Argatët e Prontomafisë

Shkruan:
Xhafer Shatri

Stërzgjatja e negociatave për koalicionin e ardhshëm qeverisës ka shpërfaqur shumanshëm krizën e përgjithshme e të thellë që ka përfshirë Kosovën. Krizën morale parasegjithash.

Ajo që bie në sy menjëherë është shpërfaqja cullak e elitave politike, të cilat shihet ashiqare se, në një masë thelbësore janë të sajuara, përfshirë këtu edhe uzurpuesit e medieve konkretisht të ashququajturit ‘analistë’, shumica e të cilëve, sidomos kësaj radhe, u dëshmua se janë vetje pa integritet, pa dije dhe pa moral.

Kjo dëshmon se në çpërmasa e ka plandosur sistemin e vlerave dhe ndotur ambientin politik e medial pushteti kriminal i Hashim Thaçit, i ndihmuar me mish e me shpirt nga Serbia.

  1. As analistë, as gazetarë, por mercenarë

‘Analistët’ e qarshisë, këta kameleonë të pandreqshëm, ngërçin e negociatave për koalicion e shohin si mundësi të madhe për ta trashë mjegullën dhe për ta bërë gjendjen edhe më llugë.

Kjo shihet sidomos kur këta lugetër qëmtojnë ‘argumentet’ nëpër kanalizimet e pista të Shikut e thashethemnajës prishtinase dhe këmbëngulshëm përpiqen të vënë një vijë barazimi mes VV dhe LDK-së për ngërçin e negociatave.

E kjo kurrsesi nuk qëndron. Sepse:

 a. Shantazhin për të marrë në tavolinë atë që nuk buron nga rezultati i votave nuk po e bën VV, por disa që po flasin dhe po vendosin në emër të LDK-së, pra uzurpuesit e saj;

 b. Gjatë fushatës zgjedhore, mandatarja e LDK-së për kryeministër, Vjosa Osmani, e tha hapur se LDK  është për një president konsesual e jo për një president pazaresh…;

 c. Disa ditë pas zgjedhjeve kryetari i katapultuar i LDK-së, Isa Mustafa, deklaroi publikisht se LDK  “… nuk e kushtëzon bërjen e koalicionit me postin e presidentit…“;

ç. Në këmbënguljen e Isa Mustafës për postin e presidentit, VV, logjikshëm, ka kërkuar emrin e kandidatit të LDK-së për këtë post rëndësor. Emër nuk ka pasur e nuk ka as sot. Dhe as një person e lëre më një subjekt serioz politik nuk do të pranonte kurrë që në një post aq të rëndësishëm të katapultohet kushdoqoftë si “macja në thes“, pa e ditur as emrin e tij – saj… Në çështje kaq serioze nuk mjafton kërkesa-shantazhi ‘për besim blanco’!

Të vësh vijë barazimi mes këtyre qëndrimeve kaq të ndryshme dhe për një çështje aq serioze, duhet të jesh horr me fletë, mund të jesh çdo gjë, por jo analist, prej të cilit-cilës kërkohet parasegjithash dije, logjikë, argumente bindëse, kurriz dhe moral i fortë.

  1. LDK është e kapur keq nga Prontomafia

Isa Mustafa po kërkon nga Albin Kurti të pamundurën dhe nuk është i vetëm, sepse, për turpin e LDK-së, me gjuhën e tij flet edhe ndonjë ‘LDK-ist’ nga gjenerata e re, nga ato speciet  mizerabël e karrieriste, gjë që tregon për përmasat e kapjes së këtij subjekti. Ndërkaq, Isa Mustafa, i zënë në zgripc, shantazhin e tij përballë elektoratit të zhgënjyer, po përpiqet ta legjitimojë përmes ‘vendimeve’ të një kryesie të përçarë dhe përmes një Kuvendi me përbërje jostatutore dhe krejt heterogjene, sepse aty ka jo pak anëtarë të emëruar e jo të zgjedhur. Njëri prej tyre e tha, ditë më parë, publikisht se ai kishte marrë vesh përmes medieve për emërimin e tij si anëtar i Kuvendit të LDK-së, pa kaluar fare nëpër procesin zgjedhor!

