Sa do të doja të ishte teatër

Shkruan:
Imer Mushkolaj

Vrasjet e pasluftës rëndojnë mbi shoqërinë kosovare, deri sa përgjegjësit të ndëshkohen. Janë vrarë njerëz të pafajshëm. Si mund të ndihen rehat njerëzit e politikës e të drejtësisë, kur krimi i ndjek nga pas? Do të ishte mirë sikur gjithçka të ishte teatër, si në shfaqjen “Sfinga e gjallë”. Por, fatkeqësisht, nuk është

Beriana e kujton të freskët edhe sot rastin e vrasjes së babait të saj, Xhemajl Mustafës, më 23 nëntor të vitit 2000, afër banesës së tij në Prishtinë. Vrasja e njërit ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Ibrahim Rugovës nuk është zbardhur ende.

Shpëtimi ishte student, kur mori lajmin për vrasjen e babait të tij, deputetit Smajl Hajdaraj, më 17 janar 2002, në Pejë. Ai ishte edhe pjesëtar i UÇK’së. Për vrasjen e tij ende nuk është dënuar askush.

Asimi, tash mjek në Gjermani, është djali i ish-kryetarit të Klinës, Ismet Rraci. Ai është vrarë afër banesës së tij më 23 prill 2001. Rasti nuk është zbardhur ende.

Fadili nuk ka lënë gur pa lëvizur, për të marrë vesh se kush ia vrau babën, Ramiz Hoxhën, më 2 tetor 1998, në Bellanicë të Malishevës. Ai bashkë me Selman Binishin ishin marë nga katër persona të maskuar dhe të veshur me uniformë të UÇK’së. Që të dy ishin vrarë pak kilometra më larg. Përgjegjësinë për vrasjen e tyre e kishte marrë policia ushtarake e UÇK’së, duke thënë se ata ishin “kolaboracionistë të serbëve”.

Shkodrani, djali i avokatit Shaban Manaj, e ka shumë të vështirë të rrëfejë për kohën kur iu vra baba. Atë e kishin marrë dy persona nga shtëpia e tij në Istog, më 23 korrik 2000, për t’ua kryer një punë, por nuk ishte kthyer më i gjallë. Kufoma e tij e djegur ishte gjetur dy javë më pas, në një fshat të Pejës.

Ka edhe dhjetëra rrëfime të familjarëve, të ngjashme si këto, për njerëzit e tyre të dashur. Njerëzit që janë vrarë në luftë e pas lufte për interesa të dikujt, por që vrasjet e tyre nuk janë zbardhur asnjëherë. Rrëfime të tmerrshme, që tingëllojë të pabesueshme, por që kanë përfunduar me vrasje njerëzish.

* * *

“Sa do të doja që rrëfimi për vrasjen e babës tënd të ishte vetëm teatër”. Kështu i tha njëri nga aktorët djalit të njërit nga të vrarët, që plot emocione rrëfeu për krimin para publikut në Teatrin Kombëtar të Kosovës, si pjesë e shfaqjes “Sfinga e gjallë”.

Njësoj si ai, më së shumti famljarët e të vrarëve do të dëshironin që ato krime të mos kishin ndodhur kurrë, do të donin që të ishin bashkë me të dashurit e tyre në 20 vjetorin e çlirimit. Por, fatkeqësisht nuk është kështu.

Emocione të forta ka përjetuar publiku në Teatrin Kombëtar, për pesë net, teksa familjarë të viktimave, në shfaqjen “Sfinga e gjallë” të realizuar sipas dramës së Rexhep Qosjes e shkrimeve të tjera të tij dhe në regji të Blerta Nezirajt, kanë rrëfyer histori të dhimbshme krimi.

Askush nuk mund të qëndrojë indiferent, kur në dërrasat e teatrit rrëfehet e vërteta brutale për tmerret që kanë ndodhur, rrëfehet nga protagonistë realë, jo personazhe dramash.

Askush nuk do të duhej ndjerë rehat se si, dy dekada pas luftës, shoqëria kosovare vazhdon të jetojë me barrën e krimeve që nuk janë zbardhur, vazhdon të jetojë me thirrjet e viktimave që kërkojnë drejtësi.

Ata kanë qenë njerëz si të gjithë ne dhe faji i vetëm i tyre ka qenë se kanë përkrahur një opcion të caktuar politik, se kanë menduar ndryshe nga të tjerët – nga ata që nuk kanë zgjedhur rrugë as mjete për të futur frikë e panik duke dhënë urdhra për vrasje, duke ekzekutuar njerëz pa hak as hile.

* * *

Fadili, i biri i Ramiz Hoxhës së vrarë, ka punuar në Slloveni dhe nga atje, me mjete financiare e ka ndihmuar luftën. “Kjo don të thotë se plumbat, me të cilët më është vrarë baba, janë blerë me paret e mia”, tha ai.

Familja e tij, ashtu si dhe familjet e viktimave të tjera presin drejtësi. Pak procese gjyqësore janë mbajtur, por askush nuk është dënuar. Ka munguar vullneti politik që rastet të zbardhen. Ka munguar puna e organeve përkatëse që drejtësia të vihet në vend. Fatkeqësisht, këto vrasje kanë shërbyer herë pas here edhe për përplasje e konsum partiak. Megjithatë, shoqëria kosovare vazhdon të bashkëjetojë me vrasësit, me urdhërdhënësit e krimeve.

Si mund të ndihet rehat një shoqëri e tërë, teksa këto viktima, por edhe mijëra të tjera klithin për drejtësi? Si mund të ndihet rehat secili qytetar, teksa do të mund të ishte ndonjëra nga viktimat ose familjar i tyre? Si mund të ndihen rehat njerëzit e politikës e të drejtësisë, kur vrasjet, krimi i ndjek nga pas? Vërtet do të ishte mirë sikur gjithçka të ishte teatër. Por, fatkeqësisht, nuk është.

Burim: https://www.gazetaexpress.com/sa-do-te-doja-te-ishte-teater/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*