SERBIA ËSHTË RUSI

Shkruan:
Xhafer Shatri

Kundërofansiva e suksesshme e Ukrainës në përpjekjet e saj heroike për t’u përballur me agresionin rus ka nxjerrë në pah thelbin e synimeve të Rusisë: pushtimin e Europës, shkatërrimin e SHBA-së dhe shpartallimin e qytetërimit perëndimor.
Këto qëllime të errëta i pati deshifruar me kohë, njëri prej personaliteteve më të shquara të Evropës dhe miku i paepur i shqiptarëve, Otto Habsburg kur, gati para tre dekadash, deklaroi:

“Asgjë nuk janë krimet e llahtarshme serbe në këto luftëra në Jugollavi, çka do të shohim kur Rusia të fillojë ribërjen e Bashkimit Sovjetik!”

***

Në kulmin e kundërofensivës ukrainase, Aleksandër Dugin, të cilin e quajnë edhe truri i Putinit, botoi një ese, në të cilin, grosso modo, thotë:

“Jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore… Rusia është në luftë me krejt Perëndimin, me NATO-n dhe me aleatët e tij…
Operacioni Special Ushtarak në Ukrainë ka dështuar… ky fakt na detyron që Rusinë moderne ta transformojmë duke e vënë politikën, ekonominë, kulturën dhe sferën e informacionit mbi themele të luftës…
Liberalizmi perëndimor dhe dominimi global politiko-ushtarak dhe ekonomik i SHBA-ve dhe i paktit NATO është e njëjta gjë. Është absurde të luftosh kundër Perëndimit dhe t’i pranosh (madje edhe pjesërisht) vlerat e tij, në emër të të cilave ai po bën luftë kundër nesh, luftë deri në shkatërrim….
Kultura, informimi, edukimi, arsimi, politika, sfera sociale, krejt bashkë e njëzëshëm duhet të veprojnë për luftën, pra për fitore…
Në çdo luftë, aleatët janë tepër të rëndësishëm. Tash për tash Rusia nuk ka shumë, por ekzistojnë. Parasegjithash është fjala për vendet që refuzojnë rendin perëndimor, liberal dhe unipolar… si Kina, Koreja Veriore, SERBIA, Siria…” (1)

Në librin e tij “Themelet e gjeopolitikës- e ardhmja gjeopolitike e Rusisë“, botuar më 1997, Dugini shkatërrimin e Perëndimit e parashihte kështu:

“Agjentët rusë në SHBA duhet të mbështesin izolacionistët dhe të nxisin ndarjet raciale, fetare e sektare. Në Britani duhet të promovojnë rivalitetet me Evropën kontinentale dhe separatistët në Skoci, në Irlanë dhe në Uels. Europën Perëndimore duhet ta tërheqim kah Rusia përmes naftës dhe ushqimit…” (2)

***

Në shkrimet e tjera të mëparshme, Dugini parasheh kthimin e Serbisë drejt agjendës gjeopolitike të Rusisë dhe rimëkëmbjen e rilindjes sllave…

“Do t’i shihni të mirat e kësaj kur ta realizojmë qëllimin tonë në Ballkan. Por tash duhet ta përfundojmë këtë që e kemi filluar në Ukrainë… Sepse pa Ukrainën Rusia nuk mund të jetë Perandori, me Ukrainën do të bëhet Perandori…”

Sipas Duginit, “Rilindja e Rusisë duhet të përfundojë në Kijevë…” prandaj ai thërriste publikisht: “vritini, vritini, vritini, “ukrainasit… (3)

Në pranverën që shkoi, Dugini, duke lavduar kryetarin e Serbisë. A. Vuçiqin deklaroi: “Serbia është Rusi. Serbët janë Uni jonë. Gjithmonë do të jemi përkrah Serbisë!” (4)

Dugini shkon edhe më larg, kur deklaron se Kosharja, ku luftëtarët e Kosovës e shqyen kufirin e hekurt, sipas tij na qenkesh “Termopilet e Evro-Azisë”! (5)

