Porti i Durrësit: biznes me sponsorët e Milosheviçit, biznes anti-shqiptar

Shkruan:
Akil Kraja

Mediat sot zbulojnë të dhëna jashtëzakonisht tronditëse mbi lidhjet e vëllezërve Kariç me pronësinë e mega-projektit 2 miliard eurosh të portit të Durrësit. Sponsorë politikë dhe financiarë të Milosheviçit, shfaqja e emrave të tyre në këtë projekt përbën jo vetëm një turpërim kombëtar por një mega-skandal moral, ligjor, financiar dhe politik. Le t’i marrim me radhë duke rikujtuar që teksa opozita ka dalë me sloganin “Shqipëria në Rrezik”, askush nuk e mendonte madhësinë, nivelin alarmant, sa tragjik dhe sa i vërtetë do të ishte ky rrezik.

Së pari, të votosh me urgjencë një ligj në parlamentin e Shqipërisë, i cili përshpejton negociatat e kalimit të portit mijëravjeçar drejt një kompanie guaskë, të lidhur me sponsorë të Milosheviçit, do të thotë qartazi që hartuesit e kontratës nuk kanë asnjë moral e asnjë respekt ndaj viktimave shqiptare të xhelatit serb. Duke e quajtur normale, të pranueshme dhe etike të fusësh shtetin shqiptar si ortak biznesi me sponsorë politikë e financiarë të makinerisë kriminale të Milosheviçit, dënuar për gjenocid e krime kundra njerëzimit, atëherë ti relativizon krimet e tij, duke i zvogëluar dimensionin shfarosës e kriminal të asaj periudhe. Qartazi që ti nuk i shërben shqiptarëve por armiqve të tyre. Cila mëndje e quan të mendueshme të bëhej biznes me Hitlerin pas luftës së dytë botërore? Kjo është pikërisht për atë ç’ka po flasim. Kjo është tronditëse.

Shfaqja e sponsorëve të makinerisë së Slobodan Milosheviçit në aferën e Portit të Durrësit tregon sa thellë kanë penetruar interesat serbe në politikat dhe vendimmarrjet strategjike shqiptare. Një projekt kalë troje, diplomacia serbe dhe Aleksandër Vuçiç kanë arritur një fitore. Falë kësaj dhurate diplomatike-financiare ofruar nga qeveria shqiptare, elementët shovinistë anti-europianë serbë i shprehin mbarë botës se krimet monstruoze në Kosovë janë mite, se atje nuk ka pasur spastrim etnik, se në Kosovë ushtarët serbë ishin viktima e ushtarët e UCK-së ishin terroristë. Sigurisht, përderisa sponsorët politikë e financiarë të Milosheviçit bëjnë biznes krejt normalisht në Shqipëri.

Rikujtojmë që Vuçiç ka qenë një ndër njerëzit më të afërt të Milosheviçit si ish-ministër i propagandës së tij në kulmin e luftës së Kosovës në vitet 1998-2000. Dhe është pikërisht miqësinë me të që kryeministri i Shqipërisë valëvit në çdo tryezë rajonale. Është bashkë me të, që ai kërkon të ndërtojë Ballkanin e Hapur. Dhe nuk është aspak surprizë nëse projekti 2 miliardësh i Portit të Durrësit do do të zbatohej sërish me aleatët e Vuçiçit, me vëllezërit Kariç, sponsorë politikë e financiarë të makinerisë gjenocidare të Milosheviçit. Sepse mungesa e madhe e transparencës mbi çdo hap të këtij projekti, gjithçka të çon të dyshosh që ky është një projekt korruptiv i daljes në Adriatik i Serbisë. Po tregtisë e fqinjësisë së mirë me Serbinë, por jo dhe kurrsesi në kushtet aktuale.

