Në kthetrat e Prontomafisë (5)

Shkruan:
Xhafer Shatri

Gjykata vend për shfaqje teatrale të dëshmitarëve të rrejshëm

Një ndër skenat më të shëmtuara në Kosovën e pasluftës pa dyshim ishte ajo kur para Gjykatës për krime të rënda që po mbahet prej më shumë se një viti kundër të ashtuquajturit grup “Syri i popullit“, defiluan shtatmadhoria e Prontomafisë. Ishte e neveritshme si pamje dhe e gërditshme deri në vjellje si përmbajtje. Sepse njerëz të veshur me pushtet absolut vërsuleshin si çakajt mbi të burgosur  duarlidhur. Ishte një pamje neronike që, pas Kaligulës, nuk e ka bërë asnjë tiran, as Stalini, as Hitleri, as Tito, as Enveri dhe as Millosheviqi.

I përkujtoj lexuesit të këtyre rreshtave se, në dheun e shqiptarëve, qeni sojnik kurrë nuk e sulmon qenin e lidhur me zingjir. Qenin që e then këtë rregull barinjtë nuk e mbajnë as një ditë… Mund të thuhet prandaj se krye“dëshmitarët“ në procesin gjyqësor “Syri i popullit“, nuk dëshmuan asgjë tjetër, pos që janë tipa të zhveshur nga çdo virtyt, vetje që nuk respektojnë madje as kodin moral të qenëve.

Dhe nuk ishte e rastit, sepse dosja për të cilën Thaçi e C° shpresonin se do t’ua shlironte sadopak lakun e presionit të Gjykatës Speciale, vetëvetiu u shkërmoq si kështjellë prej letre. Është një dosje bosh, e stisur nga budallenj që me komplote kësisoji, kanë uzurpuar poste të larta shtetërore dhe besojnë se pushteti i tyre është i përjetshëm. Dhe mu ky fakt i detyroi të dalin për fushë dhe ta nxjerrin para publikut fundin e qelbur të barkut.

Shfaqja e tyre teatrale në gjykatore në fakt ishte përpjekja e fundit për të mbuluar një maskaradë gjyqësore. Sepse e panë se do të komprometohen shumë keq, prandaj përdorën kartën e fundit, të dalin vetë para gjykatës, duke besuar se me peshën e funksioneve shtetërore do të ndikojnë te Gjykata që ajo ta marrë si të mirëqenë skenarin e tyre shtetrrënues. Me këtë gjest burracakësh, ata i kanë bërë një shërbim të madh Gjykatës, por sidomos opinionit, sepse e kanë zbuluar faqe krejt botës se ky është proces gjyqësor i kurdisur fillim e mbarim.

Dhe se motivi themelor i krejt kësaj procedure ishte që të fitohet përshtypja se në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës ekzistonte një strukturë e tërë, e përbërë nga ekstremistë të pandreqshëm, të cilët, në mënyrë të organizuar, kishin kryer krime gjatë dhe pas Luftës. Krimet për të cilat është formuar Gjykata speciale. Dhe se me këto krime, siç e kam thënë me herët në këtë analizë, subjektet e kësaj Gjykate, Hashim Thaçi e C°, gjoja nuk kanë asnjë lidhje.

Siç ndodhë zakonisht në jetë, kur rrenci përpiqet ta fshehë rrenën, kur vrasësi përpiqet t’i fshehë gjurmët e krimit, kur hajni përpiqet ta fshehë hajninë, ai pikërisht atëherë zbulohet më së lehti. Si duket kjo është një nga ato rregullat e pashkruara të luftës së përjetshme në mes të Mirës dhe të Keqes.

1. Kur “dëshmitarët“ e pafytyrë kthehen në prokurorë

Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe dëshmitar quhet “ai që është i pranishëm në një ngjarje dhe sheh me sytë e vetë atë që ndodh ose që dëgjon atë që thuhet… ; Ai që bën një pohim me shkrim ose me gojë për të vërtetuar diçka të mirëqenë; ai që thirret për të dëshmuar para organeve të drejtësisë për diçka që e di, që e ka parë ose e ka dëgjuar vetë….“ 1

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Elmi Reçica, Adem Grabovci etj. të ftuar si dëshmitarë të prokurorit, dolën para Trupit gjykues në dy cilësi, si dëshmitarë dhe si palë e dëmtuar. Në fakt ata nuk duhej të ishin aty fare, sepse me asnjë kriter dhe me asgjë që e përthekon mendja e shëndoshë nuk përfaqësonin rolin që u ishte dhënë. Ata as nuk kishin parë me sytë e tyre e as nuk kishin dëgjuar me veshët e tyre çfarëdo qoftë prove konkrete dhe të prekshme lidhur me këtë dosje penale. Për më keq, ata ishin privilegjuar nga Prokurori special, dhe çudi pse nuk i kishin marrë më vete edhe kolltuqet nga zyra për të impresionuar më tepër Gjykatën.

Në listën e “Syrit të Shikut“, siç e kam thënë me një rast, edhe emri im zë një vend të nderit, shumë më lartë se të sipërmendurit. Unë jam i katërti pas Ibrahim Rugovës që i prin listës ani se i vdekur! Ndërsa Thaçi e C°, jo rastësisht janë shumë më poshtë! Prandaj është dashur të më thërrasin edhe mua në të dyja cilësitë, por, sipas kritereve të Sylë Hoxhës, ka qytetarë që nuk guxon kush me i kqyr me sy dhe të tjerë, “raja“ që edhe m’iu ra kobure nuk është fort problem.

Çështjen e dëshmitarëve koti e kanë shtruar vazhdimisht avokatët e sidomos Ramiz Krasniqi, i cili përsëriti : “se Ligji është shumë i qartë, dëshmitarët ftohen vetëm për gjerat që i kanë ditur ose për gjerat që i kanë parë dhe asnjëra nga këto sipas dëshmitares nuk qëndron. Jam i bindur se prokurori me dëshmitarë të tillë ketë aktakuzë të pa bazuar po e mbështet vetëm në emra.“* 2

Në këtë rast duhet nënvizuar edhe dy gjëra që janë fort domethënëse në këtë dosje:

Së pari, Murat Jashari, është mbrojtur me heshtje dhe, rrjedhimisht, ky për Sylë Hoxhën është një i akuzuar ideal, ngarkoja të gjitha të zezat dhe rrenat e kësaj bote dhe ky nuk bën as gek as mek. Kjo formë mbrotjeje me heshtje është një problem serioz për avokaten e tij, por edhe për të bashkëakuzuarit.

