sidoqoftë nëse i sheh ndonjëherë  lajmërohu. Mos harro se në këto hesape  bakshishi është shumë më i madh se në  Rapid.

–  Do ta kem parasysh…

2.

Në dorë i mbeti  kartëvizita e konsullit. Dhe doli. Ishte mars i vitit 1980. Pas tri javësh në Rapid hyri një person fytyra e të cilit i dukej shumë e njohur. E pa me vëmendje, por nuk i kujtohej. I gjasonte me fotografinë që kishte parë në  zyrën e konsullit. Por paskësh ndryshuar  shumë; i kishin rënë flokët dhe rrethi i syve  iu kish thelluar si të kishte boksuar tërë ditën. Iu afrua duke i thënë shqip:

–    Mirëdita!

–    Tungatjeta.

–    Si je Kadri?

–    Mirë si je ti?!

–  Ndoshta nuk po më njeh. Jam Zijah  Shemsiu, nga Perlepnica dhe kam diçka të  rëndësishme me të thënë. Por këtu mund të biem në sy.

Ia çoi një kafe dhe me të një copë letër ku i  tregoi shkurt se duhej të bisedonin, por jo  këtu. Ia dha telefonin në shtëpi. Pas tri ditësh u takuan në Movenpic. I tre-  goi si ishte puna dhe i tha se sa herë që të  ketë nevojë për të të mos ngurrojë. U takuan edhe disa herë të tjera.

Një fundjave, gjersa me të shoqen po  shkonte në Thun, për piknik, pa një per-  son me një borsolinë e me frak që mbante një qenush për dore, një nga ata minukët e  vegjël që rriten me lezet nëpër banesa. Iu duk  fytyrë shumë e njohur.

E pa me vëmendje. Kishte qenë SelimBrosha !

A po më bëjnë sytë apo çka dreqin është në pyetje? Iu afrua edhe më afër dhe u bind se ishte ai, udbashi i njohur i Gjilanit. U bë se nuk po e njeh: pastaj iu përvodh ngadalë për ta përcjellë se çka bënte ai aty, i maskuar në frak, me kravatë flutur dhe me një qen të vogël race për dore. Iu përvodh anash dhe pas pak e pa se ai po bisedonte me një femër, asistente refugjatësh, të cilën e njihte, sepse shkonte shpesh në Rapid. U çudit.

Pas katër ditësh takoi Kadri Zekën. I tregoi për Broshën dhe i tha të ketë kujdes.

Më 11 mars 1981, në lajmet e mesnatës u njoftua për trazirat e studentëve në Prishtinë. Ditët e pastajme vinin lajme për gjendjen e tendosur, për vazhdimin e trazirave. Për herë të parë në jetën e tij filloi të mendojë politikisht.

Në takimin tjetër me Kadriun, i tha se duhet bërë diçka.

– Mos më heto në këtë mënyrë, jemi bashkëvendas, jam i gatshëm me ba çka të më thuhet.

Tërë atë pranverë i vizitoi gjithë të njohurit e tij në Bernë e rrethinë.

 U fliste për demonstratat në Prishtinë e gjetkë. U telefononte njerëzve që i njihte.

  Ishte një gjendje e tendosur, te të gjithë që bisedonte shihte një brengë, një shqetësim, një revoltë të  çuditshme, një zgjim. Të gjithë ata njerëz, që   nuk i kishte dëgjuar kurrë të flasin për politikë, tani ishin elektrizuar, flisnin me urrejtje për shtetin  jugosllav dhe ma admirim për studentët.

 Ata njerëz që dërrmoheshin në punë, që kursenin aq shumë, tash  ishin bërë krejt të tjerë. Çuditej me ta dhe me vetveten.

Më 11 prill 1981, në Bernë organizuan demonstratën e parë, ku  morrën pjesë mbi 300 veta. Disa  burra të moshuar u bën gati si të shkonin në luftë. I doli shumë  problem me nja dy bashkatdhetarë të moshuar të rrethit të Ferizajt, të  cilët këmbëngulnin t’i marrin revolet me vete: ndoshta duhet të vritemi me shkije, thonin.

Kaluan mirë. Një gazetari serb ia  morën aparatin. Ndërsa një tjetri, sigurisht punëtor i ambasadës në  Bernë, që fotografonte nga korridori i një ndërtese ia shkundën  pluhurin bukur mirë.

