Partia e Cubave të Kosovës në panik maksimal

Shkruan:
Xhafer Shatri

Ora e përballjes së Prontomafisë me pasojat e keqeverimit dhe praktikave sistematike shtetrrënuese afatgjata po afron. Dhe të gjithë po e shohin se verdikti i 6 tetorit të ardhshëm do ta çojë pashmangëshëm Partinë e Cubave në konteiner. Këta janë të vetëdijshëm për këtë, prandaj janë mobilizuar maksimalisht për t’i bërë ballë furisë që po vjen. Dhe aktualisht janë subjekti më aktiv në terren, aktiv në të gjitha pikëpamjet dhe në të gjitha fushat që nga shantazhi e korruptimi deri te manipulimi me mediet e tyre mercenare dhe me rrjetet sociale, ku  janë mijëfishuar nofkat dhe shkrimet diverzive, të cilat askush me mend në krye nuk i merr seriozisht.

Kur flet Kadri Shiku dhe çakajtë e tij për korrupsionin, efekti është katastrofik; çdo njeri me logjikë të shëndoshë këtë cinizëm policor e përjeton si futje të gishtërinjve të pistë në sy.

Objekt kryesor i aksioneve të përditshme e të shumënduarshme diversive të çakajve të Shikut të ngulitur me tokmak nëpër institucionet më nevralgjike të shtetit e me mandat të pakufijshëm shtetrrënues vazhdon të jetë LDK. Sepse aty është investuar shumë dhe gjatë…

Dalja e Vjosa Osmanit në ballë të betejës së LDK-së për ta çuar Partinë e Cubave në opozitë, i ka nxjerrë Prontomafisë telashe të mëdha. Sepse e ka ndryshuar raportin e forcave në LDK, duke lënë në hije pengjet dhe korbat e Shikut të rekrutuar edhe në instancat më të larta të partisë dhe duke izoluar e zhveshur si mos më keq oligarkë të ndryshëm, të cilët kaherë ia kanë shitur shpirtin dreqit.

Çdo analizë serioze të çon te përfundimi se kandidimi i Vjosa Osmanit për kryeministër ;

– së pari është pasojë e frikës së kreut të LDK-së dhe supotëve të tij për t’u përballur me elektoratin gjithnjë e më kritik, sepse tashmë janë demaskuar si paterica të Prontomafisë;

së dyti, brenda LDK-së po kristalizohet gjithnjë e më shumë një pakënaqësi në rritje me udhëheqjen e paskrupull e arbitrare dhe gatishmërinë e saj të përhershme për të bërë pazare të fshehta e të rrezikshme me varrmihësit e shtetit, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Tash e tutje kjo nuk do të mund të bëhet pa pasoja të mëdha për çdonjërin që lëshohet në veprime të tilla antishqiptare.

Së treti, ekziston një vetëdijësim i përgjithshëm se gjërat në Kosovë nuk do të mund të ndryshojnë shpejtë pa një ndryshim cilësor brenda vetë Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse vetëm kështu do të ketë një koncentrim të mjaftueshëm të masës kritike që duhet të shpërfaqet konkretisht dhe fuqishëm më 6 tetor, që është një ditë vendimtare për fatin e Kosovës. Dhe ky fakt po e çon erën drejt velatores së Vjosa Osmanit jo vetëm para elektoratit, por sidomos brenda strukturave të LDK-së, më në fund të trandura nga letargjia dhe mekjs e gjatë.

Një faktor tjetër rëndësor është se, përkundër torpedimive të fuqishme nga Prontomafia, Lëvizja Vetëvendosje, megjithatë mbeti njëri prej dy subjekteve politike kryesore në vend… 

Kështu që tash në terren janë dy alternativa serioze dhe rivalë kryesor: LDK dhe LVV, po njëherit edhe subjekte potenciale për një koalicion paszgjedhor, si e vetmja alternativë për ta nxjerrë vendin nga humnera.

Edhe në këtë pikë, Prontomafia po punon shuuumë për ta penguar këtë koalicion të pashmangshëm. Dhe nuk do të lënë gurë pa lëvizur për ta torpeduar, sepse vetëm në këtë mënyrë shpresojnë se do të mundë të mbeten në pushtet.

Prandaj është e domosdoshme që rivalet kryesorë për kryeministër, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani të jenë maksimalisht korrektë e të përmbajtur me njërin tjetrin, sepse kjo nuk është një betejë për karrierën e tyre sa është betejë për shpëtimin e Kosovës.

Fundja, kryeministrin ardhshëm do ta përcaktojë shpejtë elektorati e jo shpërthimet e panevojshme në debate e tubime.

Prandaj, koalicioni i ardhshëme kërkon realizëm, gjakftohtësi dhe mbi të gjitha përkushtim atdhetar.

E kam theksuar edhe më parë: LDK e VV duhet të punojnë shumë e bashkë për të mos lejuar vjedhjen, tjetërsimin dhe manipulimin e votave.

Prontomafia po derdh lumenj parash për të mos e humbur pushtetin, sepse e di se  çka e pret. Nuk ka lokalitet në Kosovë, ku jeniçerët e saj, të pajisur me çantat plot para, të mos e joshin publikisht dhe të mos i japin çdo njeriu në nevojë, të paktën 50 euro për anëtarë familjeje, për ta blerë jo vetëm votën, por edhe shpirtin e tij.

Prandaj, u drejtohem LDK- istëve të vërtetë, atyre që bënë aq shumë për Kosovën, pa rrahur asnjëherë gjoksin për kontributin madhor dhe idealizmin e tyre të qashtër;

– Mos lejoni kurrë më që të trafikohet, manipulohet e tradhtohet vullneti juaj!

– Dijeni se në betejën e radhës për Kosovën dhe të ardhmën e saj Lëvizja Vetëvendosje është poaq faktor vendimtar sa edhe LDK.

– Kuptojeni se fjalori radikal i VV-istëve nuk duhet t’ju acarojë, sepse, nëse e tjerrim hollë e hollë, çdonjëri prej nesh e kemi nga një VV-ist-e në shtëpi dhe, nëse e analizojmë radikalizmin e tyre, ai së pari burimin e ka edhe në zhgënjimin që u kemi shkaktuar ne, prindërit e tyre, bashkë… Sepse, duke mos e shkarkuar me kohë një maskara politik si Bujar Bukoshi, ne ua mundësuam cubave që, me ndihmën kolosale të tij, ta marrin pushtetin në tepsi dhe të tallën me ne e sidomos me Kosovën duke e trajtuar atë, qe njezet vjet rresht, si të ishte plaçkë lufte.

Ju që nuk i jeni nënshtruar Serbisë, mos iu dorëzoni as Prontomafisë dhe as oligarkëve të LDK-së që janë vënë në shërbim të saj.

E keni rastin historik t’i thuani fuqishëm JO! Tradhtisë dhe kompromiseve të rrezikshme me varrmihësit e Kosovës.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

 

1 Trackback / Pingback

  1. Partia e Cubave të Kosovës në panik maksimal – Gazeta Shqiptari

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*