Së dyti, Murat Jashari e ka çelë gojën vetëm atëherë kur është parë se regjisorët e kësaj dosjeje janë dalë krejt meç dhe duan t’i marrin krejt dynjanë për budallë: Ai, gjatë gjykimit, e ka thënë disa herë një të vërtetë që jo vetëm opinioni, por sidomos Trupi gjykues duhet ta marrë tepër seriozisht, sepse prek thelbin e kësaj dosjeje të kurdisur. Gjithashtu, do të ishte mirë që sidomos Fatmir Limaj, në postin që mban, të mendoj thellë për këtë që e tha Murat Jashari para Gjykatës dhe para atij vetë:

…kërkoj nga ju gjyqtare qe ta pyesni prokurorinë se pse i ka thirre këta njerëz me i marre ne pyetje. Pse e keni thirre Fatmir Limaj se ky ka pune tjera e unë e kam mik shpije nga viti 1997, e kanë shtirë në liste edhe Fahri Musliun i kane fry listat e mia (duke i futur në listë) Albulena Haxhiu, Berat Buzhala, Halil Matoshi, Fatmir Lima për çka me i ftuar këta kur nuk kanë qene ne listën që unë e kam formuluar në vitin 2015 edhe në listë thanë ka qene edhe Ibrahim Rugova qysh e di unë ai ka vdekur më 21 janar të vitit 2006 e unë listën e kamë bërë ne vitin 2015. 3

Këto fjalë i shqipton njeriu që e pranon pa asnjë ekuivok: unë e kam plagosur Azem Vllasin dhe unë, e askush tjetër, mbaj përjegjësi për këtë. Por ai edhe nën efektin shkatërrues të ilaçeve për qetësim arrin ta thotë të vërtetën se ai nuk është autor i listave që kërcënojnë gjysmën e Kosovës përfshi edhe Ibrahim Rugovën e vdekur, por dikush tjetër që ka nevojë të shesë mjegull. Për këto trillime diabolike, Murat Jashari kërkon sqarime nga Prokurori special. Të mos japësh sqarime shterruese për këtë fakta është një akt i dënueshëm penal dhe moral.

Gjatë parakalimit të “dëshmitarëve“ të privilegjuar, doli në pah edhe një fakt tjetër që flet shumë për këtë procedurë dhe që do të duhej ta shqetësonte seriozisht  çdo qytetar të Kosovës: “Dëshmitarët“ vipa, pothuajse të gjithë dëshmitë e tyre për këtë dosje nuk i kishin dhënë aty, ku është vendi, pra në zyrën e policisë, por hetuesit e policisë kishin shkuar nëpër shtëpitë private ose në zyrat e institucioneve ku punojnë vipat… Por kjo nuk është më e zeza, sepse vipat, siç po shihet, jo vetëm i kanë orientuar hetimet, por në gjykatë dalin nga roli i dëshmitarëve dhe kthehen në prokurorë duke shqiptuar akuza të rrejshme që po të ktheheshin në Pinochio do ta shponin edhe tokën me hundë:

A. Adem Grabovci

Mohon se në LPK kishte përplasje të mëdha gjatë dhe pas Luftës. Kjo nuk është e saktë, sepse të thuash ashtu është si përpjekja për ta mbuluar mullarin me kapuç. Fundja, të gjithë e dijnë se pikërisht në këto përplasje e kanë burimin letrat e Murat Jasharit, por edhe krimet e shumta që kanë ndodhur gjatë dhe pas Luftës, e për të cilat është themeluar një Gjykatë speciale.

Për këtë çështje janë hapur shumë plagë e varre, janë bërë dëme kolosole; ndërsa tani së fundi, falë dosjeve për ato faqe të zeza, po cënohet seriozisht edhe integriteti territorial i vendit.

B. Elmi Reçica

Në pyetjen e avokatit se a njeh të akuzuarin Bexhet Luzha vip“dëshmitari“ thotë pa një pa dy: Jo.

E vërteta është krejt ndryshe. Reçica e njeh shuuumë mirë Bexhetin, sepse, përmes supeve të tij, kanë mbijetuar politikisht dhe janë ngritur aty ku janë, së pari ai vetë e pastaj kollan kusuri: Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli etj.; Reçica me shokë e kanë përdorë dhe keqpërdorë shumanshëm Bexhet Luzhën, përndryshe një idealist par excellence. Për të qenë më i saktë, Reçica ka filluar ta keqpërdorë Bexhetin që nga viti 1984, kur personalisht, me intriga të UDB-së, ka shkaktuar njërën prej përçarjeve më të mëdha në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës, dhe nuk i është bërë boll sepse, edhe  tash, madje në moshë të shtyer, e implikon Bexhetin dhe gruan e tij në një procedurë të kurdisur gjyqësore.

Në pyetjen e avokates së Murat Jasharit: A mundesh me na tregu a e keni lexuar librin e Murat Jasharit “Lufta e pambaruar”?

Reçica: “Të kujt ati që ja ka vene emrin e Muratit, se gjoja ky e ka shkruar ketë libër apo te autorit që e ka shkruar këtë libër, te kujt e ke fjalën?“ 4

Kjo nuk është dëshmi. Kjo është akuzë e përgjithësuar për të arsyetuar ekzistencën e sajesës “Syri i popullit“ dhe për të stërpikur me dyshime të pista një botë të tërë.

Atëherë për një libër që nuk e ke lexuar si mund të shfaqësh çfarëdo ideje ose dyshimi? Në këtë rast, një dëshmitar i mirëfilltë do të thoshte: këtë libër nuk e kam lexuar dhe nuk mund të them asgjë për të, ose të kundërtën, e kam lexuar dhe jam i bindur se librin nuk e ka shkruar Murat Jashari, por, ta zëmë, filan fisteku…

Trupi gjykues, po të ishte në nivelin e detyrës, do të duhej ta pyeste Sylë Hoxhën: pse na e ke sjellë këtu këtë prodhues të mjegullës?

C. Xhavit Haliti

Në pyetjen e të akuzuarit Sadri Ramabaja se kush ia ka shkruar Murat Jasharit letrat, tashmë pjesë të historisë, Halitaj përgjigjet:

“Nuk e di kush ja ka përgatit pyetjet Muratit. Ti duhesh me ditë më mirë sepse ti ke qenë në frekuenca të njëjta me të, i kam lexuar shumë mirë publikimet e tua.“ 5

Po çka nëse i ke lexuar shkrimet publike te Sadri Ramabajës? A është dëshmi kjo? A mos keni pritur që njerëzit e penës t’ju këndojnë këngë me lahutë për paudhësitë tuaja? Kjo është dëshmi se këta vipë“dëshmitarë“ i ka braktisur kaherë çdo ndjenjë realizmi e njerëzillëku.

Në pyetjen e Trupit gjykues se a ka ndonjë pyetje për dëshmitarin, Murat Jashari, pasi zgjohet nga kllapia e ilaçeve, thotë: “unë e kam pyetur Xhavit Halitin, kur ja kam dërguar letrat me pyetje.“

Mirëpo nënkryetari i Kuvendit, i njohur për gjakftohtësi absolute, kësaj radhe ra keq në provim, sepse në vend se të përgjigjej shkurt e pa keqdashje u lëshua në gjëra që nuk e nderojnë, sepse nuk është kurrëfarë trimnie me e fy një njeri me pranga në duar. Për këtë reagoi, siç i kishte hije, avokati Ramiz Krasniqi: “… kur dëshmitari Xhavit Haliti, përfundon me marrje në pytje, duke u larguar nga foltorja, i drejtohet Sadri Ramabajes me fjalë dhe me dorë, “Unë ta njof edhe gruan tane”. Këtë e tha publikish ku e kemi dëgjuar të gjithë. Pse kërkoj që kjo të gjendet në procesverbal. Sepse kjo flet për kredibilitetin e këtij dëshmitari. Kjo flet për urrejtjen e madhe që ky dëshmitar ka ndaj Sadri Ramabajes. Kjo flet se ky dëshmitar ka ardhur në këtë gjykatë, jo të flasë të vërtetën, por ta shtrembërojë atë aq sa është e mundur dhe aq sa gjykata i jep mundësi. Dhe dihet se këtë mundësi gjykata ia ofroj me të dy duart.“ 6

Avokati gjithashtu e shtron edhe një çështje tjetër domethënëse lidhur me ecurinë e gjykimit: “A mund ta di pse ne i marrim me kaq vonesë procesverbalet e seancave gjyqësore. Si është e mundur që këtë procesvebal të seancës së dt. 10. 12. 2018 ta marr me dt. 15. 01 .2018?“ 7

