Në kthetrat e Prontomafisë (3)

Shkruan:
Xhafer Shatri

 Fati i Zi i Murat Jasharit apo hakmarrja e shtetit mafioz

Në mëngjesin e datës 12 mars 2017, mediet shpërndanë lajmin bombastik se, në Prishtinë, në një atentat ishte plagosur avokati i njohur Azem Vllasi. Pas disa orësh u dha sqarimi se këtë krim të rëndë e kishte kryer Murat Jashari, vëllai i Ismet Jasharit, i njohur si komandant Kumanova përndryshe Hero i Kombit. Ishte ky një ogur i zi për Kosovën, sepse paralajmëronte qërimin e hesapeve politike me plumba. Një metodë e aplikuar prej vitesh e me shumë sukses nga Hashim Thaçi dhe shokët e tij.

Kush është atentatori, Murat Jashari? Murati është nga fshati Orizare, komuna e Kumanovës, i lindur më 15 maj 1956. Përndryshe mbi 30 vjet mërgimtar në Zvicër dhe aktivist i njohur i LPK-së (Lëvizja Popullore e Kosovës), sigurisht ndër më të devotshmit e më të përkushtuarit e saj. Ashtu si edhe Sadri Ramabaja e Behxhet Luzha. Shumëkush, e sidomos ata që e kanë hëngër shumë herë bukën e Muratit dhe tash ose e shajnë ose nga frika janë futur në birë të minit, e dijnë se falë idealizmit të njerëzve të përkushtuar si Sadria, Behxheti e Murati sot Kosova është e lirë.

Pikërisht detyrimi moral ndaj kësaj kategorie të nëpërkëmbur të idealistëve të Kosovës më dha forcë për t’u marrë një kohë bukur të gjatë me këtë dosje tepër delikate. Sidomos me anën e errët të saj.

Murat Jashari dhe drama e tij merr tëposhtëzen në vitin 1998, kur ky arrestohet nga autoritetet zvicërane për transport të armëve drejt Kosovës së përshirë në flakët e luftës. Ai ishte në detyrën e tij, sepse vetë i 30-ti bënte pjesë në sektorin e logjistikës që punë kryesore kishte armatimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Derisa ishte në burg, me disa muaj vonesë, ai merr vesh se i është vrarë i vëllai, Ismeti, komandant i Brigadës 101 të UÇK-së.

Pas daljes nga burgu ai ndihmon edhe dy luftëra të tjera, atë të UÇPMB-së dhe UÇK-së në Maqedoni. Si gjithmonë, me shumë përkushtim.

Mirëpo, siç ndodhë zakonisht, me luftën nuk përfundojnë edhe problemet e saj. Përkundrazi.

Pasluftërat Murat Jasharin e gjejnë të rrënuar ekonomikisht, një njeri që kishte punuar 30 vjet në Zvicër dhe nuk kishte asgjë pos shpirtit, sepse, siç e thotë në njërën prej letrave të tij të njohura drejtuar shefave të Prontomafisë: “çdo gjë që kam pasur në këtë jetë ua kam dërguar në malet e Kosovës“ me luftu me Serbinë. Prandaj pas burgut ai kishte detyrime të mëdha financiare për familjen dhe fëmijët jetimë të të vëllait.

Por kjo nuk ishte më e rënda. Më e rënda ishte gjithsesi fjala e besa edhe ndonjë dëshmi se i vëllai, Ismeti nuk ishte vrarë nga ata për të cilët i kishte rrokur armët, por nga shokët e tij dhe për motive të errëta.

Sipas të gjitha gjasave ky lajm i zi, por edhe zhdukja pagjurmë e Behadin Hallaçit që ai, me kohën, e lidhte edhe me vrasjen e të vëllait, duhet të jenë shkaqet kryesore të sëmurjes së tij serioze, shizofreni akute, të cilën, sipas dëshmive, është përpjekur ta shërojë që nga viti 2007, por pa sukses.

Me vitet gjendja e tij shendetësore po edhe sociale përkeqësohet në maksimum. Mbetet pa punë dhe, siç e thotë në një letër, nuk kishte të holla as për të blerë bukë e një pako cigare.

Në vitin 2012, Murat Jashari publikoi në medie “letrat e tij të shënjta“ drejtuar shokëve të tij të dikurshëm.

Letrat publike dhe nxjerrja në dritë e rastit të Behadin Allaçit, në fakt janë edhe shkaku kryesor i tragjedisë së Murat Jasharit. Për t’iu hakmarrë për demaskimin publik që u kishte bërë, krerët e Prontomafisë, duke keqpërdorur organet e shtetit, e kanë rrethuar Murat Jasharin me agjentë profesionistë e provokatorë të stërvitur dhe e kanë futur në një kënetë prej të cilës zor se do të dalë i gjallë. Fillimisht ky kurthim kishte si motiv hakmarrjen personale, por me kohën procedura merr kahje që lidhet dejtpërdrejtë me Gjykatën Speciale, objekt i së cilës, siç dihet, është komplet shtatmadhoria e Prontomafisë.

Prandaj në këtë dosje të errët çdo gjë është e sajuar dhe e kurdisur. Kurdisje është organizata fantome “Syri i popullit“, kurdisje është “Lëvizja për Ribashkimin Kombëtar“, kurdisje është atentati kundër Azem Vllasit, kurdisje është ‘implikimi’ i Sadri Ramabajës, kurdisje është edhe vetë procesi gjyqësor.

Në fakt, siç do ta dëshmoj në vijim, ky është procesi më i pistë e më i shëmtuar gjyqësor në historinë e shqiptarëve.

  1. Një komunikatë e shpifur për të ‘arsyetuar’ një krim

Tri orë pas atentatit, Murat Jashari u arrestua në një motel, në Veternik të Prishtinës. Me të u arrestua edhe Avni Llumnica. Arrestimet e tjera u kryen 2 e deri 7 muaj më vonë.

Ndërkaq, të nesërmen, më 14 mars 2017, në medie u shpërnda një komunikatë, në të cilën atentatin e merrte përsipër organizata “Syri i popullit“. Kjo komunikatë, me një zhargon mesjetar dërdëlliste se:  “merr përgjegjësinë për plagosjen e titistit, Azem Vllasi… Ky gjakpirës antishqiptar ka qenë një murtajë e vërtetë për shqiptarët e Kosovës që ka punuar për interesat e Jugosllavisë vrastare…“ dhe shpjegon se organizata qenkesh formuar më 28 nëntor 2001, si rezultat i pakënaqësisë së themeluesve të saj (Avni Rrustemave) me udhëheqësit e tri luftërave që bënë shqiptarët në kapërcyell të dy shekujve në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në Maqedoni.