Së dyti, ky është një mega-skandal ligjor. Nëse kompania arabo-serbe është realisht nën sanksione për shkak të lidhjeve me Llukashenkon, një ndër diktatorët e fundit të kontinentit europian, atëherë i gjithë aparati shtetëror shqiptar na ofron konturet e një dështimi administrativ monumental. Shqipëria është aktualisht vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ky angazhim nënkupton jo vetëm respektimin e vlerave morale europiane, por mbi të gjitha të detyrimeve ligjore. Dhe sipas këtyre detyrimeve ligjore ndaj të cilave Shqipëria është angazhuar në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, projekti i Durrësit duhej të bëhej publik nëpërmjet një gare ndërkombëtare të hapur ku të ftoheshin dhe kompani europiane. Sot Shqipëria duket sikur bën krejt të kundërtën. Jo vetëm i refuzon investitorët potencialë europianë, por dhe angazhohet me një ligj të posaçëm të përzgjedhë një kompani guaskë nën sanksione perëndimore. Duke votuar një ligj ‘ad-nominem’, pra që përcakton fituesin e privatizimit të Portit të Durrësit nominativisht, parlamenti duket sikur bën të njëjtën gjë sikur me skandalin me ligjin Fusha për Teatrin Kombëtar. Jemi në të njëjtat kushte. Sërish flitet për troje publike, për PPP, për një parlament që u shërben për interesave okulte, dhe shkelje të MSA-së.

Por nuk mbaron me kaq. Qeveria Rama ka promovuar fort një ndër masat kyesore të ndërmarra kundra përfshirjes së Shqipërisë nga MoneyVal në listën e vendeve që mbështet pastrimin e parave. Në 2020 parlamenti votoi krijimin e regjistrit të pronarëve përfitues. Sipas tij, çdo biznes, e për pasojë çdo transaksion financiar e juridik në Shqipëri, do të duhej të kishte të shprehur qartësisht kush është përfituesi fundor, me pak fjalë kush është individi pronar përtej çdo kompanie guaskë. Projekti i Durrësit ka ndërruar disa herë ‘promotor’ dhe më në fund, falë investigimeve të mediave, në sipërfaqe dolën emrat e vëllezërve Kariç. Por jo sepse e kërkonte ligji, por sepse disa gazetarë patën kurajon t’i shkonin deri në fund investigimeve të tyre. Ky është një dështim i cili konfirmon për të disatën herë se Shqipëria po kthehet realisht në një parajsë financiare për sipërmarrës që bëjnë biznes me diktatorë e pastrojnë paratë e krimit ndërkombëtar. A kuptojnë tanimë qytetarët se kujt do t’i shërbejë amnistia fiskale?

Ndaj në mbyllje, ky mega-skandal përben dhe hapin fundor të degradimit moral e politik të qeverisjes aktuale shqiptare e cila duke shkelur mbi çdo parim moral e ligjor, dëshmon rrugën pakthim që ka ndërmarrë drejt autokratizimit të saj. Nga një anë sulmojmë bizneset shqiptare dhe profesionistët e pavarur që bëjnë informalitet, nga ana tjetër vetë shteti, e ripërsërisim, vetë shteti përfundon në ortakëri me kompani fantazmë, guaska ndërkombëtare, të lidhura me një zot e di cilët kriminelë ndërkombëtarë e kriminelë lufte. “Shqipëria në Rrezik” nuk paska qenë thjeshtë një slogan. Kjo është një klithmë, një alarm, një thirrje për kushtrim për t’i dalë zot vendit tonë, së bashku, si bashkëkombas të çdo krahu politik duke refuzuar çdo gram korrupsioni që bëhet mbi trashëgiminë e të parëve tanë. Duke refuzuar çdo cënim të dinjitetit tonë kombëtar. Duke larguar çdo hije dyshimi se sot Shqipëria, Porti i Durrësit, është vendosur në tepsinë e një tradhtie kombëtare të madhe. Protesta e të shtunës është sprova e fundit pas së cilës mund të fshihemi. Nëse Edi Rama nuk largohet, ai do të bëjë gjithçka që nga Shqipëria të largohemi ne, sepse me të, Shqipëria është në rrezik çdo ditë.

SYRI.net

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*