PSE E VRANË ASTRIT DEHARIN ?

Shkruan:
Xhafer Shatri

Më 5 nëntor u bënë pesë vjet nga vrasja mizore e Astrit Deharit. Krimi i tmershëm u krye në Burgun Hetues të Prizrenit dhe nga pjesëtarët e organeve të shtetit të kapur nga Prontomafia.

Mënyra e vrasjes ishte barbare dhe e paparë nedonjëherë në historinë e kriminologjisë.

Deri sot asnjë instancë gjyqësore apo shtetërore nuk e ka hedhur poshtë versionin e rrejshëm zyrtar të këtij krimi të llahtarshëm për gjoja “vetëvrasjen“ e Astrit Deharit.

Vetëm këmbëngulja e Familjes Dehari, që kërkoi, me çdo kusht, ekspertizën shkencore të Institutit të Mjekësisë Ligjore, në Lausanne të Zvicrës dhe rezultatet shkencore që hidhnin poshtë 100% versionin zyrtar të “vetëvrasjes“, e zgjuan nga gjumi opinionin e trullosur të Kosovës, të manipuluar në mënyrë sistematike nga medie kriminale e kalemxhinj mercenarë.

Astriti Dehari u arrestua në funksion të përpjekjeve të të dyshuarve nga Gjykata speciale, për ta zhbërë Gjykatën që e kishin themeluar vetë.

Ata, duke qenë asokohe në krye të shtetit, përmes veglave të tyre në AKI dhe në polici, inskenuan një sulm terrorist mbi selinë e Kuvendit të Kosovës, me synim që të krijojnë kushtet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend dhe për ta ndaluar VV-në me ligj.

Sepse, sipas analizës së tyre mafioze, e vetmja mënyrë që Hashim Thaçi me shokë t’i shpëtonin arrestimit të pashmangshëm, ishte të shkatonin trazira e kaos në Kosovë.

Mirëpo, edhe pse Astrit Dehari ishte njëri prej aktivistëve më të devotshëm të VV-së; edhe pse deklaratat e shefit të policisë rajonale të Prizrenit, N. Krasniqi apo të prokurorit, Sylë Hoxha për këtë vrasje ishin skandaloze e qëllimisht kundërthënëse; edhe pse sjellja e pushtetarëve qendrorë ishte e padenjë dhe e paskrupull, megjithatë Prontomafia nuk ia arriti t’i nxjerrte në rrugë aktivistët e revoltuar me të drejtë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sepse udhëheqja e VV-së, pavarësisht pykave shikiste që i kishte brenda, nuk ra në kurthin e tejdukshëm. Prandaj shtatmadhoria e Prontomafisë shkoi edhe më larg: vetëm pas disa muajsh, po në të njëjtën mënyrë mafioze, e për të njëjtat motive, sajoi dosjen e shpifur “Syri i popullit“, strumbullar i të cilës ishte, kush tjetër pos Sylë Hoxha, prokurori personal i Hashim Thaçit.

Dihet kaherë se dora e krimit, domosdo, lë gjurmë. Prandaj, ashtu siç doli për ledinë koordinimi kriminal i shefit të AKI-së, Driton Gashi, me prokurorin e rastit, Sylë Hoxha, në stisjen e dosjes “Syri i popullit“, poashtu do të dalë së shpejti në shesh e me detaje të tmershme edhe vrasja mizore e Astrit Deharit dhe eliminimi, 6 muaj më vonë, poashtu në burg i Naser Makollit, njërit prej dëshmitarëve okular.

Sepse ka pjesëtarë të komplotit që, për ta shpëtuar lëkurën e vet, do t’ia heqin pelerinën e zezë edhe këtij krimi të tmershëm të ideuar nga tipa diabolikë në maje të pushtetit, që me vetëdije të plotë e patën sjellur vendin buzë luftës qytetare.

Duhet nënvizuar se ideatorët e këtij krimi të shëmtuar, e njihnin mirë familjen e Astrit Deharit. Këta besëpremë i njihnin mirë përpjekjet sublime dhe kontributin shumëvjeçar të saj për çlirimin e Kosovës. Për më keq, dikur, atëherë kur ishin ngushtë, e kishin ngrënë edhe bukën e saj, prandaj edhe gjykimi moral e sidomos pasojat penale duhet jenë në përputhje me përmasat dhe rrjedhojat e shumëta të këtij krimi monstruoz.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*