Thaçi me shokë vazhdojnë të tallen me viktimat e krimeve serbe

Shkruan:
Xhafer Shatri

E kam dëgjuar Hashim Thaçin, por vetëm këto kohët e fundit, t’i përmendë krimet e Serbisë në Kosovë, ndërsa dje Kadri Veselin të kërkojë Gjykatë ndërkombëtare për t’i dënuar këto krime. Dhe ideja e parë që më erdhi ishte: a thua ku jetojnë këto vetje? A e dijnë këta se Lufta është ndalur para 20 vitesh? Ku ishin ata deri tash? Qe 12 vjet a ishin mu këta në pushtet apo dikush tjetër?

Pikërisht kjo harresë e tyre dhe ndërmendja e tepërvonuar flet, më se miri, për mungesën e vetëdijes minimale dhe të çdo virtyti te këta kapës të shtetit, te këta cuba të zhveshur cipridoncullak.

Nuk ka pëllembë të tokës së Kosovës, që nuk ka një varr, që nuk ka një plagë, që nuk ka një rrëke gjaku, që nuk ka një grusht lotë dhe ku nuk ka një mal me poshtrim e një det me dhimbje… Ai që nuk e di këtë, ai, sigurisht, nuk ka shpirt.

Duhet nënvizuar se, në këtë harresë të pafalshme këta kryecuba të vendit, nuk ishin vetëm, sepse gati e tërë paria e Kosovës ka anashkaluar dhe ka nëpërkëmbur viktimat dhe krimet e panumërta të Serbisë në Kosovë, vuajtjet e papërshkrueshme të kësaj Toke që më së miri do t’i shkonte emri Dhembje.

Sepse kanë kaluar 20 vjet dhe askush prej tyre nuk e ka shtruar institucionalisht çështjen e krimeve të Serbisë në Kosovë, madje as në një debat serioz publik e lëre më të kristalizuar në formë rezolutash e ligjesh detyruese.

Për 20 vjet është dashur të jenë përgatitur nga shteti me mijëra libra, dokumentarë, filma, tryeza, debate dhe parashtresa drejtuar institucioneve ndërkombëtare ku, me fakte, do të gozhdohej Serbia për çdo ditë dhe në çdo kryeqytet të botës. Do të ishin proceduar me dhjetëra mijëra aktakuza kundër xhelatëve serbë…, Do të ishin ngritur me dhjetra muze të mbushur përplot me dëshmi materiale të gjenocidit serb në Kosovë. Në mungesë të tyre, pjesa dërrmuese e dëshmive materiale janë zhdukur. Jam krejt i sigurt se asnjë popull tjetër në botë nuk do të pështyente në këtë farë feje mbi viktimat e terrorit të pushtuesve.

Po t’ia kishim bërë ne Serbisë vetëm 30% të atyre që i ka bërë ajo kundër nesh, ne nuk do të kishim fytyrë me dalë as për dere nga gishtrërinjtë tregues të saj që do të shfaqeshin gjithandej rruzullit dhe në të gjitha format  e trajtat e mundshme.

Të gjithë ata që i dijnë e u dhemb shpirti për të gjitha vuajtjet e kësaj Toke le t’i analizojnë publikimet, paraqitjet dhe angazhimin e Dy Zonjave të Mëdha Serbe, Natasha Kandiq e Sonja Biserko dhe t’i krahasojnë përkushtimin, sasinë dhe efektin e përpjekjeve të tyre për zbardhjen dhe denoncimin e krimeve të Serbisë në Kosovë me ato të institucioneve tona, të cilat tash 20 vjet, de facto, i udhëheq apo thënë më mirë e më saktë, i përdhunon serbisht kryeshefi i cubave, Hashim Thaçi.

Ky do të duhej të ishte thelbi i një debati të gjerë në Kosovë dhe gjithandej ku ka shqiptarë, i një debati që do të na ndihmojë të gjithëve ta kuptojmë dhe ta pranojmë Huqjen dhe Turpin tonë kolektiv përballë viktimave të panumërta dhe braktisjen e përditshme të tyre.

Viktimat nuk kujtohen në përvjetore të mërzitshme duke u vënë mbi varre kurora e lule plastike, duke mbajtur fjalime boshe, as duke u kapërdisur përballë varrezave të tyre, por duke kultivuar mençurisht Kultin e Sakrificave të tyre, ashtu siç bëjnë Jevrejët, një popull tjetër që ka provuar në shpinë, si edhe ne, praktikat shtetërore të asgjësimit.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*