MËSUESI MUJË ( Në Ditën e Mësuesit )

Shkruan:
Xhafer Shatri

Gjithnjë përpiqem të mos ia hap derën trishtimit, por kur janë në pyetje Ditët e Mëdha, datat e përkujtimeve, atëherë kjo është e paevitueshme.

Prandaj sot, në Ditën e tij, më duhet ta përkujtoj Mësuesin tim të Parë: Mujë Rexhep Shatrin. Nipin e Selman Shatrit, pjesëtarit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Unë e njihja Mësuesin Mujë edhe para se të shkoja në shkollë, sepse veç bashkëfshatarë, ne ishim edhe kushërinj.

Ka qenë një mësues shumë i mirë, plot mirëkuptim për ne, nxënësit e tij.

Na trajtonte me durim e dashamirësi si të ishim jo nxënësit, por fëmijtë e tij; nga krejt qenia i buronte një mirësi që u ngjante rrezeve të diellit, atyre që, më ngrohtësinë e vet, e marrin përsipër me e shkri borën.

Asokohe jeta jonë ishte më shumë se e thjeshtë: para ose pas orarit mësimor, na çonin t’i ruajmë bagëtinë nëpër Livadhet e Tomocit…, ndonjë lojë kalikoz ose me topin e sajuar nga grumbulli i stofërave të lidhur me sixhim…

Në mbrëmje, nën dritën e lodhur të vajgurit, shfletonim sipas radhës, të gjithë fëmijtë e shtëpisë abetaren e përbashkët.

Ndërsa në odë përimtonin, me gjysmë zëri, rrëfimet e tyre babai im, Dema, vëllai i tij Baci Hysen, pastaj Baba Halil, Baci Nezir, Baci Haxhi dhe ndonjë musafir… Aty flitej me gjysmëzëri për Kullën e Sheremetit, për Kullën e Popit, për Goli Otokun, për borën e kuqe, për Koloshinin e Kacuberrin, për Drenicën e Novi Pazarin, për Isa Boletinin, Shaban Polluzhën e Mulla Zekën…

Në sfondin e këtyre rrëfimeve të trishta, po edhe krenare, mbretëronte një skamje e shtypje që i bënin të lotojnë edhe shelnjet e sokakut.

Në një prej këso ditësh të plumbëta, konkretisht, më 5 maj 1959, si reja për së kthjellti, u përhap lajmi i zi se Mësuesi Mujë ishte vrarë në oborrin e Shkollës “Vasilije Gjuroviq”, në Gurrakoc.

Kishte lloj-lloj fjalësh; gjoja e kishte vrarë vetën pahiri me një pushkë që asokohe i thonin “floberkë“. Plumbi, sipas thashethemeve, e kishte goditur në kokë. Disa thoshin se e ka vrarë, gjithashtu pahiri, fëmiu i një kolegut të tij mësues, por kishte edhe fjalë se, në momentin e vrasjes, aty kishte qenë i pranishëm, një mësues serb, Disha Rosandiq.

Çka nuk thuhej e çka nuk dëgjohej.

Por ajo që më është ngulitur përgjithmonë në tru është varri i ri i Mësuesit Mujë, me një kurorë përmbi.

I cytur nga një kurreshtje e rrezikshme, shpesh kam shkuar te ai Vorr dhe kam kërkuar përgjigje për shumëçka. Ishin pyetje heretike, si për shëmbull: Pse të vranë e të morën në qafë, ta lanë gruan e re vejushë dhe djalin e posalindur jetim?

Në kërkim të atyre përgjigjeve, që nuk mund të mos ishin heretike, sepse edhe pyetjet ishin të tilla, qysh si fëmijë, e kam marrë një udhë të rrezikshme, me gurë e me therra. Kjo rrugë e parrugë m’ka çu’ gjithëkah nëpër jetë e nëpër botë. Disa përgjigje i kam marrë, ndërsa do të tjera, ndoshta do t’i marr vetëm pasi të kem shku te Mësuesi Mujë…

Por, pavarësisht, udhëkryqeve e thikëpërpjetëzave asnjëherë nuk e kam harruar Vorrin e Mësuesit Tim të Parë, kurorën e shkretë mbi të, që shpejt u vyshk, dhe sidomos aromën e jorgovanëve të kaacavjerrun buzë gardhit të varrezave…

I kam rënë botës kryq e tërthor, por askund nuk e kam ndier aq fort e aq thellë aromën e jorgovanit dhe gjelbërimit të harlisur si te Vorret e Tomocit.

M’u deshën shumë vjet, për ta mësuar “alkiminë“ e asaj arome të paharrueshme e të papërsëritshme: Ajo duhet të jetë e tillë vetëm pse i ka të bëra tok, si në një tufë lulesh, dhimbjen, gjakun, rënkimin e trishtimin, por edhe ëndërrën e drithërimat e asaj Toke.

E bashkë me to, jam krejt i sigurt, edhe shpirtin fisnik të Mësuesit Mujë.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*