D. Kadri Veseli

Dëshmia e këtij “vipi“ fillon me pyetjen e parë rrëshqanore të Prokurorit, thua se është në një syneti e jo në Gjykatë, ku çdo gjë duhet të jetë e qartë, konkrete e me dinjitet:

Ju, a jeni në dijeni se Organizata Kriminale “Syri i Popullit”, juve ju ka shpall tradhtarë të vendit, duke pasur parasysh faktet se ju jeni veprimtarë i më hershëm i çështjes kombëtare, si ish ushtar i UÇK-së por edhe si themelues i Institucioneve të vendit. Pyetja ime është cili është mendimi juaj për këtë?“ 8

Dhe tani priteni përgjigjen orgazmike të “themeluesit të institucioneve“:

“E nderuara gjykatë, para së gjithash unë jam qytetar i lirë i vendit tim dhe jam krenar për këtë. Askush në Kosovën tonë nuk guxon me cilësua e aq më pak nuk ka të drejtë ta shpall dikë tradhtarë. Si pjesëtar i UÇK-së, shtoj se disa kanë luftuar me pushkë e disa na kanë sjell ujë dhe bukë dhe na kanë mbajt neve gjallë dhe ne ushtarët jemi falënderues për këtë, dhe ata që na kanë ofruar strehim janë vetë populli dhe për këtë gjithsesi se përkulemi dhe jemi falënderues. Se organizata “Syri i Popullit” është plehu i kombit dhe të gjithë ata që janë anëtar të kësaj organizate po e përsëris janë plehu i kombit, ata janë pjesë e strukturave politike të Serbisë dhe argat i tyre. Ata nuk kanë guxim me dalë përballë dhe unë i sfidoj, sepse këta s’kanë burrni e as fytyrë e as moral, janë dhunues…“ 9

Ky që flet kështu duke bërë me duar e me gishtin kërcënues drejt të të akuzuarve, ky që shet trimni e çallëm para njerëzve të burgosur, ky që flet me kaq egërsi e me fjalor rruge në Gjykatë, ky që lë prokurorin krejt në hije me akuzat e veta qesharake e pa asnjë argument, është kryetar i Kuvendit të Kosovës, prej të cilit, më shumë se prej askujt tjetër, kërkohet gjakftohtësi, maturi, realizëm e dinjitet.

Mjafton kjo sjellje prej mujshari, ky fjalor rruge për t’u bindur, duke kapur kokën, se në duart të kujt ndodhet sot Kosova!

Pyetja vijuese e Prokurorit: “Sipas jush, pse kjo organizatë ju ka listuar në listën për ekzekutim?“

Pergjigjja: “Unë them shyqyr që jam në këtë listën për me u vra e nuk jam në listën e faqezive. E këtu edhe një fakt dua ta potencoj publikisht, se kur institucionet tona më kanë paralajmëruar, unë kurrë nuk kisha besua. I quaj faqezi sepse nuk kanë fytyrë për të dal ballë për ballë dhe janë këta që vënë dorë ndaj shqiptarëve dhe veçmas pas 12 qershorit të vitit 1999 prandaj edhe i quaj kështu.“ 10

Pyetje: “Si po e vlerësoni ju këtë?“

Pergjigje: “Me pase burrni këta kishin dal, s’ka burrni e patriot që vret pas shpine që dhunon mashkull. Si pjesëtarë të UÇK-së, jemi para sfidës së Gjykatës Speciale, dhe i kemi dale përballë edhe kësaj gjykate Ne ja kemi këput rrënjët Serbisë kemi bere lufte te pastër çlirimtare, andaj edhe jemi te gatshëm për tu sfiduar sa here qe na kërkohet. Nëse shteti nuk vepron, kriminel të tillë do ta marrin në dorë për të keq këtë vend, dhe tash duhet me dal një ushtri tjetër për me i luftua këta, dhe s’duhet me u tut krimi duhet luftuar.“ 11

42 vjet më parë, në dhjetor të vitit 1975, në prag të dënimit të mbi 100 shqiptarëve, në disa procese politike të kurdisura, përfshi edhe Adem Demaçin, kryepushtetari i Kosovës së atëhershme, Fadil Hoxha doli në medie, por jo në Gjykatë si Kadri Veseli, dhe u shpreh me të njëjtin fjalor: ”…Sa pretendentë e të pafytyrë! Hiç më pak se mbrojtës të interesave të popullit shqiptar, e këndej as katundi i vet, as lagjja e vet nuk i njeh, veç për të keq e hajni”. 12

Pyetja e radhës e Prokurorit: “A i bashkëngjitesh ndjekjes penale në këtë çështje?“

Pergjigje: Po gjithsesi i bashkangjitem ndjekjes penale si kur që dhe kërkoj që të vihet në vend drejtësia pasi që tani më i kemi organet e pavarura gjyqësore dhe çdo kush që bie ndesh me ligjin duhet ta merr dënimin e merituar.“ 13

Fjalori denigrues i Kryetarit të Kuvendit, i detyroi të akuzuarit të protestojnë, madje ndonjëri edhe duke i rënë tavolinës me grushte. Njëri prej tyre, Avni Llumnica, tha shkurt e trup: “Prej sot nuk të njoh si Kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës!“

Disa të akuzuar të tjerë kërkuan kërkimfalje për fyerjen “çfarë nuk ma ka bërë kurrë dikush në jetën time“… Agresiviteti i Veselit shkaktoi tollovi në sallë saqë Gjykata urdhëroi sigurimin e sallës të intervenojë.


Pas Prokurorit, radha u erdhi avokatëve. Mbrojtësi i të akuzuarit Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi iu drejtua dëshmitarit me pyetje:

“Ju thatë e njihni klientin tim se ai merret me shkrime dhe shkruan libra… në shkrimet e Sadri Ramabajës a është përmendur emri juaj?“

Pergjigje: “Po, ashtu thash dhe arsyeja që e thash këtë është se Murati nuk din me shkrua, Sadriu ja ka shkrua ato pyetje të adresuara për Ne përfaqësuesit e shtetit dhe tani siç edhe dihet Sadri Ramabaja është recident i librave gjeja te shkruara nga Murati në këtë situatë vetë Murat Jashari është manipuluar se ai nuk din të shkruaj një libër e që e vërteta është se këtë libër e ka shkruar pikërisht Sadri Ramabaja.“

Pyetje: “Ku e keni burimin, kur thoni se ato shkrime i ka shkruar Sadri Ramabaja?“

Pergjigje: “Sadri Ramabaja, i ka shkruar edhe ato pyetje edhe atë libër në emër të Murat Jasharit. Këtë e them me shumë përgjegjësi, pasi që Sadri Ramabaja vjen nga Vetëvendosja dhe aty e kanë burimin edhe këto shkrime edhe këto libra dhe me një fjalë këta të “Syrit të Popullit” janë krahu i armatosur i Vetëvendosjes.14

Ky i ashtuquajtur “themelues i institucioneve“, në fakt ky rrënues dhe shkallmues i tyre, harron se ndodhet para Gjykatës, harron se dëshmitari nuk guxon me rrejt, harron se fajësia e dikujt përcaktohet jo përmes tiradash shizofrenike të një pushtetari të pafytyrë, por përmes provave konkrete dhe një procesi gjyqësor të paanshëm dhe cilido apo cilado mund të quhet fajtor vetëm pasi procedura gjyqësore që shpall atë fajtor merr formën e plotfuqishme. Por “Luli“ i vocërr nuk merr vesh në këto gjëra, sepse duke u sjellur jo si në Gjykatë por si në pazar, ai shkoi edhe më larg, kur iu vërsul të akuzuarve edhe fizikisht  dhe njërit prej tyre iu drejtua me shprehje rrugaçi: po ti qenke alamet mashkull!

