Pse Kosova duhet të bëhet pjesë e nismës “Open Ballkan” ?

Shkruan:
Fadil Sahiti

Me rrezikun që ky shkrim i imi, më shumë do të keqintepretohet, ashtu siç ka tendencë të keqinterpretohen analizat pa zjarrmi politike, do mundohem të ofroj argumentet e mia, se përse qeveria e Kosovës bën gabim që e refuzon nismën që quhet “Open Ballkan”.

1. Si Kosova ashtu edhe Shqipëria, si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së. Dhe, ndër parimet themelore të kësaj strukture është një treg i lirë ekonomik midis shteteve anëtare. Procesi i liberalizimit të tregut në mes këtyre vendeve daton më herët, por u përshpejtua veçanërisht në fillim të këtij shekulli, sidomos pas Traktatit të Lisbonës (Lisbon Treaty). Ky traktat solli ndryshime të rëndësishme në procesin e politikës tregtare të BE -së. Parimi bazë thotë, se tregtia e jashtme mes vendeve të BE-së duhet të kryhet në përputhje me ligjet e specifikuara në Kapitullin 1 neni (title) V, e që ka të bëjë me funksionimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, si dhe me shfrytëzimin e burimeve natyrore. Kjo do të thotë se marrëveshja tregtare mes shteteve të BE –së është më shumë se sa thjesht liberalizëm ekonomik.

2. E quajtur fillimisht ‘mini-Shengen’, nisma e sapokrijuar “Open Ballkan” synon të promovojë pikërisht këtë, lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit dhe mallrave, fillimisht midis tre vendeve, por potencialisht në të gjithë rajonin.
Ata që e kanë lexuar përmbajtjen e kësaj nisme, e kuptojnë se asnjë nen i kësaj marrëveshjeje nuk është në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë, që promohohet nga BE.

3. A rrezikohet Kosova nga kjo marrëveshje? Sigurisht, çdo marrëveshje tregtare ka anët e saj negative, por edhe ato pozitive. Ekonomistët thonë, se efektet e globalizimit ekonomik ndërkombëtar dhe tregtisë së lirë rrisin pabarazinë globale përsa i përket shpërndarjes së pasurisë, sidomos rritet pabarazia tek vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Tregtia mund të ketë ndikim të ndryshëm te punëtorët e aftë dhe të pakualifikuar, me të parët që përfitojnë në mënyrë proporcionale më shumë, duke e përqendruar pasurinë në nivelet më të larta të shoqërisë. Gjithashtu, mund të preken shumë sektorë të ndryshëm, varësisht nga prania e konkurrencës së vendeve të tjera; sidomos ato që lidhen me agrobiznesin, produktet metalike bazë dhe të fabrikuara, si dhe industri të caktuara prodhuese. Ndërkohë, për industrinë e pijeve, si industria më e fuqishme në Kosovë, hapja e tregut në Ballkan mund të krijojë mundësi shumë më të mira fitimi.
Në fund të fundit, ne jemi një shtet i vogël, dhe kështu siç jemi, ne nuk mund të izolohemi nga vendet përreth nesh. Sa më shpejt që bizneset dhe kompanitë tona të përballen me konkurrencën ndërkombëtare, aq më herët do të mësojnë nga ashpërsia e këtij tregu në mënyrë që të rrisin konkurueshmërinë në tregun e BE –së nesër.
Megjithatë, ka dëshmi të mjaftueshme empirike që sygjerojnë, se hapja ndaj tregtisë çon në një rritje të mirëqenies së përgjithshme, siç është ulja e varfërisë, një rritje e standardit të jetesës për qytetarët, dhe gjithashtu, tregtia e hapur ushtron presion në rënien e çmimeve për mallrat e konsumit, që do të thotë se fuqia blerëse mund të përmirësohet falë tregtisë së hapur. Shumëllojshmëria e mallrave dhe shërbimeve në dispozicion të konsumatorëve gjithashtu rritet, duke mundësuar një gamë më të gjerë zgjedhjesh dhe përfitimesh të mundshme ekonomike për konsumatorët.

4. Rekomandimi im për qeverinë e Kosovës është ky: nuk keni pse të keni frikë nga tregtia e lirë. Është një “e keqe” e domosdoshme. Një ditë do të detyrohemi të bëhemi pjesë e BE -së. Apo ndoshta kemi ndonjë alternativë tjetër?

5. Po, Kosova para vetes ka probleme politike jo të lehta për t’u zgjidhur dhe zgjidhja e tyre është parakusht për progres dhe zhvillim. Vetëm duke u marrë me këto probleme, me guxim e mençuri dhe duke i zgjidhur ato, ju do të jeni në gjendje t’u ktheheni problemeve që lidhen me mirëqenien materiale të qytetartit të Kosovës. E, rritja e mirëqenies dhe standardit tonë kërkon një politikë pragmatike, të mençur, jo politikë populiste, rigjide, me shablone, esencialiste, politikë e frymëzuar nga bajraktarizmi dhe nga inatet personale.

6. Është absurde të thuash, aq më pak të besosh, se qeveria aktuale e Shqipërisë ka orientime armiqësore ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj. Unë kurrë nuk mund ta besoj këtë. Qeveria e Kosovës duhet të shfrytëzojë momentin e faktorizimit të qeverisë shqiptare në rajon, dhe në bashkëveprim me të, të dalë nga ngërçi ku kemi rënë.

Burim: https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=10159567249912748&id=828092747

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*