Sipas komunikatës udhëheqësit e këtyre tri luftërave kishin bërë puç në mekanizmin politiko-ushtarak, dhe nuk do ta zgjidhin drejtë çështjen shqiptare në Ballkanin Perëndimor“ dhe se ata “janë të lidhur me shërbimet antishqiptare të shteteve evropiane, se lidershipi është i zhytur deri në fyt në korrupsion dhe krim të organizuar…“

“Organizata do të hakmerret ndaj të gjithë atyre që kanë marrë votën e popullit dhe asgjë nuk kanë bërë për popull, por janë korruptuar e pasuruar, mbi gjithë ata që në emër të lufterave çlirimtare janë pasuruar dhe për popull nuk kanë bërë asgjë.“1

Komunikata ka shumë gabime drejtshkrimore, nuk ka koherencë logjike dhe arsyetimi për atentatin kundër Azem Vllasit është i futur përdhunshëm në një kontekst krejt tjetër politik dhe kohor. Vetë komunikata është e dyshimtë dhe më tepër i ngjan një sajimi. Pastaj ka një shpërputhje të madhe nga ajo që thuhet në aktakuzë se organizata qenkësh themeluar në vitin 2015, ndërkaq komunikata thotë se ajo qenkesh themeluar më 2001! Nga komunikata gjithashtu del qartë se mllefi kryesor i autorit-ve të saj nuk ishte drejtuar kundër nomenklaturës së viteve ’80-të, që përfaqësonte viktima e atentatit, Azem Vllasi, por kundër atyre që “kishin shkatërruar mekanizmin politiko-ushtarak“ dhe këta dihen me emër e mbiemër: Hashim Thaçi, Azem Syla, Kadri Veseli, Xhavit Haliti etj…

Kjo ‘komunikatë’ dhe plotë ‘dokumente’ të tjera të “Syrit të popullit“ (në tekstin në vijim do të përdor edhe akronimin OSP), janë shpërndarë periodikisht në mediet e Shikut për të ushqyer me rrena kurreshtjen e opinionit apo për të hedhur mjegull edhe më të trashë në këtë dosje butaforike.

  1. Një aktakuzë në këmbë të qelqëta

Pas hetimeve disamujore, më 27 shkurt 2018, Prokurori special ngriti aktakuzën PPS nr. 7/2017, përmes së cilës për “Përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 paragrafi 4, lidhur me nenin 136 të KPRK-së“, akuzon këta persona:

Avni Llumnica, i lindur më 26. 09. 1964, në Barilevë, komuna e Prishtinës, në burg prej datës 13 mars 2017;

Ragip Sallova, i lindur 28. 06. 1961, me vendbanim në fshatin Mazgit, komuna e Obiliqit, arrestuar më 25 maj 2017 dhe i lëshuar për t’u mbrojtur në liri;

Sadri Ramabaja, 7. 12. 1961, me vendbanim në fshatin Lugmir, komuna e Prishtinës, në burg prej datës 7 tetor 2017;

Sabit Berisha, 7. 5. 1971, me vendbanim në fshatin Harilaç, komuna e Fushë-Kosovës, i arrestuar më 25 maj 2017, mbrohet në liri nga data 10 korrik 2017;

Behxhet Luzha, 29. 06. 1962, nga fshati Begracë, komuna e Kaçanikut, i arrestuar më 25 maj 2017;

Halim Halimi, 14. 09. 1979, me vendbanim në Gjilan, i arrestuar më 25. 05 2017;

Bajrush Konjusha, 11. 07. 1958, nga fshati Hade, komuna e Obiliqit, i arrestuar më 25. 05. 2017;

Lirije Luzha, 23. 07. 1965, nga fshati Begracë, Komuna e Kaçanikut, në burg prej datës 25 maj 2017;

Rexhep Topllana, 3. 07. 1963, nga fshati Kievë, komuna e Malishevës, në burg prej datës 13 mars 2017, në arrest shtëpiak nga data 20.11.2017;

Murat Jashari, lindur më 15 . 5. 1956, nga fshati Orizare, komuna e Kumanovës, por me vendbanim në Friburg të Zvicrës, në burg prej datës 13 mars 2017.

Konkretisht, të sipërpërmendurit ngarkohen se:

“Me datë 15.05.2015 si pjesëtarë të organizatës kriminale ‘Syri i Popullit’ me të ashtuquajturit ‘Avni Rrustema’ diku, në një shtet evropian, kanë marrë vendim që në mars të vitit 2017 të fillojnë me aksione të kundërligjshme, me qëllim që seriozisht të destabilizoj ose të shkatërroj strukturat themelore politike, kushtetues, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës, që me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtar të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016 gjithashtu ndaj: Presidenti të Kosovës Hashim Thaçi, Kryetari të kuvendit Kadri Veseli, ish Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, ish Ministri Hajredin Kuqi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj, duke vazhduar me komandantët e luftës së UÇK-së të pasluftës të cilët e kanë tradhtuar vendin, ish kryeprokurorët e Prishtinës – Kosovës, kryetarët e këshillave gjyqësore të pasluftës, kryetarët e gjykatave të Prishtinës të pasluftës, drejtorin e Doganave, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë, analistë dhe publicistë të cilët veprojnë në Kosovë, duke vepruar si grup kinse të përmendurit e kanë tradhtuar vendin, kështu që ky grup edhe me persona të tjerë të cilët janë në arrati kanë bashkëvepruar, kanë për qëllim vrasjen ndaj personave që i konsiderojnë tradhtar, të pandehurit kanë pasur edhe fondin të quajtur ‘Liria e Atdheut’, kjo organizatë ‘Syri i Popullit’ në bazë të planit të shkruar kanë pasur një strukturë të organizuar të hierarkisë të cilët janë përfshirë me emra të koduar dhe secili i ka pasur të ndara detyrat dhe përgjegjësitë e veta, kështu që me 13.03.2017 i pandehuri Murat Jashari ka tentuar ta vras Azem Vllasin si ish funksionar i Kosovës i viteve të tetëdhjeta i cili sipas planit të tyre operativ është vlerësuar i pari në listë si tradhtar i vendit.“2

Gjë që “kanë kryer veprën penale Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 par. 4 lidhur me nenin 136 të KPRK-së.“

“Murat Jashari veprën penale Hakmarrje nga neni 396 par. 3 të KPRK-së dhe Avni Llumnica veprën penale Hakmarrje në ndihmë nga neni 396 par. 3 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.“ Ky i fundit akuzohet edhe për dy vepra penale gjoja të kryera brenda në burg, por kjo është një çështje që nuk ka të bëjë me thelbin e kësaj analize.

Sipas prokurorit special te ky “grup i rrezikshëm terrorist“ ishin gjetur këto armë: te Murat Jashari, arma me shurdhues, me të cilën kishte kryer veprën penale, dhe te i pandehuri Bajrush Konjusha një pistoletë e modifikuar gazi dhe një pushkë ajrore me trombllona!

