Emri i Vjosa Osmanit rimon me liri, shpresë, shtet të së drejtës në Kosovë, Shqipëri & Ballkan

Shkruan:
Elida Buçpapaj

Vizita triditore e Vjosa Osmanit në Tiranë shkaktoi tronditje.

E tronditi nga themelet Tiranën e tiranozaurit!

Solli një klimë tjetër, doli jashtë habitatit të kënetës, ujit të ndenjur .

Vjosa Osmani foli me një zë tjetër, larg zhargonit hipokrit të politikanëve shqiptarë, që tjetër thonë e tjetër bëjnë!

U shpreh shqip, pa nënkuptime,

duke i turbulluar tryezat e bandave të opinionistëve që përsërisin me mendje “Big Brother is watching us” –

prandaj “gomari fluturon”, “liria është skllavëri”, “injoranca është forcë”, tekstualisht si tek Viti 1984 i George Orwell-it.

Vjosa Osmani solli në mes të Tiranës dhe në mes të Kuvendit të Shqipërisë vizionin jo futurist por të së ardhmes;

se e ardhmja e politikës duhet të jetë patjetër e pastër, me integritet, që të ketë të ardhme!

Prania e Vjosa Osmanit në Tiranë e theu klishenë e takimeve të klasës të politikanëve zgjyrë që ua kanë shkatërruar jetën shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë.

Ishte krejt ndryshe vizita e saj nga takimet e Edi Ramës me Hashim Thaçin, me këshilltarin e përbashkët Baton Haxhiu,

lidhje morboze homologësh, që sillnin jehonën e bashkim-vëllazërimit, duke i hequr Kosovës copa e duke e kthyer rajonin e Ballkanin nën rrezik të një lufte të re!

Vjosa Osmani foli 14 minuta, të sinqerta, me zemër në dorë dhe i tha të tëra,

foli për dramat ndërshqiptare, për luftën e Kosovës me 13 mijë viktima të pafajshme, shumica të shtresës vulnerabël, civilë, fëmijë, gra e pleq,

1600 viktima ende të pagjetur, foli për Nënat Kosovare që kanë 22 vjet që presin

pastaj kërkoi rezolutë të përbashkët për genocidin serb,

pastaj foli për “traun” midis Shqiptarëve.

Lufta e 1998-1999 e shembi “Murin e Berlinit” ndërshqiptar, ndërsa Edi Rama ngriti traun!

Edi Rama e ka personalizuar veten me traun!

Thuaj Edi Rama nënkupto tra, thua tra nënkupto Edi Rama!

A nuk është hipokrit Edi Rama si gjithë kasta e vjetër, halldupë xhepafryrë nga vjedhjet dhe poshtërsitë ndaj popullit?!

Këtej krijon barrierë të ekonomisë së tregut të lirë me tra ndërshqiptar, këtej i bën jehonë MiniShengenit!

Këtej nga ana e Shqipërisë Edi Rama ngre tra për Kosovën, ndërsa ana tjetër ia hap dyert Serbisë me Minishngen sipas shpikjes së Aleksandër Vuçiç!

Por Vjosa Osmani i tha se kështu nuk shkon!

Ballkani do paqe, por paqen nuk e vendosin dot liderë të komprometuar dhe të konsumuar që shesin edhe paqen, edhe Atdheun për interesa vetjake!

Paqen e vendosin liderët si formati i Vjosa Osmanit,

që kërkojnë barazi dhe reciprocitet për të gjithë banorët e Ballkanit,

duke ua hequr shqiptarëve vulën si qytetarë të dorës të dytë, të cilëve një kryeministër faqezi u vendos edhe tra dhe i ndan në mes!

Vjosa Osmani e tronditi Tiranën pa shtet të së drejtës, pa shtyp të lirë,

Vjosa Osmani e tronditi të shkuarën dhe të tashmen pa të ardhme të kastës politike shqiptare.

Prandaj Vjosa Osmani ka fytyrën e së ardhmes,

së cilës populli i Kosovës ia beson votën dhe ajo ia mban popullit të Kosovës premtimet –

Vjosa Osmani nuk i ka shitur kurrë premtimet që i ka dhënë sovranit me një post ambasadoreje në New York apo Romë;

apo me një post ministror në Prishtinë –

Vjosa Osmani është kjo që shihni, ajo është ato që thotë, ato që bën.

Vjosa Osmani nuk mashtron, nuk e shet integritetin e saj.

Vjosa Osmani ka një edukim dhe formim të shkëlqyer në SHBA,

ka një eksperiencë të shkëlqyer në politikën e Kosovës, ka një lidhje të pandarë me sovranin e Kosovës!

Kosova ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Shqipëria ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Ballkani ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Sepse Vjosa Osmani mbjell paqe, liri dhe shtet të së drejtës!

Vjosa Osmani dhe liria janë në sintoni të plotë, si dy emra sinonime.

Sepse liria është themeli i barazisë, reciprocitetit dhe vëllazërimit, si qytetarë të Ballkanit, si ballkanas, si qytetarë të Europës, si europianë si qytetarë të botës.

Liria na takon të gjithëve – sikur thotë Paul Eluard tek poezia La Liberté – .

Liria ka fuqinë që të rilind, që të bën t’ia nisësh jetës nga e para,

dhe secili prej nesh ka lindur dhe ka të drejtë supreme për ta njohur lirinë!

Marrë nga https://www.voal.ch/emri-i-vjosa-osmanit-rimon-me-liri-shprese-shtet-te-se-drejtes-ne-kosove-shqiperi-ballkan-nga-elida-bucpapaj/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*