Haki Rexhep SHATRI (1958 – 1986)

Sot bëhen 33 vjet që u varros në vendlindjen e tij në Tomoc, djali i axhës, Haki Shatri.

Ai kishte përfunduar shërbimin ushtarak më 1 shkurt 1986 dhe pritej të lirohet nga shërbimi të nesërmen, me 2 shkurt 1986.

Atë ditë që duhej të lirohej ai u mbyt mizorisht nga oficerët e lartë serbë, të udhëhequr nga koloneli Aleksandar Vasiljeviq.

Nuk ishte as i pari e as i fundit ushtar shqiptar që u mbyt nga oficerët serbë. Vetëm gjatë viteve tetëdhjetë në Armatën Jugosllave janë vrarë të paktën 100 ushtarë shqiptarë dhe për këto vrasje janë dhënë arsyetime nga më të pabesueshmet: vetëvrasje, aksident etj., etj.

Shumë familjeve u është ndaluar rreptësisht t’i hapin arkivolet e mbyllura hermetikisht.

Në vijim po ua sjell lexuesve një pjesë të librit që kemi botuar djali axhës tim, Metë Shatri dhe unë në vitin 2011, me rastin e 25 vjetorit të vrasjës së Hakiut. Libri titullohet : Një gur për varrin e ushtarit që e vranë

Në libër përmblidhen të gjitha vrasjet e ushtarëve për të cilat dihej pak a shumë deri atëherë. Por numri i të vrarëve duhet të jetë shuuumë më i madh. Kjo është një temë tepër e dhimbshme që pret nga historianët t’i bëjnë hulumtimet e domosdoshme dhe t’a thonë fjalën e tyre.

Në vijim po e sjell pjesën e librit që trajton vetëm vrasjen e Hakiut.

Shpresoj e uroj që ndonjë lexues që ka ndonjë të dhënë plotësuese për rastin e Hakiut apo të ndonjë ushtari tjetër të më lajmërohet. E siguroj se të dhënat e tij do t’i trajtojmë me seriozitetin maksimal dhe me rastin e ribotimit do ta plotësojmë librin edhe me ato të dhëna.

VRASJE MIZORE NË KAZERMËN E SARAJEVËS

Pjesë nga libri “Një gur për varrin e ushtarit që e vranë“, 
shkruar nga Metë e Xhafer SHATRI

Skeleti biografik i një jete të këputur mizorisht

Haki Rexhep Shatri u largua nga familja për herë të parë në shtator të vitit 1973 për të vazhduar arsimin e mesëm stomatologjik në Prishtinë. Rikthehet në fshatin e lindjes në vitin 1977 me përfundimin e studimeve.

Deri më 2 shkurt 1985, koha kur nisi shërbimin ushtarak, jetoi në Tomoc. Për pesë vjet, nga nëntori i 1980-s deri në shkuarjen në ushtri, Hakiu punoi si teknik dentar në Shtëpinë e Shëndetit në Istog. Gjatë kësaj periudhe u martua me vajzën që e donte, mësuesen e anglishtes, Emine Bujupi. Dardani e Ariani janë bijtë e tyre.

Shërbimin ushtarak e nisi në 2 shkurt 1985 në Novi-Sad. Pas periudhës stërvitore e transferuan në Sarajevë, në Qendrën e Rekrutimit, e cila ishte në kuadër të kazermës Mareshali Tito.

Vizitën e parë familjes, pas fillimit të ushtrisë, ia bën më 24 qershor deri më 14 korrik 1985. Herën e dytë e vizitoi shtëpinë, në një pushim të jashtëzakonshëm ‘shpërblyes’, më 27 dhjetor 1985 deri më 5 janar 1986;

Hakiu e përfundonte shërbimin ushtarak më 1 shkurt 1986, por për shkak se në atë kohë ushtarët nuk liroheshin ditëve të fundjavës, rrjedhimisht është dashur të lirohej të premten, më 31 janar 1986;

Ushtari që e ka parë më së fundmi Hakiun, ishte shoku i tij, Reshat Terziu, nga Prizreni. Ata janë ndarë në mbrëmjen e datës 1 shkurt (e shtunë) 1986, diku rreth orës 21.

Të dielën, më 2 shkurt 1986, në orë 04:30, në kazermën Mareshali Tito në Sarajevë, ushtarët i ka zgjuar boria e alarmit. Pas rreshtimit në oborr, ushtarëve u është thënë se ushtari Haki Shatri e ka varë veten në lokalet e Qendrës së rekrutimit.

Të njëjtën ditë, aty rreth orës 22:00, një përfaqësues i Mbrojtjes Popullore në Istog dhe 3 miq të familjes kanë lajmëruar familjen për vdekjen e Hakiut.

Më 6 shkurt 1986, në Stacionin e Trenit në Pejë, familja e ka marrë në dorëzim arkivolin me kufomën e Hakiut në të dhe e ka sjellë në shtëpi. Të njëjtën ditë, pas qëndrimit prej disa orësh në shtëpi, ushtari Haki Shatri, në orën 14:00, është varrosur në varrezat e epërme të fshatit Tomoc.

Pas 5 muajsh, më 28 qershor 1986, në Shtutgart, vdiq nga infarkti, babai i Hakiut, Rexhepi. Ishte 53 vjeç.

 

Një jetë e shkurtër e gravuar në kujtime

  1. Një fëmijëri e lumtur

Hakiu, ishte djali i madh në mesin e shtatë fëmijëve, i prindërve Rexhep dhe Shahe Shatri.

Hakiu ka lindur dhe është rritur në një familje të madhe shumanëtarëshe. Krahas prindërve, për të është kujdesur në mënyrë të veçantë gjyshja e tij, Nëna Ajshe, një grua që ka personifikuar virtytet më të larta të gruas shqiptare.

Hakiu ishte çunaku i shëndetshëm e gazmor. Në shkollë ishte nxënës i mirë dhe në familje një djalë shumë i këndshëm. “E kam rritur në bjeshkë, që të vogël e kam marrë më vete, atje. Pas disa javësh u bë rrumbullak. Faqet i çaheshin nga shëndeti. Në mesin e bagëtive e të qenve, në një liri që njeriut i jep vetëm bjeshka ndihej tepër i lumtur. Tërë ditën rrinte jashtë. Asgjë nuk i shpëtonte. Kujdesej për të gjitha, si të ishte i rritur”, rrëfente Nëna Ajshe.

Orari i tij ishte ai i moshatarëve të një mjedisi rural, por edhe rustik: shkollë, prej shkolle te bagëtitë, në livadhet e njohura të Tomocit; në mbrëmje në odën e madhe që nuk ishte kurrë pa mysafirë.

  1. Djalëria e artë e një gjenerate

Vitet shtatëdhjetë për Kosovën ishin vite të një ringjalljeje. Prishtina gëlonte nga studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme profesionale, të cilët kishin ardhur nga të gjitha viset shqiptare në Jugosllavi.

Me gjithë skamjen dhe zhvillimin e pakët, Prishtina ishte qyteti më gazmor në kontinent. Ngado që shkoje kishte të rinj e të reja. Ishte një atmosferë që ngrohej nga rrezet e përkohshme të njëfarë lirie.

Hakiun e njoha në verë të vitit 1973, kur shkuam për provim pranues në Prishtinë, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, ku u pranuam në drejtimin teknik i dhëmbëve. Prej atëherë e deri në vdekjen e Hakiut ishim shokë të pandashëm.

Në vitin e parë shkollor, në Prishtinë, falë prindërve tanë, të dy gjetëm strehim në Konviktin e shkollave të mesme. Në vitin e dytë u vendosëm në Konviktin e Shkollës Normale…; dy vitet e fundit u vendosëm në një banesë private.

Pasi mbaruam shkollën e mesme, u regjistruam në Fakultetin e Stomatologjisë, por pas një kohe të shkurtër e lëshuam. Vendosëm ta bënim një ndërprerje, me besimin se më vonë do ta vazhdonim. Por kjo nuk ndodhi kurrë135.

Klasa jonë kishte mbi 40 nxënës. Ishim nga të gjitha anët: Nga Dibra, Struga, Presheva, Ulqini… Ishte një përpjekje serioze e shumë drejtorëve dhe profesorëve që Prishtina të bëhej një qendër arsimimi e dijeje për të gjithë shqiptarët jashtë Shqipërisë politike.

Ne ishim si një familje. Kurrë nuk kam vërejtur xhelozi mes nesh. Ishim unikë në të gjitha me djem e vajza. Profesorët nuk ishin vetëm pedagogë, por edhe shokë tanët. Drejtoresha e shkollës ishte Nurie Rozhaja, një grua madhështore. Ajo ishte pedagogia, nëna dhe shoqja jonë. Ajo nuk lejonte të binte asgjë e ligë mbi ne.

Në atë grumbull të rinjsh Hakiu ndihej si në shtëpinë e tij. Ishte gazmor dhe hokatar i papërsëritshëm. Ai dhe bashkëvendësi i tij Arben Jakupi ishin të pandashëm.

Mbrëmjeve shkonim në korzo, gati të gjithë bashkë. Kishte edhe profesorë që vinin me ne, sidomos Adem dhe Zhukë Shala.

Bënim ekskursione kolektive dhe kënaqeshim.
Shkollimi ynë i mesëm ka qenë një aventurë e paharrueshme.
Herën e fundit e kam takuar Hakiun në ndërrimin e viteve 1985/1986. Ishte me gruan e tij dhe me të dy fëmijët. U takuam në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
M’u duk i lodhur. Isha kthyer nga mërgimi për pushime. U gëzova shumë që e pashë. Ishte gëzimi i fundit me të… Nuk e kam parë më kurrë.
Pas një muaji, duke shfletuar ‘Rilindjen’ që ma dërgonin me postë në Zvicër, e pashë një përkujtim. U stepa. Në fotografi ishte Hakiu, nën të dhe emri tij.
M’u bë se me ra çatia mbi kokë.
Ishte aq i dashur, aq i mirë e aq i dëlirë. Më pati kapluar një trishtim i papërshkrueshëm. E trishtimi në mërgim t’i dërrmon edhe eshtrat“136.


“Gati çdo fundjavë vinte në shtëpi. Gëzohesha se ishte i lumtur dhe se rritej në një mjedis të mirë.
Më mungonte vazhdimisht, por ngushëllohesha se shpejt vinte fundjava dhe zëri i tij gazmor do ta mbushte jo vetëm shtëpinë, por edhe oborrin. Ai ishte shpresa ime dhe shtylla e familjes“137.

“Më Hakiun ishim në një klasë në shkollën e mesme.

Në pranverë të vitit 1974, Hakiun e kam parë të mërzitur, shumë të mërzitur. Ato ditë ishin arrestuar, për motive politike, dy anëtarë të familjes së tij: Meta dhe Xhaferi.

Kur më vonë këta i dënuan me shumë vjet burg, patën shkruar edhe gazetat. Më kujtohet ajo kohë si sot. Hakiut iu pati ngri trishtimi në buzë. As nuk qeshte, as nuk fliste.

Iu afrova disa herë për ta ngushëlluar, por ishte krejt kot, sepse mërzia dhe revolta kishin shtrirë gjithë pushtetin mbi të.

Më kujtohet si sot kur më tha: E kemi vështirë ta përballojmë dorën e hekurt të pushtetit të huaj. Por nuk kemi rrugë tjetër!138

Më kujtohet si sot kur e fillova punën në shkollën e mjekësisë, e cila në Prishtinë njihej si shkollë me një disiplinë të rreptë. Këtu nxënësit dallonin nga shkollat e tjera, sepse, detyrimisht, vajzat vishnin fustan të zi me qafore të bardhë, ndërsa djemtë mantel të bardhë.

Mantelet e bardha kanë qenë të detyrueshme edhe për ne, profesorët që mbanim mësim në atë shkollë. Ditën e parë që morëm ditarët, mua dhe Zhuk Shalën – profesor i biologjisë që sot është veteran i arsimit kosovar dhe punon akoma në gjimnazin “Sami Frashëri“ në Prishtinë, na thirri drejtoresha e Shkollës, Radmilla Spasiq.

Arsyeja ishte se ne shkuam në punë më veshjen tonë “rebele“, në xhinse dhe pa kravata. Ajo na tha se duhet të visheshim në mënyrë “konvencionale“ dhe se nuk guxonim të shkonim në klasë pa kravata. I thamë se nuk kishim vënë kurrë kravata… Ajo na tha se meqë sot është dita e parë mund të vazhdoni, por tani e tutje duheshin gjithsesi kravata dhe manteli i bardhë.

Ne vazhduam sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Edhe drejtoresha dikur u bind se nuk e kishim në plan t’i nënshtroheshim diktatit të saj dhe na la të qetë.

Ky „rebelim“ yni dhe sjellja e afërt me nxënësit zhduku atë hendekun konvencional të kohës nxënës – profesor. Ata nisën të na afroheshin.

***

Hakiu, u regjistrua në drejtimin e Stomatologjisë, teknik i dhëmbëve, ku nxënësit ishin të përzier në pikëpamje gjinie. Ishte viti dytë i karrierës sime si profesor në atë shkollë. Hakiu pati fatin të ishte në një klasë prej 36 nxënësish, dhe ishte njëra prej gjeneratave më të ndritshme të asaj shkolle.

Kriteret e ashpra të pranimit dhe konkurrenca e madhe bënin që vërtet të zgjidheshin vetëm nxënësit që kalonin provimin pranues, do të thotë vetëm ata që kishin njohuri të duhura nga shkolla tetëvjeçare.

Hakiu i plotësoi kushtet dhe u pranua për çka e ndiente veten tepër të lumtur. Për këtë u gëzua edhe babai i tij, i cili në atë kohë punonte në Gjermani. Unë, edhe pse e kisha një klasë infermieresh nën kujdestari, e mora edhe klasën e Hakiut, I-9, sepse, që në fillim, ata nisën t’i dëshmonin shkathtësitë “e rebelimit“, sidomos kur u imponoheshin rregullat strikte të komunistes së thekur, Radmilla Spasiq.

Gjëja e parë që kërkova prej tyre ishte ta duan dhe ta respektojnë njëri-tjetrin. Gjatë gjithë karrierës sime e kam kërkuar këtë prej nxënësve të mi: Nëse ju nuk e doni dhe nuk e respektoni njëri-tjetrin, ju nuk do të dini të më respektoni as mua.

Kjo ishte më se e nevojshme për të krijuar një ambient mirëbesimi në klasë. E urreja „spiunimin“ dhe nxënësit e mirëpritën këtë.

Kam qenë pak i ashpër, por edhe i afërt me nxënësit, sepse ata i konsideroja gjithnjë si vëllezër dhe motra, si pjesë të familjes sime. Dhe përpiqesha t’ua ngulisja në kokë se ata ishin e ardhmja e vendit.

Isha i bindur së respekti i nxënësve duhet të meritohej me punë e ndershmëri profesionale dhe korrektësi e jo të imponohej apo të blihej me nota. Këtë nxënësit, ani se të rinj, dinin ta çmonin.

Ishte një gjeneratë e artë dhe e pastër si loti. Prototip i saj ishte Hakiu, te i cili kurrë nuk kam parë as një shenjë ligësie.

Në mësimin teorik, ani se pak dembel, ia dilte mirë, por në punën praktike ka qenë njeri ndër teknikët më të mirë që ka dhënë shkolla e mjekësisë në Prishtinë. Ai ka qenë mjeshtër i pashoq i ndreqjes së dhëmbëve. Këtë e ka dëshmuar edhe më vonë në jetën e tij profesionale.

E mbaj mend atë shikimin e tij të kadifenjtë, dhe buzëqeshjen e dëlirë, madje edhe atëherë kur arsyetohej për mungesë nga orët e mësimit apo ndonjë “sherr“ tjetër rinor.

Ka shumë anekdota për Hakiun, të cilat është e pa mundur t’i përmend në këtë shkrim të shkurtër, por njëra është e veçantë.

E kishte shoqe klase një pejane shumë të bukur dhe si të gjithë të rinjtë e kësaj bote ngacmoheshin mes veti. Ajo më pati thënë një ditë se Hakiu po e tepronte nganjëherë.

Kur shkova në klasë i thashë: çohu në këmbë, ‘Shatroviq’!
U çua.
Çka ke ti me këtë vajzë?
Shok profesor, janë disa gjëra që po thuhen e s’po bëhen, sikundër që janë do të tjera që po bëhen e s’po thuhen! Por kam një lutje: ma hiqni këtë ‘viqin’, se po më tallin shokët.
Në rregull, i thash, po ta heq, se sa po shoh tash je rritur dhe qenke bërë ‘mëzat’!
Nuk u dorëzua. Sidoqoftë, më tha, unë nuk të hidhërohem, sepse fundja nuk të kam vetëm kujdestar klase, por edhe kushëri. E tërë klasa shpërtheu në gaz.

