PO PËRGATITET LUFTA E RE BALLKANIKE

Shkruan:
Janusz Bugajski

Ndërsa fokusi i politikave të jashtme të administratës Biden është kundërvënia ndaj një Kine në rritje, Rusia po përgatit një konflikt në mes të Europës. Edhe pse Shtëpia e Bardhë ka kërkuar të ketë me Rusinë marrëdhënie më “të qëndrueshme dhe të parashikueshme”, në fakt, nxitja e paparashikueshmërisë dhe paqëndrueshmërisë janë dy strategjitë kryesore të Moskës për të minuar Perëndimin.

Ballkani Perëndimor mbetet objektiv kryesor për mundësinë e fuqizimit të Moskës. Mosmarrëveshja e fundit mbi njohjen e targave në kufirin Kosovë-Serbi duket si një provë për përballje më serioze. Zyrtarët rusë po nxisin qeverinë Vuçiç që ta transformojë Serbinë në fuqinë dominuese të Ballkanit Perëndimor dhe, kështu, të shtojnë shanset e Rusisë ndaj Uashingtonit dhe Brukselit.

Në shtator, Beogradi organizoi bllokimin përgjatë kufirit me Kosovën, dhe pasi vendosi trupat e tij në gatishmëri, kërcënoi me ndërhyrje ushtarake. Ambasadori rus Aleksander Botsan-Kharchenko shoqëroi ministrin e Mbrojtjes të Serbisë Nebojsha Stefanoviç gjatë inspektimit të njësive ushtarake serbe. Ndërsa, për zbatimin e kushteve të targave, Prishtina dërgoi një njësi/detashment policore, Beogradi vendosi automjete ushtarake përgjatë kufirit dhe dërgoi avionë luftarakë MiG-29 mbi atë zonë, në përpjekje për të trembur fqinjin e tij.

Në një tjetër shfaqje të fuqisë dhe të angazhimit ushtarak të Kremlinit ndaj Beogradit, forcat e mbrojtjes ajrore ruse dhe serbe kryen stërvitje të përbashkëta në mes të tetorit. Në to u përfshinë edhe avionët luftarakë MiG-29. Moska, gjithashtu, dërgoi në Serbi një bateri të sistemeve kundërajrore me rreze të shkurtër Pantsir-S dhe deklaroi se ishte e gatshme t’i shesë sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore. Meqë fqinjët e Serbisë nuk posedojnë forca ajrore të konsiderueshme, manovrat kishin për qëllim t’i jepnin NATO-s mesazhin se, në rast të një lufte rajonale, Rusia do ta mbrojë aleatin e saj kryesor ballkanik.

Terreni propagandistik për konflikt është gjithashtu duke u përgatitur. Beogradi dhe Moska e akuzojnë qeverinë e Kosovës se po kërcënon ekzistencën e minoritetit serb. Gjatë ndërmarrjeve të tija revizioniste në Ukrainë dhe Gjeorgji, Kremlini, vazhdimisht, ka përdorur pretendime të tilla në lidhje me popullsinë ruse atje. Tani, Rusia po i mëson “vëllait më të vogël”, Serbisë, metodologjinë e dominimit rajonal dhe copëtimit territorial.

Sipas një prej skenarëve, operativët e inteligjencës serbe mund të provokojnë konfrontime ndëretnike brenda Kosovës dhe të përdorin dhunën që do pasojë si pretekst për ndërhyrje ushtarake. Në një përballje të tillë me ushtrinë serbe, forcat e pakta të NATO-s në Kosovë do viheshin në pozitë të vështirë. Duke mbështetur inkursionet serbe dhe duke kërcënuar se do të ofrojë ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake nëse NATO angazhohet, Moska do të testonte vendosmërinë e Biden duke kanosur me rrezikun e një lufte NATO-Rusi. Putin mund të përllogarisë se Uashingtoni do të parapëlqente të negocionte, edhe nëse kjo do të nënkuptonte t’ia dorëzonte komunat veriore të Kosovës Beogradit, veçanërisht meqë Kosova nuk është anëtare e NATO-s dhe nuk mund të mbështetet në angazhimet e tij për mbrojtje të përbashkët.

Loja me Kosovën mund të jetë pjesë e një ofensive më të gjerë të Beogradit, për të zgjeruar pozicionin e tij rajonal, nën udhëzimet ruse. Sipas ministrit të Brendshëm serb Aleksandar Vulin, të gjithë serbët kanë të drejtë të jenë të bashkuar në një shtet. Ashtu si rusët, serbët portretizohen si viktima të përvuajtura, të cilët fuqitë armiqësore po komplotojnë për t’i eliminuar. Beogradi pretendon të drejtën për të mbrojtur serbët në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci. Përveç destabilizimit të Kosovës, fokusi aktual i Beogradit është të thellojë ndasitë në Bosnje-Hercegovinë që t’i mundësojë tërësisë serbe të shkojë drejt shkëputjes. Ai gjithashtu bashkëpunon me nacionalistët serbë në qeverinë e koalicionit të Malit të Zi për të manipuluar pavarësinë e tij dhe politikat e tij properëndimore.

Serbia po kthehet në një avanpost ushtarak rus dhe qendër e destabilizimit rajonal. Gjatë viteve të fundit, ajo është armatosur me një shumëllojshmëri armatimesh, përfshi avionë luftarakë, tanke, helikopterë dhe sisteme kundërajrore. “Qendra humanitare” ruso-serbe afër kufirit me Kosovën shërben si objekt i mbledhjes së inteligjencës dhe i operacioneve speciale për llogari të Moskës. Serbia, gjithashtu, po krijon lidhje të ngushta me Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) të kontrolluar nga Rusia, që synon të jetë një ekuivalent ushtarak shumëkombësh i NATO-s.

Serbia i ofron Putinit mundësi të vlefshme për të nxitur konflikte të armatosura në një rajon ende të paqëndrueshëm, si Ballkani. Kjo do të ndihmonte në zgjerimin e ndikimit të Rusisë, do të largonte vëmendjen perëndimore nga konfliktet që Moska do ndërmerrte në rajonin e saj, veçanërisht një tjetër sulmi ushtarak kundër Ukrainës, dhe do të fshihte sulmin në rritje ndaj disidencës brenda Federatës Ruse. Në një moment, Vuçiç mund të joshet ose provokohet në konfrontim ushtarak me një nga fqinjët e Serbisë dhe më pas ai do t’i drejtohet Moskës për ndihmë. Me BE-në pa timon dhe SHBA-në të fokusuara në Kinë dhe kriza të tjera ndërkombëtare, Kremlini mund të llogarisë se rreziku i reduktuar i ndërhyrjes ushtarake nga Perëndimi ia vlen të merret parasysh.

Burim: botuar nga DITA

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code