Për pasojë, shantazhi i Isa Mustafës për presidentin u përligj edhe në mbledhjen e djeshme të Kuvendit të LDK-së. Kjo është tepër shqetësuese, sepse është abuzim i pafalshëm me elektoratin e LDK-së, i cili, pa ekuivok, votoi për ndryshime.

Përcaktimi i elektoratit LDK-së është kundër pazareve. Ai me vullnetin e lirë ka kërkuar vendosmërisht nga ky subjekt që në negociatat për formimin e qeverisë së re, përfaqësuesit e tij të këmbëngulin:

– që koalicioni të zotohet për emërimin e një prokurori të posaçëm për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës;

– që një prokuror i posaçëm e me kurriz ta hetojë gjithë veprimtarinë e organizatës kriminale me emrin SHIK, përmes të cilit Prontomafia e ka kapur shtetin dhe e ka plandosur për toke;

– të konfirmohet publikisht detyrimi i përbashkët për hulumtimin e themelshëm të pasurisë të çdo personi të veshur me pushtet që nga paslufta e deri sot;

– të këmbëngulë për rishikimin e themelshëm të procesit të privatizimit prej fillimit e deri sot;

– të kërkojë zotim të përbashkët e publik të partnerëve të koalicionit për hulumtimin e menagjimit të të gjitha ndërmarrjeve publike e shtetërore prej pasluftës e deri më sot;

– të këmbëngulë për zbardhjen e plotë të ngjarjeve të turpshme të vitit 2004 dhe pasojat katastrofale të tyre;

– të kërkojë zbardhjen e themelshme të bisedimeve për ndarjen e Kosovës dhe ndërmarrjen e hapave ligjor për penalizimin e çdo personi të implikuar në këtë veprimtari antikushtetuese e antikombëtare…

Për mbështetjen e këtyre këkesave ultime do t’ia vlente çdo veprim politik, pra edhe shantazhi me zgjedhje të tjera.

Por jo. Po ndodhë e kundërta. Për më keq, LDK, apo thënë më mirë argatët e Prontomafisë që e kanë kthyer atë prej kohësh në parti shtetrrënuese, u angazhuan dhe po këmbëngulin deri edhe me shantazh të paskrupull e publik për të penguar çdo ndryshim.

Ata e duan edhe postin e presidentit të vendit, me qëllim që të mos mund të preket fare sistemi i korruptuar i drejtësisë… ndërsa me marrjen edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të paralizojnë çdo mekanizëm të mundshëm për çkapjen e shtetit…

Kjo është një lojë e pistë që do të shkaktojë zhgënjim më së shumti te elektorati i LDK-së, por edhe me gjerë, sepse do ta rrisë pashpresën në vend dhe do ta përshkallëzojë zbrazjen e pandalshme të Kosovës.

Kjo ndryshe do të thotë zgjatje e agonisë dhe përthellim i kaosit. E për këtë janë të interesuar dhe punojnë natë e ditë edhe Serbia edhe Prontomafia.

Besoj se nuk ka njeri me dije dhe vetëdije minimale në Kosovë që nuk e kupton tashmë se përderisa të mbijetojnë, të riciklohen dhe, për më keq, të vendosin për Kosovën edhe vetje si Isa Mustafa, një politikan tipik made in Serbia që, duke shfrytëzuar djallëzisht konjukturat, tallet me shqiptarët tash 50 vjet, nuk do të ketë mbarësi në vendin tonë.

Sjellja e Isa Mustafës dëshmon të vërtetën e madhe se çlirimi i një vendi nuk bëhet vetëm me largimin e pushtuesve, por edhe me paralizimin e domosdoshëm e definitiv të mbetjeve të tyre.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*