Kush mbjell erën, korrë furtunën

Shkruan:
Xhafer Shatri

Me ikjen e detyrueshme të Hashim Thaçit nga pushteti e tërë piramida që ai e ka ndërtuar po kërcet e po përthehet. Si një kullë prej akulli. Zatën, meritat e një lideri të mirëfilltë maten me trashëgiminë që ai lë pas. E trashëgimia e Hashim Thaçit është Kosova që kemi sot: një shtet i kapur në çdo pore të tij, një vend në udhëkryq e me probleme serioze, me institucione tepër të brishta, me elita politike të përçara si mos më keq. Një vend që krejt rinia e tij e ka vetëm një ëndërr: me ikë sa më shpejtë prej tij, si prej murtaje.

Ky ishte, është dhe vazhdon të mbetet njëri prej synimeve kryesore të Serbisë në Kosovë.

Për këtë gjendje Hashim Thaçi nuk është i vetmi përgjegjës. Ai kishte shokë e argatë të zellshëm në të gjitha partitë që sot janë në pushtet, sidomos në LDK-në e Isa Mustafës dhe në PDK. E të cilët shpresonin akoma se do mund të vazhdojnë infinito me avazin e shefit, por festa e tyre nuk zgjati shumë, sepse Gjykata Kushtetuese jo vetëm ua hoçi tortën nga goja por i nxori cullak si puçistë e shtetrrënues të pandreqshëm.

Në këtë gjendje e me covidin e kudopranishëm, Kosova po shkon në zgjedhje të reja.

Këto zgjedhje do të duhej t’i sjellin asaj një udhëheqje të re, një elitë krejt tjetër politike, një moral ndryshe…; vlera krejt tjera që do t’ia kthejnë vendit atë që sot ka nevojë më së shumti: Dinjitetin dhe Shpresën.

Në këtë përpjekje fisnike është detyrë e të gjithëve që ta ruajmë stabilitetin e vendit, që të ketë zgjedhje normale e që pranohen nga të gjithë. Që beteja politike të bëhet përmes programeve e jo individëve ose sharjeve dhe zallahisë;

Rezultati do të jetë ai që do të jetë e që, përafërsisht, dihet qysh tash, por është fort me rëndësi që të ketë zgjedhje të mirëfillta e të mirëqena dhe, tash e tutje e përgjithmonë, të krijohet një praktikë që nuk do të lejojë kurrë më tjetërsimin e vullnetit qytetar përmes lojërave e intrigave të atyre që e kanë kapur shtetin për gurmazi.

Në të gjitha subjektet ka njerëz të devotshëm që e duan Kosovën me shpirt, që i kanë dhënë e janë të gatshëm t’i japin asaj shumë, por pa i kërkuar dhe pa i marrë asgjë.

Në supet e kësaj kategorie vetjesh peshon përgjegjësia historike që Kosova, më në fund, të çohet në këmbë dhe të ecë përpara.

Sidoqoftë dhe përfundimisht, Kosova i ka vetëm dy taborre politike: ata që e duan pa hile, në njërën anë, dhe ata që e kanë mjelë, e kanë shkelë dhe e kanë poshtru’ në të gjitha mënyrat, në anën tjetër.

Këta të fundit i kanë shkaktuar Kosovës dëme kolosale, ia kanë rrjepë ekonominë dhe çdo pasuri shtetërore e publike, ia kanë nxjerrë edhe territorin edhe kufijtë në pazar, ia kanë lënë rininë rrugëve, pa shkollim të mirëfilltë e pa të ardhme. Fjala është për tipa keqdashës e argatë të Serbisë, hajdutë ordinerë, vetje pa asnjë kod moral që e kanë sjellë Kosovën buzë gremine. Me ata duhet të merren organet e drejtësisë e kurrsesi rruga dhe hakmarrja në çfarëdo forme qoftë.

Sepse këta këlbaçë do ta marrin ndëshkimin më të madh kur do të zhveshen nga pushteti. Dhe kjo ditë po vjen ! Por nuk duhet harruar se këta për të shpëtuar atë që shpresojnë të shpëtohet, sidomos kapitalin e vjedhur, djersën e huaj, do të përpiqen ta manipulojnë vullnetin e qytetarëve qoftë me komplote procedurale, qoftë me marrëveshje këlbaçësh nëpër zgafella, qoftë duke krijuar tollovi e kaos.

Mos ua jepni rastin dhe mos u besoni, por ndëshkojini duke i lënë vishkull me potët dhe supotët e tyre.

Dhe mos të harrojmë kuurrë: ata nuk njohin as Zot, as Atdhe, as Shtet e as Ligj, as UÇK, as Rugovë e as Demaç. E kanë dëshmuar me qindra herë.

Sepse ishin, janë dhe mbeten taksirati i Kosovës.

Organizohuni mirë dhe ndëshkojini:

Me votën tuaj që nuk e kanë merituar dhe nuk e meritojnë kuurrë! Me votën tuaj që duhet të përkthehet në formën dhe përmbajtjen e një shqelmi dërrmues fundshpine.

 

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*