“Me këtë ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të KPRK-së.“

  1. Kronologjia i veprimtarisë penale sipas aktakuzës

Siç shihet më sipër, prokurori special nënvizon se “Syri i popullit“ është themeluar më 15 maj 2015.  Mirëpo këtu ka një problem serioz. Nuk ka asnjë të dhënë, ndoshta prokurori e ka marrë të mirëqenë datën që përmend Murat Jashari në letrën drejtuar Ali Ahmetit, në pyetjen 102. “Që nga 15 Maji 2012 ora 03.26 jam më i fuqishëm se horrat, kodoshët dhe dilinxhitë, frymorë me dy këmbë, surat njeriu!“ ?

Por edhe në këtë pikë ka një shpërputhje tjetër serioze, sepse në ‘komunikatën’ e OSP-së, më 14 mars 2017 thuhet se organizata është themeluar më 28 nëntor 2001! Këso shpërputhjesh ka plot në këtë aktakuzë.

 “… me datën 03.01.2017 në fshatin Mazgit të Obiliqit me ftesë të pandehurit Ragip Sallova, në shtëpinë e tij, është mbajtur një tubim ku kanë marr pjesë rreth 50 persona, të cilët e kanë nënshkruar një listë si delegatë-pjesëmarrës të ‘Lëvizjes për Ribashkim Kombëtar’. Këtë ditë është zgjedhur kryetar i kësaj Lëvizje (LPRK,) i pandehuri Ragip Sallova, nënkryetar i pandehuri Murat Jashari, ndërsa të tjerët janë zgjedhur delegat. Në këtë tubim- mbledhje i pandehuri Ragip Sallova përveç të tjerash ka thënë kërkojmë që të ulen zërat e tradhtisë, përçarjes e mos të na përsëritet Kumanova…, pastaj vazhdon ‘rrugëtimi i lëvizjes për ribashkim kombëtar është i shenjtë për shumë arsye burimin e ka në popull dhe amanetin e dëshmorëve dhe lotët a nanave dhe lëngimet e baballarëve tonë’. Kryesia e LPRK-së për Kosovë e zgjedh Halim Halimin si kryetar…“3

Siç del nga aktakuza, të gjithë pjesëmarrësit, me insistimin e Ragip Sallovës e kanë shënuar me dorën e tyre emrin, mbiemrin, numrin e telefonit dhe kanë vënë nënshkrimin. Duhet nënvizuar se asnjë organizatë ilegale, aq më tepër, grupim politik me orientim radikal nuk do t’i lejonte vetës këtë “luks“, të lërë gjurmë materiale të një mbledhjeje ku kërcënoheshin me vrasje krejt udhëheqja e shtetit.

“Ndërsa i pandehuri Murat Jashari në këtë tubim e ka mbajtur një fjalim të gjatë, patriotik dhe emotiv, duke thënë:Është i qëlluar Ribashkimi Kombëtar ide dhe kërkesë e popullit shqiptar, ka qenë i kahershëm dhe mbetet kërkesë e popullit shqiptar i gjeneratave që vijnë, të mbetet zë i gjallë ne si gjeneratë që jemi nuk mundemi me arrit, por si gjeneratë mundemi me dhënë maksimumin për ribashkimin e Kosovës me Shqipëri, të gjitha rrethanat janë dhe janë pjekë kushtet që Kosova të ribashkohet me mëmën Shqipëri…, duke vazhduar për LPRK-në sa ma shpejtë aq ma mirë të mbahet kuvendi zgjedhor dhe të zgjedhën njerëzit shqiptar e shqiptare në udhëheqjet e LPRK-së të shkolluar, intelektual e atdhetar të mirëfilltë, kisha propozuar që sekretare të jetë një sokoleshë shqiptare që di të komunikojë edhe me faktorin ndërkombëtar, duke vazhduar: që në 2001 me shokë punoj në mënyrë ilegale për tu arritur ajo që nuk është arritur gjatë luftës dhe kjo forcë do të hakmerret ndaj të gjithë atyre që kanë bërë tradhti kombëtare, ndaj atyre që në emër të votës së popullit janë pasuruar dhe asgjë nuk kanë bërë për popullin, do të hakmerren ndaj atyre që në emër të luftës çlirimtare, në emër të gjakut të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës që ende ju kullojnë gjak gjymtyrët e tyre, në emër të luftëtarëve të lirisë që kanë mbet rrugëve do të hakmerremi, do të vriten o vllazni, kishte lindur nëna shqiptare mjaft Avni Rrustema. Është marrë vendim në Maj 2015 që në Pranver të 2017 me vepru dhe me fillu për fajtoret me i ekzekutu, të 90-tës, 2000-tës deri 2016- tës…pas aksioneve del komunikata me njoftimin për çka u vra u ekzekutu filan fisteku’. Ky fjalim nga të pranishmit është përkrahur dhe duartrokitur.4

Duhet nënvizuar gjithashtu se kjo mbledhje me 50 pjesëmarrës, në të cilën flitet për atentate është mbajtur disa kilometra larg Prishtinës, është incizuar ashtu si edhe ky fjalim ‘programatik’ dhe janë emetuar në medie vetëm disa ditë pas arrestimit të Murat Jasharit. Shtrohet pyetja: a ka mundur të organizohet një tubim aq i gjerë e organet e Kosovës të mos dijnë asgjë? Sigurisht se jo, prandaj Hashim Thaçi, në dëshminë e tij, e pohon se që në fillim të vitit 2017 ka qenë në dijeni për themelimin e kësaj farë Lëvizjeje…5

Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë të gjithë të akuzuarit, me përjashtim të Sadri Ramabajës.

Meqë në aktakuzë flitet për Ramabajen si ideolog, atëherë shtrohet pyetja si është e mundur që “ideologu“ të mos marrë pjesë në një mbledhje të tillë dhe të mos jetë kryetar i “myhybëve“ të “vet“?

Por për këtë ‘tubim’ do të hedhë dritë sidomos një dëshmitar në gjykatore:Në Mazgit kam shkuar me Rexhep Topllanën, i cili më ka thënë se po shkojmë në promovimin e një libri që do ta bëjë Murat Jashari. Me ne kanë qenë edhe dy këngëtarë nga Çabiqi,  Deli dhe Musë Krasniqi. Në Mbledhje e kemi bërë promovimin e një këngë që e kam shkruar unë për Rexhep Topllanën.

Në pyetjen e prokurorit se a ke dëgju për ‘Syrin e Popullit’, ky përgjigjet: Po kam dëgjuar. Dhjetë ditë pas mbledhjes ( do të thotë dikund kah mesi i janarit, pra 2 muaj para atentatit, shënim imi) më ka thirrë drejtori i Shkollës ku punoj dhe më ka thënë: A e din çka është ‘Syri i popullit’. Jo i thashë. Ma ka qitë nënshkrimin tim që e kisha dhënë në tubimin në Mazgit dhe më tha: a është ky nënshkrimi yt, dhe aty… e kam kuptuar për ‘Syrin e popullit’….

