HISTORIA E DHIMBSHME E SHQIPTARËVE

Shkruan:
Xhafer Shatri

Njëri prej librave më të mirë që dëshmon drejtpërdrejt për historinë e shqiptarëve në vitet e kthesave të mëdha, është, pa asnjë dyshim, libri i Syrja bej Vlorës « Kujtime, nga fundi i sundimit osman deri në Luftën e Vlorës“, Tiranë, 2013.
Vetëm pasi ta ketë lexuar njeriu këtë libër, dhe me laps në dorë, do ta shohë se sa i mangët ka qenë për detaje shumë domethënëse gjatë procesit intensiv të themelimit të shtetit shqiptar në periudhën farkëtuese 1908 – 1920.
Ajo që më ka bërë ta kapi, jo vetëm njëherë, kokën me duar është përsëritja fjalë për fjalë e akt për akt e historisë së shqiptarëve në periudha dramatike. Kam parasysh me këtë rast ngjashmërinë deri në copier coller të emërimit nga Fuqitë e Mëdha të Princ Vidit si sundimtar i Shqipërisë, në njërën anë, dhe emërimin nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të guvernatorëve të ndryshëm në krye të UNMIK-ut në Kosovë, gati një shekull më vonë, në anën tjetër.
Në rastin e parë personazhe kyqe janë Ismail Qemali, Esat Pash Toptani dhe Haxhi Qamili, në rastin e Kosovës janë Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe krahu i tij e djathtë në prapësi, Azem Syla me sejmenë të tjerë.
Natyrisht se ka edhe dallime e nyansa, por ne thelb natyra e tyre mbetet tragjikisht e njëjtë;
– indolenca e pafalshme e Ismail Qemalit dhe Ibrahim Rugovës në momente vendimtare të historisë;
– etja shtazarake për pushtet e Esat Pashës dhe Hashim Thaçit, e sidomos gatishmëria e të dyve që, për interesa të ulëta pushtetore ishin të gatshëm ta copëtojnë Shqipërinë, gjegjësisht Kosovën dhe të vihen në shërbim të dreqit e të birit. Vetëm për kolltuk dhe luksin që shkon pas tij…
– primitivizmi i qelbur dhe logjika e praktikat shtetrrënuese të analogëve letër-indigo, Qamili, Syla…
Për fund kam një porosi për çdo lexuese e lexues të këtyre rreshtave : blejeni këtë libër si dhe librin e djalit të tij, Eqrem Bej Vlorës, “Kujtime 1885 – 1925“ dhe lexojini me laps në dorë, sepse do të mësoni shumë… Aq më tepër kur Syrja dhe Eqrem Bej Vlora ishin maja e elitave atdhetare në një kohë vendimtare për fatin e shqiptarëve.
Burim: https://www.facebook.com/XhaferShatri1/posts/1391843644579952

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*