KOSOVA LINDORE KA NEVOJË TË NGUTSHME PËR QASJE E MBËSHTETJE SERIOZE

Shkruan:
Xhafer Shatri

Disa ministra të Kosovës kishin planifikuar një vizitë në Luginë, siç po i thuhet tashmë Kosovës Lindore. Serbia, natyrisht se nuk u dha leje. Kjo ishte një hakmarrje e atypëratyshme për ndalesën që Kosova ia kishte bërë Petkoviqit.

Shtrohet pyetja a ka nevojë Kosova Lindore për vizita ad hoc ministrash apo funksionarësh të shtetit?

Gjithësesi jo, sepse kjo i ngjan më shumë fushatës elektorale. E Kosova Lindore ka halle të mëdha, shumë të mëdha dhe, me të drejtë, ndihet e braktisur nga paria e Kosovës dhe e Shqipërisë.

Ka njëzet vjet që paria e Kosovës e anashkalon Kosovën Lindore dhe i “bie“ ndër mend për të vetëm kur ka nevojë për vota ose për rritje reitingu.

Ky ishte vetëm njëri prej shumë shkaqeve pse kam shkruar dhe kam denoncuar qeveritë e mëparshme të Prontomafisë, duke besuar se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë dhe do të sillet ndryshe ndaj Kosovës Lindore.

Mjerisht, për këtë çështje nuk po shoh asnjë ndryshim në mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Albin Kurtit.

Sepse, Kosova Lindore, në vend të vizitave boshe, ka nevojë për një çasje shtetërore të mirëmenduar dhe afatgjatë. Në këtë kuadër e, për fillim, brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, duhet të formohet një Drejtori e posaçme me ekspertë që përcjellin gjendjen për çdo ditë në ato territore dhe i adresojnë mençurisht kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve që jetojnë atje, të atyre njerëzve që janë seriozisht dhe për çdo ditë të rrezikuar nga shteti serb.

Informimi me kohë e kompetent i Fuqive përendimore dhe institucioneve ndërkombëtare për pastrimin e heshtur etnik në Kosovën Lindore është e vetmja mënyrë për t’i dalë në udhë veprimeve të rrezikshme e sistematike që shteti serb po i zbaton kundër shqiptarëve atje.

Merreni me mend se çka do të ndodhte, po ta trajtonte Kosova në këtë mënyrë me pakicën serbe. Do të ngarendnin delegacione pas delegacionesh, komisione pas komisionesh dhe madje do të aplikoheshin edhe sanksione pas sanksionesh!

Më duhet ta pranoj me dhimbje se më me përgjegjësi e përkushtim janë sjellur ndaj Kosovës Lindore dhe jo vetëm, organizatat ilegale që vepronin e mbijetonin me shpirt nër dhamb se sa pushtetarët e Kosovës.

Me qëllim që lexuesit të njihen me gjendjen e rëndë atje, po e sjell në vijim, e të përkthyer në shqip, letrën pa zarf që Haki Emini (Eminoviq) ia kishte drejtuar Ministres për të Drejtat e Njeriut e të Pakicave dhe për Dialog Shoqëror në qeverinë e Serbisë, Gordana Qomiq.

Letra mban datën 30 nëntor 2021, dhe u botua në gazetën “Danas“ me titull

NDALENI TALLJEN DASHAKEQE ME SHQIPTARËT E MEDVEGJËS

“E nderuar zonja Çomiq,

po ju drejtohem lidhur me deklaratën tuaj të jokahershme që publikoi portali informativ “Bujanovaçke“, në të cilin keni shpërfaqur qëndrimin se “Në Serbi nuk ka kurrëfarë shlyerje të adresave (pasivizimi i vendbanimit) të shqiptarëve dhe nuk ka asgjë tjetër veçse zbatim të Ligjit për banimin e vendqëndrimin“ dhe se “kur është fjala për pasivizimin e adresave nuk ka absolutisht kurrëfarrë qëllimi të shtetit për ndjekje të organizuar të qyetatarëve shqiptarë në Serbi, por fjala është vetëm për zbatimin e ligjit.”