Ishin ditë që s’harrohen kurrë.“139

***

“Për herë të parë u takuam në shkollën e mesme. Unë shkova aty nga Irzniqi, ndërsa Hakiu erdhi nga Tomoci. Ai ishte një djalë shtatgjatë dhe me një fytyrë të ëmbël. Ato katër vite me Hakiun dhe me shoqe e shokë të tjerë kemi kaluar periudhën më të mirë të jetës sonë.

Hakiu ka qenë pak dembel, por ai kishte një dorë të praruar dhe mund të them se ka qenë tekniku më i mirë në klasën IV/9.

Më kujtohet njëherë kur modeluam dhëmbin e qenit, siç i thonë popullorçe, dhe profesoresha na e solli çdonjërit në tavolinë modelin e këtij dhëmbi që kishte bërë Hakiu dhe na tha:

 ‘Ja, kolegë, në qoftë se do të punoni kështu, ju do të jeni stomatologë dhe teknikë të shkëlqyer dhe do të mund t’i ofroni popullit tuaj një kualitet pune për të cilën ai ka shumë nevojë’.

Edhe kur kemi diplomuar, punimi i dorës i Haki Shatrit është endur nëpër tavolina si model se si duhej të bëhej një modelim i suksesshëm.“140

 

  1. Një vend pune ishte ëndërr

Pasi diplomoi, Hakiu u kthye në shtëpi. Istogu ishte dhe mbetet një komunë e vogël. Atëherë, aty bënin ligjin serbët, sidomos ata të Lugut, të njohur për qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve. Në punë kishte fare pak shqiptarë. Konkurrenca ishte e fortë, me gjithë nevojat e mëdha për kuadro në të gjithë sektorët.

Shqiptarët, ani se të pakët, dëgjoheshin më tepër kur vinte puna për ta drejtuar gishtin kundër atyre që nuk pajtoheshin me diskriminimin e instaluar në çdo pore të administratës.

“Unë u punësova në Shtëpinë e Shëndetit, në Istog; në Repartin e Stomatologjisë. Isha i vetmi shqiptar, dhe i vura vetes si qëllim, ta sillja edhe Hakiun aty. Por kjo nuk ishte aspak e lehtë, për shkak se familja e tij ishte në sy të pushtetit, pra kishte epitetin e familjes armike. Mirëpo, falë lidhjes që kishte babai im me një person që asokohe punonte në Komitet të komunistëve të Istogut, arritëm që Hakiu ta fillonte punën si praktikant.

Mirëpo, kjo nuk zgjati shumë, sepse për ta larguar Hakiun nga puna, pa e kryer stazhin e praktikantit, ia çuan atij thirrjen për të shkuar ushtar!

Hakiu erdhi te unë shumë i mërzitur dhe ma lëshoi thirrjen në tavolinë.

U mërzita edhe unë, por tash kishim një përparësi; njihnim shumë zyrtarë të Komunës së Istogut, sepse jo rrallë tashmë edhe ata kishin nevojë për ne!

Vendosëm të shkonim në komunë, ku ishte zyra e rekrutimit dhe aty takuam një referent që njihnim. E lutem t’ia shtynte afatin, derisa ai ta merrte vendimin e përhershëm të punës. I thamë çojeni dikë tjetër… por ai u përgjigj se s’ka asnjeri tjetër me profesion të Hakiut. Meqë unë e kisha vendimin e përhershëm, pasi bisedova me Hakiun i thash referentit, se jam i gatshëm të shkoja unë.

Çuditërisht ai pranoi dhe unë shkova ushtar më 1980, ndërsa Hakiu mbeti në punë, ku më vonë e mori vendimin e përhershëm të punës.

Pasi u ktheva nga ushtria vazhdova të punoja në të njëjtin repart me Hakiun. Ishim gjithnjë të pandashëm derisa, në shkurt të vitit 1985, e morën ushtar“141.

“Hakiun e kujtoj si njeri shumë të sinqertë, gjithnjë në shërbim të të tjerëve. Një njeri përherë me sens e me vullnet të mirë. Meqë ishim familje e madhe ai ishte një ekuilibrues i pazëvendësueshëm ndërmjet gjeneratave; i interpretonte mrekullisht kërkesat tona modeste para pleqve, por edhe mëtimet e këtyre të fundit karshi nesh. Falë tij, janë evituar jo pak thyerje në përballjet e pashmangshme që nxjerr jeta e përditshme në mes gjeneratave brenda një familjeje që ishte e madhe gati sa një lagje. Ishte gjithçka për ne, vëlla, shok, prind…

Si nxënës i shkollës së mesme më kishte rënë në qafë një profesor bashkë me drejtorin, lidhur me disa parulla “armiqësore“ që ishin shkruar nëpër shkollë. Që të dy bënin presion mbi mua të pranoja se unë isha autori i tyre. Më thërrisnin në zyrë dhe silleshin me mua si policë. i kundërshtoja kategorikisht. Mirëpo, ishin kohë të vështira dhe fitova përshtypjen se duan të më përjashtojnë nga shkolla, thjesht për poena politikë, sepse ishim familjarisht në thumb të pushtetit. Mjaftonte ta drejtonin gishtin drejt nesh dhe nuk i shihej fundi sherrit. Druaja se do ta nxirrnin edhe babanë nga puna. Shkova te Shtëpia e shëndetit dhe i tregova Hakiut. E la mantelin dhe erdhi menjëherë. Shkuam te drejtori, në zyrën e tij. Në prezencën time i tha: le të jetë hera e parë dhe e fundit që po i bie djalit në qafë. Çka jeni çuar peshë si qentë e tërbuar? Ju mendoni se ky është jetim, se nuk ka askënd në këtë botë? Gaboheni rëndë! Nuk ju vjen turp, më tepër jeni bërë policë serbë se sa pedagogë. Ia morët fytyrën një kombi të tërë.

E la pa fjalë, ia përplasi derën dhe u larguam. Kurrë më nuk më kanë rënë në qafë“142.

  1. Një lidhje e dëlirë në vilajetin e errët

“Me Hakiun jemi njohur në Prishtinë, unë isha një gjeneratë pas tij dhe, fillimisht, jemi afruar si bashkëvendës.

Pastaj, kur mbarova edhe unë u punësova në Shtëpinë e Shëndetit në Istog si laborant.

Unë punoja në katin përdhes, ndërsa Arbeni e Hakiu punonin në katin e parë. Ishim të pandashëm. Pinim kafe bashkë, dilnim dhe flisnim hapur për çdo gjë.

Shef i Stomatologjisë ishte dr. Joksimi, një monarkist i hapur. Ai e donte Hakiun shumë. Dhe kishte arsye, sepse Hakiu ishte artist në punën e tij. Mendoj se ka qenë absolutisht tekniku më i mirë i dhëmbëve në Kosovë. Dhe Joksimi përfitonte nga kjo, sepse stomatologu pa teknik të mirë mbetet i mangët. Falë Hakiut ai u afirmua si dentist i mirë. Prandaj edhe e mbronte Hakiun.

Nënës sime, që tani jeton në Gjermani, Hakiu ia ka vënë dhëmbët, gati këtu e 30 vjet më parë. Ata i rrinë ende sikur t’i kishte vënë dje. Gjithnjë më thotë: ‘Qyre, moj Loke, sa mirë më rrinë dhëmbët që m’i ka vënë djali jem, Hakiu!“143

Në Tomoc jetojnë prej shekujsh gati 20 familje ashkalinje, apo egjiptiane. Ato familje kurrë nuk janë ndarë prej shqiptarëve. Njëri prej tyre, një burrë i vjetër, quhej Tahir Binaku. Ai kishte një të folur të veçantë, të cilën Hakiu ia imitonte në mënyrë të përkryer. Tahiri e donte shumë Hakiun.

“Një ditë prej ditësh, Hakiu takoi Tahirin në Istog, në treg dhe, duke biseduar, Hakiu vëren se Tahirit iu kishin shkatërruar dhëmbët. E merr më vete dhe e çon në ordinancë. Tahiri kundërshton:

‘Pasha bukën, veç nëse shes tokën ose gruan, se nuk kam as një metelik në xhep!’

Hakiu me atë humorin i tij i thotë: Mos u mërzit se kjo ‘drzhavë’ ta ka borxh edhe një martesë e lëre më dhëmbët e gojës!

Ia pati rregulluar dhëmbët shumë mirë.

Pas vdekjes së Hakiut, njerëzit, jo vetëm njëherë, e kanë parë Tahirin duke qarë me dënesë te varri i tij…“144

***

“Pas demonstratave të vitit 1981, gjendja u përkeqësua. Dita ditës filluan me atë diferencimin e njohur kudo, edhe nëpër spitale!

Hakiu tashmë ishte aty më i rrezikuari, sepse tani ishte arrestuar dhe dënuar me shumë vjet burg edhe i vëllai i tij, Shefkiu.

Disa herë u mbajtën mbledhje pas mbledhjesh dhe ne arrinim me mjaft sukses, t’ua torpedonim qëllimet e tyre. Ndonjërin prej serbëve edhe e korruptonim. Ishin kohë të vështira dhe nuk zgjidheshin mjetet.

Ne të tre, Arbeni, Hakiu dhe unë, e kishim edhe një shok, që studionte në Prishtinë, Beqir Bujupin. Ishte shumë shok i mirë. Motra e Beqirit, Eminja, studionte anglishten dhe ishte një vajzë e mrekullueshme. Gradualisht, Hakiu ishte dashuruar në të. Dhe ndjesitë e tij, me kohën nuk ishin të njëanshme. Asokohe ishte njëfarë kodi që motra e shokut të konsiderohej si motër.

Dhe unë, pasi e vërejta këtë, nuk u durova pa ia thënë.

E pashë se u ngushtua, dhe, pasi u përpi thellë, më tha: Fazli, është vërtetë kjo që thua ti. Vërtet unë Eminen, e dua marrëzisht. Por ji i sigurt se në lidhjen tonë nuk ka asgjë që nuk është fisnike.

Nuk e kam ngucur më. Me kohën lidhja e tyre doli në shesh. Ata u fejuan e më vonë edhe u martuan.

Ishte një çift i bukur, që hijeshonte edhe qytezën tonë.“145

***

“Me Hakiun u njoha më mirë derisa isha në studime, në Prishtinë. Me kohën u afruam shumë. Më pëlqente fakti se ishte serioz, i formuar e, besa edhe i pashëm. Por mbi të gjitha më tërhiqte hareja që rrezatonte krejt qenia e tij. Të bënte të qeshësh duke e mbajtur barkun, sepse mund ta imitonte në mënyrë të përkryer këdo që ia thoshte mendja se ia vlente ta shpotitësh.

Në vitin shkollor 1981/1982 fillova të jepja mësim në Gjimnazin e Istogut. Por për shkak të pjesëmarrjes së vëllezërve të mi në demonstratë më përjashtuan nga puna. Kanë qenë kohë shumë të vështira.

Në ato kohë që fati i shqiptarëve të Kosovës me vise ishte vënë në cung, unë e Hakiu u fejuam e pas pak edhe u martuam. Ishte martesë që kishte zënë rrënjë në një dashuri të dëlirë.

Për punë e humba shpresën krejtësisht sepse familjen time e kishin leçitur ndërsa tash unë isha martuar me pjesëtarin e një familjeje që pushteti e kishte marrë në thumb kaherë. E kam përjetuar tepër rëndë ndarjen nga nxënësit e mi, por Hakiu me praninë e tij më ngushëllonte dhe më jepte shpresë se do të vijnë ditë më të mira.“146 

  1. Të panjohurat e luftës së nëndheshme

Vitet tetëdhjetë ishin si një grumbullim reshë të zeza e të trasha që e kapluan Kosovën. Ato nuk sollën as shi, as breshër. Ato sollën luftëra të tmerrshme që përpinë jetën e mbi 300 mijë njerëzve. Të jetoje nën ato re nuk ishte e lehtë. Në Kosovë nuk kishte mbetur familje me dinjitet pa u prekur gjithandej nga pipthat e frikshëm të pushtetit: diferencime, vëzhgime, spiunime, arrestime, tortura, nxjerrje nga puna, linçim nëpërmjet mediumeve, shkatërrim i ekonomisë familjare, ikje masive e rinisë në mërgim, burgjet plot njerëz, ushtarë që ktheheshin në arkivole…

Ishte koha e langonjve.

Ishte një kohë përthyerjesh të mëdha globale. Më shumë se asgjë tjetër kërcitnin vidhat e shteteve shumëkombëshe. Jugosllavia ishte zënë peng e politikës ekspansioniste serbe. Kjo politikë në Kosovë kishte krijuar pakënaqësi të mëdha. Në këtë det pakënaqësie zinte gjithnjë e më tepër rrënjë një lëvizje ilegale e koordinuar mirë me jashtë. Dhe, ndikimi i saj ishte i prekshëm.

 

 “21 gusht 1983, ora 17

Më thirri Hakiu në telefon nga Ulqini: Jemi mirë, me gjithë telashet. Për XX. ka indikacione se ka dalë jashtë me detyrë. Baci Demë të ka porositë: mos gabo ta takosh…

Gjendja është e nderë, por njerëzit po rezistojnë në të gjitha mënyrat e mundshme. Nëse kjo gjendje zgjat si shumë, këtu do të ketë vëlime që askush nuk do të mund t’i kontrollojë.

Një ditë në Istog e prisja autobusin. Mu afrua Veloviqi (komandanti i policisë në Gurrakoc, v. a.), dhe papritur më tha: SVI STE VI ISTI. TO TI JE GENETIKA. A KAO TI NE ZNAŠ NIŠTA ŠTA SE SVE DEŠAVA…(Të gjithë jeni të njëjtë. Çështje e gjenetikës. Dhe ti më hiqesh thuajse nuk di asgjë!)“147

“Me Hakun ishim moshatarë. Jemi rritur bashkë dhe, së pari u ndamë kur ai shkoi në shkollën e mesme në Prishtinë, e unë vazhdova gjimnazin në Istog. Më vonë unë emigrova në Zvicër, ndërsa ai mbeti në Kosovë.

Edhe kur nuk isha në shtëpi, ai shkonte në odën tonë ndizte zjarrin dhe më priste derisa kthehesha…

Me një rast kur u ktheva nga Zvicra, ishte janar i vitit 1983. Ishte i shqetësuar, sepse i kishte mbetur në dorë një gjë që duhej ta kishte marrë dikush menjëherë, ndërsa tani ai duhej ta dorëzonte sa më parë. Pa më dhënë ndonjë sqarim, u nisëm bashkë për në Pejë me të njëjtin autobus, por duke u ulur larg njëri-tjetrit. Kur mbërrimë në Pejë aty e priste një person, më duket se ka qenë, nga Klina. Pasi ia dorëzoi porosinë, u larguam shpejt prej aty dhe u ulëm të bisedonim e të çmalleshim normalisht.

Me gjithë lidhjet e shumta që kishte, ai ruhej shumë. Më sa di unë, ai kishte kontakte me dy palë njerëz që në një mënyrë ose tjetër ishin të lidhur me Lëvizjen ilegale, me ata që ekspozoheshin pak a shumë hapur dhe kryesisht në mënyrë verbale dhe me një strukturë të posaçme që merrej me zbulimin e rrjetit të UDB-së dhe për të cilën askush nuk dinte gjë“148.

“Hakiu ishte zemërgjerë. Nuk i linte njerëzit në baltë. Edhe pse i ri, kam vërejtur se në ato ditë të vështira ai i gjente format më të ndryshme për t’u ndihmuar familjeve të të burgosurve politikë. E bënte këtë në mënyrë shumë të kujdesshme, duke ndarë me ato familje çdo gjë që kishim. Por pa bërë zhurmë dhe me një kujdes maksimal.

Me një rast babai i tha, kujdes, a po e sheh se sa njeriu po dëmtohet. Hakiu iu përgjigj me një fjali të matur që më vonë e kam mësuar se ishte citim i Denis de Rougement: Shkatërrimi i një shoqërie fillon kur njeriu pyet veten “çka do të ndodhë”, në vend që të thotë “çka mund të bëj unë…”

Në verë të vitit 1984, filluam ta ndërtonim shtëpinë. Krejt barra binte mbi supet e Hakiut. Për shkaqe praktike, pranë truallit të ri, ku vumë themelet e shtëpisë, Hakiu ndërtoi një kasolle për të lënë mjetet e punës dhe materialin ndërtues. Me kohën, kasollja u bë vendtakimi me njerëz të njohur e të panjohur. Vinin aty njerëz që i dinim për kundërshtarë të regjimit si Salih Kabashi, Shaban Manaj, Ramë Berisha, Daut Kabashi…  Flitej hapur për gjendjen, por edhe për çështje të tjera delikate“149.

“Në verë të vitit 1984, Hasan Kadriu, nga Presheva, një aktivist i njohur i Lëvizjes ilegale në mërgim, m’i dorëzoi në Cyrih 4 miniaparate fotografike dhe 4 minilaboratorë për zbardhjen e mikrofilmave. Më sa dija unë, ai merrej me mbajtjen e disa lidhjeve me brenda. Nëpërmjet një lidhjeje të sigurt, i përcolla te familja ime në Tomoc. Siç më ka thënë nëna më vonë, pas disa ditësh, një person i panjohur i ka marrë ato.