Njëri prej avokatëve e pyet dëshmitarin:  “Në deklaratën që e ke dhënë në polici a ke deklaruar se kur e ke dëgjuar Murat Jasharin tek flet, ‘se pasi i dëgjova këto fjalë konkludova se ky nuk mund të jetë njeri normal dhe veç një njeri i çmendur i flet këto fjalë?’ “

Dëshmitari thotë: “Po është e vërtetë!“

Në këtë dëshmi të shkurtë janë dy të vërteta shqetësuese:

E para, tubimi në Mazgit është përcjellur deri në detaje nga zyrtarë të AKI-së, sepse një drejtor shkolle që, sigurisht, nuk ëshë evlia, ka mundur të jetë i informuar vetëm prej burimeve zyrtare e kurrsesi ndryshe.

E dyta, në tubim është dokumentuar se gjendja shëndetësore e Murat Jasharit është tejet e rëndë, gjë që e konfirmojnë disa dëshmitarë.

Atëherë si është e mundur që organet e shtetit, të lejojnë që, dy muaj më vonë, një person në atë gjendje të rëndë shëndetësore, ta cënojë seriozisht jetën e qytetarëve të apostrofuar prej tij?

Siç del nga shkresat e lëndës, në këtë mbledhje ka qenë edhe një ekip i televizionit, i cili e ka incizuar ‘mbledhjen’ e sidomos fjalimin ngarkues të Murat Jasharit. Krejt kjo, prandaj duket një mise en scène për t’u përdorë më vonë ‘mbledhja’ e sidomos fjalimi ‘patriotik’ siç e quan prokurori, për nevojat e skenarit të Prontomafisë.

Një muaj para atentatit, “me datën 15. 02. 2017, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion për një organizatë të quajtur ‘Syri i Popullit’, e cila përbehet nga ‘ Avni Rrustemat’. Kjo organizatë sipas informacioneve, ka për qëllim hakmarrjen ndaj figurave dhe personaliteteve më të larta shtetërore, kinse kanë tradhtuar vendin… Kjo organizatë vepron edhe në shtetet e perëndimit si: në Zvicër, Austri, Gjermani dhe në Kosovë. Dyshohet se pjesëtarët e organizatës ‘Syri i Popullit’  janë pjesë e ish LPK-së (Lëvizja Popullore e Kosovës) dhe sipas informacioneve, me 15 Maj të viti 2015 të njëjtit kanë marrë vendim se në pranverë, të vitit 2017 dhe atë në Mars, të ndërmarrin aksione kundër personaliteteve më të larta shtetërore në Kosovë si dhe në viset tjera ku jetojnë Shqiptarët si në Shqipëri, Maqedoni etj. “ 6

Pas një jave denoncimi i mësipërm aktualizohet në një kallëxim penal (Nr. 06/1-01-61/201, datë 23 shkurt 2017, ndaj të pandehurve Murat Jashari etj…, për dyshimin se kanë kryer veprat penale: përgatitja e veprës penale nga neni 27 lidhur me veprën penale vrasje të rëndë 179 të KP  dhe veprën penale bashkëkryerje nga neni 31.

Më 6 mars 2017, në mesnatë, Murat Jashari dhe Avni Llumnica vijnë nga Zvicra në Kosovë me veturë. Ata nuk kanë mundur të hyjnë në Kosovë pa kaluar nëpër filtrin e policisë kufitare. Murat Jashari shkon te Behxhet Luzha në Begracë ku rrin deri më 10 mars. Ndërkaq Avni Llumnica kthehet në Zvicër me aeroplan dhe pas dy ditësh vjen sërish në Kosovë! Pasi vjen takohet me Murat Jasharin dhe atë natë flenë te Llumnica, në Barilevë. Ndërsa të nesërmen shkojnë në Prishtinë dhe e takojnë në Matiqan, në Villa “Panorama“ Sadri Ramabajën. Aty pinë kafe bashkë dhe biseda e tyre pastaj interpretohet nga 2 dëshmitarë të mbrojtur (A2 e A3) që gjoja paskeshin qenë rastësisht në restoran. Sipas të gjitha gjasave ata janë agjentë të organeve të sigurisë, dhe, sipas tyre, është folur kundër krerëve të shtetit dhe ku gjoja Sadri Ramabaja, i ka dhënë udhëzime Murat Jasharit se nuk duhet angazhuar më shumë se 10 persona në organizimin ilegal…

Sadri Ramabaja ka pasur përvojë shumëvjeçare në veprimtarinë ilegale, pastaj ka qenë disa vjet në burg, kështu që është absurde të besosh që ai të ketë marrë pjesë në biseda të tilla. Aq më tepër kur ai e shpjegon para organeve të drejtësisë “… se kemi folur për Grupin e Kumanovës“, për të cilin të gjithë e dijnë se ishte fund e krye një sajim i shërbimeve të fshehta.

“Më 13 mars 2017, rreth orës 07:45, i pandehuri Murat Jashari ka shkuar te banesa e të dëmtuarit Azem Vllasi dhe pas një bisede të shkurtër e ka nxjerrur armën të cilën e ka poseduar pa lejen e organit kompetent të tipit Crvena Zastava model 70 të kalibrit 7.65 mm me silensiator-shurdhues, pasi ka shtënë në drejtim të viktimës, në kacafytje e sipër të dëmtuarin e ka plagosur në pjesën e sipërme të kraharorit të majtë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, e më pas pistoleta e përdorur të pandehurit i është bllokuar dhe i ka pas edhe 8 fishekë në magazinën e të njëjtës armë.“7

Pas krimit Murat Jashari është takuar me Avni Llumnicën dhe kanë “hyrë te një fotografist ‘Canon’ jemi fotografuar dhe kemi shkuar të hamë mëngjes. Pastaj Avnia ka pas mu taku me nip të vetin dhe kemi shkuar te nipi i tij së bashku me Avnin e pastaj jemi nisur për te moteli ku isha i vendosur e për t’i marrë sendet dhe për tu nisur për në Zvicër. Kur arritëm te moteli policia kishin qenë duke na pritur te moteli. Pastaj shton se ka pas për qëllim që ta plagosë dhe jo ta vrasë Azem Vllasin, për shkak të urrejtjes patologjike që ka ndaj tij për të bëmat që i ka bërë prej viteve 1980 kundër rinisë, studentëve dhe popullit shqiptar. “ 8

Si është e mundur që një person, për të cilin ka një kallëxim penal për përgatitje të veprave të rënda terroriste, që ai të hyjë shlirshëm në Kosovë dhe, për më keq, para hundëve të organeve të sigurisë ta kryejë një krim aq të rëndë?

Askush me këmbë në tokë nuk e beson se ky akt është kryer pa dijen e organeve të sigurisë apo thënë më mirë të individëve të caktuar që kanë qenë të ngarkuar me këtë dosje. Sepse organet e sigurisë, meqë kanë qenë të njoftuar paraprakisht për qëllimet e Murat Jasharit, meqë e kanë ditur edhe motelin se ku ai ka fjetur, atëherë shtrohet pyetja pse nuk e kanë arrestuar me kohë?