Do të dëshiroja me këtë rast t’ju përkujtoj se lidhur me këtë çëshje u kam shkruar juve edhe më parë, sepse familja ime dhe unë personalisht i jemi ekspozuar ndjekjes së organizuar nga ana e organeve shtetërore të Republikës së Serbisë, të cilët, përmes rrëmbimit të kundërligjshëm të së drejtës në vendbanim, krejt familjen time e kanë privuar nga të drejtat themelore qytetare e të njeriut, të drejtën e paisjes me dokumente personale, të drejtën e votimit dhe një sërë të drejtash që, sipas Kushtetutës së këtij vendi, na takojnë, e realizimi i të cilave kushtëzohet me pasjen e vendbanimit, gjegjësisht adresës.

Mu për këtë shkak, pasja e vendbanimit është kusht për jetësimin e shumë të drejtave të garantuara kushtetuese, prandaj procesi i pasivizimit të adresave (të vendbanimit) është përzgjedhur si metodë e sofistikuar dhe e pahetueshme e pastrimit etnik nën maskën e kinse zbatimit të ligjit.

E çmuara Zonja Çomiq, se si ky ligj keqpërdoret nga stacioni i Policisë Medvegjës, dëshmon rasti im, për çka jeni informuar edhe ju vetë nga ana e avokatit tim të autorizuar, Rajko Daniloviq.

Dhe, në vend që të hetoni se a janë respektuar procedurat ligjore dhe të hulumtoni për gjendjen në terren, ju i keni besuar lehtësisht sqarimet e funksionarëve të policisë së Medvegjës se çdo gjë është kryer sipas ligjit. Jo vetëm për rastin tim por edhe për mijëra raste të tjera!

Megjithatë faktet dhe provat materiale dëshmojnë të kundërtën.

Duke filluar nga ajo se vendbanimi më është rrëmbyer (pasivizuar) përkundër faktit se unë e kisha të lajmëruar rregullisht adresën time nga Zvicra, ku jam me punë të përkohshme. (Lajmërimin, regjistrimin, e vendbanimit tim në Tupallë, komuna e Medvegjës, e kam bërë në konsullatën e Serbisë në Bernë, ku, shumë herë, i kam nxjerrë dokumentet personale dhe kam shfrytëzuar të drejtën për të votuar). Për më keq vendimi për rrëmbimin e vendbanimit më është dorëzuar në pikën kufitare në Mutivodë, gjë që është në kundërshtim flagrant me të gjitha procedurat ligjore. Ndërkohë që personat NN të policisë së Medvegjës kanë falsifikuar deklaratën time se vendimi dhe akti lidhur me ankesën time gjoja më janë dorëzuar personalisht.

Dhe kjo në kohën kur unë nuk isha fare në Serbi, por në Zvicër.

Zatën kjo mund të vërtetohet me një hetim të thjeshtë, ose me një ekspertizë grafologjike të nënshkrimeve të personave që u janë dorëzuar ato dokumente. Ndërkaq, unë ju garantoj se ato nënshkrime nuk janë të miat.

Veç kësaj, ju vë në dijeni se në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, pra një muaj të plotë ( nga 9 marsi deri më 11 prill 2020), une kam qenë në vetizolim në shtëpinë time, në fshatin Tupallë, komuna e Medvegjës, ku pjesëtarët e shërbimeve të autorizuara e kanë vërtetuar për çdo ditë prezencën time aty… Ky fakt e vërteton se fuksionarët e policisë së Medvegjës qëllimisht nuk ma kanë dorëzuar vendimin, por e kanë fshehur për të ma “dhënë“ gjoja në kohën kur unë nuk isha në territorin e Republikës së Serbisë.

Duhet të theksoj se procedura e pasivizimit të adresave mund të zbatohet ekskluzivisht me urdhër të gjykatës e kurresi me urdhër të administratës komunale, siç shkruan në vendimin e Stacionit të Policisë së Medvegjës, nëpunësit e të cilës këtë të drejtë kundërligjshëm ua kanë atribuar organeve të cilët nuk e kanë këtë lloj autorizimi ligjor.