Kur shkova për pushimet e fundivitit 1984, si gjithnjë e takova Hakiun. Me të flisja hapur për çdo gjë. Interesohej për lëvizjen jashtë, por edhe më tregonte për gjendjen në Kosovë. Ishte njeriu më i informuar që e takoja, ani se në dukje të parë fitoje përshtypjen se çdo gjë e kalonte me batuta.

Kishte filluar ta ndërtonte shtëpinë dhe në truallin e ri kishte një si kasolle. Kur shkova ta takoja, krejt rastësisht pashë aty një copë ambalazhi që e njihja mirë, ishte ai i minilaboratorëve. U shikuam në heshtje…, ishte edhe dikush aty dhe nuk e hapëm atë muhabet.

E di se në adresa të sigurta, sidomos në kutitë postare në Zvicër, 3 prej të cilave i kontrolloja unë, vinin panorama nga më të ndryshmet në emra imagjinarë serbë, maqedonas ose boshnjakë dhe me tekste krejt të rëndomta përshëndetjeje apo urime ditëlindjesh etj., shpeshherë në alfabetin cirilik. Vendërgimi i tyre ishte i ndryshëm, qytete të Serbisë, Maqedonisë dhe të Malit të Zi, sidomos. E di se brenda tyre, të maskuar në mënyrë të përkryer kishte copëza mikrofilmash. Këto karta postare, natyrisht pa i hapur, ia dërgoja menjëherë Hasan Kadriut, që asokohe jetonte në Friburg.

Më vonë kam kuptuar se kësi “postfahash” ka pasur edhe në qytete të tjera të Zvicrës150.

“Hakiu kishte një lloj aftësie që t’i afronte njerëzit, për rrjedhojë ai kishte miqësi me shumë njerëz, të të gjitha mjediseve dhe profesioneve.

Pas demonstratave të 81-shit, më përjashtuan nga gjimnazi, ku vijoja vitin e 3-të. Të gjithë u mërzitën, vetëm Hakiu jo, sepse menjëherë kishte biseduar me shokun e tij, Xhavit Kabashi që ishte mësimdhënës në Shkollën Teknike, në Pejë. Ai i kishte premtuar Hakiut qe do të bënte çmos, madje edhe të pamundurën që të ma mundësonte vazhdimin e shkollës, siç i thoshin atëherë, “privatisht”, duke dhënë provimet pa pjesëmarrje në procesin mësimor… Ashtu ndodhi.

Mirëpo edhe Xhaviti ishte në shënjestër të pushtetit të kohës dhe u detyrua ta lëshonte Kosovën e të emigronte në Amerikë. Por dosjen time ia kishte lënë kolegut dhe kushëririt të tij Salihut, kështu që unë, falë këtij intervenimi, arrita ta mbaroja shkollën e mesme dhe të regjistrohesha në Universitet151.

  1. Ushtria, një emër që i frikësonte të gjithë

Në vitet tetëdhjetë shërbimin ushtarak mund ta shtyje për një kohë, por me t’iu afruar moshës 27 vjeçare, shkuarja në ushtri ishte e pashmangshme.

“Më 2 shkurt 1985, Hakiu u obligua të shkonte në shërbimin ushtarak në qytetin e Novi- Sadit. Pas dhënies së betimit, shkuam së bashku me Xhemajlin (djalin e axhës së Hakiut) në Novi-Sad për ta vizituar. Nga të gjitha ato që pamë dhe dëgjuam prej tij, gjatë kësaj vizite, fitohej përshtypja se ai ishte adaptuar mirë në rrethin e ri dhe, çka është më e rëndësishme – ishte mirë me shëndet, kështu që nuk kishte ndonjë arsye konkrete për brengosje. Megjithatë, na tha se fillimi kishte qenë i vështirë, sepse dimri ishte i ftohtë dhe gjatë periudhës stërvitore kalonin një kohë të gjatë jashtë.

Kur erdhi në pushim (24 qershor – 14 korrik 1985), ishte shumë mirë me shëndet dhe nuk kam dëgjuar asnjë ankesë prej tij, qoftë për kushtet, qoftë për ndonjë telash tjetër“152.

“Në maj të vitit 1985, Hakiun e transferuan në Sarajevë, në kazermën ‘Mareshali Tito’. Në kuadër të kazermës ishte një aneks i posaçëm, që quhej Qendra e rekrutimit. Kjo Qendër udhëhiqej nga mjekë, të cilët shqyrtonin gjendjen shëndetësore të të gjithë rekrutëve në Bosnjë- Hercegovinë.

Ishin 3 mjekë me grada të larta, ndërsa ne ushtarët ishim asistentë të tyre, bënim punë administrative. Mjekët punonin deri në orën 15 dhe mandej shkonin. Pas kësaj kohe ne kishim mjaft liri aty, sepse edhe flinim në atë aneks, ku në katin e dytë kishim 2-3 fjetore në të cilat flinim nga 5-6 ushtarë.

Ne punonim me dy mjekë, njëri quhej Marjanoviq (serb), ndërsa tjetri Veshoviq (malazez). Kanë qenë profesionistë dhe, më sa kam kuptuar, kanë qenë korrektë.

Në rrafshin ushtarak njësia jonë komandohej nga Zdravko Perlliq, një oficer serb nga Lika para pensionimit, ai ishte arrogant, por ia kalonim disi.

Aty kemi qenë 4 shokë të pandashëm: Nejazi Luma, Selim Dobraj, Haki Shatri dhe unë. Hakiu pati ardhur më vonë. Mund të them se ai ishte njeri shumë i këndshëm. Ishte kënaqësi të rrije me të dhe të bisedoje për çfarëdo qoftë, ishte i pjekur dhe me shumë përvojë“153.

***

Unë kam shkuar në Sarajevë, në janar të vitit 1985. Disa muaj më vonë ka ardhur edhe Hakiu. Ai ka punuar në kabinetin psikologjik, bashkë me mjekun malazez Veshoviq.

Pasi kryenim punën, tërë kohën ishim gjithnjë bashkë: Hakiu, Nejaziu, Afrimi…

Hakiu ka qenë një njeri me karakter të fortë dhe shumë i afërt me njerëzit. E bënte atmosferën tepër gazmore, sidomos duke imituar persona dhe ngjarje të atyshme…

Mirëpo, ani se i ri, ai kishte probleme me të thatin në lukth, i cili në pranverë dhe në vjeshtë e mundonte posaçërisht.

E di që gjithnjë kishte një si brengë si shqetësim se mund t’i bënin ndonjë të keqe. Kjo iu shtua, kur një ditë një epror me emrin Dërlaça, pasi kishte lexuar një fejton në shtypin serb e ku flitej për persona që udhëhiqnin Lëvizjen e Kosovës në mërgim, kishte pyetur kinse krejt rastësisht: çka e ke atë Shatrin në Zvicër ti?

Hakiu ishte i vendosur, ani se ruhej, megjithatë shihej se ishte shpirtërisht i lidhur me çështjen shqiptare.

Me Hakiun ruaj një kujtim të veçantë që nuk do ta harroj kurrë. Isha në përfundim të ushtrisë dhe duhet të shkoja. Gjendjen në shtëpi e kisha të hollë. Ai, si duket vërejti se nuk më kanë ardhur të hollat për t’i blerë teshat, prandaj kishte filluar të mblidhte të holla nëpër shokë, duke dhënë edhe të vetat natyrisht, në mënyrë që të m’i siguronte do të holla sa të mund t’i blija një palë tesha. M’i dorëzoi të hollat. Më pati prekur shumë ky gjest njerëzor i tij. Mirëpo, një ditë

para se të lëshohesha, miku im që punonte në Austri, m’i dërgoi 1.000 shilinga. I tregova Hakiut. U gëzua shumë dhe tha: A e sheh, o Selim se njeriun e mirë, Zoti nuk e harron!“154

***

“Njerëzit e KOS-it i kam parë për herë të parë, kur aty erdhi për të kryer shërbimin një kroat nga Australia, e quanin Canjuga Drazhen. Personi që erdhi ta kërkonte më tha se quhej Millosheviq dhe, meqë unë isha kujdestar, më tha shko dhe thirrma Canjugën.

Aty e tutje këtë ushtar kroat e kanë marrë shpesh në pyetje dhe më duhet të them se ai pati ndryshuar krejtësisht pasi e morën në dorë ata të KOS-it. Me kohën u zhduk, nuk e kam parë më dhe nuk di se çka i bënë.

Millosheviq më ka marrë në pyetje edhe mua, por lidhur me një çështje tjetër:

Në një qoshe ekzistonte një lidhje e“braktisur” telefoni. Ne e merrnim telefonin në zyrën e mjekëve, ku punonim, dhe e kyçnim aty, pastaj flisnim me familjen, me shokët etj. derisa lodheshim. Pas një kohe filluan të na merrnin në pyetje lidhur me këto biseda. Po ai i njëjti, Millosheviqi më pati marrë në pyetje. Ku hyri e ku s’doli. Ai më përmendi edhe detaje të familjes sime që kishin ndodhur 20 vjet më parë! Për shembull, pse babai im e kishte dorëzuar librezën e partisë në vitet ‘60!

Isha i ri e pa pikë përvoje dhe, mbeta pa fjalë.

Hakiu shpresonte se do të mund ta kryente ushtrinë pas 11 muajsh, sepse e shoqja kishte bërë kërkesë që, si kujdestar i familjes të përfitonte nga e drejta për ta lëshuar para afatit.

Më sa di unë vendimi ishte pozitiv dhe ai e mori vesh këtë dhe, kur nuk e lëshuan, filloi ta brente dyshimi se KOS-i do t’i nxierrte telashe të mëdha. Nganjëherë, krejt spontanisht i dilte një fjali kuptimin e së cilës e kuptova vetëm pasi mora lajmin e kobshëm: “Sido që të ndodhë, i kam tre vëllezër dhe dy djem”155.

***

“Pos Hakiut në Sarajevë, ishin Selimi e Afrimi, i cili u lëshua para ne të gjithëve, pastaj ka qenë Hakif Buliqi, nga Prishtina, Avdiu, më duket se quhej Kodralia nga Podujeva, Ramushi, ka qenë nga Kondova e Shkupit dhe një Mehmet Rexha nga Shtimja, i cili më duket se punon në Zvicër.

Prej momentit të ardhjes së Hakiut në këtë kazermë dhe deri në mbarim të shërbimit tim ushtarak, Selimi, unë dhe Hakiu shumicën e kohës e kemi kaluar bashkë. E di se Hakiu e ndiente veten të rrezikuar dhe ruhej, besa edhe ne përpiqeshim ta ruanim“156.

  1. Në kthetrat e KOS-it

KOS-i, ky emër ani se është ndërruar kaherë, megjithatë ka mbetur deri sot, si sinonim i së keqes, prandaj edhe përmendet gjithandej në këtë libër si i tillë.

KOS-in e polli OZNA e tmerrshme, e cila me dhjetëra e mijëra familje shqiptare i pati veshur në zi. OZNA-n e patën formuar komunistët jugosllavë më 13 maj 1943. Ajo ishte shkurtesë për atë që njihej zyrtarisht si Odelenje za Zaštitu Naroda, shqip: Departamenti për Mbrojtjen e Popullit. Në nëntor të vitit 1944, si organ i ekzekutiv i OZNA-s u formua KNOJ, Korpus Narodne Odbrane, Korpusi i Mbrojtjes Popullore, si formacion i specializuar ushtarak për qërim hesapesh me kundërshtarët politikë. Ky formacion pati ekzekutuar disa mijëra rekrutë shqiptarë jo vetëm në Tivar, por edhe në vende të tjera të Jugosllavisë.

Më 1947, OZNA ndahet në dy pjesë, në UDB, Uprava Državne Bezbednosti (Drejtoria e Sigurimit të Shtetit) dhe Kontraobaveštajna služba, shkurt: KOS, (Shërbimi i kundërzbulimit), që ishte në kuadër të ushtrisë.

Më vonë ai do të quhej Drejtoria e sigurimit dhe e kundërzbulimit apo shkurt: Organi i sigurimit ushtarak

Kjo strukturë ka vepruar në dy sektorë të ndarë, atë të brendshëm dhe atë të jashtëm. Në kuadër të tij ka vepruar edhe KOG-u (Kontraobaveštajna grupa), Grupi i kundërzbulimit. Ky ishte një detashment i Drejtorisë së sigurimit dhe kishte kompetenca të plotfuqishme. Ka mundur të bënte dhe ka bërë çdo gjë pa i dhënë llogari askujt, pos kryeshefit në qendër. Pjesëtarët e tij kanë mundur dhe kanë vendosur për jetën dhe fatin e çdo personi që u ka dalë apo që kanë dyshuar se mund t’u dalë në udhë, pa asnjë drojë se ndonjëherë mund të merreshin në përgjegjësi.

Pjesëtarët e këtij organi terrorist kanë mbytur me qindra ushtarë shqiptarë, po këta e kanë kryer edhe krimin e tmerrshëm në Paraqin, si dhe shumë veprime të tjera kriminale e terroriste brenda dhe jashtë Jugosllavisë, për të cilat historia do të mësojë dhe do të rrënqethet një ditë.

Me gjithë bindjen që kishte familja e, siç dukej edhe vetë Hakiu, megjithatë ai në ushtri ballafaqohej me plot rreziqe që prej fillimit. Kjo del nga dy dëshmi të ndryshme që plotësojnë njëra-tjetrën, njëra kroate dhe tjetra boshnjake, të cilat me kusht anonimiteti të plotë pohojnë se:

“Rasti i ushtarit Haki Shatri është një histori e veçantë. Fillimisht ai ishte në shërbimin ushtarak në Armatën e Parë, në garnizonin e Novi-Sadit, ku ka kryer pjesën e parë stërvitore, në njësitin e mjekësisë. Me të ardhur në shërbimin ushtarak, Haki Shatri ishte ushtar i rregullt dhe i disiplinuar.

Qysh atëherë, vihet nën masat e Shërbimit Sekret Ushtarak (KOS-it), në Aksionin Operativ “Horizont”. Pra, hapet dosja dhe fillojnë të përdoren metodat e KOS-it, që do të thotë se kontrollohej çdo gjë, çdo kontakt, çdo aktivitet, i kontrollohej posta dhe përcillej në vazhdimësi, 24 orë në ditë. Në atë kohë aty ka shërbyer një oficer i KOS-it, me kombësi shqiptar (E.K.). Ai ishte i martuar me një serbe të Novi-Sadit dhe kishte dy djem. Ky oficer është një hallkë e rëndësishme për zbardhjen e plotë të dosjes që mban emrin Haki Shatri.

Në atë kohë, në Novi-Sad ka qenë me shërbim edhe një kuadër, më vonë shumë i njohur i KOS-it, Momir Stojanoviq, serb nga Gjakova. Ky ka qenë drejtpërdrejt i ngarkuar në përcjelljen e Haki Shatrit. Momir Stojanoviq, në vitet nëntëdhjetë ka qenë shef i KOS-it për Kosovën“157.

Me emrin e Momir Stojanoviqit lidhet drejtpërdrejt edhe masakra e njohur e Mejës (27 prill 1999).

Më vonë, pas Luftës ky person ka qenë një kohë edhe kryeshef i sigurimit ushtarak serb. Nga burime të sigurta del se ngjarjet e turpshme të vitit 2004 në Kosovë, janë iniciuar dhe janë udhëhequr drejtpërdrejt prej tij. Praktikisht shqiptarët në këto ngjarje që përlyejnë keq historinë e tyre, kanë qenë argatë, vegla qorre të tij.

Aktualisht gjenerali Momir Stojanoviq, i udhëheq të gjitha operacionet e shërbimit serb të zbulimit në Kosovë.

Në dukje të parë, ushtari Haki Shatri, deri në fillim të nëntorit të vitit 1985 nuk ka pasur ndonjë problem. Mirëpo, në vjeshtën e vitit 1985 janë bërë arrestime gjithandej Kosovës dhe më gjerë. Konkretisht në fillim të nëntorit të vitit 1985 u arrestuan dy grupe shqiptarësh, njëri në Pejë, në krye me Ramadan Shalën, dhe një tjetër në Sarajevë, Zagreb dhe Lubjanë, ku kishte oficerë, kadetë, ushtarë etj. Mes tjerësh, në këtë grup u arrestuan Naim Maloku dhe Xhafer Jashari, që të dy kapitenë dhe oficerë me perspektivë.

Siç del nga dosja e Hakiut, por edhe nga dokumente të tjera, një person i përfshirë në këto arrestime kishte folur para shërbimit sekret gjerë e gjatë për Hakiun dhe për familjen e tij. Deri në detaje. Dhe jo vetëm për ta, por edhe për miq e të afërm të tij.158

Pas kësaj, Hakiun kanë filluar ta merrnin në pyetje në mënyrë intensive. Natë e ditë, deri në fund të dhjetorit, kur krejt papritur e kanë lëshuar në “pushim të jashtëzakonshëm shpërblyes”, prej 27 dhjetorit 1985 deri më 5 janar 1986.

