KOHA E BUDALLËVE

Shkruan:
Xhafer Shatri

Tash po bindem definitivisht se Kosova ka nevojë për një armatë psikologësh e psikiatrish. Mjafton një deklaratë e një politikani, çfarë do qoftë ajo, mjafton një rrenë e pordhaleve, dhe me u ndezë të gjithë motorrët e budallakisë e mos me u ndalë bile nja një javë. Ani tash, me rrjetet sociale, budallëve u ka marrë mot i mirë! Për shtatë palë qejfe! E shpërndajnë gjithandej përmbajtjen e truve bosh si era mjegullën, pluhurin dhe rêtë!
Kësaj radhe sebep u bë një deklaratë e kryeministrit Kurti, lidhur me 5 vjetorin e vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Për atë që merr vesh sado pak, Albin Kurti nuk foli për biografinë e Oliver Ivanoviqit, as për procesin gjyqësor kundër tij, por e dënoi vrasjen mizore të një qytetari të Kosovës… Vrasje që ishte kryer me urdhër të Aleksandër Vuçiq e Marko Gjuriqit, sot ambasador i Serbisë në Amerikë, dhe të supotëve të tyre, që vazhdojnë ta terrorizojnë Kosovën edhe 24 vjet pas luftës. Vrasja u krye për t’i disiplinuar serbët e Kosovës dhe për t’i kthyr ata në ushtarë besnikë të Beogradit.
Konkretisht, Ivanoviq u vra për dy shkaqe:
– se ua prishte terezinë kriminelëve të Vuçiqit që udhëheqin Listën Serbe, dhe

– sepse ishte kategorikisht kundër copëtimit të Kosovës.

Përfundimisht, Serbia e vrau Oliver Ivanoviqin, pavarësisht se çka ka bërë gjatë luftës (fundja kjo, parasegjithash është çështje e organeve të drejtësisë), pra, e vrau sepse ai e pranoi realitetin në Kosovë dhe u përpoq që, përmes integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, të luftojë institucionalisht për të drejtat e tyre.

Ishte deputet i Kosovës dhe, për ata që kanë mbamendje, ishte kompetent, fliste rrjedhshëm shqip e anglisht dhe, me ndejtë shtrembtë e me folë drejtë, ishte më aktiv e më i mprehtë se shumica dërrmuese e deputetëve shqiptarë.

Siç e dimë të gjithë, ndërsa Halit Berani e Nexhmedin Spahiu më mirë se të gjithë ne bashkë, Oliver Ivanoviq ka qenë aktiv gjatë luftës dhe është shquar sidomos pas Luftës, si prijës i Rojave të urës…

Më 27 janar 2014, Ivanoviqi është arrestuar si i dyshuar për krime të rënda, për çka gjykata e shkallës së parë e ka dënuar me 9 vjet burg. Gjatë procedurës së ankimimit ai është liruar nga burgu.

Më 16 janar 2016, është vrarë prapa shpine nga pjesëtarët e bandës së Belivukut, të cilët i kishte paguar rrast Millan Radoiçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi.

Këto që po qesin jargë e qyrra bashkë nëpër medie, oda e foltore, do të ishte mirë që ta pyesin vetën:

Çka kanë bërë autoritetet e Kosovës që çdo krim që është bërë para, gjatë dhe pas Luftës, të regjistrohet, të përgatiten dosjet përkatëse dhe kriminelët të ndiqen penalisht?
ASGJË, AMA BASH ASGJË!
Janë bërë veçanërisht të neveritshëm pjesëtarët e partive që e kanë sundu Kosovën 20 vjet dhe nuk kanë lënë gjë të zezë pa i bërë asaj. Por në pikëpamjen time, krimi më i rëndë që kanë bërë ata është pikërisht fshehja e qëllimshme e krimeve të Serbisë kundër shqiptarëve.

Prandaj, mu për këtë, duhet ta qepin gojën e tyre të pistë.

I vetmi njeri që ka të drejtë morale me e ngritë zërin dhe me e kritiku Albin Kurtin për deklaratën e tij është Halit Berani dhe njerëzit si ai.

Përndryshe paria e Kosovës për çdo krim që është kryer, pavarësisht nga kush dhe ndaj kujt, duhet të kërkojnë drejtësi për viktimat, pa u marrë me atë se çfarë etnie i takojnë ato.

Shkëlzen Gashi me të drejtë shtroi pyetjen pse të mos kujtohen viktimat e rastit Panda, kur 6 të rinj serbë, u vranë, në dhjetor të vitit 1998, nga organet e Serbisë me qëllim që faji t’u hidhet shqiptarëve…

Përfundimisht, çdo shqiptar që e do Kosovën, duhet të kundërshtojë çdo keqsjellje të njerëzve dhe të organeve shtetërore ndaj pakicave.

Ne nuk duhet dhe nuk guxojmë të sillemi dhe t’i trajtojmë serbët e Kosovës, siç është sjellur dhe siç na ka trajtuar Serbia neve. Sepse vetëm kështu shteti ynë ka të ardhme.

PS.

Familja e Oliver Ivanoviq ka jetuar në Kosovë, në Irzniq, komuna e Deçanit dhe në Gjakovë. Ajo ishte me prejardhje nga Mali i Zi dhe gjyshi i Oliver Ivanoviqit ishte me origjinë nga fisi shqiptar i Kuqit.
Por kjo është një temë dhe dramë e histori tjetër…
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*