Kulaçi i Gjarpnit

Shkruan:
Xhafer Shatri

Tym në Kuvend e flakë jashtë tij

Këto ditë, shumë shqiptarë, ngado që janë, kanë mbetur ngjitur e syhapur para ekranit, duke ndjekur orë pas ore acarimin maksimal të gjendjes në Kosovë.
Protoganistët e të gjitha palëve përmendin e përtypin emra e vetje të ndryshme, aktualisht bartës të të gjitha funksioneve.
Por, për habi, një emër nuk po e përmend askush, as autorët e tymnajës e as kundërshtarët e tyre, natyrisht as çarshafët e të dy palëve, mediet!
E ky emër, Hashim Thaçi, ishte larg flakës e tymit, sorollatej, tu bâ dipllomaci, në fakt duke bërë qejf nëpër Crans Montana dhe e duke i vjedhur ditët e Zotit.
Kështu ka vepruar gjithëmonë ; edhe në vitin 2000, edhe në një vit më vonë, edhe më 2004, edhe plot herë të tjera; i vinte flakën Kosovës dhe ia therte jashtë, sa më larg vendit dhe aktit ogurzi.

Penjtë e Gjarpnit

Ditën kur vezët hynë zyrtarisht në politikën e Kosovës, Isa Mustafën e stolisën, mu në foltorën e Kuvendit, me qullin e tyre. E qëllonin gra dhe burra. Pa droe dhe pa mëshirë. Për fajin e vetëm se ai e kishte nxjerrë kulaçin nga furra. Ani se as nuk e kishte gatuar, as nuk e kishte futur në furrë. Ai vetëm e kishte vënë nënshkrimin në një dokument, të cilin as e kishte shkruar as e kishte përgatitur. Ndërkaq gatuesi i Kulaçit, pra përpiluesi i Marrëveshjes së Brukselit, Hashim Thaçi rrinte i ulur e pa teklif në karrigën, menjëherë pas Isa Mustafës të bërë pistil.
Hashimi qeshej, ndërkohë që hedhësit e vezëve, kujdeseshin që asnjëra prej tyre të mos shkonte drejt tij. Nuk është këtu e keqja, e keqja është se ata që gjuanin me vezë dhe ata që e kishin organizuar këtë aksion e dinin shuuumë mirë se edhe Marrëveshjet e Brukselit, përmes të cilave është cënuar seriozisht integriteti territorial dhe suvereniteti i Kosovës i kishte përgatitur jo Isa Mustafa, por Hashim Thaçi, sikundër që e dinin se edhe Marrëveshjen poaq të rrezikshme për përcaktimin e kufijve me Malin e Zi, nuk e kishte përgatitur Isa Mustafa, por Hashim Thaçi, kryeministri real i Kosovës.
Aktorët që futën vezët në politikën e Kosovës, ia kanë borgj votuesve të vetë t’ua shpjegojnë pse e kursyen Hashim Thaçin edhe ditën e vezëve edhe ditën e parë të tymit. Sepse ato ditë, njeriu më i parrezikur e më komod ishte dhe ndihej Hashim Thaçi, alias, Gjarpni.

Opozita në zgripc

Opozita është në gjendje të vështirë. Fusha e saj e monovrimit është gati inekzistente. Jo se asaj i mungojnë idetë, vullneti ose përkushtimi ndaj vendit, por për arsye se shteti dhe institucionet e tij janë kapur nga mafia në krye të së cilës është binomi Thaçi-Veseli.
Arrestimi i një deputeti pa urdhërarresti të prokurorisë, i bërë me qëllim që të destabilizohet vendi e dëshmon këtë më së miri.
Sepse, jo vetëm në këtë rast, policia, e stërmbushur me kriminel të shikut, nuk merr urdhëra nga prokurori por nga shefat e mafisë… Të gjithë e dijnë se levat kryesore të krimit të organizuar në Kosovë udhëhiqen nga funksionarë të lartë të policisë, përndryshe kuadro të Shikut.
Diplomatët përndimorë që vëzhgojnë çdo gjë në Kosovë këtë e dijnë fort mirë, por ata kanë nevojë ta rahatojnë Serbinë në BE, dhe kjo mund të bëhët vetëm përmes Kosovës, që është bërë pjesë e gjeopolitikës botërore; t’i lëshojmë pe Serbisë në kurriz të Kosovës, në mënyrë që Serbia të mos shkojë me Rusinë!
Për t’u bërë kompromise të tilla, në krye të Kosovës duhej pasur persona të zënë në flagrancë, vetje që hedhin nënshkrimin në fund të çdo dokumenti vetëm për të shpëtuar lëkurën e tyre.
Mu për këtë, marrëveshjet që po i konteston opozita dhe jo vetëm ajo por çdo qytetar me moral e vetëdije minimale politike, nuk kanë legjitimitet sepse ato i kanë përgatitur dhe nënshkruar jo përfaqësuesit e mirëfilltë të një vendi e të një populli të lirë, por vetje që e kanë bishtin e zënë me derë.