“Në prag të vitit të ri, Hakiu erdhi, pa paralajmëruar, për pushim të jashtëzakonshëm. Gëzimi i papërshkrueshëm i familjes, të cilin ua solli ardhja e Hakiut në këtë pushim të papritur, për fat të keq, ishte jetëshkurtër. Për dallim nga pushimi i rregullt i muajit gusht, kur Hakiu ishte shëndosh si molla, tani vërehej një përkeqësim i skajshëm i shëndetit të tij, – “na dukej se po na humbiste para syve”.

Nga pushimi i jashtëzakonshëm “shpërblyes”, në të cilin familja u pa për herë të fundit me Hakiun, të thuash se nuk diti askush që të kënaqej, sepse hijet e së keqes, e kishin ndjekur prapa dhe nuk e kishin lënë të qetë edhe në vendlindjen dhe në shtëpinë e tij.

Derisa ishte në pushim “shpërblyes” njëjavor, Hakiu kishte dëgjuar se një muaj më parë ishte masakruar ushtari Rexhep (Shaban) Blakaj, nga Jabllanica e Vogël e Komunës së Pejës. Ai e përjetoi këtë si një humbje të pakompensueshme për të gjithë djalërinë shqiptare të Kosovës, e cila vritej dhe masakrohej gjithandej kazermave dhe poligoneve të APJ. Andaj, edhe me gjithë

përndjekjet dhe hetimet që kishin filluar edhe ndaj tij në kazermën ku shërbente – Hakiu vendosi që të shkonte për ngushëllime në këtë familje, i shoqëruar nga babai dhe familjarë të tjerë.

Me të gjitha ato që i kishin ndodhur në shërbimin ushtarak, Hakiu arriti që ta ruante arsyen me gjakftohtësinë më të madhe dhe vazhdimisht e përsëriste se “unë e kam afruar që ta kryej obligimin tim, por e kam brengën e madhe për të gjithë djemtë e tjerë në familje (vëllezërit dhe djemtë e xhaxhallarëve, të cilët ishin në rend që të shkonin, por edhe për të gjithë djemtë e Kosovës), të cilët po vriteshin gjithnjë e më shpesh në forma të ndryshme.

Me gjithë përpjekjet e Hakiut që brengën, të cilën e kishte brenda në shpirt, ta mbante vetëm për vete, dobësimi i shëndetit të tij, mungesa e humorit dhe tërheqja në vetvete ishin elemente të mjaftueshme për anëtarët e familjes që ta pyesnin se çfarë kishte ngjarë, pse ishte dobësuar kaq shumë nga shëndeti, pse rri kështu i menduar, pse edhe tani nuk e kishte disponimin që kishte pasur në pushimin e verës etj.? Ndërkaq, më vonë ai u rrëfen familjarëve të tij se – ka gati dy muaj që vazhdimisht merret në bisedë informative nga oficerë të sigurimit ushtarak – KOS.

Këto biseda të rënda, rrëfente Hakiu, bëheshin në një zyrë të caktuar, duke e ftuar nga dhoma e fjetjes deri në 2-3 herë gjatë natës. Fillimisht, biseda fillohej me gjëra krejtësisht të parëndësishme në dukjen e parë, deri dhe banale e, pastaj, kërkohej nga ai që t’i përsëriste përgjigjet që i kishte dhënë kohë më parë, duke këmbëngulur që të shpjegohen edhe hollësitë më të vogla. Asnjëherë, ndjekësit e tij nuk i kishin thënë se kishte ndonjë vërejtje konkrete për punën apo sjelljen e tij në vendin ku punonte, apo se kishte ndonjë veprim inkriminues që ndërlidhej me të. Megjithatë, fitohej përshtypja se ata kishin një bindje se ai dinte shumë gjëra, të cilat mund të ishin me interes të madh për ta. Gjatë këtyre bisedave, oficerët e KOS-it vazhdimisht ia përsëritnin se “ne nuk të kemi njohur ty më parë, të gjitha këto informacione për ty dhe familjen tënde, i thonë ata, na kanë ardhur nga njerëzit përgjegjës në komunën tënde. Ne u besojmë atyre dhe janë të kota përpjekjet e tua për ta dëshmuar të kundërtën”.

“Kjo praktikë djallëzore përsëritej rregullisht, ndonëse ndonjë herë edhe mund të ndërroheshin “aktorët”. Ishte torturuese, siç rrëfente Hakiu, kur me rastin e përfundimit të një “seance” të bisedës, oficerët e urdhëronin që të shkonte në dhomën e tij të fjetjes dhe të vazhdonte gjumin, duke insistuar me këmbëngulje që në “seancën” vijuese, që do ta ketë me ta, t’u rrëfente atyre deri në hollësi ëndrrat që i ka parë!

Më sa u pa më vonë, pjesë e këtij skenari vrastar ka qenë edhe urdhri i oficerëve të KOS- it që ai të vendoset dhe të flejë vetëm në një dhomë, në lokalet e ndara vetëm për mjekë. Arsyetimi formal i hetuesve ishte që, ‘me rastin e thirrjes së Hakiut në bisedë informative të mos të shqetësoheshin ushtarët e tjerë në fjetoren kolektive të ushtarëve…’

Ato ditë në pushimet e fundvitit kishte ardhur edhe babai i Hakiut, Rexhepi, i cili punonte në Gjermani që nga viti 1969. Për çudi, brenda kësaj kohe, derisa u bashkuan dhe po çmalleshin babë e bir në shtëpi të tyre, vjen këtu një patrullë e policisë dhe, me një urdhër të prerë, ia mori pasaportën babait të Hakiut – Rexhepit. Ashtu, siç ndodhte rëndom në raste të tilla, edhe kësaj herë nuk ishte dhënë asnjë shpjegim i qëndrueshëm, ndonëse, të gjitha shënimet dhe të dhënat e tjera të nevojshme në pasaportë ishin të rregullta dhe nuk kishte pasur asnjëherë vërejtje.

Me gjithë insistimet e familjarëve që patrulla e policisë të shpjegonte dhe të arsyetonte hapin e vet të çuditshëm, policia kishte dhënë vetëm një përgjigje të shkurtër: – “për marrjen e pasaportës kemi një urdhër të prerë dhe nuk kemi autorizime që të japim shpjegime të tjera plotësuese”. Ky rast i papritur krijoi një pështjellim dhe shqetësim shtesë në familje, të cilit nuk dihej se si do t’i vinte fundi. Për zgjidhjen e këtij problemi ishte angazhuar me të madhe edhe vetë Hakiu, sepse marrja e pasaportave në atë kohë ishte kthyer në një praktikë frikësimi dhe shantazhi të njerëzve. Marrja e pasaportave nënkuptonte humbjen e vendit të punës në Perëndim, e pastaj edhe të lejes së qëndrimit…“159

***

“Në janar të vitit 1986, Hakiu erdhi të na vizitonte edhe neve. Në shtëpi qëlluam unë dhe babai im, Mustafa. Hakiu dukej shumë i lodhur. Babai e pyeti për shëndetin dhe të tjerat. Më vonë ai u ankua se kishte kohë që po e merrnin në pyetje në mënyrë intensive. Se po e mundonin për njerëz të njohur e të panjohur. Dukej shumë i shqetësuar. Babai im i tha, nëse e sheh se je në rrezik mos u kthe. Ka zgjidhje edhe kjo punë. Ai mendonte që Hakiu të ikën jashtë.

‘Jo, o Baci Mustafë, më kanë mbetur edhe pak dite dhe besoj se do t’i përballoj të gjitha’.

Më atë rast ai na i tha dy gjëra që më kanë mbetur në kujtesë: ka përmendur një oficer boshnjak që i kishte rënë në qafë: njëfarë Osman Xhenanoviq, dhe një detaj i pabesueshëm që lidhej me mua.

Unë kisha kryer ushtrinë në Shkup, më 1981. Nga fundi filluan të më merrnin në pyetje dy oficerë të KOS-it, njëri serb dhe tjetri maqedonas. Një javë para se ta mbaroja ushtrinë më morën në pyetje dhe krejt në fund më thanë: atë ditë që do ta mbarosh ushtrinë, para se të shkosh në shtëpi eja te ne se kemi diçka për të thënë!

Erdhi dita e fundit, për fat oficeri im ma nënshkroi librezën dhe menjëherë dola dhe në vend të autobusit e mora një taksi dhe drejt e në shtëpi.

Këtë detaj ia kishin përmendur Hakiut gjatë marrjes në pyetje: Ditën e fundit duhet të lajmërohesh te ne, por mos gabo të sillesh si kushëriri yt, Nagipi!

Po e përmend këtë detaj për të shpjeguar përmasat e habitshme të zhbirimit që bënte KOS-i.“160

***

“Më 30 dhjetor 1985, ishim në darkë të pastërmasë, te Baci Demë. Dikur pasdarke u çuam me Hakiun dhe shkuam te ai. Posa mbetëm vetëm, filloi të më tregonte se po e merrnin në pyetje pandërprerë dhe se nga pyetjet që po ia bënin duhej të ishin të informuar për disa gjëra delikate që lidheshin me anëtarët e familjes sonë, sidomos me angazhimin e tyre politik në Lëvizjen ilegale.

U përpoqa ta qetësoja, por kur nisi të fliste për disa detaje, për të cilat ai s’kishte si të dinte, sepse ishte në ushtri, u binda plotësisht në ato që thoshte, por megjithatë u përpoqa t’ia largoja druajtjen. Por ishte e pamundur, sepse ai më tepër ishte i shqetësuar për djemtë tanë që nuk e kishin kryer ushtrinë, se sa për veten e tij. Dhe, më vonë, pas arrestimit tim, e dija pak a shumë se prej nga kishin rrjedhur ato denoncime të pabesa, të cilat në një mënyrë Hakiut i kushtuan edhe me jetë.

Ishin kohë të vështira. Kisha mbaruar universitetin por kurrsesi të gjeja punë. Shkova disa herë në komunë, ndërsa ata më çonin në Komitet. Një ditë në Komitet kishte qenë një bashkëfis që kukurisej bukur zëshëm aty. Pa një pa dy dhe pa ia pasur borxh, më tha: “Sa të hash bukë në një sofër me Demë Sadrinë (axhën tim), ti kurrë nuk do të marrësh rrogë nga Jugosllavia!”

Tashmë ishte e qartë se nuk kisha asnjë perspektivë dhe se nuk ishte në pyetje vetëm sofra as njerëzit me të cilët jetoja në një shtëpi, por thjesht shkallmimi i Kosovës. Prandaj, vendosa ta kërkoja pasaportën. Në qershor të vitit 1985 shkova në UDB-në e Pejës. Ata më thanë se duhet të prisja edhe nja dy muaj, sepse ajo po marrka kohë. Shkova edhe njëherë dhe e pashë se po e zvarrisnin qëllimisht.

Herën e fundit shkova më 9 janar 1986. Thashë po e provoj edhe njëherë le të dale ku të dalë. Polici në recepcion më tha se duhet të shkoja në katin e tretë, te Istref Sadiku, i cili posa mbërrita lart, kishte qenë duke më pritur në korridor! Më futi në zyrën e tij.

I thashë se kisha shkuar për pasaportë, sepse meqë këtu nuk po më lejohej të punoja, s’më mbetej rrugë tjetër veçse të dilja jashtë. “Lëre pasaportën, se ne kemi punë të tjera”, më tha. Fillimisht ia nisi të më merrte me të mirë, por nuk vonoi e nisi të më shante me nënë e me baba. ‘Ti duhet të tregosh për të gjitha, sepse ne dimë çdo gjë dhe nuk do të mund t’i qëndrosh dajakut pa treguar se kush t’i ka dhënë ‘Zërat e Kosovës’.

Përballë mohimit tim kategorik, u detyrua ta përshkruante mirë personin që vërtet m’i kishte dhënë gazetat, por pa ia përmendur emrin si dhe detaje të tjera konkrete që shihej se nuk fliste në erë. Vendosa të mos e çelja gojën me asnjë çmim. E vetmja gjë që i kërkoja ishte të ma sillte personin përballë ashtu që unë do ta pështyja në fytyrë, sepse ajo ishte shpifje.

U çmend fare dhe filloi të më torturonte mizorisht. Nga zyra tjetër ndiheshin rënkimet e njerëzve që i torturonin. Si në kasaphane! Katër ditë rresht nuk kanë lënë torturë pa ushtruar mbi mua. Më në fund u bind se nuk do të mund të më thyente. Por edhe denoncuesin nuk mund të ma nxirrte përpara, sepse do ta digjte përgjithmonë. Në fund më tha, ‘qenke idiot dhe nuk dua të më mbetesh në dorë, por tani e tutje do të kesh punë me Demë Mujën, dhe atij do t’ia tregosh edhe ëndrrat’.

Të nesërmen nuk erdhi Demë Muja, por njëfarë Ajet Gashi i Bubavecit. Kur më pa, më tha: ‘Pse bre nipash e ke bërë vetën në këtë gjendje, pse nuk po pranon kur ne e dimë saktësisht se njeriu t’i ka dhënë kaq gazeta ilegale me këtë dhe me atë datë’. Më tha nipash, sepse dajallarët i kam të asaj ane. ‘A po e sheh se e ke çuar veten në prag të vdekjes?’

“Nuk e kam çuar unë, por ju më keni çuar”, i thash duke folur mezi, sepse më ishte trashur gjuha.

Aty e tutje nuk më kanë torturuar, por më çuan në burg, në qelinë nr. 7, ku kishte qenë një djalë nga Orrobërda. Quhej Osman. Ai më ka ndihmuar shumë, duke më vënë çarçaf të lagët nëpër trup.

Kur dola në shëtitje, më tha, mos lëviz shpejt, por shko duke u mbajtur për muri, sepse udbashët të shikojnë nga lart dhe duke të parë në gjendje të rëndë nuk të thërrasin lart.

Pas shtatë ditësh më lëshuan“161.

***

“Për herë të fundit Hakiun e kam takuar më 2 janar 1986, në qendër, në Istog. Folëm dhe u çmallëm. Ndenjëm deri në mbrëmje vonë. Kishte ardhur t’i merrte teshat se ishte në përfundim të ushtrisë.

‘E kam afruar’, më tha, ‘por besomë se nuk kanë lënë gjë të zezë pa më bërë. Më kanë torturuar edhe fizikisht gjatë marrjeve të panumërta në pyetje’.

E vërejta se ishte i lodhur e i këputur. Ky ishte takimi ynë i fundit.“162

***

“Sidoqoftë, Hakiu ishte kthyer brenda kohës së paraparë në kazermën ku shërbente, kishte njoftuar familjen se kishte arritur mirë dhe në vazhdimësi kishte bërë përpjekje që të ishte në kontakt të vazhdueshëm me familjen e tij, qoftë nëpërmjet letrash, qoftë me telefon. Megjithatë, sa më shumë që afrohej dita kur duhej të lirohej Hakiu nga shërbimi ushtarak, aq më tepër rritej ankthi se çfarë do të sillte e ardhmja për Hakiun dhe për familjen e tij, duke pasur parasysh se, brenda këtij harku të shkurtër kohor (3 – 4 vjetësh), vetëm në rrethinën e Pejës (komunat: Pejë, Istog, Deçan dhe Klinë) ishin kthyer në arkivole mbi 12 ushtarë.

Në javën e fundit, para se t’i skadonte afati kur ai duhej të lirohej, Hakiu nuk u lajmërua, apo, më mirë të thuhet se atij iu bë e pamundshme që të lajmërohej. Kjo solli një shqetësim dhe tensionim shtesë në tërë familjen dhe farefisin“163.

***

“Me datën 30 dhjetor 1985, prej garnizonit ushtarak të qytetit Visoko (Bosnjë- Hercegovinë) më kanë dërguar në kazermën “Mareshali Tito” në Sarajevë, në Qendrën e rekrutimit.

Hakiun e kam takuar për herë të parë në fillim të janarit të vitit 1986, pas kthimit të tij nga pushimi që e kishte realizuar me leje të rregullt. Duke qenë se unë isha fare i ri (ende pa i mbushur 19 vjet), që nga java e parë e njohjes me Hakiun, ai më thërriste me emrin përkëdhelës – “kingj”. Kisha një përshtypje se, për shkak të moshës sime të re, ai dëshironte që të më afronte dhe të më lehtësonte me përkëdhelje të ndryshme. Disa herë, edhe më ka pyetur në mos e ndieja vetën të fyer kur më thërriste “kingj”, mirëpo, unë i pata thënë: mos ia “shkoq”, ngase kjo nuk më pengonte fare, përkundrazi.

