EDHE NJË HERË PËR ZAJEDNICËN

Shkruan:
Xhafer Shatri

Presioni i madh, sidomos amerikan, për ta themeluar Zajednicën nuk po prodhon debat, por anarki. Thuase Kosova nuk është shtet, nuk ka institucione, nuk ka Kuvend, nuk ka Kryetare të Shtetit, nuk ka Qeveri, nuk ka organe që burojnë nga vota e lirë e qytetarëve.

Të merremi vesh:

Amerika ka telashe serioze, sepse është në krye të koalicionit kundër fashizmit rus. Putini këtë luftë po përpiqet ta kthejë në luftë globale dhe hibride. Mercenarë të paguar rrast nga Rusia janë përpjekur t’i sulmojnë qendrat më të mëdha industriale në Perëndim, përfshirë këtu rafineritë e naftës e të gazit… Krahas këtyre akteve terroriste, Putini po përpiqet të nxisë konflikte të armatosura në Evropë. Në radhë të parë në Ballkan. Acarimi i gjendjes në veri të Kosovës, muajin e kaluar, ishte njëra prej përpjekjeve, por as e para e as e fundit.

Për ta evituar këtë Amerika po bën çdo gjë të mundshme që ta pacifikojë këtë pjesë të trazuar të Evropës. Shumë mirë. Por këtë nuk duhet ta bëjë në kurriz të Kosovës e për hesape të Serbisë.

Shqiptarët duhet ta kuptojnë se në mes shteteve nuk ka dashuri, por ka interesa. E nuk është në interesin e Kosovës të lejojë, për hir të kujtdo qoftë, cënimin e sovranitetit të vet. Sepse tashmë është e qartë se nëse cënohet vetëm për 1 milimetër pakoja e Ahtisarit, atdheu ynë do të dështojë si shtet.

E këtë ne nuk guxojmë ta lejojmë për hatër të askujt, pavarësisht çmimit që mund të paguajmë.

Një pyetje krejt e thjeshtë: Pse diplomatët amerikanë nuk ushtruan as presionin më të vogël ndaj Serbisë dhe ndaj serbëve të Kosovës që ta pranojnë planin e Ahtisarit, ku pakicave u jipen të drejta më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës?

– Çdo qytetar i vetëdijshëm i Kosovës e di se shteti ynë duhet t’i respektojë maksimalisht të drejtat e pakicave. Përndryshe nuk ka ardhmëri. Ata që kanë shqyer pakon e Ahtisarit dhe menjëherë pastaj këtë e kanë bërë edhe me kufijtë, edhe me sovranitetin e Kosovës nuk kanë negociuar në emër tonin, por në emër të hesapeve të tyre.

Ndërkaq, kjo që po kërkohet prej nesh nuk ka të bëjë fare me të drejtat e pakicave. Sepse duke federalizuar Kosovën përdhunshëm, po i jipet Serbisë një instrument legal për ta bërë atdheun tonë shtet jofunksional. Ashtu si Bosnjën.

Dhe ne këtë, pavarësisht fajeve që janë bërë nga paria jonë, nuk duhet ta lejojmë.

Vërsuljes së kordinuar të Eskobarit dhe Hillit, që janë kthyr në zëdhënës të Vuçiqit, duhet t’u themi qartë: shtëpinë tonë do ta rregullojmë ne, që jetojmë këtu. E askush tjetër!

Elitat politike, krerët e institucioneve dhe të partive politike, pavarësisht ndarjeve humnerore e urrejtjeve shkatërrimtare, duhet ta lënë luftën për pushtet dhe ta kthejnë debatin aty ku duhet: në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sepse debati për çështje kaq serioze të një shteti nuk bëhet as në rrugë, as në ambasada, as në portale, as nëpër ekrane por, parasegjithash në Kuvendin e Republikës, prej nga buroin çdo pushtet dhe çdo legjitimitet.

Dhe nëse aty nuk gjindet një zgjidhje, atëherë duhet të shkojmë në referendum.

Nuk ka rrugë tjetër.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*