Më 21.03.2017, Policia e Kosovës… “ka parashtruar aneks të kallëzimit penal lidhur me rastin kundër të pandehurve: Murat Jashari etj… Nga ky kallëzim penal kuptohet se disa ish anëtar të Lëvizjes Popullore të Kosovës të cilët kanë vepruar në shtetet e Evropës perëndimore në vitet 1980-2000, kanë formuar një organizatë të cilën e kanë emëruar ‘Lëvizja për Ribashkim Kombëtar’ të cilët kanë zgjedhur edhe kryesinë e kësaj lëvizje. Anëtarët e organizatës ‘Syri Popullit’, kanë krijuar fondin e financimit ‘Liria e Atdheut’, kanë krijuar Këshillin Qendror, Këshillin Kombëtar, vulat e Këshillave për organizatën ‘Syri i Popullit’, vula për fondin ‘Liria e Atdheut’ dhe vulën për fondacionin Humanitar Gjithëkombëtar ‘Atdheu’, e cila do të merret me punë operative të organizatës të përmendur.“Fq 15

Po citoj vazhdimisht aktakuzën ashtu siç është, me gabime kolosale gramatikore:

Në këtë paragraf ashtu si edhe në krejt aktakuzën, ka gjëra të pakuptimta, thuase ajo nuk është përpiluar për t’i sqaruar gjërat por për t’i bërë lëmsh ato. Këtu i kemi bashkë: dy organizata, Lëvizjen për Ribashkim Kombëtar dhe organizatën Lëvizja ‘Syri i Popullit’, e kemi një Fond dhe një Fondacion. Ndërkaq asnjë sqarim se si qëndrojnë ato njëra në raport me tjetrën, sidomos organizatat politike, në raport vertikal apo horizontal? Apo janë e njëjta gjë?

 “Me datën 10.05.2017, i pandehuri Murat Jashari, është sjellur në PSRK, për marrjen e deklaratës, por i njëjti në fillim kërkoi një kohë prej 3 minutash siç tha ai që ti realizoj të drejtat e tij. Kjo ju lejua nga prokurori i çështjes. I njëjti nuk përgjigjej në pyetjet e prokurorit dhe shtoi se “jeni prokuror i Republikës të mafis politiko ekonomike, nuk i përgjigjem prokurorit të SHIK-ut, nuk i përgjigjem prokurorit të UDB-ës etj“. Në një moment i pandehuri nga brezi nxori një tubë fletësh të shkruara me dorë dhe ja dha mbrojtësit të tij duke i thënë se këto letra ia jep gazetës BOTA SOT që t’i botoj. Këto letra avokati i tij Emrush Kastrati i kthej të njëjtat u fotokopjuan dhe janë pjesë përbërëse e shkresave të lëndës.“ 9

“Nga deklarata e të pandehurit Murat Jashari dhënë hetuesve të DHKR-së (Departamenti Hetimor i Krimeve të Rënda), më 12. 07. 2017, përveç tjerash ka deklaruar se shërbimi informativ ‘Atdheu’, i Lëvizjes ‘Syri i popullit’ i ka të gjitha të dhënat e argumentuara për Hashim Thaçin dhe Ram Maraj se janë përgjegjës për vrasjen e aktivistëve të LDK-së. Pastaj shton se këto fakte nuk do t’ua tregoj, sepse me to do të merret Lëvizja ‘Syri i popullit’ dhe shërbimi informativ i saj ‘Atdheu’, kur Ram Maraj do të varet te varri i shefit të tij, … Ibrahim Rugova. Ndërsa Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Ali Ahmeti do të varen te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizreni, Ilmi Reçica te varri i Ismet Jasharit në Prizren, Adem Grabovci, te varri i Jashar Salihut, në Prishtinë, Nuredin Ibishi te varri i Afrim Zhitisë…“10

“Në bazë të planit operativ të organizatës ‘Syri i PopulIit’ për t’i intervistuar personalitet e përmendura më lartë dhe disa të tjerë nga hapësira gjithë shqiptare kishin caktuar që si intervistues të tyre të jenë personat: Ibrahim Kelmendi, Muhamet Kelmendi, Gafurr Elshani, Emrush Xhemajli.“11

“Nga dëshmitë e konfiskuara nga i pandehuri Murat Jashari i jan gjetur disa letra të shkruara me dorë në njërën prej tyre shkruan ‘e hënë, 20 mars 2017, Riza Halimi’ pastajPrishtinë 31 Mars 2017, e premte Hajredin Kuqi’. 12

Nga aksionet tjera në vazhdim thuhet: vriten Kryetarët e Këshillit prokurorial të Kosovës nga 1999 për një ditë, të vriten kryetarët e Këshillit Gjyqësor të vitit 1999 për një ditë, Kryeprokurorët e Prishtinës, Kryegjyqtarët e Kosovës, ish drejtori i doganës, i ATK-së, anëtarët e bordit të privatizimit në Kosovë. Të vriten gjithë supovcat në mesin e tyre Mehmet Loci nga Peja.“ 13

Çdo lexues i vëmendshëm vjen fare lehtë te përfundimi se plot “argumente“ në këtë aktakuzë janë sajim i skenaristëve, siç është ashiqare edhe paragrafi i fundit që ka për qëllim që funksionarët e sistemit të drejtësisë të ndihen të rrezikuar dhe vetëvetiu të tregohen sa më agjil në këtë dosje butaforike.

Kur jemi te lista e personave të paracaktuar për t’i vrarë, ajo është stisje diabolike për të përfshirë sa më shumë persona me funksione e profesione nga më të ndryshmet, në mënyrë që efekti i frikësimit dhe harku i ndikimit të jetë sa më i madh. Kulmi i marrëzisë së regjisorëve arrin kur ata fusin në këtë listë, veç hoxhëve, priftërinjve, prokurorëve e gjygjtarëve, edhe kryetarin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Për këtë paturpësi të jeniçerëve të Hashim Thaçit u detyrua të reagojë në gjykatore edhe Murat Jashari, që, siç shihej, ishte krejt i tërmekur nga ilaçet e forta…

Në ballafaqim me Fatmir Limajn, Murati deklaroi shkoqur: “Ky, Limaj, nuk ka qenë në listën e vitit 2015, ndërsa ai tjetri, Rugova, ai ka vdekur kaherë…“

Përpjekjen e autorëve të skenarit për të ndërtuar skeletin e një komploti të gjerë me këso broçkullash e hedh për toke dhe e bën fertele konstatimi i mëposhtëm shkencor:

Nga shiqimi i Ekspertizës nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës i datës  22. 09. 2017 nga i cili konkludim del se i ekzaminuari Murat Jashari vuan nga çrregullimi Skizoafektiv-tipi Manjakal që në klasifikimin ndërkombëtar të çrregullimeve mendore kodohet në shifrën F25.0 (ICD10). Ky çrregullim ka karakter të përhershëm me psikosimptomatologji të shkallës nga mesatarja në të rëndë. Bazuar në të dhënat e larcekura i ekzaminuari në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet ka qenë në gjendje të paaftësisë mendore për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta. Vepra penale është organizuar, dhe ekzekutuar nën ndikimin e motivit patologjik në kuadër të sëmundjes.“14

Si është e mundur që një person si Murat Jashari, me një diagnozë kaq të rëndë, të bëhet strumbullar i një projekti politiko-terrorist siç përpiqen të na bindin regjizorët e Prontomafisë?