Pas ardhjes sime në këtë repart ushtarak, unë e kam gjetur Hakiun të sistemuar në punë dhe me dhomën e fjetjes në aneksin ku janë ofruar shërbimet mjekësore sipas nevojave që janë paraqitur. Mirëpo, asnjëherë nuk më ka shkuar mendja që ta pyesja Hakiun për arsyen pse ai ishte sistemuar që të flinte atje në një dhomë të caktuar dhe jo me ushtarët e tjerë. Megjithatë, ka pasur edhe ushtarë të tjerë të cilët e kishin gëzuar këtë status, të themi të “privilegjuar”.

Hakiu ka qenë shumë i shoqërueshëm me të gjithë, i gatshëm kurdoherë që me shokët e tij ta ndante të mirën dhe të keqen. Ka pasur vazhdimisht të holla pranë vetes dhe, më shumë herë, ka ngrënë ushqim të blerë në qytet, sesa në mensën e ushtrisë.

Ditën që duhej ta lëshonin, më 1 shkurt 1986, e kam takuar Hakiun dy- tri herë. Një herë e kam parë tek i provonte rrobat civile në korridorin e repartit, të cilat dukeshin tepër moderne dhe i rrinin shumë bukur. Më kujtohet se më pati thënë që, “…nesër (e diel- 2 shkurt 1986), duhet të lirohem”, mirëpo e kishte një drojë nëse do të vinte eprori i tij për t’ia dhënë librezën ushtarake dhe dokumentacionin tjetër përcjellës, ngase ishte ditë pushimi.

Në kohën e darkës (rreth orës 18.30), pasi që nuk i hahej darka në mensën ushtarake, Hakiu më dha disa para, duke më lutur që të dilja në qytet, aty afër kazermës, për të blerë diçka për darkë për mua dhe për vete. Bleva nga një samun me qebapë dhe nga një byrek për të dy. Më kujtohet mirë se ka ngrënë vetëm dy qebapë dhe gjysmën e byrekut… Dua të përmend këtu se Hakiu ankohej vazhdimisht prej lukthit.

Pas një kohe, jo shumë të gjatë, jemi ndarë me të dhe ai ka shkuar në aneksin e hapësirës ku punonte, aty ku e kishte dhomën dhe shtratin e fjetjes164.

***

“Herën e fundit, Hakiun e kam takuar më 2 janar të vitit 1986. Më tregoi se mbi të po ushtroheshin presione të paimagjinueshme. Duke e dëgjuar nga fliste, nuk mundja të mos e pyesja se a është i rrezikuar seriozisht edhe me eliminim fizik. Nuk përjashtohet as ajo mundësi, më tha, por tash jam krejt në fund dhe s’kam rrugë tjetër. Më duhet të duroj. Aty ishte edhe nipi ynë Naim Bicaj, i cili posa ishte liruar nga burgu ushtarak. Naimi i tha: “Mos u kthe aty”. Hakiu, pasi mendoi ia ktheu: ‘Sido që të ndodhë, unë i kam dy djem…’

Kurrë nuk e harroj këtë fjali të tijën.

Pas disa ditësh, konkretisht më 9 janar 1986, edhe unë shkova ushtar. Më çuan në Bërçko të Bosnjë-Hercegovinës, që i takonte Zonës ushtarake të Sarajevës. Në kazermë ishim rreth 15 shqiptarë.

Pas tri ditësh, më thirren në bisedë, në komandë. Në një zyrë më priste një njeri i veshur në rroba civile. Pasi më urdhëroi të ulesha, filloi të më pyeste për familjen e ngushtë, se ku kam punuar, me se merren tani etj. Pas një ore me liroi. Duke dalë më tha se do të shiheshim sërish… Pas dy ditësh më thirrën prapë, por kësaj radhe ishte mbrëmje. Ishte i njëjti person. Filloi të më pyeste vetëm për mërgatën, meqë unë 4 vitet e fundit jetoja dhe punoja në Zvicër.

Para vetes e kishte një broshurë, e shfletonte atë dhe më pyeste për personalitete të ndryshme në mërgim. I thashë se nuk i njoh. Në fund më tha se herën tjetër do të më sillte një person që më kishte parë në demonstrata në Perëndim.

Herën e tretë, më morën në pyetje në orën 3 të mëngjesit. Kësaj radhe në zyrë ishin dy persona. Oficeri që më kishte marrë në pyetje deri atë ditë, iu drejtua oficerit tjetër: Shemo, ky është ai. Ky farë Shema filloi të ma përshkruante Cyrihun në detaje, pastaj Gjenevën, Bernën etj. Shihej ashiqare se i njihte pëllëmbë për pëllëmbë. Unë i thashë se nuk i njoh këto vende që po më pyesni, sepse bëj punë të rënda fizike për ta mbajtur familjen dhe nuk kam as kohë e as mundësi të shëtis…

Pas dy orësh më liruan. Duke dalë “Shema” më tha se do të shihemi së shpejti dhe mos mendo se do ta kesh lehtë!

Pas 24 orësh, në mesnatë, më thirrën prapë. Ishin të dy. Shema filloi me pyetjet e tij: “Çka ke bërë në mërgim, kush të ka organizuar në radhët e Lëvizjes, kush të ka dhënë urdhër të vish në ushtri për të kryer akte terroriste…”

Pas pesë orësh më lanë te shkoja në fjetore. Posa rash të flija, ra zilja për t’u çuar. Isha i dërrmuar.

Kjo vazhdoi çdo të dytën natë. Duke mos më lënë të flija, ata më rraskapitnin.

Më 2 shkurt 1986 më morën në pyetje paradite, aty rreth orës dhjetë. Ishte vetëm “Mile”. Filloi të më pyeste se kush nga kushërinjtë e mi ndodhej në ushtri dhe ku… i thashë për Hakiun dhe për një kushëri tjetër. Filloi të më pyes në detaje për Hakiun… Në një moment më pyeti se a mos ka pasur Hakiu probleme psikike! Kjo më shqetësoi pa masë.

Pas pak me një gjakftohtësi absolute më tha se Hakiu kishte bërë vetëvrasje.
Ky lajm më tronditi tmerrësisht. Edhe pasi më lëshuan nuk dija se çka po bëja.
Një javë ditë nuk më morën në pyetje. Por vëreja se i kanë cytur ushtarët e ndryshëm të më pyesin se çka kam që po rri kaq keq.
Pas një jave më thirrën sërish. Në zyrë kishin qenë të dy, Mile dhe Shemo. Filluan të më kërcënojnë se nëse nuk tregoja për aktivitetin e mërgatës do ta pësoja shumë keq… Ndërkohë Shema m’u afrua dhe papritur më mëshoi me grusht në fytyrë. Më shpërtheu gjaku si krua. Më mbajtën aty gati dhjetë orë.

Kjo vazhdoi me muaj. Më merrnin në pyetje në kohë dreke e darke dhe pas mesnate. Kështu unë nuk arrija as të ushqehesha e as të flija. U lodha e u bëra asht e lëkurë.

Nuk më linin të dilja as në qytet.

Në muajin korrik, në çetën time sollën edhe dy vëllezër binjakë nga Suhareka. E kishin mbiemrin Berisha. Ishin 19 vjeç dhe i kishin sjellë aty nga kazerma e Banjallukës.

Një ditë ata e panë Shemën në oborr dhe më thanë se ai quhet Shemsedin Hajdari dhe se është nga Livoçi, Komuna e Gjilanit. Siç më treguan, ai paskësh bërë kërdi mbi ushtarët shqiptarë në kazermën e Banjallukës. Ata më treguan se Shemsedin Hajdari kishte ushtruar mbi ta presion shtazarak për t’i detyruar t’i jepnin jetës fund.

Vetëm pas 9 muajsh më lëshuan të shkoja në pushim. Kur erdha në Tomoc, vërejta se njerëzit e UDB-së propagandonin se gjoja Hakiu paskësh bërë vetëvrasje për këtë ose atë motiv, apo se e paskësh vrarë një boshnjake…

Ndërkohë e takova Shaban Manajn. Ai erdhi të më ngushëllonte në shtëpi. Fjalët e para që m’i tha ishin: “Na e vranë Hakiun. Kjo është një hakmarrje e pashembullt vetëm për shkakun se familjarisht nuk po i nënshtroheni pushtetit serb. Askush nuk e beson se Hakiu ka bërë vetëvrasje. Ai ishte një djalë i mrekullueshëm. Fundja varrimi i tij e dëshmoi. Me gjithë përpjekjet e pushtetarëve që ta pengonin ardhjen në varrim dhe në ngushëllime, aty erdhën me mijëra njerëz nga të gjitha anët e Kosovës, e sidomos nga krejt Rrafshi i Dukagjinit“165.


Nga informacionet e shumta del se Shemsedin Hajdari ka bërë dëme të mëdha gjithandej ku ka shërbyer. Në fundvitet nëntëdhjetë ka shërbyer në Kosovë.
Pas Luftës ai jeton në Mitrovicën e Veriut dhe është kryefurnizuesi i Kosovës me akullore!

  1. Lajmi i kobshëm

“Natën kritike, të dielën, më 2 shkurt 1986, rreth orës 4:30 të mëngjesit, kur ne të gjithë ishim në gjumë të thellë, është dëgjuar jehona e alarmit dhe, pa vonesë, na është urdhëruar që të visheshim dhe të dilnim shpejt në oborr. Ndërkaq, para nesh është paraqitur eprori ynë – Zdravko Perliq, i cili, me pak fjalë, na ka njoftuar se ushtari Haki Shatri është gjetur i varur në tualetin e repartit.

Pas komunikimit të këtij lajmi, eprori, Zdravko Perliq, na ka pyetur në mënyrë të prerë se mos e ka parë dikush Hakiun, ashtu të varur në tualet, mirëpo, përveç një mërmëritje mohuese, askush nuk e ka hapur gojën.

Nuk na është bërë asnjë pyetje tjetër dhe as që na është dhënë ndonjë sqarim plotësues lidhur me këtë, përveç se është thënë që, gjatë ditës, do të lexohet komunikimi zyrtar në raportin ditor të komandës së togut. Ka mbretëruar një heshtje varri, askush nuk ka pasur guxim dhe gatishmëri që të thoshte ndonjë fjalë tjetër.

Na është urdhëruar që të shkonim në dhomat e fjetjes dhe atje kemi qëndruar të shtangur. Në dhoma ka pasur lëvizje të theksuar (hyrje-dalje) të personelit komandues, përfshirë dhe oficerë, të cilët nuk i kisha vërejtur ndonjëherë më parë.

Po atë ditë, rreth orës 11:00 (e diel–2 shkurt 1986), pas rreshtimit në oborrin e repartit, na është lexuar raporti ditor i togut, me ç’rast eprori ynë, i lexoi ato që kishte thënë natën që shkoi, duke shtuar se: ‘Ju e dini që ushtari Haki Shatri nuk ka qenë mirë me shëndet, si dhe ka pasur disa probleme personale’.

Pas kësaj që theksova më lart, përveç në raste shumë të rralla individuale, ushtarët e këtij togu nuk kanë pasur guximin që ta zënë në gojë rastin e vdekjes së Hakiut. Çdonjëri prej nesh është frikuar jo vetëm prej të tjerëve, por edhe prej vetvetes.“166

***

“Ditën kur e prisja të vinte Hakiu, isha në kafehanen time. Erdhi Smajl Rugova, i cili punonte në postë, e pashë se ishte shpërfytyruar nga tronditja… M’u afrua dhe më tha, duke iu dridhur zëri: “Arben, Zoti të lashtë shëndoshë se Hakiun e kanë mbytur në ushtri… posa erdhi në postë telegrami që kazerma ia kishte dërguar, Joksim Knezheviqit…” (që atëherë ishte udhëheqës në Repartin e stomatologjisë).

M’u duk se u përmbys bjeshka mbi mua…

E kam pasur shok të shpirtit, që gjithmonë ma ka mbajtur krahun, pa marrë parasysh a isha gabim a jo.

Prej atëherë kam kërkuar shok por deri tash s’kam gjetur kurrë më.
Për mua vetëm një Haki e kish pas bâ Nëna.
Pas mbytjes së tij mizore nuk kam mundur të jetoj më në Kosovë. Kam ikur në Amerikë, jo për tjetër, por thjesht dhe vetëm prej trishtimit“167.

***

“Kam qenë në Ambulancën e Rakoshit, të cilën e mbulonte Shtëpia e Shëndetit në Istog, ku unë edhe atëherë punoja si mjek. Ka qenë mbrëmje. Papritur në ambulancë hyri shoferi i Komitetit të komunistëve të Istogut, dhe më tha: ‘Eja se po të thërrasin në Komitet!’

Shkova. Aty kishte qenë kryetari i Komitetit, Riza Maxharraj, kryetari i Komunës, shefi i Mbrojtjes Popullore, Mijat Vulloviq, pastaj Riza Shatri, zyrtar i Komitetit etj… Ata më thanë se dhëndëri i vëllait tim, Haki Shatri, me të cilin kishim punuar shumë vjet bashkë, e i cili ishte në shërbimin ushtarak, kishte bërë vetëvrasje.

U stepa.

Ata më thanë se ju e keni dhëndër, prandaj duhet të shkoni dhe t’ua jepni lajmin… Shkova e mora vëllanë tim Rexhën dhe djalin e tij Beqirin dhe shkuam. Me ne erdhi edhe Beqir Avdijaj, zyrtar i Mbrojtjes Popullor në Istog.“168

***

“Isha në një bistro në Istog. Ishte mbrëmje, erdhi axha Sadik dhe më tregoi se Hakiu kishte vdekur. Më mori dhe bashkë me babanë dhe një nëpunës komunal shkuam në Tomoc, te kulla e moçme. Ishim tepër të tronditur. Ua dhamë lajmin e zi. Qe besa, u mbajtën si burrat: “Zoti e bëftë mirë, thanë që të tre njëzëri, Dema, Januzi dhe Malushi, por e pashë se lajmi i zi i shkërmoqi krejt.”169

***

“Para se të ndaheshim, familja jonë kishte 42 anëtarë. Ndarja ishte shtyrë për shkak të arrestimeve që ndodhën në vitin 1974. Axha i madh, Dema, kishte vetëm një djalë, dhe ai ndodhej në burg. Prandaj nuk mund t’i linim prindërit e tij vetëm. Edhe pas ndarjes, ne vazhdonim të ishim çdo mbrëmje bashkë në odën e mëhershme, që tani i takonte Bacit Demë.

Më 2 shkurt 1986, në mbrëmje kishim mysafir. Kishin ardhur dy palë miq të familjes si dhe të gjithë kushërinjtë e Lagjes.

Diku rreth orës 22, ka thirrur dikush te dyert e oborrit. Doli Malushi. Në derë ishin Rexhë, Sadik dhe Beqir Bujupi, me ta ishte një përgjegjës i Mbrojtjes Popullore në Istog, njëfarë Beqir Avdijaj. Posa i ka takuar Malushi, është kthyer në odë dhe ka thirrur axhën, Januzin. Ardhësit kërkuan që të shkonim në një dhomë tjetër, sepse kishin diçka të rëndë për të na thënë.

Për të mos i shqetësuar edhe mysafirët, ata shkuan në shtëpinë e Bacit Nuz dhe aty ua kanë dhënë lajmin e tmerrshëm. Ishte një telegram i Komandës së Sarajevës, i shkruar serbisht:

 “HAKI ŠATRI, U STANJU PSIHIČKE RASTROJENOSTI, IZVRŠIO JE SAMOUBISTVO! (Haki Shatri, në gjendje të çrregullimit psikik, ka bërë vetëvrasje!).

Kjo është e pamundur, u tha, axha Januzi. Dhe ju drejtua zyrtarit komunal: Ti e di këtë shumë mirë!

Ky i fundit mëzi belbëzoi: Do të dëshiroja ta dija se a doni varrim fetar, apo me nderime ushtarake. Askush nuk dha përgjigje. Shkuan.“170 

“Atë ditë që e kanë mbytur Hakiun, isha ushtar në kazermën e Nishit dhe punoja në laborator të kazermës. Diku rreth orës dhjetë më thirrën të lajmërohesha në zyrën e oficerit. Aty kishte qenë një major i KOS-it, i cili, posa hyra, me një ton gazmor më tha: ‘Haki Shatrin e kemi ekzekutuar!’

Fillimisht mendova se mos është ndonjë provokim. Nuk fola fare. Ndërkaq pasi hetoi reagimin tim, duke qeshur më tha: ‘Jo, nuk e kemi ekzekutuar ne, por një grua që ishte dashnorja e tij e ka vrarë, sepse, pasi e kishte shfrytëzuar, Hakiu nuk kishte pranuar ta merrte për grua…’

Kur u ktheva në Istog, pavarësisht propagandës së regjimit dhe shërbëtorëve të tij, të gjithë e dinin se Hakiun e kishin mbytur. Këtë falë edhe faktit se ai, ani se ishte i ri, megjithatë gëzonte kudo një respekt të padiskutueshëm.“171 

***

“Punoja në shtypshkronjën “Ramiz Sadiku” në Prizren, në cilësinë e lektorit. Ishte ditë e hënë, 3 shkurt 1986. Rreth orës 9:00 të mëngjesit, në zyrën time erdhi përgjegjësi i sektorit komercial të shtypshkronjës, Selman Baca, tani i ndjerë. Ai më tha se po më thërriste dikush nga familja në telefonin e Sektorit që mbulonte ai.

