Jo Grenelli, por Hashim Thaçi është varrmihësi i Kosovës

Shkruan:
Xhafer Shatri

1.

Historia na mëson se në prag të Luftërave Ballkanike, pjesa dërrmuese e elitave shqiptare nuk e prishnin fare terezinë e tyre, përballë rrezikut krejt të dukshëm për interesat jetike të kombit: copëtimin e territorit dhe dëmtimin substancial të popullsisë.

Hipokrizinë e tyre kriminale këto gjoja elita e “arsyetonin“ me fraza gjumaloshe:

“Rrini shlirë e flini rahat se Baba Dovlet nuk na e kthen shpinën. Mos u gërzhitni fare se Ai natë e ditë mendon për ne dhe për të mirën tonë. Të lumtë ne që e kemi!”

Një pjesë e vogël e elitave që e përfaqësonte Hasan Prishtina, mendonte ndryshe, por zëri i tyre ishte i pafuqishëm për ta zgjuar nga gjumi e mobilizuar krejt kombin për me i dalë, me kohë, të Keqes përpara.

Ata që nuk i zgjoi kushtrimi i Hasan Prishtinës me shokë, atyre ua nxorën gjumin ushtritë greke e serbomalazeze me artileri, me plumba, me zjarr e me singi.

Pasojat e kësaj përgjumjeje kolektive me ninullat për Babën Dovlet i dijmë: humbja e 70% të territorit dhe 50% të popullsisë, gjysma prej kësaj të fundit të vrarë e të djegur dhe gjysma tjetër të shpërngulur përgjithmonë.

2.

Askujt si popujve të vonuar nuk iu përsëritet historia. Këta, me kohën, i ndryshojnë kostumet, e ndryshojnë arqitekturën por nuk e ndryshojnë mendësinë. Ata vazhdojnë me avazin e vjetër se jo ata vetë, por dikush tjetër duhet të mendojë për të ardhmen e tyre, t’ua qepë fatin e t’ua përthekojë historinë.

Detyra e elitave të një kombi është që atë ta zgjojnë nga gjumi, ta vetëdijsojnë, ta bëjnë popullin, jo turmë, por masë e vetëdijësuar vetjesh, që i sheh gjërat me sy kritik dhe përcaktuesin kryesor të fatit të tij ta gjejë (të mirë ose të keq), parasegjithash, te vetëvetja. Me një fjalë  ta ndërgjegjësojnë dhe ta bëjnë të përgjegjshëm për të ardhmen e tij. Natyrisht në kontekst të rrethanave gjeopolitike, socioekonomike, demografike etj.

Pikërisht në kuptimin e këtij misioni dallohen e përthehen pikëpamjet e elitave të mirëfillta nga elitat e sajuara.

3.

Në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë elitat e Kosovës, ani se tepër heterogjene, u përcaktuan ta kenë mentor jo shtetin e shkërmoçur shqiptar me udhëheqje tiranësh, por Perëndimin me në krye Amerikën. Ishte kjo e fundit që në mënyrë të vendosur ka kërkuar që Lëvizja Kombëtare e Kosovës të jetë paqësore, e kujdesshme dhe absolutisht properëndimore.

Ky përcaktim kolektiv, ani se me një çmim tepër të shtrenjtë sakrificash, vuajtjesh e privimesh, na mundësoi ta shpëtojmë popullin tonë nga ploja që po i përgatitej dhe të jemi të lirë.

Por mesazhet e miqve nuk janë të përjetshme. Ato ndryshojnë. Iu takon elitave që të dijnë t’i dëshifrojnë mesazhet, por orientimet themelore duhet të përcaktohen, parasegjithash, në përputhje me gjendjen në terren.

Pas një dekade qëndrese të suksesshme, elitat e Kosovës ishin stërkequr. Brenda tyre nuk kishte as analizë të gjendjes e as debat për temën jetike: çka dhe si tash e tutje? Përgjigja ishte një kakofoni zërash e grupimesh krejtësisht të çakorduara. Në atë anarki, prinin institucionet që ishin ndërtuar me aq mundim, por të cilave u kishte humbur rruga në oborr. Ato nuk arrinin e besa edhe nuk donin ta kuptonin se Serbia ishte përcaktuar për luftë me shqiptarët me synimin që ta vinte përgjithmonë kufirin me ta. Natyrisht duke ndarë Kosovën në mënyrën e luanit: mishin unë e plancin juve.

4.