Rënimi i institucioneve

Për Marrëveshjet e kontestuara, opozita do të duhej t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, sepse përmes tyre, Thaçi e ka bërë objekt pazaresh politike e territoriale edhe pakon e Ahtisarit, nga e cila buron edhe Kushtetuta e Kosovës. Por kjo gjykatë për çështje të tilla të mprehta është të thuash inekzistente. Sepse mafia ska lënë institucion pa e flëlliq, pa e bërë siç është vetë.

Mu për këtë opozita e ka vështirë të imponojë në rrugë institucionale pikëpamjet dhe idetë e veta, sepse Hashim Thaçi dhe supotët e tij kontrollojnë çdo gjë që nga përgjimet masive të qytetarëve e deri te kutia e votimit, nga e cila do të duhej të buronte mandati legjitim i përfaqësimit.

Për më keq, të gjitha partitë politike, papërjashtim, janë përplot me agjentë të shikut, të futur për t’i kontrolluar dhe në momentin e duhur, për t’i torpeduar ato nga brenda.

Mjafton të kujtojmë Kuvendin e karrigeve të LDK-së, të cilin e nxiti njëri nga ata që njihen si pjesëtarë të të ashtuquajturës akademi e SHIK-ut. Ky, gjojaintelektual e « analist » që përfaqëson nëntokën e Kosovës në mediet tona, duke qenë këshilltar i njërit prej dy rivalëve kryesor, nxiti atë përqarje e cila çojë deri te shfaktorizimi skandaloz i Lidhjes Demokratike.

Nuk ka institucion në Kosovë, që nuk ka në poste kyçe pjesëtarë të shikut, të cilët kontrollojnë çdo gjë dhe pjesën më të madhe të kohës e kalojnë duke i rrënuar institucionet nga brenda.

Karrierist i rrezikshëm

Në kulmin e krizës politike, Thaçi rinxori në mediet e veta idenë dhe ëndërrën e kahershme: nga marsi unë do të jem president!
Si mund t’ia arrijë këtij qëllimi kur dihet se ai është i akuzuari i parë me të cilinn do te merret Gjykata Speciale? Përgjigjja është e thjeshtë; destabilizimi i vendit me çdo kusht, duke provokuar opozitën dhe duke shkaktuar trazira. Pra, duke i vënë zjarrin vendit për t’u imponuar pastaj si zjarrfikësi i vetëm.

Por lojës po i afrohet fundi. Thaçin dhe jeniçerët e tij nuk i honeps dot më asnjë kancelari perëndimore. Byroja politike e Mafisë së Kosovës do të përballet me burgun dhe me procese të gjata gjyqësore, ku opinioni do të ketë rastin ta shohë dhe njëherë se Gjarpni dhe supotët e tij nuk kishin as idealizëm dhe asnjë synim tjetër fisnik por vetëm ta marrin pushtetin me çdo kusht e me çdo çmim dhe ta sundojnë Kosovën serbisht.
Se cili është çmimi i këtij sundimi mafioz e dëshmon rrënimi i ekonomisë, kriminalizimi i institucioneve, vjedhja masive e bugjetit, varfërimi i popullsisë dhe ikja masive e rinisë nga Kosova…

*Përdoret forma gegnishte, për shkak se kështu ishte pseudonimi i Thaçit.

Shkrimi është botuar me 25 tetor 2015 në gazetën Koha Ditore. Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*