Në mungesë të telefonit në zyrën time, kam komunikuar, qoftë për punë zyrtare apo për nevoja private, me telefonin e zyrës së përmendur. Me të ngritur të receptorit, e njoha zërin e bacit Nuz. Ndonëse kjo ishte koha kur ai dhe Malushi më thërrisnin gati çdoherë, posa jam lajmëruar në telefon, e kam dëgjuar prej tij një ofshamë të thellë që dilte nëpërmjet një zëri të ngjirur dhe të drithëruar:

Metë a je ti?


Po, unë jam!


Hakiun e kanë vrarë, hajde sa ma shpejt në shtëpi.


Pyetjeve të mia: ku, kush në ç`mënyrë, etj., mbaj mend se u është përgjigjur shkurt:

 “Kjo punë është kështu siç të thashë unë. Na kanë njoftuar me gojë dhe me shkrim, pra hajde një sahat e përpara në shtëpi”.

Nuk më doli asnjë zë. Mu soll vërdallë zyra ku ndodhesha dhe vetëm shikoja se në ç’drejtim ishte dera. Në atë moment, më shkoi ndërmend se, në zyrë, ishte edhe një faturiste serbe, që punonte aty dhe gjeta forcë për t’u përmbajtur. Në këtë moment të trishtë, nuk pata mundësi që të shkëmbeja me dikë asnjë të vetmen fjalë, kështu që nuk më mbeti tjetër përveçse të dilja përjashta. Prapa meje, duke vërejtur shqetësimin tim, doli Selmani.

I shpjegova me pak fjalë se çfarë kishte ndodhur, i shqetësuar nga gjendja ime, Selmani arriti vetëm të ma shtrinte dorën për ngushëllime.

Menjëherë, kam shkuar në zyrën e shokut tim, Zeqir Xhaferi, i cili punonte në shtypshkronjë dhe i tregova për atë që kishte ndodhur. I tronditur jashtë mase për atë që dëgjonte, Zeqa më ngushëlloi dhe më tha se ishte i gatshëm që, menjëherë, mua, Fatimen dhe fëmijët të na përcillte me veturë për në Tomoc. Prej telefonit nga zyra e Zeqës e kam njoftuar Fatimen se çka kishte ndodhur me Hakiun. I thashë që të përgatitej sa më shpejt, sepse ne të gjithë, duhej të niseshim sa më parë për në Tomoc.

Me të hyrë ne odën e bacit Demë, unë dhe Zeqa i kemi ngushëlluar me marrje në ngrykë bacin Demë dhe bacin Haxhi, të cilët kishin qenë ulur në vendin e kryeshëndoshjes. Një heshtje e rëndë kaploi të gjithë të pranishmit që ishin brenda, askush nuk dinte çfarë duhej thënë këtu; në ishte më mirë të nxirrte ndonjë fjalë, apo të mbyllte gojën fare. Baci Haxhi nxori nga xhepi dhe ma dha telegramin që kishte dërguar komanda e Garnizonit të Sarajevës, interpretimin e të cilit tha se e kemi bërë pak para së të hynim ne.

Ishte cinizmi i njohur serb.
Duhej të qëndronim. Nuk kishim rrugë tjetër.“172 

***

“Hakiun nuk e kisha parë disa vjet. Na kishin ndarë jeta dhe hallet. Një ditë shkova në Pejë, kur rastësisht më shkuan sytë në një lajmërim vdekjeje të varur në një shtyllë. Ishte Hakiu. M’u ndal fryma dhe nuk munda ta ndalja vajin. Në atë moment kaloi atypari një person dhe më pyeti: Çka të ka ndodhur? I tregova…

Ai kishte qenë në dijeni:’Po, më tha,’ka dhjetë ditë që e kanë ekzekutuar në ushtri’.“173

***

“Pata dëgjuar se Hakiu ka shkuar ushtar, madje njëherë e takova rastësisht në Stacionin e Autobusëve në Pejë.

Ishte një fillimjanari i ftoftë i vitit 1986, binin fjolla bore, ishte i veshur me uniformë. M’u duk i dobësuar dhe e pyeta se ç’i kishte hallet. ‘Jam nga fundi’, më tha, ‘por jam duke hequr shumë keq. Ka do kohë që po ushtrojnë ndaj meje një presion të jashtëzakonshëm. Ishalla bëhet mirë’.

Pas një muaji e hapa gazetën dhe çka të shihja, familja kishte publikuar një përkujtim me rastin e vdekjes së Hakiut.

Më pushtoi një trishtim që nuk mund të përshkruhet me fjalë.

Përpos anës profesionale që kishte, ai ka qenë një karakter shumë i fortë. Mund të them se ai e kishte një ëndërr që nuk e fshihte: ta shihte Kosovën të lirë.

Është e dhimbshme që Hakiu sot nuk është me ne dhe nuk e gëzoi Ditën e Madhe të Lirisë.

Gjenerata jonë ka humbur përfaqësuesin e saj më të mirë174.

***

“E martë, 4 shkurt 1986, ora 21:00.

 Sot nga ora 15:00, isha në punë. Më thirrën në telefon dhe më thanë të zbrisja në katin përdhes, sepse po më kërkonin. Kur zbrita, e pashë Eminen. Ishte prishur në fytyrë, më shkoj mendja se mos i ka ndodhur gjë vajzës, sepse ishte shumë sëmurë… Por jo, fëmijët kishin qenë prapa saj… U afrova.

Ka thirrur Baci Nuz, belbëzoi, dhe ma dha këtë numër që ta thërrasësh menjëherë. A mos ka vdekur Baba?
Jo.
A mos ka vdekur Nëna?

Jo.
Po çka ka ndodhur pra?


Hakiun e kanë vrarë në ushtri!


E thirra Bacin Nuz nga një kabinë aty afër. Mezi e mora. Kishte qenë në postën e Pejës. E vërejta se dhembja ia kishte mjegulluar mendjen e tij gjithnjë të kthjelltë. Po me të tjerët çka ka ndodhur, o Zot?


I shprehëm ngushëllime njëri-tjetrit.
Besoj se nesër do ta sjellin kufomën, më tha.
Jemi në gjendje të rëndë që të gjithë dhe s’po dimë se si t’ia bëjmë me varrimin, ta lëmë ushtrinë të marrë pjesë apo jo? S’po dimë nga t’ia mbajmë…
Nuk di çka të them tash, sepse më duhet të mendoj, por do të të thërras në orën 22:00, i thashë.


Ora 23:00.

E thirra Bacin Nuz. Ishte qetësuar pak. Më tregoj se si kishte kaluar dy herë radhazi në komunë me oficerë të KOS-it, me udbashë dhe me horra të tjerë…

Sa për ushtrinë, i thashë sa më larg që të jetë ajo, aq më mirë për ne.

Është tollovi, prandaj kini kujdes dhe mos u besoni përrallave për vetëvrasje. Atë e kanë mbytur. Kjo është aq e qartë sa që edhe zogjtë e dinë.

Duhet të mbahemi…, kijeni kujdes Bacin Lok dhe djemtë se janë të rinj dhe nuk dinë të ruhen.

7 shkurt 1986,

Mbrëmë, apo thënë më mirë sot në mëngjes, rreth orës 03:00, cingëroi telefoni. E mora, por askush nuk fliste, shihej se linja ishte e hapur. E lëshova receptorin. U tmerrova se mos ka ndodhur edhe ndonjë hata tjetër në shtëpi, por s’dija ku të thërrisja në këtë kohë.

Pas 20 minutash telefoni cingëroi sërish. E hapa: Ishte një zë gazmor burri: Zdravo! (Tut’jeta ).

Čujes li me? (A po më dëgjon? )

Naravno da te čujem? (Sigurisht që po të dëgjoj).


Puknulo ti srce, je li…? Ha-ha-ha… (A të ka pëlcitur zemra… ? Ha-ha-ha…)

Puknut će tebi i sličnima kad-tad. Jadna zver! (Do të të pëlcasë edhe ty edhe atyre që janë si ti, herëdokur. Bishë e mjerë!)

E hoqa telefonin nga priza.

Hallall të qofshin të gjitha, Kosovë, se liria jote nuk vjen edhe pa këto.“175

Shumë vjet më vonë, në fillim të vitit 2003, po e përcillja në TV gjykimin e Millosheviqit në Hagë. Një ditë e sollën aty si dëshmitar gjeneralin serb Aleksandar Vasiljeviq, ish-shefin e Shërbimit sekret ushtarak.

Duke dëgjuar zërin e tij, m’u duk zë i njohur. E dëgjova me vëmendje dhe, nuk ishte asnjë dyshim, se pikërisht ky ishte njeriu që më kishte thirrë në telefon, mëngjesin e hershëm të datës së trishtë, 7 shkurt 1986.

***

“Pasi shkoi për t’i kryer edhe tri javët e fundit që i kishin mbetur, ne ishim të brengosur, prandaj e thërrisja për çdo ditë në telefon, ndërsa ai më thoshte: edhe pak dhe e mbarova.

Mirëpo javën e fundit, askush nuk përgjigjej në telefon… Të hënën, më 3 shkurt 1986, në mëngjes e thirra nga posta e Prishtinës. Thirra në numrin e zakonshëm, në zyrën e mjekut, ku ai punonte dhe, kësaj radhe m’u përgjigj një person i cili më tha: ‘Haki je nestao’ (Hakiu është zhdukur)! U befasova shumë dhe kërkova sqarime, ndërsa personi që flisja me të bërtiti më sa zë që kishte: ‘Haki je umro’ (Hakiu ka vdekur). Nuk mund ta besoja… i tmerruar e lëshova receptorin e telefonit, pa e vënë në vendin e vet.

Me autobusin e parë shkova në shtëpi. Posa hyra në oborr e kuptova saktësisht gjëmën. Shtëpinë tonë e kishte mbuluar zija.

Nuk mund ta merrja me mend se nuk do ta shihja kurrë më Hakiun, vëllanë tim të madh.“176 

***

“Punoja si laborant në spitalin e Sjenicës, në Sanxhak. Atë ditë që e kanë vrarë Hakiun, më 2 shkurt 1986, diku rreth orës 10:30, kanë ardhur 2 persona civilë dhe më kanë kërkuar në punë. Nuk më thanë saktësisht se a janë të UDB-së apo të KOS-it. Më kanë nxjerrë në oborrin e spitalit.

Fillimisht më pyetën për një bashkëvendës timin, që ishte arrestuar disa muaj më parë.

Menjëherë pastaj: ‘Çka e ke Haki Shatrin?’ U tregova. ‘Hakiu ka bërë vetëvrasje’, më thanë. Dhe kërkuan nga unë që të shkoja në Tomoc dhe t’ia jepja familjes lajmin e kobshëm. ‘Jo’, u thashë, ‘ai, siç po thoni ju, paska vdekur në kazermë. U takon autoriteteve ushtarake që ta bëjnë këtë’.

Më thanë se ishin të gatshëm të më dërgonin me veturë deri në shtëpi, në Tomoc. Takimi zgjati 10 minuta dhe u ndava prej tyre.
Shkova në banesë, i tregova gruas dhe u nisa me një mik boshnjak për në Tomoc. Unë mbërrita vonë dhe kuptova se tashmë dihej se çka i kishte ndodhur Hakiut.“177

***

“E prisja se do të kthehej atë natë, madje edhe kisha përgatitur edhe darkën, që e dija se do t’i pëlqente. Në vend të tij, më erdhi lajmi i zi.“178 

***

“I pata veshur fëmijët mirë dhe prisja se do të na vinte. Na erdhi lajmi i tmerrshëm që na shkatërroi përgjithmonë.“179 

***

“Më e rënda tani ishte se si ta lajmërojmë babanë që ishte në Gjermani. Ia dërguam një telegram duke i thënë se ka vdekur gjyshja… Por kur erdhi koha që të dilnim dhe ta prisnim në Gurrakoc, ai kishte ardhur më herët, kështu që para se të arrinim ne, babai kishte takuar një bashkëfshatar, dhe ai, pa të keq i kishte thënë:

 ‘Rexhep a u mërzite për Hakiun’, dhe i kishte shprehur ngushëllime.

Kur dolëm ta prisnim e pamë se kishte qenë duke zbritur kodrës me baltë teposhtë, iu kishte nxirë fytyra.

Kur e takuam na tha: “A e kanë vrarë Hakiun a…?”. U përpoqëm ta ngushëllonim, por gjëma e zezë e kishte vënë përfundi përgjithmonë. Pas 5 muajsh vdiq nga mërzia.“180 

  1. Një arkivol ngjyrë ulliri

“Të nesërmen, më 3 shkurt 1986, shkova në Istog, në komunë. Ishte ora 7. Aty kishin qenë kryetari i Komunës, Milosh Hashanin, kryetari i Komitetit, Riza Maxharraj, Ramë Ademaj, dy sigurimsa te Pejës, një kapiten i KOS-it, dy eprorë të lartë ushtarakë dhe komandanti i policisë në Gurrakoc, Veloviqi… Krejt nja 11-12 veta.

Aty ma shëndoshën kryet dhe ma qitën një kafe. Nuk ua piva… Pa u hapur mirë muhabeti u thashë: “Në telegramin që kemi marrë nuk thuhet e vërteta. Djalin tonë na e keni vrarë. Keni mundur dhe e keni bërë”.

‘E dimë se ke mërzi, më thanë, por mos u ngut’.
Mërzi e ç’mërzi kjo është kështu.
Ndërhyri njëri prej oficerëve. Ne, on je poginuo! (Jo, ai është vrarë !)
I njëjti vazhdoi: Ne duam garanci se nuk do të ketë incidente, sepse duam ta varrosim me nderime ushtarake…, që do të thotë së çeta e ushtarëve do ta nderojë me qitje armësh… Për ditën e varrimit ka mbetur që të vendoste ushtria… Ani se mezi rrija ulur, i thashë se ne familja nuk kishim asgjë kundër. E bëra me qëllim, sepse propozimi i tij ishte në kundërshtim me atë që thuhej në telegram, sepse dihej se ushtari që vetëvritet nuk varroset me nderime ushtarake. Ata ma kërkuan dhe një gjë: të mos e hapnim arkivolin. Nuk u thashë asgjë.

E kisha hallin e vëllait, Rexhepit, që ishte në Gjermani dhe mendoja të shkoja ta merrja atje. U thashë se kisha nevojë ta kisha pasaportën për këtë gjë. Ndërkohë hyri Miçunoviqi, naçallniku i UDB-së së Pejës. ‘Nuk ka problem për pasaportën’, më tha. Pas pak më thanë të shkoja në UDB-ë, në Pejë dhe të flisja me Asllan Sllamnikun. Kur shkova atje, ai nuk më pranoi. S’pata rrugë tjetër, ia çova vëllait një telegram dhe i thashë ‘Eja se ka vdekur Nëna’.

Të nesërmen, më 4 shkurt, më thirrën sërish në komunë. Kur shkova ishin të gjithë ata që i kisha takuar një ditë më parë. Papritur, Toma Miçunoviqi më tha: ‘Varrimi nuk do të bëhet me nderime ushtarake, sepse nipi juaj, Hakiu ka bërë vetëvrasje!’

E prisja këtë, prandaj e pyeta, pa e përfunduar ai fjalinë: ‘Dje të gjithë ishit këtu dhe thatë dy gjëra; e para se Hakiu është vrarë dhe e dyta se do ta varrosni me nderime ushtarake. Këto nuk i thashë unë, por i thatë ju, konkretisht oficeri që është këtu’.

Nuk e çelën gojën. Oficeri më tha se posa të arrinte kufoma do të më lajmëronte.

Shkova në shtëpi. Ajo që vërejta ishte se kryetari i Komunës, që ishte serb, u prek shumë. Këtë ndjesi nuk e vërejta te asnjëri prej shqiptarëve të zinj që ishin aty. E nuk ishin pak.“181 

***

2E pritëm kufomën tri ditë. Të katërtën ditë na lajmëruan se duhej të shkonim ta merrnim në Stacionin e Trenit, në Pejë. Kufomën e Hakiut e përcillnin katër ushtarë dhe një oficer i moshuar. Oficeri iu drejtua, axhës, bacit Januz: ‘Kush është përgjegjës i familjes këtu?’ Baci Januz i tha: ‘Ne që jemi të pranishëm këtu’. Oficeri iu drejtua Bacit Januz dhe i sugjeroi që të mos e hapim arkivolin. Ndërsa axha iu përgjigj:’Fillimisht na keni lajmëruar se do ta varrosni me nderime ushtarake, pastaj keni ndërruar mendjen dhe na keni njoftuar se nuk keni mundësi të vini… Ndërkaq tani që po na e dorëzoni kufomën po na vëni edhe kushte. Tani është çështje jona se çka do të bëjmë.’