Përgjigja është e thjeshtë: Murat Jashari një kohë të gjatë është përcjellur nga jeniçerë të Thaçit e C°, të paguar me paratë e buxhetit të zajft të Kosovës, ata pastaj e kanë ‘përpunuar’ dhe e kanë futur në lojë, pa ditur ai fare se çka po ndodhë me të. Në këtë lojë të ligë ka shumë protagonistë, në mesin e tyre, edhe të akuzuar edhe dëshmitarë që duhet të jenë shantazhuar paraprakisht nga pjesëtarë të organeve të shtetit të ngarkuar me këtë dosje të qelbur. Edhe me një analizë të përciptë të aktakuzës këta zbulohen fare lehtë si persona që kanë ndihmuar me mish e me shpirt për t’u dukur sa më bindës storia e neveritshme ‘Syri i popullit’.

Por vetë gjendja shëndetësore e Murat Jasharit e shtrinë përtokë krejt konstruktin e kësaj procedure të kurdisur penale. Ja çka thonë sërisht ekspertët:

Psikiatri forenzik A. G. : “… kemi në dispoziocion dokumentacionin mjekësor që është trajtuar Murat Jashari që nga viti 2007 në Spitalin psikiatrik në Zvicër ku është diagnostifikuar me diagnozën F25.0 që sipas klasifikimit i bie çrregullim skizoafektiv-tipi manjakal. Sëmundja e tij karakterizohet me energji të tepruar për përfshirjen e shumë aktiviteteve në të njëjtën kohë, vetëbesim të tepruar edhe deluzione e madhështisë që është i veçantë ndaj të gjithëve dhe është i dërguar ka mision nga fuqitë mbinatyrore për të bërë ndryshime politike, ekonomike, religjioze etj.

Në pyetje se i pandehuri a mund të manipulohet nga të tjerët? Përgjigja, çdo veprim që ka të bëjë me bindjet e tij politike mund të ndikojë që ato bindje të forcohen më shumë dhe mundësia e manipulimit në këtë fazë në veprime të caktuara politike është shumë e mundshme.“ 15

Psikiatri Forenzik J. Z. : “…motivi i tij ka qenë patologjik, i shtyer nga sëmundja, mënyra se si është larguar nga vendi i ngjarjes ka qenë i çuditshëm, ngase fillimisht ka pirë kafe, pastaj ka shkuar te fotografisti dhe në sfond ka pasur shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit që për të ka pasur kuptimin se ky është Avni Rrustemi i dytë dhe gjatë seancave thotë se ato rroba duhet ti ruhen dhe se do të jetë hero në histori. Në pyetjen a ka mundur i pandehuri të ndikohet apo manipulohet përgjigja nëse ndikimi i personave të tjerë ka pasur të bëjë me deluzionet e tij (për pjesën patriotike, të madhështisë) mundësia për manipulim ka ekzistuar ose ekziston.16

Psikologia klinike A. V. : “…në pyetjen se a keni biseduar me klientin tuaj rreth ditës kritike respektivisht rreth plagosjes së Azem Vllasi, përgjigjja, për ditën kritike dhe kryerjen e veprës i njëjti ndihet krenar se ka kryer një akt patriotik duke ju hakmarrë për të këqijat që ja ka sjellë popullit të Kosovës si udhëheqës. Në atë moment e ka ndier vetën të shliruar për 360 vjetë. I njëjti është identifikuar me figurën e Avni Rrustemi dhe sipas tije i ka bërë të gjitha përgatitjet, është fotografuar dhe ka dashur që teshat e tije të ruhen në muze dhe të kujtohet prej brezave si Murat Shqiptari…“17

  1. Prapavija politike e një procedure të kurdisur penale

 

Siç del nga dosja, sajuesit e saj fillimisht u përpoqën ta implikojnë kryesinë e Shoqatës “Lëvizja“, të cilën e përbëjnë aktivistët e vjetër të LPK-së, të pakënaqur me Thaçin e C°, sepse, siç kujdeset ta citojë sa më shpesh aktakuza “kishin bërë puç në mekanizmin politiko-ushtarak të LPK-së“, por me kohën objekt diversioni u bë Lëvizja Vetëvendosje, natyrisht për shkak të peshës politike në vend. Nga ‘dokumentet’ e “OSP“, del se regjizorët u përpoqën ta implikojnë deputeten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiun, të cilës i kishin ngarkuar rolin e stisur të organizatores dhe udhëheqëses së LPK-së së shekullit XXI! Nëse kjo marrëzi mund t’i mveshet Murat Jasharit, ani se ky, sigurisht, nuk është autor i saj, atëherë si mund të arsyetohet përfshirja në aktakuzë e marrëzive të tilla të dënueshme siç është rasti me dëshminë e N. Z. përndryshe pjesë e kësaj dosjeje, si paditës i Avni Llumnicës gjoja për dhunim, derisa ishin në të njëjtën dhomë në burg?

“Ne pyetjen e hetuesve se a ju ka tregu Avni Llumnica se pse është i arrestuar, deshmitari përgjigjet, po tregonte se kishte ardhë nga Zvicra për ta vrarë Azem Vllasin, ndërsa sipas tij këtu në Kosovë ka ardhur për një intervistë dhe tregonte se i perkiste një organizate ‘Syri i Popullit’ dhe tregonte për planet që i kishin bërë në shtëpine e Avnis për ta vrarë Azemin, ai tregonte se në shtëpinë e tij kishin qëndruar nje natë a dy dhe tërë plani aty ishte bërë. Pastaj tregon se Avniu ka kërkuar që të bashkepunoj që të dërgoj cigare dhe drogë në Zvicër, ka kërkuar nga unë që të punoj per mbledhjen e votave për Vetëvendosjen dhe më ka premtuar për këtë angazhim timin do te ma blente një veturë të mirë por duhet t’i bindësh njerëzit që të votojnë per Vetevendosjen po ashtu mi ka dhënë disa emra të deputetëve të Vetëvendosjes pastaj ka treguar se si kanë planifikuar që Murat Jashari ta kryente vrasjen e Azem Vllasit edhe po të arrestohej Murati është i sëmurë dhe nuk mund ta dënoj gjykata shumë dëshmitari shton: Avnia më ka thënë se nëse donë me shku në Siri i kam njerëzit në Turqi dhe ju paguajnë shumë, merri disa shokë nxirrni pasaportat ju dërgoj në Turqi dalin ju marrin ju dërgojnë në Siri për t’iu bashkangjitur ISIS-it.“18

Avni Llumnica ka qenë disa vjet në burg për shkak të pjesëmarrjes në trazirat e vitit 1981, do të thotë ka pasur një përvojë përballjeje me burgun dhe me procedurën penale. Kush e beson se një njeri me përvojën e tij do ta fajësonte vetën në atë farë feje para një delikuenti ordiner? Pa folur për trafikun e cigareve, drogës, qenieve njerëzore, terrorizmit, ISIS-it me kulm votat për Lëvizjen Vetëvendosje.