Në shkurt të vitit 1998, disa ditë para masakrës në Prekaz, i deleguari special i presidentit Clinton për Ballkanin, Robert Gelbard dha një deklaratë të pamatur në Beograd, me çrast Lëvizjen e armatosur në Kosovës e quajti terroriste. Kjo deklaratë pati pasoja tepër të rënda për Kosovën dhe sidomos për familjen e Adem Jasharit. Sepse, sipas burimeve të sigurta, ishte pikërisht kjo deklaratë që Adem Jasharin e çoi jo vetëm në aktin e vetësakrifikimit por edhe në sakrifikimin e familjes.

Sipas të gjitha gjasave deklarata fatkeqe e Gelbardit e kishte burimin në Prishtinë. Në këtë vijë, përkundër plojës së Prekaz, Prishtina zyrtare, në kundërshtim me çdo logjikë e duke u thirrë paturpësisht në emrin e zyrtarit amerikan, më 22 mars 1998, organizoi “zgjedhje” parlamentare në Kosovën e përfshirë në flakët e luftës.

Ishte kjo një marrëzi politike e paparë ndonjëherë që mëtonte të përçonte mesazhin se në Kosovë situata është nën kontroll dhe se Kosova do të vazhdojë të ketë “institucione legjitime“.

Pasojat e kësaj politike të strucit do të duhej t’i dinim të gjithë. T’i dinim dhe të mos i harronim kuurrë.

5.

Prej që është publikuar raporti i Dick Martit e deri sot Hashim Thaçi kishte dhe ka vetëm një hall: të shpëtojë nga burgu me çdo kusht. Prej asaj dite e tutje degradimi i Kosovës është kthyer në rrokullisje, sepse, siç e tha me të drejtë Vjosa Osmani: Thaçi në tavolinë po negocion fatin e Kosovës, ndërsa nën tavolinë fatin e vet.

Shpalljen e Pavarësisë, aktvendimin e GJND-së, kufijtë e Kosovës etj., i ka shkelur ose i ka vënë seriozisht në pikëpyetje Hashim Thaçi e jo ndërmjetësuesit amerikanë…

Prandaj për këtë çështje qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë ta ngarkojnë Grenellin me kusure. Sepse fatkeqësia e tyre e ka emrin Hashim Thaçi e jo Richard Grenell.

Shkarkimi i Qeverisë së Shpresës dhe dhunimi i vullnetit qytetar i shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit është rezultat i veprimtarisë shtetrrënuese të Hashim Thaçit dhe pionëve të tij në LDK e jo i dikujt tjetër. Nuk është e rastit prandaj që çdo person që nxjerr në pah këtë realitet anatemohet nga hienat e Thaçit në LDK si antiamerikan.

Është e vërtetë se kohët janë tjera, është e vërtetë se Amerika ka ndryshuar, se ajo sot, natyrshëm, ka prioritete të tjera, por askush nuk ka të drejtë ta akuzojë Amerikën pse shtetin tonë e ka kapur për fyti kryemafiozi Hashim Thaçi. Fajin duhet ta kërkojmë te ne e jo në Amerikë. Të presim ose të kërkojmë nga Amerika, edhe sot 20 vjet pas çlirimit, të na e pastrojë oborrin tonë është marrëzi.

6.

Ne, cili apo cilado qoftë kemi të drejtë të kemi dhe ta shprehim mendimin tonë për cilindo ndërmjetësues, pra edhe për Grenellin, qoftë ashtu, qoftë kështu. Por asnjëri prej nesh nuk kemi të drejt t’i ngarkojme kusure që nuk i ka. Grenelli nuk ka vrarë njerëz për të ardhur në pushtet, Grenelli nuk e ka plaçkitur ekonominë e Kosovës, Grenelli poashtu nuk i ka nxjerrë territoret e Kosovës në pazar. Këtë e ka bërë Hashim Thaçi.

Meqë po flasim edhe për emisarët amerikanë duhet nënvizuar se, vetëm 3 javë pas deklaratës së tij (mars 1998), Gelbard ishte zyrtari i parë amerikan që kërkoi bombardimin e forcave serbe në Kosovë. Politika e Amerikës pra nuk ishte dhe nuk është statike.

Ishte në dorën e Albin Kurtit që, përmes një potezi bindës, t’i vinte në binarë të sigurtë raportet me Amerikën. Nuk ishte ndonjë sakrificë e madhe heqja e tarifës. Me këtë këmbëngulje „jusqu’au-boutiste“ à la Demaçi, Albin Kurti i bëri naivisht një shërbim madhor projektit djallëzor të Hashim Thaçit për krijimin e krizës institucionale dhe ndarjen e Kosovës.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*