Në përcjellje të Hakiut kishte qenë edhe një ushtar shqiptar, nga Maqedonia. Ai m’u afrua dhe më pëshpëriti: “Do të vi së shpejti dhe do t’ju rrëfej se çka ka ndodhur me Hakiun”. Por ai nuk erdhi kurrë. Më duket se quhej Zeqirja dhe ishte diku nga Kumanova.“182 

***

“Ditën që e sollën kufomën, shkuam te kazerma e Pejës dhe takuam një oficer që ishte ndërlidhës. Pastaj bashkë me të shkuam te Stacioni i Trenit. Këtë oficer e kam parë edhe më vonë nëpër Pejë.

E sollën arkivolin. E kishin vendosur në një vagon të posaçëm. Ushtarët e zbritën arkivolin dhe na e dorëzuan.“183 

***

“Në Pejë për ta marrë kufomën shkuam Baci Nuz, Baci Qerim, Rasimi, Hysniu dhe unë.

Kur e zbritën ushtarët arkivolin, Baci Nuz ia dha çdonjërit prej tyre nga një pako me cigare.

Kur e kreu me ushtarët iu kthye oficerit dhe i tha: “A duhet t’ua kthejmë arkivolin, sepse ndoshta ju duhet për të tjerët?”

‘Jo, nuk ka nevojë’, tha oficeri.
E morëm arkivolin dhe shkuam në shtëpi.
Dua të theksoj se në mesin e ushtarëve që e përcillnin kufomën, kishte qenë edhe një shqiptar. Ai na shprehu ngushëllime.
Iu afrova dhe i thash krejt të vogël: “Mos na harro”. Më premtoi se do të vinte, por nuk erdhi kurrë.“184 

***

“Në arkivolin e mbyllur hermetikisht kishte mbërritur trupi i pajetë i Hakiut, sipër kishte një dritare 10×10 cm, ku shihej vetëm fytyra dhe pjesa e sipërme e kraharorit. Në fyt deri mbi mollëz shiheshin gjurmët e penjve si duket të mbetur pas obduksionit. Ishte i veshur me tesha ushtarake. Baci Ali tha: ‘Kurrë nuk kam parë kufomë kaq të bukur’.

Në fillim ishim në dy mendje të hapej apo të mos hapej arkivoli. Nëse po, të thirrej një grup i mjekëve prej Prishtine në krye me dr. Fadil Batallin dhe të kontrollohej prapë trupi i pajetë i Hakiut. Baci Demë tha, ‘jo. Ne e dimë mirë se çka ka ndodhur me të. S’ka nevojë më e pa!’

Atëherë Shefkiu më tha që ta gjeja një fotoaparat dhe të provoja ta fotografoja nëpërmjet dritares së arkivolit. Si duket aparati ishte i dobët dhe kur i zhvilluam fotografitë shumë pak mund të dallohej fytyra e Hakiut.

Në mesin e gjërave të cilat i kishin kthyer kriminelët që e kishin bërë Hakiun në këtë gjendje, ishte ora e dorës dhe kostumi me këpucë. Më bëri përshtypje sidomos rripi metalik i orës që ishte i këputur dhe këpucët, nën të cilat shihej se ai kishte fikur me to jo pak cigare. Meqë këpucët ishin të reja, gjurmët ishin krejt të dukshme. Shihej ashiqare se ai i kishte veshur teshat dhe më shkoi mendja se atë duhet ta kenë mbytur, pasi ta ketë dorëzuar uniformën, do të thotë pasi të jetë veshur në tesha civile.“185 

***

Arkivolin fillimisht e çuan në shtëpi të Hakiut, ku ishin mbledhur bija e gra nga të gjitha anët.

“Atë ditë në të pame, në dhomën ku ishte vendosur kufoma e ku qëndronin kryesisht gratë, kishin ardhur edhe dy gra që nuk i njihte askush. Ato dalloheshin jo vetëm nga sjelljet e dyshimta, sepse nuk flisnin me askënd, por edhe për nga makijazhi që ishte në kundërshtim me zinë që kishte mbuluar familjen tonë.

Duke parë sjelljet e tyre, një bijë e familjes, Nuria e Bacit Demë, u shkoi pranë dhe u tha: ‘A mos e keni habitur rrugën e keni qenë duke shkuar në ndonjë dasmë?’

Ikën menjëherë. Pak më vonë, dikush prej djemve tanë i kishte parë duke hipur në një veturë që i priste më larg, në rrugë. Atë e ngiste një shofer i UDB-së së Pejës.“186 

  1. Një varrim i trishtë në dimër

“Pasditen e 6 shkurtit, rrugët e fshatit tonë ishin mbushur me miq të afërm dhe të tjerë që kishin dëgjuar lajmin e hidhur dhe tani dëshironin t‘ia bënin përshëndetjen e fundit Hakiut. Nuk dihet numri i saktë i të pranishmëve, por mendoj që kanë qenë mbi tre mijë veta.

Për tri javë sa zgjati e pamja në odën e djemve të Ramë Hasanit erdhën miq dhe dashamirë nga të katër anët e Kosovës. Ata që e kishin njohur Hakiun ishin të prekur për humbjen e mikut, masën e madhe e kishte prekur fakti i vrasjes në ditën e fundit të shërbimit ushtarak, gjakatarët e kishin mbajtur deri në fund, e kishin ekzekutuar dhe në fund kishin ofruar një version, i cili po të mos ishte tragjik, do të ishte qesharak, se Hakiu kishte bërë “vetëvrasje” dhe atë ditën e fundit të shërbimit ushtarak.

Tërë kohën sa zgjati e pamja në të qëndroi Sali Sadiku (Morina), mik i familjes tonë, i cili gjatë gjithë kohës e kishte pasur fjalën kryesore dhe e kishte orientuar kahun e të pamës. Atij i kanë ndihmuar Mujë Loshi, pleqnari i njohur i Podgurit, Muhamet Lani nga Deçani dhe sidomos miku i familjes e veprimtari i paepur, Bajram Kurti, i cili në ato ditë pikëllimi na jepte forcë e kurajë.

Prania e tyre dhe e shumë të tjerëve dëshmonte se oficerët serbë nuk e kishin mbytur vetëm një anëtar të familjes Shatri, por një djalë që ishte i krejt Kosovës. Këtë më së mirit e shprehu një plak që u printe disa burrave, të cilin gati askush nuk e njihte, ai na shprehu ngushëllime në mënyrë krejt të veçantë:

Burra, Zoti na lashtë shëndoshë të gjithëve!

Në këtë të pame u pa edhe një gjë që, megjithatë dihej, kush ishte me pushtuesit: nja 4-5 bashkëfshatarë na nderuan me mosardhjen e tyre në ngushëllime.“187 

***

“Ditën e varrimit kishin ardhur shumë njerëz për t’ia dhënë Hakiut lamtumirën e fundit. Ndërkohë që atypari, sidomos në rrugën Gurrakoc – Istog gjatë gjithë ditës vërdalliseshin me vetura policë e udbashë të shumtë.

Për shkak të numrit të madh të ngushëlluesve, e pamja zgjati tri javë.

Natyrisht, në të pame vinin edhe provokatorë profesionistë, me ndonjërin prej të cilëve kishim edhe lidhje të afërt ose të largët familjare. Detyroheshim t’i duronim që të mos prishej e pamja, por njëri prej tyre që shkoi aq larg sa të na recitonte në shtëpinë tonë versionin e UDB- së, se gjoja Hakiu paskësh bërë vetëvrasje, djali i axhës, Malushi, shpirti i bëftë dritë, e nxori në oborr dhe i tha: “Nëse do të rrish këtu si njeri, rri, në të kundërtën hup dhe mos t’i shoh sytë kurrë”.

U bë si pula e lagur.“188 

***

“Gjatë të pamës i kemi identifikuar qartas 6 spiunë. Një pjesë e tyre vetëm heshtnin dhe shikonin, ndërsa dy të tjerë përpiqeshin ta lëshonin ndonjë fjalë. Sidomos njëri me të cilin kishim njëfarë lidhjeje familjare. Këtij të fundit, Sali Sadiku, ia kallëzoi një mesele, se si i kishte pas rënë njërit bretkosa në çervish. Por si duket kjo nuk i mjaftoi, sepse pas një kohe, spiuni u përpoq sërish ta hidhte mjeshtërisht versionin zyrtar të vdekjes së Hakiut.

Pasi ra një heshtje e plotë, Bajram Kurti, e mori fjalën dhe, ndër të tjera, tha: ‘Këta 4 vjetët e fundit kam marrë pjesë në nja 20 të pame për ushtarët që janë kthyer në arkivole. Gati për të gjithë jepet e njëjti version. Por asnjë njeri me mend në krye nuk e kam parë ta ketë besuar këtë version. Kjo e pame këtu është edhe më e veçantë se çdo tjetër. Këtu kemi një djalë të ri, i rrethuar me të gjitha të mirat e kësaj bote, i cili ditën që është liruar nga ushtria po thuhet se paskësh bërë vetëvrasje. Kësaj i thonë rrenë për hava. Gjërat janë shumë më të thella. Vdekja e Hakiut ka një mesazh të qartë, i cili paralajmëron ditë të vështira për të gjithë ne. Ai që nuk e merr vesh këtë është si ajo lopa që përtypet në oborrin e thertores’.

Atë ditë e tutje, mbetëm pa 4 spiunë. Dy qëndruan stoikisht deri në fund, por goja e tyre hapej vetëm kur e afronin filxhanin.

Krahas burrave që na nderonin e na ngushëllonin, kishte plot të afërm që merreshin me organizimin e të pamës, që nuk lëshonin askënd pa i kthyer bukë, që nuk linin njeri pa e pritur dhe pa e përcjellë me të gjitha nderimet. Dhe në këto përpjekje dua ta veçoj sidomos mësuesin e paepur Isuf Kamer Shatri dhe vëllanë e tij Aliun, shpirti u bëftë dritë të dyve. Ata ishin shtyllat kryesore të organizimit praktik të së pamës.“189 

  1. Një letër fantazmë

“Ka qenë fillimi i shkurtit 1986. Ishte mëngjes, unë dola nga konvikti dhe papritur pashë një ushtar. Më duket ka qenë nga Kumanova. Nga ata ushtarët që ne u thoshim asokohe 12+3, pra persona që kishin qenë ushtarë 12 muaj dhe pas një kohe vinin për t’i përfunduar edhe 3 muaj të tjerë. M’u afrua dhe më tha: ’Hakiun e kanë mbytur dhe unë isha në përcjellje të kufomës, por meqë familja nuk e pranoi përcjelljen tonë, ne e dorëzuam kufomën dhe unë erdha te ju që t’ua dorëzoj një letër të Hakiut, të cilën e kam gjetur nën shtratin e tij… Pastaj do të shkoj në shtëpi, sepse i kam dy ditë të lira”.

Unë besoj se ky takim nuk ka qenë i rastit.

Më duket se në zarf shkruante se letrën duhet t’ia dorëzonte Nejazi Lumës, i cili studionte në Prishtinë.“190 

***

“Banoja në konvikt. Kur kam dalë ta merrja mëngjesin, e kam parë një ushtar të veshur me tesha parade, me rripa etj. E njoha ishte Zekirjai nga Kumanova, ka qenë rreth 24-vjeçar dhe në ushtri pati ardhur në muajin gusht të vitit 1985. U befasova kur e pashë: ‘Hej Zekë, çka ka të re?’ Dhe ai më tha: ‘Hakiun e kanë vrarë… Në mbrëmje Hakiu kishte pasur një parandjenjë se mund t’i ndodhte diçka. Prandaj ma dha këtë letër dhe më porositi që ta jap ty’.

Ishte e pame që, siç thoshin pleqtë aty, nuk mbahej mend. Baci Ali na ka thënë shpesh se prej Runikut e deri në Qafë të Morinës nuk ka pasur katund prej të cilit nuk kanë ardhur njerëz për të na ngushëlluar për Hakiun.

Pastaj, me Afrim Canën dhe Hakif Buliqin nga Prishtina, meqë Zekirjai nuk pranoi të vinte me ne, pas një kohe që të tre kemi shkuar te familja e Hakiut dhe letrën ia kemi dorëzuar të vëllait, Hysniut.“191 

***

Letra ishte shkruar me dorë dhe nga përmbajtja e saj ishte e pamundur të përcaktohej mesazhi dhe të definohej vija e mendimit. Ishte një letër konfuze që kishte disa detaje bisedash personale me familjen, që kryesisht ishin bërë nëpërmjet telefonit. Dorëshkrimi dukej si i Hakiut, por përmbajtja s’kishte asgjë me të.

Siç del nga dëshmitë e shumta, në lokalet ku shërbente Hakiu kishte një prizë telefoni gjoja të braktisur. Mjaftonte që ushtarët ta merrnin një aparat telefoni nga zyra dhe ta kyçnin aty e pastaj të flisnin me kë të donin. Prej këtij telefoni, Hakiu ka thirrur gruan e tij shpesh, qoftë në telefonin e axhës së saj, Sadikut, qoftë te një kushëri yni, Sallk Shatri. Siç është konfirmuar më vonë, kjo nuk ka qenë e rastit. Në fakt kjo linjë është incizuar gjatë gjithë kohës. Qëllimi ishte që të përcilleshin sa më mirë ushtarët dhe të kishte për ta sa më shumë material. Në rastin konkret për Hakiun.

“Lidhur me rastin e Haki Shatrit duhet përmendur edhe dy çështje krejt të veçanta: në arkivol ka pasur mikrofon, nëpërmjet të cilit është përcjellë ajo që flitej pranë tij dhe sidomos, të dihej dhe të incizohej çdo fjalë në rast se ai do të hapej.

Është angazhuar grafologu i KOG-ut, i cili ka shkruar një letër duke kopjuar shkrimin e Hakiut. Qëllimi ishte të futej sa më shumë huti në vrasjen e tij dhe që familja të përjetonte vuajtje sa më të mëdha dhe sa më gjatë.“192.

  1. Nën peshën e rëndë të vdekjes

“Të kredhur në dhembje vendosëm të angazhonim një avokat dhe të kërkonim sqarime të thukëta për fundin tragjik të Hakiut. Kontaktuam avokatin pejan, Adem Bajri, por ai, për shkaqe që nuk i dimë, na tha ta angazhonim Ibish Hotin. Kështu edhe vepruam.

Pas një muaji, Ibish Hoti na ftoi të shkonim në UDB, në Pejë. Shkuam Shefkiu dhe unë. Na drejtuan në një zyrë, ku kishin qenë 3 persona civilë, që nuk i kishim parë ndonjëherë. Në tavolinë ishte një dosje e trashë. U ulem dhe ata na thanë se mund ta shikonim dosjen, por se nuk kishim të drejtë as të merrnim shënime as ta fotokopjonim ndonjë faqe, ani se një fotokopjues ishte në zyrë.

Në dosje kishte fotografi të Hakiut të vdekur, letra dhe shënime të tijat dhe procesverbale të marrjes së tij në pyetje.

Krahas nënshkrimit të tij, në procesverbale ishin edhe emrat e dy oficerëve të KOS-it: Osman Xhenanoviq dhe Janko Kandriq.

Në procesverbale kishte pyetje që ia kishin bërë për gjoja takimet që paskësh pasur me dy persona të dënuar në dy procese të ndryshme politike që u mbajtën atëherë në Pejë dhe në Sarajevë dhe sqarimet e tij se fjala ishte për takime të rëndomta me të njohur ose me bashkëvendës. Natyrisht se kishte pasur edhe deklarata të personave të implikuar në këto procese…

Kishte kopje të letërkëmbimit me familjen, gjë që dëshmonte se ai ishte përcjellë në vazhdimësi, që nga dita kur kishte shkuar në ushtri…

Dy muaj pasi e vranë Hakiun, në muajin prill 1986, e morën ushtar vëllanë e dytë Shefkiun, i cili kishte dalë nga burgu.

Më 28 qershor 1986, mbi ne u përmbys gjëma tjetër: Babai ynë, Rexhepi që punonte në Shtutgart të Gjermanisë, vdiq nga infarkti. Vdekja e Hakiut qe e papërballueshme për të.

Tani si familje përballeshim edhe me probleme materiale. Për këtë qëllim vendosa t’ia rregulloja Hakiut dokumentacionin për pension, në mënyrë që gruaja dhe fëmijët e tij, Dardani e Ariani, të kishin të ardhurat minimale.

Për këtë qëllim shkova në Sarajevë, sepse më duhej certifikata e vdekjes që të mund të fillonte procedura e përcaktimit të pensionit, të paraparë me ligj.

Shkova në kazermën, ku kishte shërbyer dhe ku ia kishin marrë jetën vëllait tim. Oficerët më thanë se duhet të shkoja në zyrën e shërbimit civil, në Sarajevë, ku gjoja qenkësh regjistruar rasti i Hakiut. Shkova në Zyrën civile. Ata më thanë: “Ne nuk kemi as dokument e as haber për këtë punë”. Më kanë endur 4 ditë radhazi si topin e pingpongut sa në kazermë, sa në zyrën shërbimit civil.