Vlen të theksohet se Murat Jashari, ani se i sëmurë rëndë, megjithatë edhe para Gjykatës, ia uli kaçurotën Kadri Zezës, kur e dëshmoi konkretisht autorësinë e letrave të tij pa zarf, duke ia përseritur edhe njëherë, kësaj radhe në sy dhe para Trupit gjykues: me datën 17 janar 2000, kam qenë në zyrën tënde në Shik, dhe të kam dëgjuar kur flisje me dikënd në telefon dhe i përmende se i keni zënë 20 maune me naftë dhe the se kemi fituar dhe “Bac edhe për ty del diçka…“ 15

Për shkak të sjelljes skandaloze të vip“dëshmitarit“, avokati Ramiz Krasniqi u detyrua të reagojë:

“Kam disa propozime dhe vërejtje e ato janë:

Së pari, kërkoj nga ky trup gjykues të përpilojë një shënim zyrtar për sjelljet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe të njofton Kuvendin e Kosovës lidhur me këto sjellje;

Së dyti, kërkoj që të njoftohet edhe Ambasada Amerikane si dhe Avokati i Popullit dhe KLDMNJ-ja për këto sjellje;

Së treti, pasi ta pranoj procesverbalin e këtij shqyrtimi gjyqësor, ju njoftoj se do të shtroj kallëxim penal kundër Kadri Veselit.“ 16

Kur jemi te vip“dëshmitarët“, duhet nënvizuar se pati mes tyre edhe të tillë që në gjykatore u sollën me dinjitet e korrektësi, konkretisht Hajredin Kuqi po edhe Fatmir Limaj.

2. Harbimi palaçor i Kryetarit të shtetit në gjykatore

Që në fillim me marrjen në pyetje të Hashim Thaçit, kryetarja e Trupit gjykues, nuk i bëri ballë inercionit për ta trajtuar edhe këtë vip“dëshmitar“ si çdo qytetar tjetër, por i drejtohet atij me shprehje që nuk përkonte me rolin e saj:  “Shkelqësia Juaj, jam e nderuar që ju do të dëshmoni para meje.“

Por, jam krejt i sigurt se me kohën ajo dhe ata që i kishte përanash do ta kenë kuptuar se nuk kanë të bëjnë me kurrëfarë shkelqësie por me një rrufjan të pashoq.

Prokurori: A e njihni të akuzuarin Sadri Ramabajën?

Hashim Thaçi: Po.

Prokurori: A keni pasur mosmarrëveshje verbale me të?

Hashim Thaçi: Nga ana ime jo, por nga shkrimet e tij ai ka pasë një pozicion armiqësor ndaj meje.

Prokurori: “Murat Jashari ka adresuar për Ju si personalitet i lart i Republikës së Kosovës disa pyetje në formë të shkruar përmes mediave elektronike dhe përmes gazetave ditore, pyetja ime është Ju a jeni përgjigjur në këto pyetje?“

Hashim Thaçi: “Këtyre pyetjeve nuk e kam pa të udhës t’i përgjigjem nga se prej miqve të afërm të vete Murat Jasharit kam kuptuar se ai nuk din me shkruar dhe se këto shkrime i ka shkruar ne emër të Murat Jasharit vetë Sadri Ramabaja.“ 17

Prokurori: “Përveç këtyre pyetjeve Murat Jashari ka shkruar edhe librin “Lufta e Pambaruar” që flet edhe për hakmarrje ndaj jush si pjesëtar të lartë të Institucioneve të Republikës së Kosovës Pyetja ime është se çfarë keni të thoni për ketë?“

Hashim Thaçi: “Shkrimet e Murat Jasharit kanë qene të orkestruara nga Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja.“ 18

Prokurori: “Organizata kriminale “Syri i Popullit” e ka përpiluar edhe Programin e veprimit të ashtuquajtur “Projekt Promemorie” dhe nga aty shihet se cili ishte qëllimi i kësaj Organizate se do të zbresin në Kosovë disa Avni Rrustema dhe ka për qellim hakmarrjen ndaj figurave dhe personaliteteve me të larta shtetërore kinse kanë tradhtuar vendin pyetja ime është, Cili është mendimi juaj për këtë rrethanë?“ 19

Hashim Thaçi: “Unë si President duhet të informohem për të gjitha gjërat në vend e aq më shumë ato që kanë të bëjnë me Ruajtjen e Rendit Shtetëror. Andaj pikërisht edhe nga këto organe jam vene në dijeni se tani me Organizate Kriminale “Syri i Popullit” kishte marre veprime qe cenonin Rendin Kushtetues të vendit sikur që nga organet shtetërore të sigurisë jam informuar se pas kësaj ndërmarrje vrasëse qëndron Sadri Ramabaja, pjesëtari i familjes se tij Glauk Konjufca dhe Albin Kurti.“ 20

Prokurori: “Organizata Kriminale “Syri i Popullit” përveç personaliteteve tjera edhe juve ju ka akuzuar për tradhti ndaj vendit?“

Hashim Thaçi: “Unë në angazhimet e mia respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe askush nuk ka të drejtë të merr në dorë rendin dhe ligjin dhe të bëj vlerësime se dikush është tradhtar apo jo. Për mua nuk ka qenë shqetësuese vlerësimi, por ka qenë kërcënimi por Paralajmërimi për vrasje. Jo vetëm ndaj meje si President i vendit por edhe nga të tjerëve bartës të shkëlqyer të institucioneve shtetërore në Republikën e Kosovës ku sipas kësaj Liste që e kemi këtu e që është siguruar nga Institucionet e Kosovës, e të lëshuar nga Shtabi i kësaj organizate kriminale sipas se cilës kanë shpall Tradhtar: Ibrahim Rugovën, Bujar Bukoshin, Isa Mustafën, siç edhe e dimë te gjithë e kanë kanosur e kanë sulmua i kanë vere prita, si dhe e kanë sulmuar edhe familjen e tij kanë shkuar te shtëpia e tij ne fshat e kjo ka ndodhe në kohen kur Isa Mustafa ishte Kryeministër i Republikës te Kosovës. Kjo listë vazhdon më kërcënime ndaj Xhafer Shatrit, Halil Bicajt Azem Vllasit ndaj të cilit edhe ndodhi atentatit, Kaçusha Jasharit, Asllan Sllamniku. Pastaj sipas kësaj liste është shpall Tradhtar edhe Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi, Nexhat Daci, Kolë Berisha, Bajram Kosumi, Veton Surroi, Blerim Shala dhe Agim Çeku.“ 21

Prokurori: “Ku e bazoni ketë pjesë të dëshmisë tuaj Ju personalisht a keni informacion se ishit listuar për tu vrarë?“

Hashim Thaçi: “Po nëse më lejohet do theksoj se ku e bazoj dëshminë time se burimi i informacionit tim janë fjalët e vet organizatorëve të kësaj organizate vrasëse Ishim në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës të Kosovës në salle të Kuvendit në pritje të hapjes të një seancës të Kuvendit ku me veshte e mi i kam dëgjuar fjalët e Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës  që kanë thënë “Se do ti vrasim këta njerëz sepse e meritojnë me i vra.”“ 22

Në këtë rast pyetja logjike e prokurorit do të duhej të ishte: a ka pasur edhe persona të tjerë që e kanë dëgjuar këtë kërcënim? Por jo, pyetja e tij lakohet në harkun që çon te kamuflimi i të vërtetës.

