Koalicioni i servilëve

Shkruan:
Islam Lauka

Në një kohë që gjithë bota po ballafaqohet me situatën e rëndë të krijuar nga një virus i ri (korona virusi), për fat, në Kosovë nuk kemi asnjë të prekur me këtë sëmundje. Ndërkaq, ditët e fundit, këtu po shfaqet një epidemi e rrezikshme, e një natyre krejt tjetër, e shkaktuar nga një virus, po aq i vjetër, sa vetë njerëzimi, ai i servilizmit. 
Shqetësuese janë, sidomos, përmasat e epidemisё. Burimi i përhapjes së saj, sipas të gjitha gjasave, është jo kush tjetër, por bash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaҫi. Duket se ai nxori mësimet e duhura nga dështimi në krye të njësitit për realizimin e idesë së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Mashtrimit të tij dyvjeҫar, kur këtë ide e paraqiste si nismë që gëzon mbështetje vendore e rajonale dhe në Prishtinë si nismë amerikane, i doli kallaji dhe e vërteta rezultoi të ishte krejt ndryshe. Ajo nuk kishte as pronësi vendore e rajonale dhe as amerikane, por vetëm serbe. 
Këtë radhë, vendimmarrja e Thaҫit ka të bëjë me ndryshimin e taktikës dhe të strategjisë. Në vend të njësitit me 3-5 vetë, ai vendosi të zgjerojë rrethin, duke organizuar një “ҫetë” servilësh për ta mbështetur në ҫdo hap. Ndryshimi tjetër i tij lidhet me transparencën. Në vend të veprimtarisë së mbyllur, klandestine, të njёsitit të mëparshëm, ai vendosi të thërrasë të gjitha partitë parlamentare për t`i informuar për bëmat e tij në Uashington, si dhe të organizojë konferencë shtypi për të njëjtën ҫështje. Goditja kryesore në takime dhe konferenca do të drejtohej kundёr Kryeministrit, Albin Kurti, si njeri me “teke dhe huje”, por, ҫ`është më e keqja, edhe si antiamerikan i regjur.
Zhgani i sahanlëpirësve, zvarranikëve dhe butakëve të ҫdo lloji, kaq donte për të shpërthyer në ekstazën e tyre të përjargur kundër Kurtit. Një pjesë e mirë e tyre, pavarësisht se nuk dinë të lidhin as dy fjalë në shqip, filluan të “shkëlqejnë” me anglishten e shkruar në rrjetet sociale, në mënyrë që lajkat e tyre të përcilleshin në destinacion, sa më “bio”.
Mbase, nuk do t`ia vlente fare të merresha me këto specie, por meqenëse kori i tyre nxitet, frymëzohet dhe orkestrohet nga Presidenti i vendit, më poshtë, po radhis disa nga “tezat” e tyre kryesore: 
1. Në qoftë se kundërshtohet SHBA, shteti i Kosovës humb asryen e ekzistencës së vet. Kosova nuk është gjë tjetër, veҫ një projekt amerikan.
2. Kurti po i bashkohet të majtës ekstreme dhe radikalizmit islamik kundër Presidentit amerikan, D. Tramp. Me këtë, ai po i kontribuon krijimit të sentimentit antiamerikan në Kosovë.
3. Kush është Albin Kurti që guxon t`i tregojë vendin SHBA?
4. Shqiptarët duhet të kenë besim ndaj Amerikës. Uashingtoni ka dëshmuar historikisht se në qëndrimin ndaj shqiptarëve niset nga vlerat, jo nga interesat (Rambuje, ndërhyrja ushtarake 1999, pavarësimi i Kosovës 2008). Kundërshtimi i Amerikës do të thotë shkelje e kodeve të sjelljes ndaj mikut të madh të Kosovës.
5. Qëndrimi antiamerikan i Kurtit nuk ka të bëjë me interesat e vendit, por me luftën politike për pushtet.
6. Në qoftë se nuk veprojmë siҫ thonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veҫ sanksioneve, Uashingtoni mund të tërheqë praninë e vet ushtarake në kuadrin e NATO-s dhe tё mbyllё bazën Bondstill.
