SERBIA I VRAU 1432 FËMIJË TË KOSOVËS

Shkruan:
Xhafer Shatri

Më 11 mars 2023, në Universitetin e Gjenevës, në një sallë të mbushur plot me mërgimtarë në moshë të re u bë promovimi i librit “Fëmijët shqiptarë në Kosovë, viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë“ të autorëve Hanëmshahe Ilazi e Nusret Pllana.

Paraprakisht u shfaq dokumentari kushtuar Isa Berishës, të cilin, në vitin 1995, në moshën 10 vjeçe e pati vrarë ushtari serb, Ivica Zhivanoviq. Sipas dëshmitarëve okular, Zhivanoviq e kishte thirrë Isain në kazermë dhe pas 10 minutash e kishte vrarë me automatik.

Gjykimi për këtë vrasje mizore nuk kishte përfunduar asnjëherë.

Përndryshe Nusret Pllana, është autor i shumë librave, përmes të cilave ka dokumentuar me mijëra vrasje që Serbia i kishte kryer në territoret shqiptare, që nga vitit 1844 e deri në vitin 1999.

Kjo është një punë kolosale, që Dr. Pllana e ka kryer me një vendosmëri e përkushtim të jashtëzakonshëm.

Në tubim, qoftë nga autori qoftë nga të pranishmit u konstatua se shteti ynë, Kosova, edhe sot gati një çerek shekulli pas Luftës së fundit, nuk ka bërë asgjë, ama bash asgjë qoftë për regjistrimin qoftë për procedimin e krimeve të shumta që i ka bërë Serbia kundër civilëve shqiptarë.

Nuk ka fjalë që do të mjaftonte për të denoncuar këtë indolencë të pafalshme deri edhe kriminale.

Nëse dikush mendon se kjo mbytje e kujtesës është vetëm vazhdim i një tradite të ligë për të harruar hajvanisht viktimat dhe krimet e panummërta që i kreu Serbie me plan konkret operativ, mashtrohet keq.

Sepse, sidomos, në këtë rast kemi të bëjmë me një politikë diabolike që, menjëherë pas luftës, e imponuan organizmat ndërkombëtar në Kosovë, përmes njerëzve që i kishte korruptuar Serbia, me motivin cinik, se “tani lufta ka përfunduar dhe shqiptarët duhet ta harrojnë të kaluarën dhe të mendojmë vetëm për të ardhmën“.

Kësaj murtaje i kanë ndihmuar sidomos pushtetarë hipokritë e amoral, që shkonin e vinin, pa çarë kokën për gjakun e derdhur, ndërkohë që në çdo përvjetor vërshonin e vazhdojnë të vëshojnë, si mizat, pranë varrezave të dëshmorëve gjoja për të shprehur pietetin e tyre për sakrificat e panumërta.

Thjesht, një shpërfaqje publike e një hipokrizie primitive ballkanike.

PS

Ajo që më bëri përshtypje në këtë promovim, ishte jo vetëm mosha e re e pjesëmarrësve por sidomos blerja masive e librave. Ishte kënaqësi me i pa!

Sepse kjo dëshmon jo vetëm kultivimin e traditave atdhetare në mërgim, por rritjen kualitetive të një gjenerate të re të integruar plotësisht dhe të vendosur ta kultivojë mbamendjen kolektive me një largpamësi izraelite.

Ishte kënaqësi t’i dëgjosh kah thonë se “i bleva dy ose më shumë ekzemplarë qoftë për familjarët e miqtë, e sidomos për t’i dorëzuar në bibliotekat e lagjeve ose të fakulteteve“!

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*