Prokurori: “Na tregoni se a ndiheni i dëmtuar dhe ai i bashkangjiteni ndjekjes penale ndaj kryeseve nëse vërtetohet apo autorëve sipas kësaj aktakuze.“

Hashim Thaçi: “Unë e ndjej vetën të dëmtuar dhe të kërcënuar së bashku me familjen time. Unë e bazoj dëshminë edhe në situatat e kaluara sepse mendojë që këto kanë qenë të planifikuara më parë. Po ashtu e mbështes ndjekjen penale dhe kërkoj dënim maksimal të këtyre njerëzve kërcënues dhe vrasës të Kosovës.“ 23

Pyetja e avokatit të Azem Vllasit: “Ju i nderuar me pare dëshmuat se mendoni se Murat Jashari është i manipuluar. Pse mendoni kështu?“

Pergjigje: Po shkrimet e Muratit kanë qenë të orkestruar nga Sadri Ramabaja, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, dhe miqve tjerë te tyre Ketë e them bazuar ne faktin se që në vitin 1999, janë pikërisht këta persona që kanë shkruar Komunikata – deklarata të tilla për të futur përqarje në UÇK.“ 24

Këtu Thaçi e tregon natyrën e tij të vërtetë dhe prek thelbin e problemit; shkakun e vërtetë të këtij cirku gjyqësor, thënë më shkoqur përpjekjen e Prontomafisë për krijimin e një alibie për Gjykatën speciale.

Avokati i Ragip Sallovës, Arsim Bilalli, ia shtroi kryetarit të Kosovës një pyetje të djegës: “Kolegu paraprak ju bëri pyetje por nuk morëm përgjigje a din kush janë themelues të organizatës “Syri i Popullit?” Përgjigje: “Po siç edhe dëshmova nga organet e sigurisë unë jam vërë në dijeni se themelues te kësaj organizate janë: Sadri Ramabaja, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.“ 25

Në këtë rast, ishte në detyrën e Trupit gjykues që të thirren zyrtarët e organeve të sigurisë dhe të japin sqarime shterruese, sepse nuk ka kuptim që të ndëshkohen ‘ushtarët’ tashmë në bankën e të akuzuarve, ndërsa ‘gjeneralët’ të rrijnë nër hije.

Ramiz Krasniqi, mbrojtësi i të akuzuarit Sadri Ramabaja: “Ju keni dhënën deklaratë te prokurori prezent a është e saktë kjo?“

Pergjigje: “Po.“

Pyetje: “Këto që i thatë sot a ju kujtohet a i keni përmend të prokurori?“

Pergjigje: “Po në dëshminë time në Zyre të Prokurorit kam dëshmuar pikërisht për terë ketë që e dëshmova edhe sot në gjykatë. Por shtoj se disa fakte nuk i kam përmend atje kam dashtë me i përmend këtu ne gjykate për qfar edhe jam këtu. Sikur qe theksoj se është rrethanë lehtësuese pasi që është seancë publike por si dëshmitar kam vërejte për vendimin e gjykatës ne këtë aspekt, se është seanca e hapur dhe kjo është rrethane lehtesuese veçmas për të akuzuarin Sadri Ramabaja.“ 26

Pyetje: “A domethënë kjo që nuk i keni besuar Prokurorit?“

Pergjigje: “Jo unë i besoj organeve shtetërore për veç organizmit vrastar të organizuar nga Sadri Ramabaja.“ 27

Pyetje: “Thatë se ka pas shkrime armiqësor ndaj jush nga Sadri Ramabaja është kështu?“

Pergjigje: “Po ashtu thashë. Ato janë publike por edhe personale ka pas, ato i din gjithë opinioni në Kosovë, dhe mua me kujtohet e di dhe jam i bindur se Sadri Ramabja është kryeorganizatori i kësaj ekipe dhe ndër inspiruesit e Sadrise janë Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.“ 28

Pyetje: “A ka mundësi te citoni ndonjë frazë të thënë nga Sadri Ramabaja kundër jush?“

Pergjigje: Plumbi i juaj i shkrepur ndaj Azem Vllasit përmban fakt.“ 29

Pyetje: “Ku e keni lexuar këtë?“

Pergjigje: “E ka lexuar dhe e ka dëgjua ter bota këtë.“

Pyetje: “A do të thotë se është dhënë në media kjo?“

Pergjigje: “Këtë e kanë thënë të gjithë mediat sikur qe edhe këtë e kanë thënë vet këta “se këta duhet ti vrasim se nuk mund ti tërheqim nga pushteti.”” 30

Pyetje: “A e keni informuar ndonjë organ për këto thënie të tij?“

Pergjigje: “Nuk i kam informuar sepse nuk kam besuar që çmenduria do të shkon aq larg por pendohem që nuk i kam informuar por jam i gatshëm të dëshmoj për këtë për Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën.“

Pyetje: “Ju sot e keni një listë para vetes a ka mundësi me na thënë ku e ke marr këtë listë?“

Pergjigje: “Prej autoriteteve të shtetit por edhe prej njerëzve dashamir të Vetëvendosjes që janë shkëput pastaj.“ 31

Edhe në këtë rast, Kryetarja e Trupit gjykues bën një lëshim që nuk i falet: Nuk insiston që të sqarohet deri në fund se kush ishin ata ‚dashamirë’ të VV dhe kur ia kishin dorëzuar këtë listë kryetarit të Kosovës.

I akuzuari Sadri Ramabaja nuk ka pyetje për dëshmitarin por shton: “U dëgjuan sot këtu fjalët më të ulta dhe nga më të paskrupullta, shpifje ordinere. Ky është gjyq politik tipik stalinist.“ 32

I akuzuari Halim Halimi, një burrë i vjetër dhe invalid tash gati gjysmë shekulli e ka nje pyetje për kryetarin e Kosovës: “Unë nuk jam anëtar i Organizatës “Syri i popullit“ por jam anëtar dhe Kryetar i Lëvizjes për Ribashkim Kombëtar kjo lëvizje a njihet nga ju?“

Pergjigje: “Unë, juve ju uroj sukses në vizionin tuaj për ribashkim kombëtar. Por, kjo Lëvizje për te cilën ju po flisni është e vetëquajtur si Lëvizje “Syri i Popullit” dhe këtu jemi për ketë organizate kriminale dhe ju këtu përgjigjuni për veprat për të cilat jeni akuzuar.“ 33

Ndërkohë gjykimi vazhdon me dyer të mbyllura, por siç do të shihet në vijim, vip“dëshmitari“ nuk e thotë asnjë detaj tjetër, asnjë plotësim për të qenë, pos që i përsiriti ato që kishte thënë në seancën publike. Ashiqare Thaçi, kishte kërkuar seancë të mbyllur për të impresionuar Gjykatën dhe për të futur në procedurë një çik bibermister të rrejshëm për ta përgjumur opinionin edhe më shumë. Përndryshe, në respekt të Gjykatës, nuk do t’i publikoja detajet e mëposhtme, nëse në çfarëdo forme do të dëmtohej siguria e vendit ose ecuria normale e procesit gjyqësor.