Idetë e Duginit, të cilat, më 21 shtator i konfirmoi Putini, kur e kërcënoi krejt botën me përdorimin e armëve atomike, Perëndimi, për fat të keq, deri vonë, nuk i ka marrë asnjëherë seriozisht. Pse ka ndodhur kjo ka një mori arsyesh, por njëra prej tyre është edhe korruptimi i disa elitave, jo vetëm, perëndimore qoftë me shantazh dosjesh të pista qoftë me para cash. Më sa dihet kjo ka ndodhur me partitë e ekstremit të djathtë, por edhe me ato të ekstremit të majtë.

Pascal Brukner, njëri prej filozofëve më të njohur të kohës sonë, me të drejtë deklaroi, para tre ditësh, se kjo që po ndodhë në Ukrainë dhe në Rusi shtron nevojën për një hulumtim të themelshëm se si Rusia ka arritur të fusë hundët në qarqet elitare të shteteve perëndimore.

***

Javën që shkoi, në Nju-Jork, u mbajt Asamblea e përgjithshme e OKB-së. As gjatë luftës së ftohtë Rusia nuk ka qenë më e izoluar dhe më e sulmuar se kësaj radhe, madje nga të gjitha anët. Megjithatë, edhe me këtë rast, u dëshmua se aleanca Rusi-Serbi vazhdon të lulëzojë, përkundër presionit perëndimor që po ushtrohet ndaj Beogradit.
Gjatë këtij tubimi kryetari i Serbisë, A. Vuçiq takoi S. Lavrov-in, ministrin rus të Punëve të Jashtme.
Sipas kumtesës së MPJ të Rusisë lidhur me këtë takim, datë shtator 2022, “Rusia dhe Serbia i qasen zgjidhjes së çështjes së Kosovës nga pozita të njëjta… U theksua nevoja për zbatimin e shpejtë dhe gjithpërfshirës të detyrimeve që ka Prishtina, përfshirë këtu formimin e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë me një spektër të gjerë të kompetencave ekzekutive.”

Me këtë rast Vuçiq e siguroi Lavrov-in, në gjuhën rusishte, se “Deri tash Serbia nuk ka zbatuar sanksione ndaj Rusisë dhe se shpreson se nuk do të zbatojë as në të ardhmen…”

Më vonë Sergej Lavrov takoi edhe homologun e tij serb, Nikolla Selakoviq, me të cilin nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi.

Për këtë reagoi ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hil: ” Në këtë situatë nuk do të duhej nënshkruar asgjë me Rusinë dhe se SHBA pret që Beogradi ta informojë se për çfarë marrëveshjeje është fjala…” (6)

***

Për fatin e mirë, me disfatën elektorale të Donald Trump, synimeve të Putinit iu dha një grusht dërrmues, sepse shtetet Perëndimore dhe bota demokratike, te presidenti Bajden rigjetën lidershipin amerikan, forcuan kohezionin e tyre dhe, përballe agresionit rus ne Ukrainë dhe shantazhit me përdorimin e armëve nukleare ishin dhe janë unikë si pak herë në histori.

Në fakt, këto rrethana janë një Golldillok i rrallë gjeopolitik ku do të mund të mbrohen interesat strategjike të shqiptarëve dhe të realizohet ndonjëra prej aspiratave të tyre madhore.

1. https://tsargrad.tv/…/nachinaetsja-glavnaja-statja…
2. Boshko Jakshiq, “Posle Ukraine, Balkan”, Politika, 29. 08. 2022
3. Po aty
4. https://www.politika.rs/…/503018/Ruski-svet-cuda-bozjeg
5. Бранислав Матић: Зашто је уистину убијена Дара Дугин “Stanje stvari”, 24. 09. 2022
6. https://www.b92.net/info/vesti/index.php?yyyy=2022&mm=09&dd=26&nav_category=11&nav_id=2218933

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*