7. Momentumi i marrëveshjes Kosovë-Serbi është tani. Po nuk e shfrytëzuam, ai nuk vjen më.

Ka edhe shumë e shumë teza të kësaj natyre, të paraqitura nga ana e butakëve të Thaҫit, por për të mos u zgjatur me to, po përpiqem të jap mendimet e mija rreth tyre:
1.Duhet të jesh krejtësisht shpirtskllav, që të pohosh se po të kundërshtohet SHBA, shteti i Kosovës humb arsyen e ekzistencës së vet. Arsyeja e parë dhe e fundit e ekzistencës së këtij shteti, është vullneti i popullit të saj. Kosova e pavarur është projekt i shqiptarëve, i rezistencës dhe luftës së tyre heroike, që nga momenti i pushtimit prej Serbisë, në vitin 1912. Është tjetër gjë që realizimi i tij u bë i mundur në sajё të mbështetjes nga aleatët tanë perëndimorë, në radhë të parë, nga SHBA. Për këtë i jemi mirënjohës përjetë popullit dhe kombit të madh amerikan. Teza që shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës është thjesht një projekt amerikan, është tezë e Kremlinit zyrtar. Sipas Moskës, Kosova është krijesë e SHBA-së, e NATO-s, një “NATO-shtet”, “narko-shtet”, të cilin Uashingtoni e krijoi, duke copëtuar Serbinë, me qëllim që të kontrollojë korridoret e trafikimit të armëve, të drogave, ndërsa bazën Bondstill për të stërvitur terroristët islamikë. Natyrisht, e gjithë kjo propagandë të pavërtetash e shpifjesh është pjesë e luftës informative të Moskës, kundër Perëndimit, kundër SHBA-së dhe kundër shqiptarëve. Me ose padashjen e tyre, servilët e Thaҫit ҫojnë ujë në mullirin rus.
2. Kritika kundër Trampit kanë bërë edhe perëndimorët, midis tyre, Merkel, Makron, etj. Uracakët e Presidentit Thaҫi duhet të kenë aq mend në kokë, sa këto dy personalitete të mos i klasifikojnë si përfaqësues të së majtës ekstreme, apo të radikalizmit islamik. Nga ana tjetër, nuk ka as nuk mund të ketë sentiment antiamerikan, jo vetëm në Kosovë, por në asnjë territor të banuar nga shqiptarët. Ҫdo politikan që do të nxiste antiamerikanizmin, do të nënshkruante fundin e vet politik.
3. Me propozimin për heqjen e pjesshme dhe të kushtëzuar të tarifës, A. Kurti, nuk i tregon vendin Uashingtonit, por Beogradit. Dhe këtë e ka për detyrë ta bëjë ҫdo udhëheqës i Kosovës.
4. Shqiptarët kanë patur dhe kanë besim tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtën kohë, ata dinë të dallojnë specifikat e ҫdo administrate amerikane. Kjo e fundit, nuk është nga ato që i duhet besuar qorrazi. Ajo ka dëshmuar se, më shumë anon nga interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike, sesa nga vlerat. Kur vetë Presidenti Klinton, në fjalimin e tij para kombit, në prag të ndërhyrjes së NATO-s në Jugosllavi, me 23 mars 1999, krahas imperativit moral, flet edhe për interesa të drejtpërdrejta amerikane dhe atlantike, (jo të natyrës së Ҫomskit dhe Lubonjës) që lidhen me parandalimin e një lufte ballkanike me kosto shumë më të mëdha, me ruajtjen e unitetit midis aleatëve të NATO-s, etj, ҫfarë të thuhet për Trampin, që në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare përdor qasjen biznesore?