Kryetarja e Trupit gjykues: “I nderuari President, më parë deklaruat se do flisni në seancë te mbyllur gjykata murr vendim dhe e ka mbyll seancën për publikun, pyes se çka keni me shtua ne dhënien e dëshmisë tuaj?“

Pergjigje: “Se pari, si President i shtetit e kryej detyrën time në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës të Kosovës sikur që mbahem i informuar për secilën do rrethanë kur rrezikohet siguria e vendit. Organet shtetërore të Sigurisë disa jave më parë se të ndodh atentati ndaj Azem Vllasit më kanë informuar se tani me kjo Ndërmarrje Vrastare kishte filluar veprimtarinë në territorin e Republikës të Kosovës Kjo është një organizatë kriminale e strukturuar mirë dhe si e tillë ka marr aksione të kundërligjshme më qellim të destabilizimit të vendit. Se bërthama e vogël e kësaj Organizate vrasëse është të armiqtë e Kosovës që sulmojnë institucionet e pavarura shtetërore, e që me pas e marrin dhe guximin për të vrarë njerëz. Kjo organizatë vrasëse vepron edhe në shtetet e perëndimit, e po ashtu edhe në shtetet fqinje. Ideatorët dhe organizatoret e kësaj organizate kriminele kanë formuar Planin e veprimit edhe organet e kësaj organizate si Shtabin Qendrore, Këshillin Qendror, Këshillin Kombëtar, Fondin për financim të quajtur Liria e Atdheut, Grupet guerile te pajisura me armatim e kanë edhe vulën e tyre. Njeri ndër organizatoret kryesor të kësaj organizate është këtu i akuzuari Sadri Ramabaja, pasi vet ky ka dal publikisht me idenë për marrjen e pushtetit qoftë edhe me forcë me dhunë luftë dhe atë si aktiviste i Vetëvendosjes si rival politik dhe unë me veshët e mi i kam dëgjuar Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcen duke thënë “këta do ti vrasim se ndryshe nuk kemi si me i largua nga pushteti”. Andaj unë sot e zgjeroj akuzën në drejtim të insipiruesve dhe udhëheqësve të Organizatës “Syri i Popullit “dhe atë në drejtim të Albin Kurtit, Glauk Konjufcës dhe Sadri Ramabajës të cilët qëndrojnë pas kësaj organizate kriminale.“ 34

Pyetje: “Ju në raport me tani të akuzuarin Sadri Ramabajen qfar keni për të shtuar?“

Pergjigje: “Po ashtu nga proceset që i kemi kaluar shoh se një metodologji dhe linçim i tillë ka qenë edhe në vitet 1998-99 edhe fillimi i vitit 2000 kur Sadri Ramabaja dhe dy – tre njerëz të tjerë nga diaspora duke mos qenë të zotë me i dal zot vendit në luftë për liri por nga qyqarllaku po i nxitur nga shërbimet antiliri dhe pavarësi të Kosovës për të ngjallur armiqësi në mes të shqiptarëve e për të komprometuar UÇK-në kanë lëshuar komunikata dhe deklarata që janë të përafërta, pastaj duke vazhduar edhe tani se fundmi me pyetjet që ja ka shkruar Murat Jasharit duke ber thirrje për vrasjen prej presidenti Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Bajram Kelmendit, Xhemajl Mustafes, Enver Maloku dhe shumë veprimtarevë të tjerë. edhe përkundër se tani me këto shkrime te tija janë vërtetuar se janë trillime e shkarravina te tij dhe asgjë me shume unë i them se ai është i dështuar. Sikur qe unë dua që të ballafaqohem kurdo here me këta njerëz dhe t’ju them se ju asnjëherë gjatë historisë sikur qe edhe sot nuk do të arrini të na përçani. Unë jam i gatshem çdo here kurdo qe të me kërkohet të dëshmoj nga se është në interes të vendit.“ 35

Avokati Ramiz Krasniqi, pyet kryetarin e Republikës: “Ju e dhatë një deklaratë gojarisht sot a mundeni me i thënë gjykatës se a keni ndonjë provë materiale për këtë qe e thatë?“

Pergjigje: Po, Unë vet jam dëshmitari okular, dhe sigurimin e provave e bëjnë organet përkatëse shtetërore ne Republikën e Kosovës.“ 36

Pyetje: “Deri më sot a i keni shpalos këto akuza ndaj këtyre personave apo është hera e parë sot që i thoni këto?“

Pergjigje: “Unë nuk kam dashtë me bërë spektakël dhe nuk kam dashtë me destabilizuar opinionin andaj këtu në gjykate duhet vërtetuar faktet dhe këtu duhet te thuhen gjerat…“ 37

Pyetje: Ju e përmendet Enver Malokun etj. a dini nga kush vijnë akuzat për këta njerëz?

Pergjigje: E di se deklaratat e para të dhëna nga Zvicra dhe Gjermania në vitin 98-99 të dhëna e të publikuara nga vet Sadri Ramabaja dhe te tjerët ishin nga këta me qellim qe me fut përçarje brenda UÇK-së.“ 38

Pyetje: “Kam qenë mbrojtës ne rastin ”Bllaca I”, Prokurori i EULEX -it, për vrasjen e këtyre personave akuzon pikërisht partine tuaj çfarë keni të thoni për ketë?“

Pergjigje: “Unë jam President i vendit nuk jam kryetar i ndonjë partie, siç po pretendoni ju “partia juaj” dhe ajo që po e deklaroni ju tani nuk është e vërtet andaj edhe nuk e besoj por unë e ritheksoj edhe një here se komunikatat në vitin 1998-99 ishin të formuluara nga vet Sadri Ramabaja më qëllim të caktuar dhe të vetëm, kundër UÇK-se.“ 39

Pyetje: A d.m.th. se deklarimi i EULEX-it është i rrejshëm.

Pergjigje: Unë nuk merrem me EULEX unë e thash atë qa pata me thënë.“ 40

Hashim Thaçi, siç po shihet, shpreson se me broçkulla të tilla do të mundë ta kalojë lumin, do të mundë të shlyejë nga kujtesa e shqiptarëve ngjarjet dramatike të luftës dhe sidomos përpjekjet e tij djallëzore për luftë vëllavrasëse mes shqiptarëve. Sepse nuk ishte Sadri Ramabaja dhe asnjëri prej të akuzuarve, si gjoja pjesëtar të fantomorganizatës “Syri i popullit“, autor i listës me emrat të njerëzve të dënuar me pushkatim, të shpërndarë gjithandej në muajt shtator e tetor 1998. Por ishte Hashim Thaçi dora vetë me disa kokëbosh të tjerë. Ja lista e atëhershme e 10 personave që duhej pushkatuar për tradhti kombëtare: Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi, Ahmet Krasniqi, Xhafer Shatri, Enver Maloku, Naim Maloku, Nexhmedin Spahiu, Mero Baze, Sabri Hamiti, Zekeria Cana…

E them me përgjegjësi të plotë se autorët e kësaj liste janë po ata që përpiluan, pas 20 vitesh një listë të ngjashme dhe tash po përpiqen t’ia mveshin Murat Jasharit të sëmurë rëndë.

