Telat e këputur të KQZ-së

Shkruan:
Xhafer Shatri

Zonja Kryetare,

Po ju shkruaj, edhe publikisht, për të tërhequr vëmendjen tuaj dashamirëse për sa vijon :

Tashmë po dihet se një numër i madh mërgimtarësh kanë aplikuar për të shfrytëzuar të drejtën e tyre që ua garanton Kushtetuta, pra të drejtën për të votuar. Në medie është përmendur se janë 200 mijë aplikues, por nga burimet e KQZ-së kam mësuar se numri i saktë i aplikuesve është 164’000.

Në fillim, ani se vendimi i KQZ-së, për të verifikuar identitetin e aplikuesve përmes telefonit, ishte i papritur, megjithatë, u pa interesimi i vartësve Tuaj për të zbatuar këtë vendim. Nga KQZ-ja kishte telefonata gjithandej. Djalin tim madje e kanë thirrë dy herë !

Por kohët e fundit telefonatat janë rralluar !

Njoh plot bashkatdhetarë që nuk i ka thirrë KQZ-ja. Ata me të drejtë janë të shqetësuar. Dhe këtë shqetësim ma shprehu parmbrëmë edhe një student, përgjegjës i një grupi, që po bënte një hulumtim për këtë çështje. Siç kanë bërë përpara studentët e komuniteteve të ndryshme të të huajve në Zvicër.

Sipas tij, nga data 21 janar, asnjëri nga 3’500 vetjet e hulumtimit të tyre, gjithandej në Zvicër (natyrisht me prejardhje nga Kosova), nuk ishte kontaktuar nga institucioni që ju e drejtoni. Për shkaqe korrektësie e saktësie, personin në fjalë e thirra dje (28 janar 2021), dhe ma konfirmoi se, pas përditësimit të të dhënave dje në mëngjes, del se, prej fillimit të aplikimit, vetëm 24.6% e vetjeve të hulumtimit qenkesh kontaktuar nga KQZ-ja. Përmes telefonit, natyrisht.

E përsëris se fjala është për persona që kanë aplikuar, përmes postës elektronike, dhe kanë marrë konfirmimin se fletaplikimi i tyre ka mbërritur në KQZ.

Kjo është shqetësuese. Prandaj po e ndaj me ju këtë shqetësim, duke besuar se do të ndërmerrni çdo gjë të mundshme për t’u zbatuar vendimi që ka marrë institucioni që ju drejtoni. Në të kundërtën, zgjedhjet e 14 shkurtit dhe sidomos KQZ-në, si organizator i tyre, do t’i përcjellë gjatë një hije e keqe dyshimi.

E di se nuk e keni lehtë, e di se pritjet dhe trysnia mbi KQZ-në dhe mbi ju është e madhe dhe e gjithanshme, por besoj dhe uroj që Ju dhe KQZ-ja, do të bëni çdo gjë të mundshme që t’ia jepni çdo qytetari mundësinë të votojë lirshëm, sepse vetëm kështu, zgjedhjet mund të jenë dhe të quhen të lira. Sepse vetëm përmes zgjedhjeve të lira do të mund të kemi institucione të besueshme dhe të qëndrueshme.

Me respekt të posaçëm,

Xhafer SHATRI

Gjenevë

Këtë letër Zonjës Daka, ia kam dërguar dje, më 28 janar 2021

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*