U angazhua në hapjen e klubeve  shqiptare. Nuk ka bashkëpunim me  serbë, ne duhet t’i bëjmë klubet  tona, ne duhet të punojmë që t’i  kemi të gjitha tonat: edhe pasaportat tona, ne duhet të bëhemi me të  gjitha më vete dhe për vete…

Tashmë ishte tretur përgjithnjë jeta normale, fundjavët e qeta me të  shoqen dhe djalin. Duhej udhëtuar  nga demonstrata në demonstratë, duhej të futeshin njerëzit nga një kufi në tjetrin, duhej shpërndarë shtypi i lirë, duhej dhënë anëtarësia…

Kjo krijoi të çarat e para në familje. Ku ke qenë, pse s’po vjen me kohë… Ishte i lodhur, nuk kishte kohë as për sqarime, i dukej  absurde të sqarohet. Një ditë e humbi edhe  punën. Atentati, në Shtutgart, kur u vranë tre prijës të Lëvizjes, e dërrmoi shpirtërisht.

Në një mbrëmje kur po e torturonte vetmia, kur pa se lëvizja mbeti pa udhëheqje  dhe po shkapërderdhej organizimi, preku  fundin me gruan:

Në pyetjet e saj ku ke qenë (kishte qenë në  varrimin e njerëzve që po t’i thoshin  zhvishu dhe shtrihu në prush, do t’i  dëgjonte pa kundërshtin) nuk mundi të  përmbahet. Ia tha shkurt: ti nuk e di dhe nuk do ta marrësh vesh kurrë se çka është  dhimbja, se çka është vuajtja dhe me një  njeri që nuk i merr vesh këto gjëra e kam të pamundur ta çojë jetën. I mori teshat dhe doli. Nuk e puthi as të  birin. E dinte se po ngutej, por ishte i vrarë dhe kishte nevojë për një ngushëllim, për  një fjalë të mirë.

Atë natë shkoi te S. Basha, i cili posa ia  hapi derën e pa se ishte shumë keq. Në  pyetjen se çka kishte, i tha shkurt:

“Kurrë dheu i huej dhe njerëzit e huej nuk  mund të bëhen tutë… edhe po qe se duan. Tash shtromë se kam nevojë t’i pushoj eshtrat dhe trutë.”

Të nesërmen e mori veten. Shkoj dhe gjeti punë në Gumlingen, e mori në telefon të   shoqen dhe i tha shkurt:

– Nuk desha të të fyej mbrëmë. Nuk është edhe faji yt. E di se dhimbja e dheut tim e dërrmon edhe shkëmbin e lëre më martesën tonë. Nuk është e drejtë që ajo peshë të përplaset edhe mbi ty. Të kuptoj. Ne do të mbetemi përgjithnonë miq, por bashkëshortësia jonë ka marrë fund…

 Në anën tjetër të telefonit dëgjoheshin dënesat…

 … Natën e mirë.

3.

Dhe jeta e lufta vazhdonin. Organizoheshin demonstrata, shpërndaheshin gazetat, mblidheshin mjetet financiare për organizatën. Nisnin përçarjet. Në njërën prej këtyre aktiviteteve u njoh me Nuhiun, student i arratisur. Ishte dhjetë vjet më i ri, një djalë si rrufeja. Rrinin gjatë dhe bisedonin për të gjitha. Një ditë vendosën të shkojnë “brenda”. U përgatitën, i blenë hartat topografike, morën nga një armë dhe pasi morën rreth 1000 kopje të shtypit të lirë, u futën në Kosovë. Nuk ishte puna keq. U kthye prapë, shkoi prapë, u kthye dhe shkoi sërish me Salihun. Atje takoi Nuhiun, takoi edhe Rexhepin, që posa ishte liruar nga burgu. U frymëzua me forcën dhe vullnetin e tyre. Në vjeshtën e parë të vitit ’83 shkoi me një student tjetër të arratisur, Samiun. Një ditë para se të nisej takoi një gazetar të Kosovës, mikun e një shokut të tij. E lanë të takohen në Prishtinë, caktuan datën dhe vendin. Nuk ishte i vetmi me të cilin kishte folur. Prandaj nuk vonoi e nisën të dalin fjalët nëpër Bernë për udhëtimet e tij të çuditshme… Kaluan Italinë, hynë në Slloveni, aty morën, si zakonisht, autobusin Lubljanë-Beograd. Ishte krejt i qetë. Diku afër Beogradit policia ndali autobusin, dukej si një kontroll i zakonshëm. Hyri njëri syresh dhe u tha dorëzoni dokumentet, udhëtarët i jepnin, njëri-pas tjetrit. Doli problemi me një udhëtar në karrigat e para dhe urdhëruan shoferin ta dërgojë autobusin në stacion të policisë. Filluan të zbresin një nga një. Para tij ishte Studenti, zbriti me qetësi të jashtëzakonshme. Vetë kishte armën më vete, një revolver smithweson, ngjitur te çorapja. Si pahetushëm u përpoq ta nxjerrë ngadalë, por me t’u kërrusur, dy “udhëtarë” që ishin pas tij iu sulën përmbi. Ishte e pamundur të bënte çkado qoftë. U bind se kanë rënë në kurth dhe se krejt kjo ka qenë vetëm një sajesë. Ia shtrënguan duart si me darë dhe e zbritën posht. Mëtej ishte Studenti i lidhur.