5. Qëndrimi i Kurtit për tarifën, në thelb, nuk është antiamerikan, por pro Kosovës dhe nuk ka lidhje me luftën për pushtet. E kundërta do të ishte e vërtetë. Po të vepronte, siҫ thotë Ambasadori Grenell, mund të dyshohej se këtë e bën për mbijetesë politike.
6. Prania ushtarake amerikane në Kosovë dhe baza Bondstill nuk kanë fare lidhje me tarifën ndaj mallrave serbe. Ato u vendosën në kontekst tjetër, për arsye krejt të tjera dhe largohen kur të pushojnë së ekzistuari këto arsye. Ose si pjesë e strategjisë amerikane për tërheqjen nga zonat e konflikteve (si në Afganistan dhe në Siri). 
7. Edhe para dy vjetësh, kur doli në skenë teza e shkëmbimit të territoreve, ëshët dëgjuar i njëjti refren: të mos e lëshojmë momentumin për nënshkrimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi. U caktua dhe vendi dhe koha e nënshkrimit të saj- Kopshti i Trëndafilave, Uashington D.C., qershor 2019. Megjithatë, bashkë me tezën famëkeqe të shkëmbimit të territoreve, iku edhe ky momentum dhe tani na doli momentumi tjetër, qershor 2020, në të njëjtin vend, Uashington. Vetëm se, këtë vit, në SHBA janë zgjedhjet presidenciale, ndërsa në Serbi, ato parlamentare dhe, si rregull, fushatat zgjedhore nuk përbëjnë moment të përshtatshëm për marrëveshje të mira dhe të qëndrueshme.
Në gjykimin tim, partneriteti strategjik me SHBA, është përcaktim i popullit të Kosovës dhe jo i këtij apo i atij politikani. Që do të thotë se, gjeopolitikisht, Kosova është rreshtuar me Perëndimin, me SHBA dhe jo me Lindjen, me Rusinë apo ndonjë fuqi tjetër. Ky rreshtim është bërë në mënyrë të vetëdijshme dhe me vullnetin e popullit kosovar, gjë që përjashton verbërinë politike ose ndërtimin e raporteve midis partnerëve, si ato midis skllavit dhe skllavopronarit. Analiza politike kritike shtrihet dhe, medoemos, duhet të shtrihet edhe midis partnerëve strategjikë, sepse marrëdhëniet ndërshtetërore ndërtohen në vlera, por më shumë në interesa.
Partneriteti strategjik duhet të jetë në themel të politikës shtetërore dhe jo të personalizohet e të instrumentalizohet, siҫ po vepron Thaҫi. Koalicioni i tij me servilët është kundër interesave jetike të shtetit të Kosovës, pavarësisht se interesat e ngushta të Hashim Thaҫit mund ta gjejnë vetën tek ky koalicion. I verbuar nga këto interesa, ai nuk po arrin të shohë realitetin e ri në Kosovë, sepse, po ta bënte këtë, para se të takonte partitë politike, ai do të takohej me udhëheqësit e institucioneve qëndrore, Kryeministrin Kurti dhe Kryeparlamentaren Osmani. Apo Presidenti nuk i njeh institucionet e dala nga vota e popullit në zgjedhjet e 6 tetorit? I verbuar nga këto interesa, duket se Thaҫi nuk e ka lexuar as vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vitin e kaluar, në bazë të të cilit, jo presidenca, por qeveria e udhëheq dialogun me Serbinë. Apo e ka lexuar dhe nuk e njeh as këtë vendim e as Kushtetutën e vendit të tij? 
Dhe, në mbyllje, një pyetje për z. Grenell: A jeni i sigurtë z. Ambasador që, duke u mbështetur tek një njeri, i cili nuk njeh vullnetin e popullit, as institucionet shtetërore dhe qё shkel me të dy këmbët Kushtetutën e vendit të tij, misioni juaj si i Dërguar i Posaҫëm për bisedimet Kosovë-Serbi, do të ketë sukses?

Burim: https://www.syri.net/syri_kosova/op-ed/99406/koalicioni-i-servileve/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*