Gjithashtu, duke marrë parasysh se vendimi nuk më është dorëzuar në rrugë ligjore, mua, së pari, më është mohuar e drejta e ankimimit, dhe, ani se, më vonë, kam gjetur mënyrën e dorëzimit të ankesës, unë nuk kam marrë kurrëfarë përgjigjeje.

Madje edhe kërkesa e mëpastajme e avokatit tim është injoruar më shumë se një vit nga ana e policisë së Medvegjës. Për çka, pas rrëmbimit të vendbanimit (adresës) dhe pamundësisë për t’i nxjerr dokumentet personale, kam bërë shpenzime të konsiderueshme materiale dhe jam bërë, personalisht, objekt i një talljeje dashakeqe.

Për shkaqe të njëjta edhe anëtarëve të familjes sime të ngushtë u është refuzuar dhënia e dokumenteve personale, ndërkohë që as të hollat që i kishin paguar si taksë për nxjerrjen e dokumenteve nuk ua kanë kthyer.

Siç e thotë emri i resorit që ju drejtoni në kuadër të Qeverisë së Serbisë, pra mbrojtja e të drejtave të pakicave, të drejtave të njeriut dhe dialogut shoqëror, po dëshmohet se, ju, me anashkalimin e qëllimshëm të fakteve dhe interpretimin e pasaktë të tyre në medie, në fakt, i kontribuoni të kundërtës.

Dhe jo vetëm kaq.

Sepse ju, me vetëdije, po bëheni bashkëvepruese në një ndërmarrje të pandershme e anticivilizuese që mëton pastrimin etnik të pakicës shqiptare në territorin e komunës së Medvegjës.

Për këtë, fundja ju do të mund të njoftoheshit edhe nga gjetjet e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, të cilët në mënyrë të dokumentuar konfirmojnë se kjo praktikë zbatohet në mënyrë selektive, dhe godet vetëm pjesëtarët e pakicës shqiptare dhe se komuna e Medvegjës është vetëqeverisja lokale me përqindjen më të madhe të rrëmbimit së vendbanimeve (adresave) sipas numrit të banorëve.

Veç kësaj më duhet të theksoj se më vjen mirë që bashkëqytetarëve të mi të kombësisë serbe nuk u është rrëmbyer e drejta e vendbanimit edhe pse shumë prej tyre ndodhen në qytetet e tjera të Serbisë, ose ashtu si unë, punojnë përkohësisht jashtë, në Perëndim.

Ajo që më dhemb dhe me prekë si njeri e si qytetar i këtij vendi është se dikush ka marrë guximin ta keqpërdorë ligjin me qëllim nxitjen e mosdurimit ndërnacional dhe pastrimin etnik të pakicave të papërshtatshme, por më së shumëti më dhemb fakti se ju keni mbështetur hapur këtë praktikë.

Me shpresë se politika e bajlozve që nuk respektojnë ligjet dhe Kushtetutën e vendit të vet, nuk është më e afërt për ju se politika e njerëzillëkut, humanizmit dhe ligjshmërisë elementare, ju ftoj që të reagoni dhe ta ndaloni talljen e mëtejme dashakeqe dhe pastrimin etnik të pakicës shqiptare në komunën e Medvegjës dhe nga organet kompetente të kërkoni të korrigjohen të gjitha pasojat e këtyre veprimeve të kundërligjshme.

Në këtë funksion, unë do t’ua dorëzoj gjithë dokumentet përcjellëse, dhe mbetem në dispozicionin tuaj që në çdo kohë dhe drejtpërdrejtë, në takime të përbashkëta, t’ua paraqes të gjitha informatat dhe të faktet relevante lidhur me veprimet që u jemi ekspozuar unë dhe familja ime.

Me respekt,

Haki Eminoviq (Emini)
Burim : https://www.danas.rs/.../zaustavite.../komentari/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*