Do t’i besoja Kadri Veselit nëse e “shkarkon” edhe Shkëlqim Devollin

Shkruan:
Berat Buzhala

Vendi ku dje ishte i ulur Kadri Veseli, teksa po i shpallte luftë krimit dhe korrupsionit, ishte i korruptuar. Ajo fabrikë, mbi të cilën është ngritur një televizion, ka qenë pjesa e skemave kriminale. Privatizimi i saj ka qenë kriminal dhe korruptiv. Viktimat si Beqaj, Çeku, Kryeziu dhe figura të tjera margjinale janë thjesht dhe vetëm për efekte propagandistike. 

A ka diçka më të lehtë në këtë botë që ta detyrosh të japë dorëheqje një hajn të kategorisë pendël si Besim Beqaj?

Ai nuk është i kategorisë pendël për nga shkalla e krimeve për të cilat dyshohet, por për nga pesha politike e tij. Besim Beqaj nuk ka bazë elektorale, nuk ka relevancë politike. Madje, pas disa javësh njerëzit do të harrojnë nëse ai fare ka qenë pjesë e PDK-së apo jo. Në fakt nuk jam i sigurt nëse është.

Ai është bërë pjesë e këtij subjekti jo për të sjellë vota, sepse kurrë nuk ka pasur të tilla, por për të menaxhuar tenderët në emër të lidershipit. E gjithë karriera e tij politike është karakterizuar me punë të tilla. Ai ka qenë thjesht masha, fillimisht, e Thaçit pastaj edhe e Veselit. Si fillim e ka “menaxhuar” Telekomin e Kosovës, duke i kryer shërbime Blerim Devollit, pastaj e ka “menaxhuar” distribucionin dhe KEK-un.

Ta eliminosh atë nga skena, duke i thënë: largohu nga qeverisja deri në mbylljen e rastit gjyqësor, dhe të provosh të përfitosh politikisht për kinse qeverisje me duar të pastra, është qesharake. Posaçërisht kur disa orë pasi e ke ndërmarrë këtë hap shkon e jep intervistë në një televizion, duke u ulur këmbëkryq në një studio, objekti i të cilit është privatizuar në mënyrë kriminale, duke e shkelur ligjin.

Meqë ra fjala, për privatizimin e Fabrikës së Amortizatorëve, aty ku mbrëmë jepte interviste Veseli, janë zhvilluar hetime. Ndoshta ende nuk janë përmbyllur ato. Kjo fabrikë ishte privatizuar me spin off special, që do të thotë blerësi detyrohej ta ruante veprimtarinë. Momentalisht në atë fabrikë e vetmja linjë e prodhimit është ajo e propagandës.

Gjithashtu, sigurisht Veseli e di këtë, mënyra e privatizimit të saj është kryer në mënyrë kriminalisht amatore. Shkelqa, sepse kështu i referohen njërit prej dy vëllezërve, kur ka aplikuar për blerjen e saj e ka stisur gjithë procesin. Për ta kënaqur procedurën ligjore, blerësi, pra Shkelqa, i kishte gjetur edhe dy ofertues të tjerë, njerëz të afërt të tij.

Po të kishte pavarësi të gjyqësorit, po të kishte prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur, ky rast do të ishte mbyllur para një dekade. Meqë nuk ka të tillë, Veseli shkon aty edhe i shpall luftë krimit dhe korrupsionit nga vendi i krimit.

Do ta çonim teposhtë disi sikur të ishte vetëm ky rast. Shkelqa, pronari i televizionit ku Veseli i shpall luftë krimit, u shndërrua dje në një lajm interesant kur ambasadori gjerman, Christian Heldt, e shprehu habinë e tij për mënyrën se si funksionon në vendin tonë projekti i homologimit të veturave, që importohen për në vendin tonë. Shkelqa këtë projekt e ka dhuratë nga PDK-ja.

Po e zëmë që Veseli nuk ka pasur njohuri në atë kohë kur ishte realizuar ky projekt kriminal. Po e zëmë që përgjegjësinë kryesore e kanë Grabovci dhe Limaj, që ia kishin bërë këtë nder djalit nga Peja. Këta të dy patjetër që kanë përgjegjësi për një gjë të tillë, mirëpo kjo gjë assesi nuk e mban të pastër Veselin, posaçërisht kur ai është në luftë të hapur me korrupsionin.

Nëse ai e ka seriozisht një gjë të tillë, nëse rastësisht i ka rënë, siç thotë një fjalë, “Kurani në dërrasë të gjoksit” dhe e ka këndellur, atëherë le ta ndërpresë këtë kontratë, tash në 10-vjetorin e saj. Ajo është një kontratë e pashembullt. Përveç që është monopol i pastër, çmimet aty janë qesharakisht të larta.

Pastaj nuk do koment fakti që përmes vrimës së Shkelqës duhet të kalojnë edhe veturat me 00 kilometra të kaluara, të cilat kanë kaluar përmes filtrave të fabrikave gjermane, por që ato nuk mund të shkelin në rrugët tona pa ia dhënë aminin edhe familja Devolli.

T’i thuash Agim Çekut: hape rrugën se jam në luftë me krimin dhe korrupsionin, ose Njazi Kryeziut, e në anën tjetër ta legjitimosh Shkelqën kur e blen Ligën e Kampionëve në Serbi, për ta transmetuar në gjuhën serbe në Kosovë, në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, kjo është thjesht një përrallë për parashkollorët.

Krimi dhe korrupsioni nuk do të luftohen dhe nuk mund të luftohen, duke i penalizuar zëvendësministrat. Ai është i shtrirë në vendin tonë në mënyrë strukturore, horizontalisht dhe vertikalisht. Askush nuk ka përgjegjësi më të madhe për të sesa lidershipi i partisë. Beqaj, Çeku, Kryeziu, Pajaziti, Grabovci etj., janë viktima kolaterale.

Ata e kanë kryer edhe ndonjë krim për nevoja personale, mirëpo hisja e luanit vazhdimisht ka shkuar për partinë dhe për partitë. Nëse nuk do të ishte Beqaj do të ishte një tjetër. Nëse nuk do të ishte Çeku do të ishte një tjetër. Problemi është te ideja. Ajo ishte kriminale.

Burim: https://www.gazetaexpress.com/do-ti-besoja-kadri-veselit-nese-e-shkarkon-edhe-shkelqim-devollin/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*