Homazh për Besa Halimin Zagragjën!

I dashur Arban, të nderuara Familje Halimi e Zagragja,

Sa mora lajmin e zi dhe u pikëllova pafundësisht se paskësh ikur nga kjo botë mizore, motra jote, bija, gruaja dhe nëna juaj Besa Halimi – Zagragja.

Lutem, të pranoni të gjithë ngushëllimet e mia dhe të krejt familjes sime. Ngushëllimet më të thella e më të sinqerta.

Siç e dimë të dy, Besën dhe familjen tënde i kam njohur, këtu e 38 vjet më parë, në njërin prej momenteve më dramatike të jetës sime, natën kur ika nga Burgu i Prishtinës, më 4 shkurt 1982. Atë natë, natyrshëm, pata ardhur te ti, siç shkon njeriu te shoku i burgut, prej te cilit ti ishe liruar disa muaj më parë.

Nuk e harroj kurrë pritjen tënde, guximin, vendosmërinë, përkushtimin dhe bujarinë e jashtëzakonshme. Përmes teje dhe Besës e pashë se sa shumë kishte ndryshuar Kosova për vetëm 8 vite. Qëndrimi i palëkundshëm i ju të dyve ma ushqyen shpresën si askush dhe si asnjëherë tjetër se Liria nuk është larg.

Atë natë të paharrueshme, ti, ani se ende nuk ishe ndarë nga adoleshenca, më the në mënyrë të prerë: “e kemi një pushkë në shtëpi, po ta sjell dhe, ti, pavarësisht çka mund të ndodhë me familjen time, lufto deri në fishekun e fundit.“

Ta dëgjosh asokohe një 17 vjeçar duke rezonuar si burrat e motit, ishte një sinjal i qartë se Kosova kishte hyrë definitivisht në Rrugën e pakthyeshme që çonte te Liria!

Ti dhe Besa, më strehuat fillimisht në shtëpinë tuaj e pastaj, për shkaqe sigurie, edhe në dy banesa të ndryshme, më ndihmuat dhe paralajmëruat familjet e miqve të mi që të jenë të kujdesshme se mund t’i kontrollonte policia nga një moment në tjetrin…

Aso kohe krejt Kosova e sidomos Prishtina ishte përthekuar në darët e shtetrrethimit. Ishte acar dhe bora deri në shokë. Një shtet i tërë, ndër më të fortit në Evopën e asaj kohe, më ndiqte si bishën dhe ju të dy ani se të njomë shtalb, duke rrezikuar seriozisht vetën dhe familjen tuaj, më morët në mbrojtje ashtu siç di ta mbrojë vetëm Motra e Vëllai njeriun e tyre të arratisur e seriozisht të rrezikuar.

Jij i sigurt se sonte krejt familja ime ka ditë morti e zije dhe se të gjithë ne shpirtërisht e ndajmë dhimbjen me Ju!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Besa Halimin – Zagragjën, njërën prej bijave më të mira, më të zgjuara dhe më të guximshme të Kosovës.

Juaji e përgjithmonë me besë,

Xhafer SHATRI

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*