Deri kur në fushatë elektorale me arkivole ?

Shkruan:
Xhafer Shatri

Kësaj radhe pata vendosur mos me u impliku fare me shkrime e “anime“ për zgjedhjet që po vijnë. Për shumë arsye. Por kur e lexova një intervistë të Isa Mustafës, ku përmendte vrasjen e aktivistëve të LDK-së, më ‘kceu kandari’. Ec e përbije hipokrizinë e këtij çakalldemiku, i cili, qe më shumë se një gjysmë shekulli tallet serbisht me Kosovën dhe me shqiptarët.

Tipat si ky nuk dijnë kur është boll, dhe, mjerisht, nuk janë pak në skenën tonë politike. Si sot më kujtohet kur me dosjen e errët të Shikut dhe të vrasjeve gjatë e pas Luftës, Isa Mustafa u reciklua në politikë duke u katapultur në krye të LDK-së. Në fakt, forcat më të errëta anti-Kosovë ia dhanë për detyrë ta shkretojë edhe më zi, LDK-në e bashkë me të edhe Kosovën. Dhe, mos m’ia hëngër hakun, nuk e ka lënë keq.

Çuditem se si nuk del dikush, prej tipave përreth, me i thënë : Boll, bre, mos ua shtin njerëzve gishtat në sy se nuk bon. Se edhe lopët e dijnë se ti nuk e ke pasë kurrë hallin e njerëzve që i kanë vrarë në pikë të ditës dhe për pikë të qejfit por e ke hallin e kolltukut…

Dhe si mos me u çuditë që partia e “intelektualëve“ (kjo turmë hipokritësh e sharlatanësh par exellence, nuk ka haber se çka thoshte Sartëri dhe si e definonte ai rolin e intelektualit) nuk e ka një grup, sado të vogël, strategësh që mendojnë dhe vendosin se çka e ha dhe çka nuk e ha pazari, çka ia vlen dhe çka s’ia vlen… ; një grup njerëzisht normal që e matin pulsin e opinionit, që shpërfaqin projekte konkrete e ide…

Por jo, sepse LDK “nuk ka nevojë“ as për ide e as për projekte, ajo ka udhëheqje që i “fiton“ zgjedhjet me duar në xhepa, sepse ata e kanë Rugovën dhe varrin e tij, i kanë arkivolet e atyre që i vrau Serbia me dorën e shqiptarëve ose krahu tjetër i mafias dhe këto mjaftojnë për t’ia ly kryet me akull hajvanatit që e han kashtën për otavë, goglat për arra dhe baglat për çokollada.

Por kësaj radhe është mbushur kupa. As Rugova e as arkivolet nuk bëjnë punë. Nuk bëjnë punë as mediet mercenare që u mbyllet goja dhe mbijetojnë me shpallje konkursesh e tenderesh ose shërbejnë si lavatriçe për pastrim parash.

Në pikëpamjen time, ai që sot, në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit XXI, i jep vota Isa Mustafës dhe sojit të tij, ai ose është kokrra e budallës, ose është karrierist e horr i pandreqshëm, ose ka probleme serioze me ligjin.

Sepse këtu logjikë tjetër nuk ka.

Kryesia e LDK-së ma përkujton djalin plangprishës që e shet për bixhoz e për raki çdo gjë që ia kanë lënë prindërit e tij…, e në fund, kur të gjitha i bënë rrush e kumbulla, ua shet për 5 metelikë edhe dyert e oborrit, edhe gurët e varreve…

PS.

Deri vonë, për anëtarësinë e LDK-së, kam ruajtur një nostalgji të përzier me respekt e dhëmbshuri, por nëse atyre burrave e grave edhe pas të gjitha këtyre hileve e veprimeve shtetrrënuese të Isa Mustafës me shokë, nuk u ka dalë gjumi, atëherë le t’i han dreqi.

Dhe i bëfshin mirë.

 

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*