Përmasat e rrezikshme të feminicidit

Shkruan:
Xhafer Shatri

Më në fund në Kosovë shohim një vetëdijësim të opinionit dhe një këndellje të tejvonuar të organeve të drejtësisë për të marrë në mbrojtje gratë e keqtrajtuara që kanë fatin e zi të kalojnë jetën, jetën që e jetojmë vetëm njëherë, me tipa që pamjen e kanë të njeriut, por në fakt janë dhe sillen si bisha.
Çuditërisht edhe vende shumë më të përparuara se Kosova kanë problem me këtë fenomen të rezikshëm.
Sot, Televizioni Suisse Romande (TSR) e përsëriti një dokumentar në kuadër të emisionit të shumënjohur “Temps présent“, që, kësaj radhe, trajtonte temën e feminicidit (vrasjen e femrave).
Dokumentari i kushtohej një tragjedie familjare të ndodhur para 2 vitesh në kantonin Jura.
Burri, Kristofi, e kishte prerë në fyt gruan e tij, Melanie, dhe pastaj e kishte vrarë vetën.
Ata ishin prindër të tre fëmijëve. Shkaku ishte se Melanie e kishte akuzuar të shoqin për dhunë verbale e seksuale dhe ishte ndarë prej tij.
Dokumentari, me një qartësi të llahtarshme, nxjerrte në pah vuajtjet dhe poshtrimin e përditshëm të Melanie.
Në dokumentar krahas fëmijëve dhe miqve të Melanie, flisnin edhe dy ekspertë; një sociologe dhe një neuropsikiatër.
Sociologia thoshte se, në këso rastesh, organet e shtetit, zakonisht, reagojnë me stërvonesë. Në vend që të intervenojnë me kohë, fillimisht, qendrat sociale e sociologët e menjëherë pastaj organet e drejtësisë, keqtrajtimi e urrejtja rriten në maksimum dhe përfundimi dihet. Kjo eksperte theksonte gjithashtu se shoqëritë e ndryshme vetëm kohët e fundit janë këndellë dhe kanë filluar ta ndryshojnë legjislacionin, i cili deri tash ka qenë apsolutisht inadekuat. Shëmbujt më të mirë në këtë drejtim ishin Spanja dhe Britania e Madhe.
Më bëri përshtypje sidomos konstatimi i vajzës së çiftit tragjik:
“Babai im nuk është vrasës. Ai sigurisht se ka qenë i sëmurë rëndë!“
Dhjetë vitet e fundit në Zvicër ishin vrarë nga burrat 135 gra!
Burim: https://www.facebook.com/XhaferShatri1/posts/1317925075305143

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code