Për të hedhur dritë në autorësinë e “komunikatave“ të apostrofuara, i akuzuari Sadri Ramabaja pyet dëshmitarin:

“Unë e kam cituar librin e Gafurr Elshanit “Komente dhe Artikuj” ku janë përmbledhur këto kumtesa sigurisht ne ato po thirreni a është kështu?“

Pergjigje: “Atë që them këtë është e vërtete po flas për vitin vjeshtë 1998-99 dhe veprimet tjera deri ne vitin 2000, komunikatat dhe deklaratat dhe veprimet që i keni bere ju e dini shumë mirë këtë dhe qëllimin që ju kishit po ashtu e dini.“

Ramabaja: “Në këtë kontekst që flet dëshmitari flasin dy libra Libri i Gafurr Elshani dhe libri i Muhamet Kelmendit por unë nuk kam te bej me këto libra, ky hallin e ka të Lëvizja Vetëvendosje.“ 41

Pergjigje: “Jo kjo qe thoni nuk qëndron, unë pikërisht po flisja për shkrimet e juaja gjatë vitit 1998 -99 dhe po ripërsërisë se është fat i madh që ka shtet funksional se sikur mos të kishte qene shtet funksional Kosova këtu do të kishte qenë vend i vrasjeve siç ka qene edhe qëllimi i juaj.“ 42

Këto akuza të përseritura disa herë në Gjykatë nga Hashim Thaçit i demantojnë dy dëshmitarë kyç, Bardhyl Mahmuti, anëtar i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe Jakup Krasniqi, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së njëherit zëdhënës zyrtar i këtij Shtabi. Ata thonë në mënyrë të padiskutueshme se të gjitha komunikatat dhe deklaratat në emër të UÇK-së janë shkruar brenda në Kosovë. (Shih shkrimin “Komunikata e rrezikshme numër 59“ https://xhafershatri.info/komunikata-e-rrezikshme-numer-59/).

Pastaj, z. Ramabaja në ato vite që i përmend vip“dëshmitari“, nuk ka qenë anëtar i LPK-së e as anëtar i Redaksisë së “Zëri i Kosovës“, as anëtar i Drejtorisë politike, as i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por kryetar i Degës së një subjekti tjetër, Unikombit për Zvicër.

Në anën tjetër, njerëz me përgjegjësi të mëdha në UÇK-së, përfshi edhe këta që i përmenda, kanë deklaruar përseritshëm se asnjë deklaratë, asnjë komunikatë nuk është lëshuar dhe nuk është shpërndarë pa përpilimin ose aprovimin e tyre nga Hashim Thaçi.

Mjafton dëshmia e këtyre personave për ta konfirmuar faktin se Kryetari i Kosovës nën betim ka gënjyer para Trupit gjykues dhe ka trilluar gjëra të paqëna me qëllim vënien e drejtësisë në lajthitje. Prandaj, nëse Trupi gjykues mëton të dëshmojë se është organ i pavarur i drejtësisë, ai duhet t’i thërrasë Azem Sylën, Jakup Krasniqin, Bardhyl Mahmutin, Sylejman Selimin dhe Rexhep Selimin të dëshmojnë për këtë çështje, sepse ky është çelësi i gjithë kësaj maskarade gjyqësore.

Kur jemi te komunikatat që Thaçi po përpiqet dreqnisht t’ia mveshë Sadri Ramabajës, konkretisht te komunikata numër 59, e shkaku i të cilës janë hapur disa varre, shtrohet pyetja pse Kryetari burracak i Kosovës priti 20 vjet për ta demantuar? A mos është ky demantim i stërvonuar rezultat e përballjes me Gjykatën speciale, i presionit konkret të Familjes Geci nga Llausha apo i të dyjave bashkë?

Ndërkaq, të akuzosh Lëvizjen Vetëvendosje, që është themeluar 5 vjet pas Luftës, për krime e paudhësi të kryera nga një grup huliganësh të pandreqshëm gjatë luftës kjo është një marrëzi, që asnjë teknefec politik nuk do t’ia lejonte vetës.

Në fund, Kryetarja e Trupit gjykues e merr vetë në pyetje vip“dëshmitarin“:

“E përmende biografine e z. Ramabaja a keni njohuri për përgatitjen e tij akademike?“

Lexojeni mirë se çfarë përgjigjeje qesharake e të mjerë jep kryetari i paburrë i Kosovës:

“Nuk e di se cila është përgatitja shkollore e tij për veç se e di që ka pas qejf me u marr me shkrime, e di që i ka kryer do kurse ku dhe si nuk e di. Sot me vie keq prej disave njerëzve këtu që i ka manipuluar.“ 43


Pyetje: “Sipas Programit të organizatës “Syri i Popullit” kjo organizate e kishte listuar edhe emrin tuaj për ekzekutim sikur qe kjo organizatë pretendonte se do të hakmerrej për tradhtinë se “do të vritet tradhtia”, Ju ne cilësinë e të rrezikuarit të dëmtuarit qar keni për te shtuar ?“

Hashim Thaçi: “E nderuar gjykatë unë rolin e prokurorit nuk do e bej unë flas ne emrin tim personal, dëshminë e kam deponuar te Prokuroi dhe e kam nënshkrua dhe i qëndroj mbrapa asaj dëshmie dhe sot asaj dëshmie i shtoj edhe rrethanat rendues ndaj Albin Kurtit, Glauk Konjufces dhe Sadri Ramabajës si organizatorë kryesor të organizatës kriminale “Syri i Populli““. 44

Pyetje: “Kur thoni se për çështjet e sigurisë të vendit informoheni nga organet shtetërore të ruajtjes së rendit në Republikën e Kosovës Po për rastin e atentatit ndaj z. Azem Vllasit kur jeni informuar?“

Hashim Thaçi: “Po, Informata kanë qenë nga autoritet përkatëse shtetërore ku jam informuar zyrtarisht. Fillimisht këto informata nuk i kam marr në rrafshin personal por ne rrafshin institucional, por pastaj me vazhdimin e sjelljes se informacioneve të reja kam kuptuar se isha i rrezikuar ku edhe është kërkuar marrja e masave mbrojtëse nga kërcënimet e organizatorëve te organizatës kriminale “Syri i Popullit“ e qe janë siç edhe jam informuar nga organet shteterore se mbrapa kësaj organizate qëndrojnë Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja dhe pastaj ka ndodhur atentati ndaj Azem Vllasit arrestimi i z. Murat Jashari e i tjerëve…“ 45

Ia përkujtoj lexuesit se pas këtyre akuzave publike të Hashim Thaçit, Prokurori special tha se do ta analizojë këtë dëshmi për të parë nëse do të ngriste padi penale kundër Lëvizjes Vetëvendosje, konkretisht kundër Kurtit dhe Konjufcës.

Por më vonë, si duket pasi e kishte parë se në çfarë loje të pistë e kishte mbërthyer Prontomafia, Sylë Hoxha deklaroi publikisht se kishte hequr dorë nga kjo ide budallicë. Kështu që vetë ky deklarim konfirmon se “dëshmia“ e Hashim Thaçit, kishte për qëllim ta manipulojë Trupin gjykues dhe t’i mbushë boshllëqet humnerore të aktakuzës me pallavra e trillime për marre të Zotit.

Detyrohem të nënvizoj se gjatë përimtimit të kësaj dosjeje kisha hamendjen se mos ndonjë zyrtar i lartë, ndonjë hipokrit e karrierist i sëmurë që aq shumë i ka avancuar sistemi thaçist i rrënimit të vlerave, për t’u treguar më  Hashim se Thaçi, duke keqpërdorur funksionin dhe autorizimet ligjore e ka sajuar gjithë këtë maskaradë, por jo! “Dëshmia“ e Hashim Thaçit vërteton katërcipërisht se, jo dikush tjetër, por ai vetë është dramaturgu e skenaristi i kësaj procedure të shëmtuar, ndërsa funksionarët e kriminalizuar të shtetit regjisorë të kësaj maskarade shtetrrënuese.