Mbahej shumë mirë.

Ku e ke bagazhin?

Nuk kam.

Ku po shkon,

Në shtëpi.

Grushti i parë pse nuk po tregon se ku është bagazhi… Pastaj në një “maricë” dhe drejt në objektin, që më vonë do të mësojë se quhet Burgu Qendror (Centralni zatvor, CZ). E çuan në një zyrë. Aty e priti një befasi tjetër: Në tavolinë përballë ishte Marko, konsulli jugosllav në Bernë! U çua në këmbë posa e futën  brenda:

–   Po ku je mor, Shemsiu ti? Ç’ka të ka nxjerrë puna në Beograd? E sheh, më mirë të shihemi në Zvicër apo këtu te ne, në prestonicë.

–    ?!

–   Do t’i biem shkurt. Atje në Zvicër nuk më ke kuptuar mirë, ndoshta këtu më merr vesh më mirë: I ke dy rrugë, ose do të bësh çka të themi ne ose nesër në mëngjes kemi për të sjellë këtu në burg bashkë me ty krejt familjen dhe do t’i dënojmë njësoj si ty që po mbush Kosovën me material propagandistik dhe me armë! Edhe pse i vetëdijshëm se ishte zënë me
 kërpesh për dore dhe se ishte i tëri një kurth, iu përgjigj me vendosmëri:

–   Unë do të bëj vetëm atë që më urdhëron ndërgjegja ime.

–   Paç veten më qafe.

 Dhe pas pak hyn brenda xhelatçinjtë. Iu hodhën sipër me shqelma, me dajakë e me boksa. Kishte përshtypjen se është kokërr elbi nën gurin e mullirit. Mezi arrinte të merrte frymë. Dikur humbi vetëdijen, pastaj e sillnin në vete me ujë dhe prapë “proçedura e mullirit”… Pas dy ditësh ia sollën babain. E kishin  dërrmuar. U përpoqën ta detyrojnë të  ndikojë te i biri, por Plaku vetëm i tha:

–   Biro, nuk është me rëndësi kur del, por si  del prej këtu.  I ranë Plakut keq sa që iu përgjak goja prej  nga i ra një dhemb në tokë, si të ishte  fasule. U vërsul mbi kriminelin dhe i ra me  kokë në gjoks. E hodhi përdhe. U lëshuan  mbi të gjersa humbi vetëdijen.  Një ditë ia sollën Studentin në ballafaqim.  E kishin shkallmuar, e njohu vetëm në sajë  të setrës, sepse koka i ishte bërë dy herë më  e madhe. Sytë iu kishin mbyllur. E pyetën a e njeh. Ai përgjigjej jo me  pehatje koke, sepse si duket nuk mund të fliste.   

E pyetën edhe këtë a e njeh ti Sami Kurteshin?

– Sot po e shoh për herë të parë!

E torturuan tërë natën sa që në mëngjes e çuan deri te qelia duke e tërhequr për këmbësh, zvarrë nëpër korridor. Pastaj ia sollën të dy vëllezërit dhe kështu me muaj: vëllezërit, Plakun, Studentin. Në mënyrë veçanërisht mizore silleshin edhe dy shqipfolës që vinin për ta marrë në   pyetje, njëri nga Gjilani ndërsa tjetri nga   Vranja. U bë dhe gjykimi, ishte maji i vitit 1984. E dënuan më 13 vjet burg, Studenti më 9 vjet burg, të dy vëllezërit më nga 5 vjet burg,  ndërsa Plakun 4 vjet.   Më 5 mars 1985, bashkë me të burgosur të   tjerë politikë hartoi dhe nënshkroi një Memorandum drejtuar organeve të Federatës, në të cilin arsyetoheshin kërke-   sat e Lëvizjes për Republikë. Pas këtij Memorandumi i shpërndanë e i bënë pikë    e pesë nëpër burgje të ndryshme. Më 1 maj 1985 e nxorën nga qelia dhe e  dërguan në një zyrë. Aty kishte qenë  Marko.

4.