Ditën e katërt, ushtarët më çuan në një zyrë, ku ishin dy oficerë. Ata më pyetën pse e kërkoja certifikatën dhe unë u tregova se po më duhej për rregullimin e pensionit për gruan dhe fëmijët e Hakiut.

Më në fund më thanë se do të ma jepnin certifikatën, por më kërcënuan se në asnjë mënyrë nuk guxoja ta përdorja këtë certifikatë për diçka tjetër.

Në certifikatë shkruante se ushtari Haki Rexhep Shatri, me 2 shkurt 1986, kishte vdekur në kazermën “Mareshali Tito”, në Sarajevë. Shkaku i vdekjes: vdekje natyrale!

Dy tre vjet më vonë policia na bastisi sërish. Pas bastisjes më dërguan në UDB, në Istog. Aty më mori në pyetje udbashi i njohur për të keq, Istref Sadikaj. Ai, posa shkova, filloi të më bërtiste e të më kërcënonte : ‘Do t’ju shkatërrojmë kudo që të jeni, në Kosovë, në Shqipëri, në Zvicër! Do t’jua bëjmë si ç’jua kemi bërë në ushtri! Do t’jua bëjmë edhe më zi! Se me kaq ju nuk mbusheni mend. Do ta merrni vesh mirë se kush është Jugosllavia!”193

  1. Ekzekutimi

“Dy javë pas fundit tragjik të Hakiut, më ka thirrur për bisedë informative në zyrën e tij përgjegjësi i sigurimit ushtarak, të cilit nuk ia kam ditur emrin, as atëherë dhe as sot (Nga përshkrimi që i bën dëshmitari del se fjala është për kolonelin Sava Kërneta, shef i KOS-it në kazermën e Sarajevës, v.a.).

Biseda ka filluar nëpërmjet disa pyetjeve të cilat mua më dukeshin krejtësisht të parëndësishme, por, qëllimi kishte qenë që të mjegullohej motivi i bisedës. Fillimisht, më ka pyetur se cili prej sporteve më pëlqente më së shumti, ndërsa përgjigjja ime ishte se më pëlqente futbolli. Pasoi pyetja tjetër se, cilin ekip futbolli e parapëlqeja më shumë, ndërkaq unë, pa menduar shumë, iu përgjigja se ekipi im i preferuar është “Partizani”. Pa vonuar, pasoi prej tij pyetja e dytë, se cilat ishin arsyet e preferencave të mia për këtë ekip, përgjigjja ime ishte se ky ishte një ekip shtetëror dhe se i kishte lojtarët më të mirë.

Pa vonuar shumë, oficeri i sigurimit më ndërpreu, duke më thënë se nuk ke qenë aspak i sinqertë, ngase e preferoj ekipin “Partizan” vetëm se aty luante edhe Fadil Vokrri, vendasi im. I zënë ngushtë, nën trysninë e një mimikërie krejtësisht çnjerëzore, si dhe në mungesë të përvojës dhe hapësirës së manovrimit, i thashë, po edhe ajo është njëra ndër arsyet e preferencave të mia.

Pastaj, biseda kaloi te nata tragjike, të cilën e shpjeguam më lart. Kjo bisedë zhvillohej nëpërmjet pyetjeve të një stili të prerë dhe gati urdhërues: ‘Cilat kanë qenë raportet tuaja me Hakiun; Çka di ti për familjen e tij, me kë ke biseduar në telefon atë natë kur ke dalë të blije ushqim për darkë; A ke ndonjë numër telefoni të familjes së Hakiut; Çka po bisedonin ushtarët lidhur me këtë çështje; A je i bindur se Hakiu ka bërë vetëvrasje? A ke dëgjuar ndonjë variant tjetër të kësaj ngjarjeje?’…, si dhe një sërë pyetjesh të tjera, të cilat tani nuk mund t’i kujtoj në hollësi.

Ndonëse përgjigjet e mia, në shumicën e pyetjeve, ishin mohuese dhe përpiqesha që t’i arsyetoja ato brenda mundësive që kisha, reagimet dhe mimikëria e oficerit të sigurimit linin përshtypjen se unë nuk arrija t’ia mbushja mendjen bashkëbiseduesit tim. Mbaj mend se, në bisedë e sipër, më ka pyetur edhe për gjendjen e mëparshme shëndetësore të Hakiut, prej çfarë sëmundjeje ankohej, duke u përpjekur që të krijonte tek unë një bindje kinse sëmundja dhe ‘problemet personale’ ishin arsyet që kishin ndikuar në ‘vetëvrasjen’ e tij.

Në përfundimin e bisedës, ai më tha edhe diçka, që më tepër ngjasonte si një vetëmburrjeje të shfrenuar për forcën që kishte shërbimi i tij djallëzor. Të gjitha këto ishin të përziera edhe me një formë kërcënimi, të cilin nuk mund ta harroj kurrë: ‘Jugosllavia është ndër shtetet më të forta të Evropës, andaj, hija e sigurimit të saj do t’ju ndjekë gjatë tërë jetës, kudo që të jeni dhe ngado që të shkoni’.

Më vonë kam dëgjuar se, pas meje, janë thirrur në biseda informative, një nga një, të gjithë ushtarët e togut, por ndonjë bisedë apo interpretim në mes ushtarëve lidhur me këtë ngjarje, të cilën përshkrova më lart, nuk e kam dëgjuar të ketë qarkulluar.“194 

“Në kohën kur ushtari Haki Shatri kryente shërbimin ushtarak në Sarajevë, oficerë të shërbimit sekret ushtarak ishin këta persona:

Sava Kërneta, i njohur si njëri prej komandantëve të policisë ushtarake i cili, më 1972, udhëhoqi Operacionin “Feniks” kundër diversantëve kroatë, me ç’rast ishte plagosur në fytyrë.

Në vitin 1986, nënkoloneli Kërneta ishte kryeshef i KOS-it në kazermën “Mareshali Tito”, në Sarajevë. Ndihmës të tij ishin: Zharko Derajiq, nënkolonel, Dragan Sallatiq, kapiten i klasës të parë, Bllagoje Billinac, Dragan Radosavleviq, Simo Radishiq, Batimir Vukadinoviq, Darko Vorkapiq, Millidrag Marinko, Dragan Slepçeviq, ? Millosheviq, Osman Xhenanoviq, Janko Kandriq…

Në të shumtën e herëve, Haki Shatrin e kanë marrë në pyetje Osman Xhenanoviq dhe Janko Kandriq.

Në rastin e Haki Shatrit kanë qenë të angazhuar edhe dy oficerë të KOS-it me kombësi shqiptare: X. A. në cilësinë e përkthyesit të materialeve dhe sidomos të bisedave të përgjuara dhe X. N., i ngarkuar sidomos për përcjelljen e Hakiut në Kosovë, kur ai kishte ardhur në “pushim shpërblyes”, (28. 12. 1985 – 5. 01. 1986). Kjo përcjellje është bërë në bashkëpunim me ekspoziturën e KOG-ut dhe me UDB-në në Pejë.

Objekti (Haki Shatri) fillon të punojë në Qendrën e rekrutimit. Aty përcillet pandërprerë: me kë rri, çka flet, si sillet, sa është serioz, çka i intereson më së shumti, komunikimi me familjen, raporti me eprorët, raporti me ushtarët. Ai vëzhgohej 24 orë në ditë.

Haki Shatri ishte ushtar i rregullt, respektonte rregullat në APJ dhe kishte sjellje shembullore. Në fund të vitit 1985 e lëshuan të shkonte në shtëpi. Ndërkohë, ishte përgatitur ekipi që do ta përcillte prej daljes nga kazerma, gjatë gjithë rrugës, pastaj në familje dhe kudo që shkonte. Në tesha të trupit i kishin vënë sensorët nëpërmjet të cilëve përcillej jo vetëm se ku shkonte, por edhe çka fliste dhe me kë fliste.

Qendra e përgjimit nga distanca ishte e vendosur në një kombi të tipit “Citroen”, ngjyra e bardhë, që lëvizte sipas nevojës nga Lagjja e Popoviqve në Gurrakoc, te Transformatori në Tomoc, që ishte dhe vazhdon të jetë përballë shtëpisë së familjes së Hakiut, apo në Serbobran, në oborrin e një familjeje serbe. Qëllimi ishte të dokumentohej veprimtaria e tij, të zbulohen kontaktet e tij në terren etj.

Gjatë përcjelljes sistematike është konstatuar se Hakiu kishte biseduar me familjen se kishte probleme me organet e shërbimit sekret (KOS-it ). Për gjendjen e tij ai, po ashtu kishte biseduar edhe me disa njerëz jashtë familjes, të cilëve u kishte treguar për marrjet në pyetje dhe keqtrajtimin.

Me t’u kthyer ekipi përcjellës në Sarajevë, i informon nivelet më të larta të Shërbimit sekret ushtarak (KOS-it dhe KOG-ut) për aktivitetin e vet, dhe më në fund në ato nivele merret vendimi për eliminimin e Haki Shatrit. Për këtë qëllim urdhërohet seksioni VI, i cili merrej me ekzekutimin e operacioneve speciale. Ky ishte një njësit i veçantë, për të cilin dinin vetëm strukturat më të larta të KOS-it. Forma e ekzekutimit ishte zgjedhur me varjen e viktimës.

Me pretekstin se gjoja oficeri i tij në kazermë nuk ishte aty, Haki Shatri nuk u lejua të dilte në kohë normale, më 1 shkurt 1986, por kanë pritur që ai të ndahej prej ushtarëve dhe të shkonte në dhomën e tij që jo rastësisht ishte e ndarë prej të tjerëve. Meqë ishte fundjavë, në ato lokale nuk ishte askush tjetër, pos Hakiut.

I ishte nënshkruar libreza dhe i ishte thënë “Vishu se do të dalësh menjëherë”. Ora ishte rreth 21:30. Ai ka kërkuar të shkonte dhe të përshëndetej me shokët e tij, por nuk e lënë me pretekstin se do të ikte treni i fundit.

Hakiu veshi rrobat civile dhe doli nga Qendra e rekrutimit dhe shkoi në drejtim të stacionit të autobusit, të cilin nga Qendra e ndante vetëm një rrugë.

Posa doli në rrugë, policia ushtarake inskenoi një kontroll. E morën gjoja për t’ia kontrolluar gjërat që kishte më vete dhe e dërguan në komandën e Armatës VII, ku ishte edhe qendra e KOS-it. Në orët e vona të natës, e dërguan në Qendrën e rekrutimit dhe aty e ekzekutuan vendimin për varjen e tij.

Ekipi i cili kishte planifikuar ekzekutimin e Haki Shatrit ka qenë i përbërë nga koloneli Aleksandar – Aca Vasileviq, në atë kohë, kryeshef i KOS-it në Armatën e Shtatë, zëvendësi i tij Fikret Muslimoviq dhe nënkolonelët Aca Tomanov, Dobrivoje Petkoviq dhe Sava Kërneta. Natyrisht se ky krim është kryer me urdhër dhe nën përkujdesjen e kryeshefit të Shërbimeve sekrete ushtarake, në Beograd.

Në fatin e Haki Shatrit një rol kyç ka luajtur edhe Sllavolub Bellosheviq – Beli, kolonel i KOS-it (nga Cerkolezi, fshat i Komunës së Istogut), por edhe djali i tij Mirosllavi, gjithashtu oficer i KOS-it në Armatën e Shtatë.

Pas këtij krimi Aleksandar Vasileviq është emëruar kryeshef i Drejtorisë së kundërzbulimit, njërës prej dy strukturave themelore të Shërbimit sekret ushtarak jugosllav të kohës.

Ndërsa Fikret Muslimoviq është emëruar kryeshef i KOG-ut të Armatës së Shtatë.

Siç dihet, një vit e gjysmë më vonë Aleksandër Vasileviq organizoi dhe ekzekutoi masakrën e njohur të Paraqinit.

Vendimi për ekzekutimin e Haki Shatrit, kishte tri objektiva themelore:
- Mospranimin e tij kategorik që të bashkëpunonte me KOS-in;
- Acarimin e gjendjes në Kosovë, sepse ekzistonte bindja se njerëzit që ai njihte apo që i kishte të afërm do të ndërmerrnin akte terroriste kundër ushtrisë dhe kjo do t’ia mundësonte krahut serb të saj që të bënte agresion të hapur e të përgjakshëm në Kosovë;

– Ndëshkimin e një familjeje, që njihej gjithandej për veprime dhe qëndrime konstante kundër shtetit.“195

Fusnotat

135 Arben Jakupi, Intervistë dhënë autorëve, korrik 2010.

136 Muhamet Januzaj, Intervistë dhënë autorëve, nëntor 2010.

137 Nëna e Hakiut, Intervistë, dhënë autorëve, qershor 2010.

138 Nezir Lushaj, Intervistë dhënë autorëve, dhjetor 2010.

139 Adem Shala, Intervistë dhënë autorëve, dhjetor 2010.

140 Dr. Selman Berisha, Intervistë dhënë autorëve .

141 Arben Jakupi, Intervistë dhënë autorëve, korrik 2010.

142 Nazmi Shatri, intervistë dhënë autorëve, nëntor 2010.

143 Fazli Ferati, Intervistë dhënë autorëve, gusht 2010.

144 Januz Shatri, intervistë dhënë autorëve, dhjetor 2010.

145 Fazli Ferati, aty.

146 Emine Bujupi-Shatri, intervistë dhënë autorëve, verë 2010.

147 Xhafer Shatri, “Ditar mërgimi”, shkrim i pabotuar.

148 Januz Shatri, po aty.

149 Hysni Shatri: Intervistë dhënë autorëve, dhjetor 2010.

150 Januz Shatri, po aty.

151 Hysni Shatri, po aty.

152 Emine Bujupi-Shatri, po aty.

153 Dr. Afrim Cana, intervistë dhënë autorëve, dhjetor 2010.

154 Selim Dobra, intervistë dhënë autorëve, dhjetor 2010.

155 Afrim Cana, Po aty.

156 Dr. Nejazi Luma, intervistë dhënë autorëve, gusht 2010.

157 FR-PS, intervistë dhënë autorëve, maj e tetor 2010

158 Procesverbal i mbajtur në lokalet e Shërbimit sekret, janar, shkurt 1986

159 Nëna dhe Gruaja e Hakiut, Po aty.

160 Nagip Shatri, intervistë dhënë autorëve, dhjetor 2010.

161 Xhemail Shatri, intervistë dhënë autorëve, prill 2010.

162 Fazli Ferati, Po aty.

163 Nëna dhe Gruaja e Hakiut, përmbledhje e intervistës.

164 Reshat Terziu, intervistë dhënë autorëve, shkurt 2010.

165 Januz Shatri, Po aty.

166 Reshat Tërziu, intervistë dhënë autorëve, prill 2010.

167 Arben Jakupi, Po aty.

168 Dr. Sadik Bujupi, intervistë dhënë autorëve, shtator 2010.

169 Beqir Bujupi, intervistë dhënë autorëve, shtator 2010.

170 Xhemajl Shatri, Po aty.

171 Fazli Ferati, aty.

172 Metë Shatri, plotësim kujtimesh.

173 Nezir Lushaj, Po aty.

174 Selman Berisha, aty.

175 Xhafer Shatri, Po aty.

176 Hysni Shatri, intervistë dhënë autorëve, dhjetor 2010

177 Rasim Shatri, intervistë dhënë autorëve, shtator 2010.

178 Nëna e Hakiut,

179 Gruaja e Hakiut,

180 Hysni Shatri, Po aty.

181 Dëshmi e Januz Sadri Shatrit (1938-1991), e dhënë në Gjenevë, më 19 shtator 1989 dhe 8 korrik 1990…

182 Hysni Shatri, aty.

183 Rasim Shatri, aty.

184 Ismet Shatri, intervistë dhënë autorëve, dhjetor 2010.

185 Nebih Shatri, intervistë dhënë autorëve, dhjetor 2010.

186 Gruaja e Hakiut, Po aty.

187 Nebih Shatri, intervistë dhënë autorëve, dhjetor 2010.

188 Hysni Shatri, Po aty.

189 Xhemail Shatri, Po aty.

190 Dr. Afrim Cana, Po aty.

191 Dr. Nejazi Luma, aty.

192 FR – PS, intervistë dhënë autorëve, maj e tetor 2010.

193 Hysni Shatri, aty.

194 Reshat Tërziu, aty.

195 Xhafer Shatri, aty.

196 Të dhënat për këto organizata janë marrë nga shumë burime. Çedomir Antiq, “Istorija Srbije”, Beograd 2004, http://sr.wikipedia.org/sr; Dejvid Mekenzi, Kruna srpske diplomatije (NIN, 16/06/05), Vojni Leksikon, Vojnoizdavački Zavod, 1981 etj…

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*