Një përgjigje për hajvanatin e LDK-së

Shkruan:
Xhafer Shatri

Për shkrimin tim të mbrëmshëm “Deri kur në fushatë elektorale me arkivole ? “, kam marrë shumë mesazhe private nga simpatizantë të LDK-së po edhe nga të tjerët që kanë krejt pikëpamje të ndryshme prej tyre, si dhe ndonjë koment publik ku, pa asnjë provë, vihet në pikëpyetje integriteti im. Po ju përgjigjem të gjithëve shkurt dhe publikisht :

Unë shkrimet e mia nuk i lidhi asnjëherë me ndonjë interes personal. Kurrë ! Jamais !

Kur ta vendosi me qenë pjesë e një subjekti politik, unë do të dal publikisht dhe do t’i mbroj programin e qëndrimet e atij subjekti hapur, pa dorashka e pa pardon.

Do të hyj aty jo për ndonjë interes, çfarëdo qoftë ai, por për bindjet e mia. Do të hyj aty me ndërtu e jo me rrënu !

Ndërkaq, ju ldk-istë të mirëfilltë apo të rrejshëm, do të duhej t’i vëni gishtin kokës, megjithëse tash është tepër vonë, dhe ta pyetni vetën e jo të tjerët :

A është e vërtetë se vazhdimisht në prag të zgjedhjeve, krerë të LDK-së, Isa Mustafa sidomos, çojnë pluhur për vrasjet gjatë dhe pas Luftës. Dhe menjëherë pastaj, posa të përfundojnë zgjedhjet, bëhen me ata që publikisht dihet se kishin dorë drejtpërdrejt në shumë prej atyre vrasjeve ?

A ishte Isa Mustafa kryeministër disa vjet rresht ? Po Skënder Hyseni e Agim Veliu a ishin ministra të brendshëm ?

Po !

A e kanë lëvizur ndonjëri, qoftë edhe njëherë të vetme, gishtin e vogël për të bërë diçka dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë vrasësit mizorë të Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, komandant Drinit…, e shumë të tjerëve ?

Jo ! Jo ! Dhe Jo !

Përkundrazi, në vazhdimësi, posa kanë përfunduar zgjedhjet, janë ulur dhe do të ulen sërish bashkë me vrasësit e sypozuar për t’ia hapë varrin Kosovës.

Kjo është e vërteta.

Kqyreni mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me Marrëveshjen që nënshkroi Isa Mustafa me Vuçiqin për konfederalizimin e Kosovës, më 25 gusht 2015 :

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Dhe do të bindeni, nëse keni vetëm pak tru në atë kokë të shkretë, se një dokument të ngjashëm, që dëmton rëndë dhe pariparueshëm interesat jetike të shqiptarëve, e ka nënshkruar, një shekull më parë, në Nish dhe me Nikolla Pashiqin, Esat Pashë Toptani i famshëm.

Pikërisht ky është ai guri i provës që më ka bërë me ia tregu vendin, jo vetëm njëherë, Isa Mustafës dhe ndjekësve të tij hilexhinj e marrokë.

Ju do të më thuani, po, por në fund të Marrëveshjes thuhet se për këtë do të vendosë Gjykata Kushtetuese ! E vërtetë. Por atë dokument anti-Kosovë e anti-shqiptar nuk e ka nënshkruar një qytetar i papërgjegjshëm e pa asnjë ndikim i Kosovës, por kryeministri i saj, në emrin tuaj dhe timin.

Dhe ky dokument, ani se Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë, sepse shkel 25 herë nenët dhe germat e Kushtetuës, megjithatë mbetet përgjithmonë në praktikën dhe në historinë e shqiptarëve të shkretë si dokument e si gjurmë e thellë që thotë shumë :

– Se shqiptarët janë të gatshëm të heqin dorë nga territoret e tyre,

– Se shqiptarët janë të gatshëm me lëshu pé për çdo gjë, për tokën, për ujin…, për të ardhmen dhe për mbijetesën e tyre.

– Se shqiptarët kanë krerë që shiten e shesin lirë çdo gjë të vendit të tyre. Lirinë e dinjitetin e shqiptarëve në radhë të parë !

Prandaj lërini dokrrat e budallakitë se nuk ka kuptim. Se është marre :

Unë me ju, vëllaznisht.

Ju me mua, serbisht !

Unë juve, me bukë !

Ju mu, me gurë !

A bahet kështu ?

Pyetini edhe hasmit e mi më të mëdhenj, pyeteni edhe Isa Mustafën, të cilin e njoh më mirë se krejt LDK-ja bashkë, dhe do t’ju thonë një të vërtetë të padiskutueshme se unë, Xhafer Shatri, nga Tomoci, komuna e Istogut, nuk bëj tuxharllëk me bindjet e mia.

Unë, mbajeni mend : as nuk shitem, as nuk blehem, as nuk thehem.

Kurrë dhe për asgjë ! Ky është ADN-i im !

Unë mund të gaboj, se njeri jam. Por nëse dikush më bind se jam gabim: nuk më vjen marre as një grimë me e falënderu dhe me i kërku falje atij dhe të gjithëve ! Publikisht !

E ju shkruani çka të doni. As nuk mundeni me më nxe, as nuk mundeni me më ftohë!

Me më tutë ? Hiç se hiç !

Hajde, shëndet e të mira, dhe hapini sytë e pyetini fëmijët tuaj dhe ata do t’ju thonë shkurt e trup se : Nuk jeni në tokë të bukës !

Sepse ju, vertetë, e keni humbur jo vetëm busollën, por edhe fijen bashkë me lamshin !

Prandaj: Zoti u lashtë shëndoshë!

E hallall mos u koftë ! Se m’i humbët 45 minuta kot së koti, veç m’jau dhanë hakun !

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*