Iku viti i rrezikshëm, 2020

Shkruan:
Xhafer Shatri

Në fund të vitit 2019, Kosova besonte se, viti 2020, do të jetë Viti i Shpresës. Për një arsye të fortë e konkrete : zgjedhjet e 6 tetorit sollën në skenë një gjeneratë të re politikanësh që nuk kishin asnjë kusur në kapjen e shtetit. Që nuk ishin të korruptuar dhe, çka është kryesorja, nuk i kishin duart e zhytura me gjak njerëzish dhe nuk ishin të implikuar fare në përpjekjet e rrezikshme për copëtimin e Kosovës.

Por fati i vendeve dhe popujve të vegjël është i lëvizshëm. Sa mendon se po rrezon dielli, krejt papritur ia kërcet breshëri ose të mbështjellë mjegulla. Kështu disi ndodhi me Kosovën.

Formimi i Qeverisë së re u zhagit jashtë çdo mase, sepse kundër saj ishin të dy kapësit kryesor të shtetit, Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Krejt papritur këtyre shtetrrënuesve, që, për arsye krejt konkrete, i frikoheshin ndryshimit si natës së vorrit, u erdhi në ndihmë një faktor i jashtëm me emrin Richard Grenell. Ndërsa dy të parët nuk donin ta lëshonin pushtetin ne asnjë mënyrë, ky, i treti, duke shfrytëzuar anarkinë e një administrate krejtësisht atipike në Washington, kishte vendosur të bëhet sekretar i shtetit, por në kurriz të Kosovës.

Ky aventurier i rrezikshëm, në cilësinë e emisarit të presidentit amerikan për dialogun në mes Kosovës e Serbisë, insistonte që Albin Kurti, kandidat për kryeministër, t’i hiqte taksat 100%, që Kosova me të drejtë e për 1 milion arsye, ia kishte vënë Serbisë.

Për t’ia arritur kësaj, duhej thyer ose bërë lyftyrë lideri i mirëfilltë i Kosovës, Albin Kurti.

Por taksa ishte vetëm preteksti, sepse synimi ishte nënshkrimi i një marrëveshje tepër të dyshimtë sipas nevojave dhe kutit të Rik Grenellit. Prandaj presioni ishte i jashtëzakonshëm :

Më 3 janar 2020, Grenell takoi në Berlin delegacionin e LDK-së në përbërje; Agim Veliu, Abdullah Hoti e Skënder Hyseni, të cilin, sipas të gjitha gjasave e kishte përzgjedhur Hashim Thaçi. Mesazhi ishte i qartë : nuk do te ketë qeveri nëse Albin Kurti nuk ia hjek menjëherë taksat Serbisë!

Më 15 shkurt 2020, në Konferencën për Siguri, në Munich, në regjinë e Hashim Thaçit dhe Richard Grenellit u bënë tri komplote kundër kryeministrit të posazgjedhur të Kosovës:

– Sekretari i Shtetit Pompeo dhe Grenelli i famshëm nuk pranuan të takohen me Albin Kurtin, i cili ishte ftuar aty gjithashtu;

– Grenelli dhe ndihmës sekretari i Shtetit në detyrë, Philip Riker takuan Abdullah Hotin;

– Aty, në Munich, me prezencën pompoze të Grenellit dhe Hashim Thaçit u nënshkrua një Marrëveshje për lidhjen hekurudhore në mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapja e një vije ajrore Prishtinë – Beograd.

Marrëveshjen koti e nënshkruan në emër të Serbisë Marko Gjuriqi ndërsa në emër të Kosovës dy nëpunës të Ministrise së Infrastrukturës. Këta të fundit nuk kishin marrë mundimin ta pyesin as ministrin e vet, Lumir Abdixhiku e as kryeministrin. Ata ishin bërë lodra të Hashim Thaçit.

Ky ishte skenari i Hashim Thaçit në regjinë e Rik Grenellit, që nuk konsistonte vetëm në ndëshkimin e Albin Kurtit, por edhe në poshtrimin e pafalshëm diplomacisë amerikane, të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Për turpin e tyre këtyre veprimeve anti Kosovë u mbanin ison dhe u bënin jehonë mediet e fuqishme të Prontomafisë në Prishtinë dhe mediet e kanabisit në Tiranë.

Ndërkohë gati krejt globin e kishte pllakosur e vënë përfundi pandemia. Sidomos Kosova gjëmonte nën kthetrat e virusit të tmershëm, sepse sistemi i saj i shëndetësisë ishte rrënuar keq nga shkatërruesit e shtetit.

Kudo në botë, shtetet u mobilizuan t’i bëjnë ballë virusit të rrezikshëm, ndërsa në Kosovë, kryerrënuesit e saj, Hashim Thaçi e Isa Mustafa arritën ta rrëxojnë qeverinë legjitime dhe ta fusin vendin në një kaos të vërtetë.

Por nuk ishte çdo gjë vaj, sepse Thaçit, Mustafës dhe Grenellit iu kundërvu seriozisht jo vetëm opinioni i Kosovës dhe Gjermania, por edhe analistët me serioz amerikanë, prandaj, treshja e zezë, nuk guxoi t’ia hapë derën projektit të rrezikshëm për ndryshimin e kufijve të Kosovës. E tëra përfundoi me fanfare e zhurmë shurdhuese, kur, më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, u nënshkrua një zotim që nuk obligonte njeri.

Fundviti 2020, përkundër etheve të pandemisë solli edhe rreze drite e shprese jo vetëm në Kosovë :

– Zgjedhjet në SHBA i fitoi kandidadati demokrat, Joe Bajden. Krejt bota liridashëse mori frymë, sepse epoka e Trump, që udhëhiqte vendin përmes twitterit, si dikur Zeusi përmes rrufeve, u shëmb. Për këtë fakt më së shumti dhe, me të drejtë, u mërzitën Serbia dhe Rusia.

– Me zbulimin e vaksinës, Pandemia mori një grusht dërrmues.

Ndërsa në Kosovë ndodhën ngjarje që pakkush i besonte.

– Hashim Thaçi, që ua kishte hapur gropën jo vetëm shokëve të tij por edhe Kosovës, ra vetë në të ;

– Gjykata Kushtetuese e rrëxoi qeverinë e paligjshme të komplotistëve dhe tash vendi po shkon në zgjedhje të reja.

Rezultatet po shihen qysh tash : Kapësit e shtetit do të largohen përgjithmonë nga pushteti.

Kosova, gradualisht do të çohet në këmbë dhe do të bëhet një shtet normal.

Kundër kësaj rrjedhe të logjikshme të historisë, aktulisht janë :

Serbia, baronët e krimit dhe uzurpuesit e LDK-së, të cilët këto zgjedhje do t’i nxjerrin lakuriq si cungat e shkymur në shi.

Gëzuar të gjithëve Viti i Shpresës, 2021!

Shëndet e mbarësi!

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*