 

–  Ku je, si je Shemsiu? Ti akoma nuk ke vënë mend. Çka po të duhen peticionet,  pse nuk po shikon punën tende, e sheh se   ke shkatërruar familjen tënde. Ju ka mbe-  tur shtëpia në gra e në femijë…  Vetëm e pa drejt e në sy. I shkoi mendja t’i   përgjigjet, por mendoi se më mirë është ta  sfidojë me heshtje.

–  Të kam thirrë prapë, për të tretën herë, me të thënë se nëse do të më dëgjosh, unë jam në gjendje brenda dy javësh me ta   lëshue edhe babain edhe vëllezërit. Ti duhet të më dëgjosh… Ne e kemi shkatërruar Lëvizjen jashtë, ne i kemi përçarë në  mes veti e i kemi bërë pikë e pesë. A e di ti se “Zërin e Kosovës” që e ke sjellë këtu, duke rrezikuar kokën, ne e kemi bërë  paçavër. Tani po del një zë tjetër i Kosovës, në të po shkruhet çka është një e zezë për shokët e tu… do të dalin prapë zëra të Kosovës, pra ne ia kemi arritur qëllimit. (Zijai shte në dijeni për çarjet  mëdha që kishin ndodhur pas arrestimit të   tij, ia kishte thënë një i burgosur tjetër). Ne e kemi vrarë Jusufin e Kadriun, Bardhin,  Nuhiun, Rexhepin. Kemi vrarë edhe të tjerë, do të vrasim prapë. E ke kot, ne i dimë të gjitha, por një gjë po na mungon në mozaik, një detaj krejt i vogël.  Vendosi të heshtë gjer në fund dhe vetëm ta dëgjojë me vëmendje.

–  Kemi të dhëna se me një rast ke qenë në Barcelonë, atje je takuar me dikë, kush ka qenë ai, kush ta ka dhënë lidhjen dhe çfarë kombësie ka pasur dhe për çka keni biseduar. E kishte lodhur vetmia, druante se kjo thikë mund t’i vinte herëdokur një ditë, i përqëndroi forcat e fundit për ta ruajtur gjakftohtësinë. Por ishte vështirë, sepse njeriu që kishte përpara ishte pipthi konkret i merimangës, që ia kishte mbështjellë mjeshtërisht trupin, jetën, familjen, shokët, kombin dhe i përpinte të gjithë ngadalë e për qejf. E pushtoi një tërbim, një urrejtje sa që ishte i gatshëm ta hante të gjallë.

–  Fol, pse po hesht. E ke në dorë veten dhe familjen tënde.

–  Unë vetëm ndërgjegjen time e kam në dorë, asgjë tjetër. Këto që po i thua nuk po i marrë vesh. Unë jam i dënuar, ndaj meje nuk ka më hetime…

–  Hetimet për ty kanë për të vazhduar edhe  kur të mos dihet se ku e ke pasur varrin.

–  Unë nuk kam çka them më. Marko u çua, iu afrua krejt afër dhe i ra  shuplakë sa që ia humbi krejt drejtpeshimin. Pastaj ia shau nënën dhe djepin  që e ka rritur, ia shau farën.

I erdhi te hunda. Krahas urrejtjes një ide për kotësinë dhe pakuptimësinë e jetës në burg, kur nuk i shërben çështjes, kur mund të të keqtrajtojë kush të dojë… Pafuqia për t’i ikur shfrimit të kriminelëve, pamundësia për t’ua ndaluar t’ia shajnë Nënën, motrën, farën… Ishte bërë shumë dhe tani gërmonin atje ku nuk guxonte ta shihte as në  ëndërr… Ishin vetëm të dy. Trutë ia ndriçoi një vetë-  timë: paska ardhur ora e vdekjes, ora e  shpëtimit; dhe iu vërsul me thonj e me  dhëmbë. Përleshja zgjati derisa erdhën e u bënë shumë. Zgjati deri sa ua la shpirtin në  duar. Pas dy ditësh njoftuan familjen me  telegram se ka vdekur nga një sëmundje në fyt. Pastaj e sollën kufomën.

E varrosën në  varrezat e fshatit. Shumë ditë me rradhë  varrezat i ruante policia.  Por zogjve, çuditërisht, askush nuk mundi  t’ua ndalë këngën atë verë. Vetëm ata ia  përcillnin grumbullit të ri të dheut mallin e  dhimbjen e pafund të shokëve të tij. Atyre, shokëve, që kur u binte ndërmend Ai, e kjo ndodhte e vazhdon të ndodhë shpesh, iu ndalej fryma e u tretej edhe
 ndonjë rreze e rrallë e gëzimit.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*