Homazh për Ahmet Krasniqin

Shkruan:
Xhafer Shatri

Sonte, në këtë moment që po i shkruaj këta rreshta, u bënë 23 vjet nga vrasja mizore e Ahmet Krasniqit, ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

Mikun tim Ahmet Krasniqin e vranë kriminelët e paguar nga cubat e Kosovës.

E vranë me të hollat të cilat ushtaraku e ministri atdhetar ua kishte dhënë, jo për të vrarë shqiptarë, por për të blerë armë e municion për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

E vranë, sepse përpiqej me zemër e me shpirt t’i bashkojë shqiptarët në udhëkryqin më të rrezikshëm të gjithë historisë së tyre;

 E vranë, sepse luftën kundër Serbisë e kuptonte si luftë për Liri e jo si luftë për pushtet;

E vranë, sepse Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ëndërronte dhe përpiqej ta bënte, seriozisht e sinqerisht, ushtri të mirëfilltë, të përgatitur, në të gjitha pikëpamjet me u përballë me Serbinë;

 Ahmet Krasniqin e vrau Koçi Xoxja i Kosovës me cubat si ai dhe me ndihmën e strukturave kriminale të shtetit shqiptar;

 E vranë ata që e kishin lënë, vazhdimisht, në baltë Adem Jasharin;

 E vranë ata që abuzuan kriminalisht me heroizmin, me gjakun dhe me sakrificën më sublime në epopenë e papërseritshme të kombit shqiptar, në Prekaz;

 E vranë ata që shkruanin komunikata shpifëse e përçarëse kundër shqiptarëve, ndërkaq për Kryesakrificën Shqiptare dhe Kryeheroin e Kosovës, Adem Jasharin nuk e shkruan as një rresht të vetëm;

 E vranë ata që i plaçkitën fondet e Kosovës në mërgim dhe nga Lufta dolën milionerë;

 E vranë ata që kur erdhën në pushtet e kriminalizuan, e vodhën dhe e ropën shtetin dhe, në fund, nxorën në pazar, si të ishte plaçkë lufte, lirinë, dinjitetin, kufijtë, territorin dhe sovranitetin e Kosovës;

 Cubat e Kosovës e vranë pabesisht Ahmet Krasniqin, sepse ishte atdhetar, sepse e donte Kosovën jo për vete po për të gjithë shqiptarët, sepse e donte lirinë e jo pushtetin, sepse e mbështeti luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pa hile e me shpirt.

 E vranë Ahmet Krasniqin sepse ai luftonte për shtet, ndërsa vrasësit e tij, cubat luftonin për pare e për pushtet!

 Për hir të së vërtetës duhet thënë se para se ta vriste fizikisht Koçi Xoxja me shokë, Ahmet Krasniqin e kishin vrarë shpirtërisht zaptuesit e institucioneve që talleshin me Kosovën në orën e saj më të ligë. Këta horra me fletë që enden sot rrugëve të Prishtinës pa therrë në këmbë, përvetësuan Fondin e Republikës, e shitën Bankën Kombëtare të Kosovës dhe morën pjesë, bashkë me cubat, në kapjen e shtetit dhe nxjerrjen në pazar të kufijve dhe të rregullimit të brendshëm të vendit.

 …

 Prehu në paqe Shoqi jem, se Kosova, nëse është ajo që e njoh unë, ka me kërku Drejtësi e Llogari për Ty!

 E Drejtësia, mjerisht, shpeshherë vonon, por kurrë nuk plaket dhe asnjëherë nuk harron.

 

Burim: https://www.facebook.com/XhaferShatri1/posts/1293979507699700

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code