NË KËTË NATË TË VITIT TË RI

Shkruan:
Xhafer Shatri

me tri ikona të dhimbjeve të Kosovës

Në natën e ndërrimit të motmoteve, kur të gjithë apo shumica gëzohemi duke qenë bashkë me të afërmit dhe fëmijtë tanë sidomos, nuk do të duhej t’i harrojmë familjet që Serbia i dogji e i bëri shkrumb dhe sidomos ato Nana që mbetën me duar në gjinj, sepse ushtria serbe ua vrau femijtë e tyre e dritat e syve.

Ua bëri jetën xhehnem…, jetën që jetohet vetëm njëherë.

Janë shumë, nuk ka laps që i numron, por po i kujtoj tri prej tyre, që, rastësisht, janë të një ane, të Gjakovës me rrethinë:

Ferdane Qerkezi, në prag të Luftës, i kishte 8 anëtarë të familjes: Burrin, 4 djem dhe dy nuse.

Më 27 mars 1999, ushtria serbe ia mori burrin, Halimin dhe të katër djemtë: Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin. I vranë dhe ua çuan kufomat në Serbi.

Pas disa vitesh ia kthyen vetëm kufomat e dy djemve, por jo edhe të burrit dhe të dy djemve tjerë.

Rejat i dolën, sepse jeta ka ligjet e saj.

Më 27 mars 2022 bëhen 23 vjet që Ferdane Qerkezi jeton vetëm, e kredhur në një det pikëllimi. Por Nana Ferdane. kjo grua e fortë po jeton për të dëshmuar…, në mënyrë që të mos harrohet çmimi i lartë i Lirisë.

Më 27 prill 1999, ushtria serbe, si gjithandej nëpër Kosovë, sulmoi fshatrat e Rekës së Keqe.

Atë ditë, pasi i dëboi shqiptarët nga shtëpitë e tyre, i vrau menjëherë pastaj 70 banorë të fshatit Korenicë.

Bardhe Zoje Prendit ia vrau 5 djem: Gjergjin, Markun, Robertin, Viktorin dhe Sokolin.

Nana Zoje jetoi, qëndroi e dëshmoi deri më 1 qërshor 2021, kur trupi i saj nuk mund të përballonte më gjatë peshën e padurueshme të pikëllimit.

Më 27 prill 1999, pra të njëjtën ditë, ushtria serbe i vrau edhe dy djem te Pashke Markut nga i njëjti fshat, nga Korenica: Milanin dhe Gjovalinin.

“Në fillim të korrikut 1999 familja e Pashke Markaj u kthye në Kosovë.

Nana Pashke i kërkoi gjithandej djemtë e saj. Një ditë e çuan në Rahovec, ku silleshin mbetjet mortore nga varrezat masive nëpër Serbi. Ua njohu teshat e trupit. Ua preku gjymtyrët nën tesha, por pati përshtypjen se kishte mbetur vetëm shkrumbi i tyre.

Prej atë ditë i shkoi mendja se mund t’ia kenë djegur djemtë, prandaj iu ngulit ideja se duhet të digjej edhe ajo.

Një ditë i shpëtoi një fjalë: O kanë mirë me shku e me u djegë para Kuvendit të Kosovës.

Më 26 maj 2003, Nana Pashke veshi teshat e vorrit, e mori një kantë me benzinë dhe u nis për në botën tjetër. Shkoi te varret e djemve, te Lendina e Pikëllimit. Pastaj u kthye, e u ndal afër rrugës. Ishte tamam midisi i largësisë që ndante varret e djemve dhe shtëpinë e familjes. U lye me benzinë dhe ia vuri flakën vetes.”

Nana Pashke e dogji vetën jo vetëm pse nuk mund ta përballonte peshën e padurueshme të pikëllimit, por edhe për ta sfiduar mjegullën e padurueshme të përgjumjes kolektive prapa të cilës vjen harresa e tmerrshme.

Nana Ferdonije, Nana Zojë dhe Nana Pashke dhe mijëra të tjera si këto janë gurët e themelit mbi të cilët duhet të ngritet me kujdes e me këmbëngulje Monumenti i Pavdekshëm i Kujtesës.

Sepse vetëm nëse nuk harrojmë mund të jemi të sigurtë se nuk do të lejojmë të na ndodhë më kurrë ajo që ndodhi në Toplicë, në Leskovc, në Preshevë, në Bistrazhin, në Prekaz, në Poklek, në Izbicë, në Krushë, në Mejë, në Qyshk…

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*