3. Përdundim

Para dy muajsh më ka kontaktuar njëra prej kabineteve më të njohura të avokatëve të Zvicrës me të cilin bashkëpunoj prej shume vitesh. Ata kërkuan prej meje që ta verifikoj vërtetësinë e përkthimit nga gjuha shqipe të një dosjeje bukur të trashë.  Ishte dosja e “Syri i popullit“, për të cilën kisha lexuar bukur shumë dhe kisha një ide bukur të qartë. Nuk di saktësisht cili ishte roli i atij kabineti avokatësh; a mendonin të angazhoheshin për ndonjërin prej të akuzuarve apo ndonjë institucion ndërkombëtar kishte kërkuar prej tyre mendimin profesional për përmbajtjen e dosjes, për shkresat themelore të saj dhe sidomos për aktakuzën. Sipas praktikës penale në Zvicër, verifikime të tilla bëhen vetëm për dosje tepër serioze kur nuk lejohet asnjë paqartësi, asnjë dilemë në ato që përmban dosja, sepse kështu kursehet koha në rast të interpretimit të tekstit mes palëve.

Një javë pasi e kreva punën, më thirri njëri prej tyre që, pa dyshim, është ndër avokatët më të njohur evropian. E takova. Pyetja e parë ishte se a e njoh personalisht ndonjërin prej të akuzuarve. Po e jo, i thashë. Bexhet Luzhën e njoh, por ka 35 vjet që nuk e kam takuar. Edhe me Sadri Ramabajën njihem, krejt sipërfaqësisht, dhe se me të kam biseduar njëherë këtu e një çerek shekulli më parë… Kurrë më.

Pastaj, kërkoi prej meje që si njeri, pak a shumë, i kësaj fushe por edhe me prejardhje nga Kosova t’ia jap mendimin tim për dosjen. Nuk është aq e lehtë t’i përtypësh të palarat e vendit tënd e sidomos kur ato janë pisllëqe të qëllimshme e të pakapërdishme. Por duke ditur se po flas me një profesionist të rangut më të lartë, por edhe dashamirës të dëshmuar të Kosovës, ia thashë shkurt e troç: kjo është një dosje e stisur nga njerëz të veshur me pushtet.

Po, më tha, këtu nuk ka asnjë dilemë. Por pse? Ku është qëllimi? Çfarë interesi mund të ketë dikush prej kësaj kurdisjeje?

Nuk i thashë asgjë, sepse vërtetë nuk isha krejt i sigurt.

Sidoqoftë, kjo është shumë e rëndë, më tha, dhe Kosova do të ketë pasoja serioze për këso keqpërdorimesh të rrezikshme në sistemin e drejtësisë…

Në përpjekje për t’ia dhënë vetës përgjigjen në pyetjen gozhduese të penalistit të njohur zvicëran e fillova dhe e përfundova këtë analizë, të cilën e ndava me ju në 5 vazhdime. Dhe e them me bindje se, duke e përmbyllur këtë shkrim, nuk kisha më as një dilemë të vetme se në burim të kësaj dosjeje butaforike është vetë Hashim Thaçi. “Dëshmia“ e tij në Gjykatë ishte prova më e mirë dhe më bindëse.

Gjatë publikimit të kësaj analize kam marrë shumë mesazhe nga miq e kolegë të ndryshëm. Disa prej tyre me kanë pyetur konkretisht: a ia ka vlejtë? E theme me bindje të plotë: Po! Ia ka vlejtë! Sepse ta denoncosh një padrejtësi që bën pushtetari ndaj qytetarit të pambrojtur, ta denoncosh padrejtësinë që bën organi i shtetit ndaj cilitdo qytetar, është detyrë e çdonjërit dhe çdonjërës prej nesh. Ndërkaq të denoncosh padrejtësinë që mund t’ia bëjë qytetarit organi i drejtësisë, i cili ka mandat për ta ndarë drejtësinë e jo për të shkelur mbi të, i cili e ka për detyrë t’i penalizojë keqbërësit e jo t’i ndihmojë ata, është jo vetëm detyrë qytetare por përpjekje fisnike për të jetuar vetë dhe të tjerët rreth teje në një vend normal, në një vend që i thonë shtet ligjor, në një mjedis që natyra e errët e kriminelëve e di se gjithandej ekziston syri i ligjit, të cilit nuk i shpëton asgjë. Dhe këtë falë një vistre grashë e burrash të vendosur e me mandat të qartë, njerëz që as nuk blihen, as nuk shiten, të cilët me forcën e ligjit mbrojnë rendin dhe të drejtat elementare të qytetarëve. Mbrojnë Shtetin, Shtëpinë tonë të Përbashkët, të cilën memzi e ndërtuam pas 20 shekujsh.

Duke luftuar për një shtet ligjor ne mbrojmë Kosovën dhe thelbin e të gjitha përpjekjeve tona për liri. Këtë duhet ta bëjmë me guxim dhe pa asnjë ekuivok. Pavarësisht se sa mund të na kushtojë ty, mua ose atij tjetrit.

Krejt në fund, duke rezymuar me vetvetën këtë analizë shterruese, m’u kujtua një thënie që, nëse nuk gaboj, i atribuohet Henry Kisingjerit, një thënie fort largpamëse për  tiraninë më të persosur, komunizmin: “…Ne, Perëndimi, do ta shkatërrojmë komunizmin, por mentaliteti komunist do të na e gëllabërojë edhe një shekull“.

Në këtë të vërtetë duhet kërkuar rrënjët e mendësisë politike të Prontomafisë dhe, për të qenë më bindës e më konkret, besoj se ia vlen të klikoni në këtë vjegëz, ku do t’i gjeni rrënjët e egërsisë së një pushteti pa asnjë mandat moral dhe modelin çnjerëzor që po përdoret në dosjen që ua përimtësova paanshëm e me përkushtim:

https://www.youtube.com/watch?v=N-0tU0kkAMg

* Sqarim: Dokumentet gjyqësore janë cituar, ashtu siç janë të shkruara, me shuuumë gabime. Që tregon se në një organi të tillë, vital të shtetit nuk i kushtohet kurrëfarë kujdesi kultivimit të gjuhës. Në organet e drejtësisë në Zvicër, në dokumentet e tyre, nuk guxon të ketë qoftë edhe një gabim të vetëm drejtshkrimor.

  1. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe
  2. Proceverbali i seancës, datë 5 dhjetor 2018
  3. Proceverbali, datë 30 nëntor 2018 dhe 25 janar 2019
  4. Procesverbali, 10. 12. 2018
  5. Procesverbali, 28. 12. 2018
  6. Parashtresë e avokatit Ramiz Krasniqi, drejtuar Gjykatës
  7. Po aty
  8. Proceverbali, datë 28. 12. 2018
  9. Po aty
  10. Po aty
  11. Po aty
  12. “Rilindja“, 23. 12. 1975
  13. Proceverbali, datë 28. 12. 2018
  14. Po aty
  15. Po aty
  16. Po aty
  17. Po aty
  18. Po aty
  19. Po aty
  20. Po aty
  21. Po aty
  22. Po aty
  23. Po aty
  24. Po aty
  25. Po aty
  26. Po aty
  27. Po aty
  28. Po aty
  29. Po aty
  30. Po aty
  31. Po aty
  32. Po aty
  33. Po aty
  34. Po aty
  35. Po aty
  36. Po aty
  37. Po aty
  38. Po aty
  39. Po aty
  40. Po aty
  41. Po aty
  42. Po aty
  43. Po aty
  44. Po aty
  45. Po aty

 

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*