Në këtë stil, në aktakuzë citohen postimet e ndryshme të të akuzuarve ose dëshmitarëve nëpër rrjetet sociale. Një lexim i përciptë i kësaj krrupnaje mjafton për të kuptuar se, ashtu si edhe deklarata e mësipërme, edhe këto postime janë penj të regjizorëve me të cilët ata përpiqen ta qepin aktakuzën e më vonë edhe aktgjykimin në këtë dosje të kurdisur.

Në aktakuzë, ka edhe këso pyetjesh që nuk kanë fare të bëjnë me lëndën, për më tepër këto kompromentojnë keq Prokurorinë Speciale:

“…a keni pakënaqesi me rrjedhjen politike dhe me udhëheqësin në Kosovë, pasi që në shumë foto shiheni duke marrë pjesë në protesta të mbajtura në Kosovë? Përgjigjja. ‘Pakënaqësi kam tek keq qeverisja.’ 19

Se sa larg kanë shkuar krerët e Prontomafisë në këtë kurdisje diabolike flet deklarata e  një dëshmitari, përndryshe njëri prej gazetarëve më të mirë të Kosovës. Sipas tij, pas shpërfaqjes së “Syrit të popullit“, dhe listës së famshme ku figuronte edhe emri i tij, ai kishte komunikuar “me zyrtarë të lartë politikë dhe ata më thanë se kjo është listë e vërtetë… Autoritet shtetrore me kan paralajmëruar që të kem kujdes gjatë lëvizjeve të mia. Në pyetjen se kush mund të jenë personat që mbështesin të pandehurin Murat Jashari, përgjigjja: si analizë e imja mendoj se ajo që ka bërë Murat Jashari gjatë këtyre 10 viteve është përputhur me ideologjinë e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila dita ditës po shëndrrohet në një organizatë ekstremiste. Mjafton ti hedhësh një sy listës ku nuk figuron asnjë eksponent i kësaj Lëvizje!“

Nëse edhe një gazetar profesionist manipulohet në këtë farë feje me trillimet e shefave të Prontomafisë, atëherë çka mund të ndodhë me njerëzit e thjeshtë, me ata që nuk kanë haber se çka është manipulimi dhe nuk ua pret mendja kurrë se organet e shtetit të tyre mund të keqpërdoren deri në këtë masë?

  1. Aktakuza: një thes byk e asnjë kokërr grurë

Aktakuza mbështetet në 61 deklarata, 45 dëshmitarë dhe mbi 50 raporte të ndryshme të hetuesve. Kështu që një analizë e paanshme e aktakuzës të çon detyrimisht në përfundim se Prokurori special duhet të jetë ‘bombarduar’ me informata të sajuara të shikistëve të implantuar gjithandej në organet e sigurisë etj., dhe ky, duke i marrë për të mirëqena ato, i ka renditur në aktakuzë. Por ai do të duhej t’i hetonte e filtronte mirë, sepse me prova të fabrikuara drejtësia mund të vihet keq në lajthitje dhe kjo është një vepër e rëndë penale.

Fundja detyra e çdo prokurori nuk është vetëm të fajësojë protoganistët e një procedure por edhe t’i shfajësojë me kohë ata nëse kundër tyre nuk ka prova të besueshme. Rasti më flagrant është me Sadri Ramabajën, por nuk është i vetmi.

Ja një shëmbull i thjeshtë se si prokurori e qet vetën në grackën e Shikut:  Lirie Luzha, gruaja e Bexhet Luzhës, përndryshe mbesë e Murat Jasharit, akuzohet si zëvendësarkatare e OSP-së. ‘Detyra’ që i mveshet asaj ishte që përmes telefonit të organizojë grumbullimin e fondeve për ‘organizatën’! Por, ajo, përmes deklaratës së saj qartazi e zhvesh aktakuzën dhe procesin e kurdisur: “Ne pyetjen kush ju ka caktuar zëvendëse e arkatarit të ‘Syrit të popullit’ dhe se numri i saj është shpërndarë në viber nga Murat Jashari.“ Ajo përgjigjet: “Unë nuk di për këtë, unë numrin tim nuk ia kam dhënë askujt. Ndërsa për sa i përket fondeve dhe grumbullimit të mjeteve unë prapë po e përseris se nuk di asgjë…“20

Si mund të akuzohet e të burgoset dikush në një shtet ligjor, siç do të duhej të ishte Kosova, me këso fabrikimesh të tejdukshme?

Në aktakuzë citohen gjithandej edhe postime të të akuzuarve dhe dëshmitarëve nëpër rrjete sociale me mesazhe e shpërfaqje nga më të ndryshmet. Në to del se autorët e tyre janë kryesisht të pangritur, njerëz të paaftë për të realizuar çfarëdo projekti serioz, ndërsa disa prej tyre postojnë në faqet e fejsbukut mesazhe në funksion të fabrikimit të argumenteve për gjoja ekzistencën e “OSP“ dhe cysin të tjerët në këtë drejtim.

Te Murat Jashari janë gjetur 4 disqe USB, të cilat nga regjisorët janë përdorur dhe po vazhdojnë të përdoren si zgafella e Ali Babës, për të nxjerrë, përmes medieve të Shikut, madje edhe pas dy vitesh, “xhevahire“ të sajuara komprometuese e rënduese për të akuzuarit, siç ishin detajet qesharake për gjoja ekzistencën në kuadër të OSP-së edhe të Grupit të Dajakut, të 36 njësiteve guerile, të heqjes së mjekrrave hoxhollarëve etj…

Ashiqare, kjo është një lojë e pistë shërbimesh të fshehta për të krijuar lehtësisht huti e kaos në Kosovë.

Shëmbulli më eklatant i këtij abuzimi me hetimet, me dosjen penale dhe sidomos me opinionin është publikimi, pas dy vitesh, konkretisht më 25 prill 2019, i një ‘dokumenti’ të “Syrit të popullit“, sipas të cilit shpjegohet se ku dhe si do të ekzekutoheshin Hashim Thaçi etj.. Megjithatë, për këtë detaj Prokurori special nuk i referohet këtij farë ‘dokumentit’ të stisur, por një deklarate që e ka dhënë Murat Jashari para hetuesve të krimeve të rënda më, 12 korrik 2017, ku jep detaje se si e kishte menduar ai qërimin e hesapeve me Thaçin dhe supotët e tij. Shih aktakuzën, faqe 31, paragrafi i katërt.

