EDI RAMA PO VAZHDON TE BEJE AVOKATIN E ZELLSHEM TE SERBISE

Shkruan:
Xhafer Shatri

Pas Shpalljes së Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Kosova u bë një gurë i madh për qafën e tëholluar të Serbisë. Njohja e shtetit të ri nga Fuqitë e Mëdha perëndimore e vuri diplomacinë serbe para vështirësish të shumëta.

Si rezultat i një loje të përkryer të Amerikës, Serbia, e mbështetur me shpatulla për muri, iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të kërkuar mendimin e saj lidhur me aktin pavarësor të Kosovës. Përgjigja që dha ky institucion autoritativ i OKB-së i plandosi pretendimet e Serbisë për tokë. Mirëpo shteti serb është skile e vjetër; pa hyrë më thellë, mjafton ta kesh lexuar librin e shkëlqyer të Edit Durham, “Krimi në Sarajevë”, të botuar para një shekulli, për të kuptuar kpton se me Serbinë nuk ka lojë.

***

Siç pritej, Serbia nuk rrinte duarkryq. Ajo, përmes Raportit të Dick Martit, arriti ta shqyejë imazhin e shqiptarëve si viktima të Serbisë së Millosheviqit. Ky ishte një diversion i përbashkët i tandemit Beograd-Moskë, që e rrezikoi seriozisht sovranitetin e Kosovës. Kjo dosje e pistë, në thelb të së cilës ishte trafikimi i shpifur me organe njerëzish, e futi Hashim Thaçin në kurthin e Vuçiqit për ndryshim të kufijve, që konkretisht ishte përpjekje konkrete dhe e kahershme për ndarjen e Kosovës.

Vënia në pikëpyetje e kufijve pati pasoja katastrofike për Kosovën: e ndali valën e njohjeve dhe rrezikoi seriozisht projektin e pranuar ndërkombëtarisht për Kosovën shtet sovran e i pavarur.
Në fakt ky është një shëmbull shkollor se nëse don ta dështosh një projekt me perspektivë, atëherë lëvizi themelet e tij, dhe kështu ai projekt, sado i mirëmenduar qoftë, kthehet në zonë të rrezikshme sizmike.
Për habinë e të gjithëve, për këtë diversion të rrezikshëm, Serbia gjeti një aleat që askujt nuk do t’i shkonte mendja: kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
Implikimi i shtetit shqiptar në përpjekjet për ndarjen e Kosovës, në fakt ishte një ide e kahershme e ideologut të nacionalizmit bashkëkohor serb, Dobrica Qosiq. Sipas tij, Beogradi kurrsesi nuk duhet të bisedojë me parinë e Kosovës për këtë çështje, por vetëm me pushtetarët e Tiranës.

T’ia japësh Serbisë në tepsi Trepçën, Ibrin dhe Ujmanin është, thënë më së buti, vetëvrasje e tmershme gjeopolitike. Dhe, jam i sigurt se, këtë akt të rëndë tradhtie nuk do t’ia lejonte vetes madje as një çoban i Kurveleshit.

***

Para tre ditësh, në takimin e krerëve të “Ballkanit të Hapur”, Edi Rama, bëri dhe një gaf tjetër të pafalshëm: luftërat, sidomos luftërat e fundit në ish-Jugosllavi i bëri mish-mash, duke përgjithësuar fajin. Kjo është në sinkron me përpjekjet diabolike të Serbisë që, krimet që i kreu me projekte konkrete ushtarake, me qëllim krijimin e Serbisë së Madhe, të relativizohen duke i vënë në të njëjtin kandar të historisë viktimat dhe xhelatin.

Në proceset gjyqësore të mbajtura në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, kundër shtetarëve dhe ushtarakëve serbë, të akuzuar dhe të dënuar për krime kundër njerëzimit, për gjenocid e pastrime etnike, shteti serb, ka hargjuar me miliarda dollarë me qëllim që të imponohet vlerësimi i rremë se në këto luftëra, ani se të dokumentuara e të filmuara gjerësisht, nuk kishte agresorë, sepse “ato ishin luftëra civile dhe, për pasojë, të gjithë ishin fajtorë”! Sipas këtij këndvështrimi, para gjyqit të historisë ishin të njëjtë si ata që kryen masakrat në Vukovar, në Srebernicë, në Likoshan, në Mejë, në Krushë, në Izbicë etj., si ata që u masakruan mizorisht aty e gjetkë nga kasapët serbë!

Deri sot askush, pos serbëve, nuk ka bërë vlerësime dhe përgjithësime kaq të rrezikshme e kaq të paskrupullta si kryeministri shqiptar.

***

Agresioni rus në Ukrainë, ia ka qitë Serbisë mnelat e palara në shesh. Ploja e Putinit atje, e ka nxjerrë cullak edhe lojën e aleatit të tij numër një, Aleksandër Vuçiqit, i cili, duke qëndruar në 3 karriga, në njërën anë po thith investime madhore nga Perëndimi, ndërkaq më anën tjetër po e bënë punën e Kinës Rusisë në Ballkan. Sepse po e destabilizon vazhdimisht Bosnje e Hercegovinën, po përpiqet publikisht ta aneksojë Malin e Zi dhe po e kërcënon përditë Kosovën me luftë.

Tani, pasi u zgjua nga gjumi, Perëndimi po i kërkon Vuçiqit të prononcohet qartë: a je me ne a me arushën?!

I vetmi shtetar që mori në mbrojtje Vuçiqin dhe lojën e tij të pistë, është Edi Rama. Ky, sa herë i jipet rasti, po i qorton shtetet perëndimore pse po kërkojnë nga Vuçiqi të distancohet nga politikat dhe praktikat e Putinit në Ballkan dhe gjithandej.

***

Një pjesë e mirë e elitës intelektuale në Shqipëri, janë mbështetës të Partisë socialiste. Dhe nuk shoh asgjë të keqe këtu. Por ajo që të bën të shqetësohesh seriozisht është fakti se asnjëri-a prej tyre, madje edhe një intelektual brilant si Pëllumb Xhufi, nuk po ngrisin zërin as një herë për të kundërshtuar mercenarizmin e hapur proserb të Edi Ramës.

Për më keq kur ata-ato e dijnë mirë se, sidomos në këso rastesh, heshtja i bënë bashkëfajtorë.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*