NË KËRKIM TË ALBIN TRADHTARIT

Shkruan:
Andi Bushati

Albin Kurti është detyruar të lëshojë diçka më shumë sesa pritej prej tij, por ai, as nuk ka tradhëtuar, as nuk ka pranuar krijimin e asocacionit të komunave serbe, siç po e akuzojnë kundërshtarët e vet politikë dhe kritikët e tij të përhershëm.

Zhurma e këtyre të fundit, herë e nxitur nga keqëdashja dhe herë e ngjizur nga pasioni, nuk po lejon të kuptohet mirë ajo që ndodhi në takimin e nivelit të lartë në Ohër. Ata i harrojnë nenet në të cilat Serbia e njeh “de facto” Kosovën, e anashkalojnë atë pikë të aneksit të pranuar në 18 mars, ku Beogradit i vendoset një kalendar i përcaktuar për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur qysh prej luftës.

Po le ti lëmë ato mënjëanë, për një çast dhe të merremi me atë që përbën thelbin e akuzave ndaj kryeministrit Kurti, pas marëveshjes së panënshkruar të Ohrit. Kreu i partisë rugoviste (LDK), Lumir Abdixhiku, e quajti Kurtin mashtrues dhe e akuzoi atë për humbjen e një mundësie historike. Deputetë të kësaj partie pretenduan se Serbia ka marrë koncesionet më të mëdha ndonjëherë, pikërisht tani, nga “VV”. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, foli për një çmim të lartë që do paguhet për një kohë të gjatë, si pasojë e pranimit të një asocacioni të avancuar dhe autonomie politike për serbët e Kosovës. Analistë të pamëshirshëm ndaj qeverisë, e tallën Albin Kurtin si njeriun që duhet të aplikonte në terren Zajednicën që e kishte kundërshtuar me gaz lotësjellës në opozitë, duke ironizuar se arritja e tij më e madhe ishte vetëm ndryshimi i emrit të asocacionit.

Po a është përkulur Albin Kurti duke e pranuar krijimin e shoqatës së komunave me shumicë serbe ashtu siç po akuzohet?

As aneksi i dakordësuar në takimin e Ohrit, as deklaratat e palëve dhe as rrethanat në të cilat u zhvilluan bisedimet nuk e dëshmojnë një pretendim të tillë. Fakti se negociatat zgjatën për një duzinë të mirë orësh, se drafti përfundimtar u ndryshua disa herë dhe se në fund askush nuk e firmosi marëveshjen vërteton të kundërtën e asaj për të cilën bërtasin akuzatorët.

Ka disa pyetje themelore që i bëjnë nul hipotezat e tyre.

A nuk do të kishte nënshkruar presidenti presidenti serb nëse do kishte marë si dhuratë një asocacion me kompetenca ekzekutive ashtu sikurse pretendon? Pse ai shpalli me ironi se i dhimbte dora e djathtë me të cilën nënshkruante dhe shtoi se të njëjtën gjymtyrë do ta kishte të lënduar edhe për katër vitet e ardhshme?

Pse në aneksin e bërë publik nga BE pranohet fillimi i negociatave urgjente, nëse asocacioni, sipas modelit të nënshkruar në vitet 2013-2015, qenkësh pranuar? Pse nga drafti u hoq termi vetëqeverisje, që u servir në fillim, për tu zëvendësuar me atë të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë?

Pse as në një dokument zyrtar, as në atë të marëveshjes së 27 shkurtit, as në këtë të fundit të 18 marsit, nuk përmendet termi asocacion?

Pse në aneksin e dakordësuar të së premtes, thuhet se Kosova duhet të nisë menjëherë dialogun për të përcaktuar modalitetet e këtij vetëmenaxhimi? A nuk tregon kjo se asgjë nuk ka marrë formë përfundimtare ndryshe nga ç’pretendojnë kritikët e Kurtit?

Të gjitha këto pikpyetje përforcohen edhe nga deklaratat e pjesmarrësve në dialog. Vetë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borelli, pranoi se marëveshja nuk u nënshkrua pasi Kosova nuk tregoi fleksibilitet për substancën. Se cila qe kjo substancë e tregoi, më pas, presidenti serb Vuçiç, i cili rrëfeu se gjatë negociatave kryeministri kosovar kishte bërë tre propozime krejt të papranueshme nga këndvështrimi i Beogradit, për vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës.

Pra edhe nga dëshmitë e protagonistëve të dorës së parë nuk rezulton që Albin Kurti të ketë pranuar Zajednicën.

Nëse ka një argument të rëndë kundër tij, ai gjendet në atë pikë të aneksit ku tregohet se ‘vetëmenaxhimi” i serbëve lokalë do të bëhet në përputhje me obligimet nga marrëveshjet nga e kaluara. Por kjo fjali-, referencë e hapur ndaj asocacionit të firmosur nga dyshja Mustafa – Thaçi në vitet 2013- 2015-, është larg të qeni përfundimtare. Ajo i bie këmbanave të rrezikut se presioni i perendimorëve ndaj Prishtinës vazhdon dhe se çështja shoqatës së komunave serbe do të mbetet një pikë e nxehtë e dialogut edhe më tutje.

Ama, nga na tjetër, është e qartë se asgjë nuk ka përfunduar. Albin Kurti është detyruar të bëjë disa lëshime të vogla si ky i mësipërmi, për të mos marrë mbi vete barrën e rëndë të prishjes së marveshjes, për të shmangur sanksionet e perendimorëve dhe për të moslejuar krisjen e marëdhënieve me aleatët e Kosovës. Por, deri më tani, ai nuk ka ceduar në kredon e tij. Ndryshe nga ata që e akuzojnë për tradhëti, apo të tjerët që e përqeshin për mungesë koherence, ai nuk ka pranuar asgjë të kundërt me ato për të cilat dikur ka hedhur gaz lotësjellës dhe ka bërë burg. As marëveshja e 27 shkurtit në Bruksel, as miratimi i zbatimit të hartës së saj të rrugës në Ohër, nuk nuk kanë arritur ndonjë rezultat të pakthyeshëm. Ato janë shitur si sukses, për të mos nxjerrë edhe më në pah paaftësinë e BE-së për ti’u imponuar palëve.

Në thelb nuk është vendosur asgjë më tepër sesa vijimi i një dialogu që vazhdon prej një dekade. Prandaj, në këto kushte, të akuzosh Albin Kurtin, nuk është asgjë më shumë sesa një gënjeshtër e motivuar politikisht. Në vend të mallkimeve që e shpallin tradhëtar, më efikas dhe më i dobishëm do të qe rritja e presionit publik, jo se ka pranuar asocacionin, por se ende nuk e ka shpëtuar shtetin e vet nga bosnjëzimi që do i shkaktonte Zajednica.

Burim: Lapsi.al

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*