Një prokuror i pavarur, një penalist sadopak serioz kurrë nuk do t’i lejonte vetës të manipulohet në këtë farë feje.

Prokurori për t’i dhënë peshën që nuk e ka kësaj dosjeje, keqpërdor edhe dëshmitarët, duke i thirrë në gjykatore, ani se ata në polici kishin deklaruar se nuk kishin haber se emrat e tyre janë përmendur nga ata që kanë endur rrjetin prej merimange në këtë procedurë që nuk është asgje tjetër veçse një teatër kukullash:

Muhamet Kelmendi: Sa i perket rastit nuk kam të bëj asgjë me këtë rast penal, sepse nuk di asgjë. Unë lus prokurorin nuk duhet t’i ftoni dëshmitarët që nuk kanë dëgjuar as parë diçka në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi që ky është një lloj maltretimi.

Albulena Haxhiu: Unë jam person publik dhe nuk mund ta di nëse dikush e përdor emrin tim. Unë kam dhënë deklaratën në polici dhe kam mendu se aty do të përfundojë dëshmia ime.

Mazllum Baraliu: Dihet në teori e në praktikë po edhe në bazë të Ligjit të Procedurës penale se dëshmia është mjet i të provuarit dhe unë as për veprën penale dhe as për elementet e veçoritë e saj të pretenduara dhe të inkriminuara ndaj subjekteve të kësaj akuze dhe as njohuri direkte ose indirekte nuk kam në këtë rast, dhe mendoj se është rasti më absurd i thirrjes së një dëshmitari për të dëshmuar për gjëra nuk ka asnjë njohuri…

  1. “Syri i popullit“ dhe agjenda e Gjykatës Speciale

Në aktakuzë, por edhe në propagandën e medieve të Shikut, vazhdimisht theksohet se “Syri i popullit“ kishte paraparë pranverën e vitit 2017 si kohë kur duhej filluar me aksione terroriste. A është kjo e rastit? Gjithsesi jo. Sepse sipas analizave të Prontomafisë, viti 2017 parashihej si vit kur Gjykata Speciale do të fillonte me arrestimet e para.

Sipas atyre ‘analistëve’, e vetmja mënyrë për ta penguar këtë do të ishte krijimi i kaosit në Kosovë, ku do të hynin në punë të gjitha sajesat e mundshme: ‘bomba me sahat’ në çka, regjisorët e kishin kthyer Murat Jasharin e shkretë, Grupi i Dajakut, 36 ‘njësitet guerile’, Fondi “Atdheu“, shërbimi sekret “Atdheu“, “Fondacioni Atdheu“, organizata Lëvizja “Syri i popullit“, organizata Lëvizja për Ribashkimin Kombëtar, “Shtabet operative“, “Grupet politike“, e tutti quanti!

Dhe në atë rast, Hashim Thaçi e C°, pasi t’i kishin rehatuar me njësitë e policisë speciale, të gjithë kundërshtarët e tyre, do të mund t’u thoshin ndërkombëtarëve të përgjumur: A e shihni se pa ne ky vend nuk mund të qetësohet kurrë!

Sipas të gjitha gjasave, kur cubat në krye të shtetit, e panë se viti i lig 2004, nuk do të mundë të përsëritet kurrë më, atëherë u përcaktuan që, pas disa muajsh, përmes një puçi të mirëroganizuar në Kuvend ta abrogojnë Ligjin për Gjykatën Speciale. Por dështuan. Dhe tani nuk u ka mbetur tjetër veçse ta konsumojnë deri në fund storien “Syri i popullit“, si një deriçkë për të dalë disi nga tharku i Gjykatës Speciale.

Ideja është që, përmes këtij procesi të kurdisur, të krijohet bindja se brenda strukturave të LPK-së dhe UÇK-së, ka pasur dhe vazhdon të ekzistojë një grupim i mirorganizuar ekstremistësh të pandreqshëm të cilët, pa dijen e Shtabit të Përgjithshëm e sidomos pa dijen e të ashtuquajturës Drejtori Politike, kanë vrarë njerëz dhe nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe se me këtë grupim Hashim Thaçi e C° nuk kishin dhe nuk kanë asgjë të përbashkët. Dhe se ky grupim tani, për t’iu përshtatur rrethanave të reja, po funksionojka në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje! Pikërisht për këtë qëllim edhe është paracaktuar kurthimi i Sadri Ramabajës në gjithë këtë krrupnajë gjyqësore.

Është kjo një përpjekje diabolike, por naive e shefave të Prontomafisë që përmes cjepërve biblikë shpresojnë ta kalojnë lumin edhe kësaj radhe. Por janë mashtruar keq, sepse rasti “Syri i popullit“ qenkesh duke u hetuar kaherë nga organizma serioz ndërkombëtarë si komplot kriminal për ta vënë qëllimisht drejtësinë në lajthitje.

Nuk është e rastit prandaj pse Hashim Thaçi, kohët e fundit, përmes pipthave të tij të shumtë, ka filluar ta shpërndajë gjithandej versionin se Marrëzinë gjyqësore “Syri i popullit“ nuk e ka organizuar ai, por Kadri Veseli. Në fakt e kanë bërë bashkë. Dhe s’kanë qenë vetëm.

Por po përpiqet t’ia hedhë ‘Lulit’ ashtu siç ia ka hedhur Azem Sylës, Koçi Xoxës së Kishnarekës, të cilit ia ka ngarkuar me tfurk në shpindë edhe grumbullin e madh të plehut të vet.

Kjo është në natyrën e cubave. Me ia lënë njëri tjetrit këmbët e arushës në dorë…

VIJON

REFERENCAT:

  1. https://www.alsat-m.tv/11424369/
  2. Aktakuza PPS nr. 07/2017, faqe 4
  3. Aktakuza, faqe, 16
  4. Aktakuza, faqe, 16
  5. Aktakuza, faqe, 47
  6. Aktakuza, faqe, 13
  7. Aktakuza, faqe, 15
  8. Aktakuza, faqe, 30
  9. Aktakuza, faqe, 31
  10. Aktakuza, faqe, 32
  11. Aktakuza, faqe, 24
  12. Aktakuza, faqe, 21
  13. . Aktakuza, faqe, 24
  14. Aktakuza, faqe, 27
  15. Aktakuza, faqe, 63
  16. Aktakuza, faqe, 64
  17. Aktakuza, faqe, 64
  18. Aktakuza, faqe, 62
  19. Aktakuza, faqe, 44
  20. Aktakuza, faqe, 43
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*