RICHARD GRENELL, KY MERCENAR I NEVERITSHEM

Shkruan:
Xhafer Shatri

Të jesh i vogël, me moshë ose me trup, në jetën, që e jetojmë vetëm njëherë, mund të vuajsh shumë; shpesh të anashkalojnë, s’ta varin fare, besa ndodhë edhe me të shkelë si bubrrecin…
Idem me popujt e vegjël.
Po të mos ishin erërat, njerëzit dhe popujt e vegjël nuk do ta shihnin as diellin prej merimangave. Njëra prej këtyre të fundit është Richard Grenell, një nga ata zuzarët, të cilëve me bà me u mbetë në dorë ta nxjerrin shpirtin me maje të gjilpërës.
Në një udhdëkryq të rrezikshëm të historisë, ky hohshtapler i dhunshëm, u emërua të jetë përcaktues vendimtar për fatin e Kosovës.
Në vitin 2020, ky ndërmjetësues qëllimkeq, e rrëxoi nga pushteti një qeveri me legjitimitet të plotë, vetëm e vetëm që, përmes ndonjë butaku e lyftyre, të shkelë shlirshëm, si nëpër baltë, mbi kufijtë dhe sovranitetin e Kosovës.
Pas largimit (të dhunshëm) nga pushteti, doli se Grenelli paguhej nga 100 mijë euro në muaj nga qeveria e Serbisë, i ngarkuar me detyrë konkrete: nënshtrimin dhe copëtimin e Kosovës.*
Dy ditë më parë, në Televizionin publik të Serbisë, Richard Grenell, i zhveshur nga çdo fjalor diplomatik deklaroi cullak e me gojën e tij:
Në këtë fazë negociatash…, “Kurti është i padobishëm. Kam negociuar me të dhe ai është dikush që nuk i përlqen asnjë ide… ai tash po i kundërshton edhe idetë e evropianëve… Unë mendoj se Kurti nuk i shërben popullit të vet…“
“Unë tash punoi në sektorin privat, por kur isha në administratën e Trumpit, ne ndaj Kurtit jemi sjellur shumë ashpër. Dikush do të thoshte se e kam tepruar, madje edhe se nuk kam qenë fer… Asokohe unë isha përfaqësues i presidentit Trump, jo i Departamentit të Shtetit…“**
Grenell e pranon vetë se ai ishte i vendosur ta “zgjidhë“ problemin e mprehtë shqiptar-serb, me ashpërsi e pa asnje skrupull, duke anashkaluar plotësisht, madje edhe Ministrinë e Jashtme të SHBA-së që ka përvojë e dije shekullore për këtë çështje…
Ndërkaq, në një takim me ministrin serb të Mbrojtjes, Vuçeviq, Grenell deklaroi:
“Ndiej kënaqësi kur vi në Serbi… kur Amerikanët vijnë këtu, ndiejnë një energji të pabesueshme. Nuk e shihni këtë në vende të tjera të rajonit. Shpresoj se do të sjellim shumë investitorë amerikanë. Duhet t’i lëvizim gjërat përmes miqësisë së madhe mes Amerikës dhe Serbisë…“
Rick Grenell nuk u tegoi shkuesve se nga i vjen ajo “energji e pabesueshme“? Ndoshta nga paratë që i merr nga Serbia… Sikundër që nuk dha asnjë sqarim pse e takoi zyrtarisht ministrin serb të Mbrojtjes, kur botërisht dihet se, aktualisht, nuk ka asgjë të përbashkët me qeverinë amerikane. Përkundrazi.
Edhe funksionari i lartë evropian, Josep Borell, në takimin e fundit në Bruksel, u solli gati grenellisht me kryeminstrin e Kosovës. Por nuk dha ndonjë sqarim, pse u vu, publikisht dhe, me mish e me shpirt, në anën e Serbisë…

Besoj se edhe motivit të sjelljes së tij do t’i dalë tymi një ditë.

* https://www.danas.rs/…/srbija-placa-grenelu-100-000…/

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*