Ministria e Punëve të Kota

Shkruan: Xhafer Shatri

Ka pesë vjet e këtej që aktiviteti diplomatik i Kosovës ka marrë një teposhtëze të paimagjinueshme. Janë rralluar njohjet deri në ndërprerje dhe ka filluar një proces i panjohur ndonjëherë (qoftë si praktikë qoftë edhe si shprehje) në marrëdhëniet në mes shteteve: praktika e çnjohjeve. Janë rreth 13 shtete që e kanë çnjohur Kosovën. Dhe çka është edhe shumë më e rëndë, askush nuk ka dalur me një analizë sqaruese për opinionin që të dihen shkaqet dhe pasojat. Është një sjellje havakushi; fut kokën në rërë e le të dalë ku të dalë.

Natyrisht se përgjegjësinë kryesore për këtë gjendje e ka kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, pastaj kryeministri e sidomos ministri i Punëve të Jashtme, i cili për çdo ditë po dëshmon se, sidomos në këtë fushë, është një sharllatan me fletë.

Mjafton të analizosh sadopak punën, shprehjet dhe sjelljet e tij për t’u bindur menjëherë se ai nuk ka lidhje me resorin që mbulon. Për më keq, ai e ka paralizuar krejtësisht Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) duke krijuar aty një anarki të pabesueshme. Një gjendje për marre.

Kur flitet për Ministrinë e Punëve të Jashme nuk duhet harruar asnjëherë edhe një fakt tjetër shtetrrënues « à la Hashim Thaçi »: kjo Ministri, për turpin e Kosovës, është formuar disa muaj pas Shpalljes së Pavarësisë! Që, në një mënyrë, i bie sikur prindërit që presin t’u lindë foshnja dhe ata s’kanë menduar se u duhet djepi! Vetëm te Shqiptarët ndodhin këso marrëzishë!

Në fakt, po të kishte vetëm një minimum vetëdijeje shtetformuese te paria e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme, pavarësisht pëngesave të UNMIK-ut, është dashur të funksionojë, menjëherë pas zgjedhjeve të para, qoftë edhe në formë të një Zyreje për marrëdhënie me jashtë. Dhe në kuadër të saj të përgatitet gradualisht një bërthamë efikase diplomatësh të karrierës, që do të bënin gati të gjitha dokumentet e nevojshme, dhe menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë e njohjeve të para të emërohen ambasadorët e parë dhe të fillojë një ofensivë efikase diplomatike.

Në shtetet normale, diplomatët janë ajka e mendjes së çdo kombi. Në emërimin e tyre nuk guxon të ketë nepotizëm, korruptim ose tarafllëk. Në këtë raste, ka vetëm tre kritere: përcaktimi i qartë atdhetar, aftësia dhe përgatitja intelektuale. Krejt kritere të tjera ka aplikuar sidomos Partia e Prontomafisë. Ajo ka mbushur MPJ me dashnore dhe familjar dashnoresh dhe kriter të rëndësishëm për të angazhuar personelin në këtë resor e ka bërë shtratin si kusht.

Duhet pasur parasyshë edhe faktin se trajtimi i diplomatëve, në çdo pikëpamje, nga vendi që ata përfaqësojnë shpjegon më së miri perspektivën e atij vendi. Në vitet kur jam marrë aktivisht me çështjen e Kosovës, kam mësuar shumë dhe kam parë se shtetet e dështuara më së miri dëshmonin erozionin e vet nga mënyra se si i trajtonin diplomatët e tyre. Shpeshherë ka ndodhur që ata nga përfaqësues, krejt papritur, të kthehen saora në refugjatë, mu në vendin ku deri dje përfaqësonin atdheun e tyre…

Shqipëria ishte njëri prej atyre vendeve dhe kur i shihja disa gjëra më skuqeshin edhe veshët nga marrja dhe më thahej fyti nga trishtimi. Sepse shteti që poshtron diplomatin e tij, ai e poshtron dhe pështyen mbi çdo shtetas të vetin.

Kjo praktikë e neveritshme ka filluar edhe në Kosovë: në nëntor të vitit të kaluar, opinioni mësoi se Hashim Thaçi, kryetari i Kosovës e kishte shkarkuar ambasadoren tonë në Romë, zonjën Alma Lama. Motivi ishte i errët dhe vinte era hakmarrje personale e një kryetari mujshar që nuk ka haber se çka është as diplomati e as diplomacia.

Duke shkruar këta rreshta, shikova webin e MPJ dhe aty, akoma figuronte se ambasador i Kosovës në Romë vazhdon të jetë Alma Lama!

A mund ta marrë me mend cilido lexues se si ndihet ambasadorja jonë në Romë kur është shkarkuar në mënyrë skandaloze, përmes medieve?

Dhe përderisa kryetari i saj e i yni e trajton ashtu rrugaçërisht Zonjën Ambasadore, si mund ta trajtojë atë shteti ku ajo na përfaqëson dhe kolegët e saj diplomatë në Romë?

Për fund: nuk duhet të harrojmë asnjëherë se çnjohjet kanë filluar në momentin kur Hashim Thaçi, duke biseduar për ndryshimin e kufijve, ka vënë seriozisht në pyetje sovranitetin e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilës, Shpallja e Pavarësisë ishte një akt i ligjshëm.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*