Për Prishtinën, me dashni

Shkruan:
Donika Dabishevci

Prishtina është poezi fëminie,
është gazi i lojës sokaqeve t’pluhnosuna,
i topave t’shqyem oborreve t’kojshive,
i gjunjve t’përgjakun, këpucve t’grisuna,
çantës së randë t’shkollës, lumenjve t’ndotun,
i sajave, dordolecëve e dhimtës që po shkrin bora.

Prishtina është poezia e rritës,
imazhi i vagullt i syve t’bukur,
drithma e turpi i puthjes s’parë,
streha e dashnive t’mëdha,
burgu i dashnive t’ndalume,
vorri i dashnive t’humbuna.

Prishtina është pikëpyetja, pikëçuditësja,
epiteti, emri, mbiemri, simboli…
Kurrë e kuptueme tamam
e gjithë fort e dashtun!

***

Edhe kur kam marrë n’thu,
kur jam përplasë e jam pshtet’ fort për muri,
kur kam ndje dhimtë, kur m’janë gravue humbjet,
kur jam rrzue keq, kur jam përplas flliqtë,
kur i kam numërue yjtë…
tuj m’shkue mendja me ju hedhë n’përqafim
prej ndonji tarase t’naltë tokës n’amshim,
kur shpirtit i kam thanë dil e s’ka dalë…
Ti ishe aty – Prishtinë!

Nuk m’ke lanë me ikë, m’ke ndalë,
m’ke marrë ngryk’, m’ke ulë n’prehën,
m’i ke fshi lotët, m’i ke lëpi varrat,
m’ke dhanë pafund dashni, Prishtinë!

E trallisun n’tana trajtat tua
je e vetmja udhë e jemja ku e zotnoj veten,
Prishtinë – qenia, identiteti,
jeta, andrra, burgu, Liria jem!

Je qielli që e kam pa s’pari kur i kam çelë sytë
e që du me pa s’fundmi tuj ikë nga kjo botë,
Prishtinë!

https://www.facebook.com/donika.dabishevci/posts/pfbid0JgKAvePRFdunH5mv1KBEsK2LkJHR8RdSNvG9UnEy3zS4ah4C2BuQKGE5ooMobKrwl

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*