Në kujtim të Kujtimit

Shkruan:
Shkelzen Gashi

Nga fundi i janarit 2019, Makfire Ilazi, qytetare nga komuniteti ashkali në Fushë Kosovë, mësoi se të birin 11 vjeçar, Kujtimin, po ia abuzonte seksualisht 19-vjeçari Sefedin Osmani. Ajo e njoftoi babain e abuzuesit, Rexhep Osmanin, i cili më pas e raportoi djalin e vet në stacionin policor të Fushë Kosovës, i shtyrë edhe nga fakti se i biri ishte përdorues i substancave narkotike, mungesa e të cilave e bënte agresiv edhe ndaj familjarëve.

Megjithatë, pasi intervistoi Rexhep Osmanin dhe Makfire Ilazin, policia dështoi ta njoftonte me rregull Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe vazhdoi ta hetonte rastin në kuadër të Policisë së Kosovës. Ky vendim përbën gabimin e parë të organeve të drejtësisë në rastin e Kujtim Veselit – ato do të duhej të lëshonin urdhër arresti për abuzuesin.

Policia e Kosovës e intervistoi Sefedin Osmanin në muajin prill, me ç’rast ai pranoi se e kishte dhunuar seksualisht Kujtim Veselin. Prokuroria Themelore në Prishtinë më pas urdhëroi që rasti të hetohej për veprën penale “kryerje e marrëdhënieve seksuale me personin nën moshën 16-vjeçare”, por në procedurë të rregullt. Pas një jave, Policia e Kosovës e intervistoi edhe Kujtim Veselin, i cili tregoi se Sefedin Osmani i jepte substanca narkotike, e keqtrajtonte fizikisht dhe e dhunonte seksualisht.

Të nesërmen Policia e Kosovës parashtroi kallëzim penal për “keqpërdorim seksual të personave nën moshën 16-vjeçare”, por duke e lënë të lirë Sefedin Osmanin, përkundër faktit që ky kishte një numër rastesh – 26 kallëzime penale e 15 aktakuza, përfshirë njëra për vrasje – gjë që përbën gabimin e dytë të organeve ndjekëse.

ORGANET POLICORE DHE ATO TË DREJTËSISË JANË PËRGJEGJËSE, SEPSE DUKE NEGLIZHUAR ABUZIMET NDAJ KUJTIM VESELIT, IA KANË CENUAR TË DREJTËN FUNDAMENTALE PËR JETË.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ftoi Sefedin Osmanin për paraqitje në muajin maj, por ai nuk iu përgjigj ftesës, ndonëse e kishte pranuar. Prokuroria ia dërgoi thirrjen sërish pas dhjetë ditësh, dhe ai prapë, ndonëse e pranoi, nuk u paraqit. Pas pothuajse një muaji, në fund të qershorit, Prokuroria Themelore në Prishtinë pezulloi hetimet. Ky është gabimi i tretë.

Më 11 korrik 2019, Kujtim Veseli 11-vjeçar u gjet i vdekur nën shkallët e një kompleksi banesor të lagjes ‘Xhemail Mustafa’ në Fushë Kosovë. Ashiqare, organet policore dhe ato të drejtësisë janë përgjegjëse, sepse duke neglizhuar abuzimet ndaj Kujtim Veselit, ia kanë cenuar të drejtën fundamentale për jetë.

Sefedin Osmani u arrestua dhe u mor në pyetje në korrik të vitit 2019, me ç’rast pranoi vrasjen e Kujtimit. Me urdhrin e prokurorit, rasti u kualifikua si ‘vrasje e rëndë’. Në qershor 2020, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë kundër tij për veprat penale ‘vrasje e rëndë’ dhe ‘dhunim seksual’. Në tetor të vitit 2020 Sefedin Osmani u dënua me 25 vjet burg për të dy veprat.

Procedurat disiplinore ndaj zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast janë pushuar, meqë gjatë hetimeve nuk janë gjetur elemente të shkeljeve disiplinore. Sa i përket prokurorëve të përfshirë në këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konstatuar se prokurorja Raze Loshaj nuk ka kryer kurrfarë shkelje disiplinore, sepse nuk kishte asnjë dëshmi që ajo ishte njoftuar ndonjëherë nga Policia për rastin, kurse për prokurorin Ruhan Salihu, i njëjti ka marrë vendim për masën disiplinore ‘zbritje e pagës në 30% për 6 muaj’ që nuk e kishte kërkuar paraburgimin e Sefedin Osmanit në prill 2019, kur ai kishte pranuar se e kishte dhunuar seksualisht Kujtim Veselin.

MASAT DUHEN NDËRMARRË JO VETËM EDHE PËR TË TREGUAR NJOHJE PËR FAKTIN QË KUJTIM VESELIN E HUMBËM PADREJTËSISHT DHE PËR TË BASHKËNDJERË SADOPAK ME FAMILJEN E TIJ, POR EDHE PËR T’I SIGURUAR TË GJITHË QYTETARËT E KOMUNITETIT ASHKALI SE SHTETI I KOSOVËS I TRAJTON ATA SI QYTETARË ME TË DREJTA TË BARABARTA.

Kjo masë disiplinore është në shpërputhje me pasojat – përdhunimin dhe vrasjen e një 11 vjeçari. Prandaj institucionet përgjegjëse në Kosovë duhet të nisin hetime serioze e të ndërmarrin masa të ashpra si kundrejt policëve, ashtu edhe kundrejt prokurorëve të përfshirë në rast, meqë neglizhenca e tyre është njëri ndër shkaqet e drejtpërdrejta se pse Kujtim Veseli nuk është më në mesin tonë.

Kjo jo vetëm me qëllimin për t’i ndëshkuar, por edhe për t’i korrektuar policët e prokurorët e përfshirë në rastin e Kujtim Veselit dhe për t’ua vetëdijësuar kolegët, në mënyrë që, kur të paraqiten krime të ngjashme, policia dhe prokuroria të mos përgjigjen me neglizhencë. Natyrisht, masat duhen ndërmarrë jo vetëm edhe për të treguar njohje për faktin që Kujtim Veselin e humbëm padrejtësisht dhe për të bashkëndjerë sadopak me familjen e tij, por edhe për t’i siguruar të gjithë qytetarët e komunitetit ashkali se shteti i Kosovës i trajton ata si qytetarë me të drejta të barabarta.

Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës, ndryshe nga të deritanishmet që kompensionin materialisht kryesisht familjet e të fortëve e të lidhura me pushtetin, ka marrë vendim të kompensojë materialisht familjen e viktimës, që është vendim për t’u përshëndetur, por jo i mjaftueshëm. Prandaj, edhe një herë: Qeveria e Republikës së Kosovës dhe personalisht Kryeministri i Republikës së Kosovës e kanë për obligim të angazhohen maksimalisht që të ndërmerren masa adekuate kundrejt policëve e prokurorëve që me neglizhencën e tyre janë po ashtu përgjegjës për vrasjen e Kujtim Veselit.

Imazhi i ballinës: Jeta Dobranja.

Ky publikim është pjesë e serisë së shkrimeve të fushatës Drejtësi për Kujtimin, mbështetur nga skema e granteve “Kujtim Veseli” që menaxhohet nga OJQ Zëri i Romëve Ashkalive dhe Egjiptasve.

Burim:https://kosovotwopointzero.com/ne-kujtim-te-kujtimit/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code