DEMONSTRATAT QË SOLLËN MURLANIN GJEOPOLITIK (Shkrim i mbështetur në ditarin e burgut)

Shkruan:
Xhafer Shatri

Pjesa e tretë

Burgu, si asgjë tjetër, ta mundëson një luks të rrallë; të kesh kohë të mjaftueshme për të menduar për gjithçka. Ti je aty i ngujuar e pa asnjë të drejtë. Asgjë nuk mvaret prej teje, pos mikroorganizimi i një jete në zgripc (si ta mundësh pagjumësinë, si të bëhesh imun ndaj hajvanllëkut, me të cilin detyrohesh të jetosh në një kthinë 16 m katror, si ta ushtrosh organizmin për ta tretur ushqimin që nuk e hanë as qentë, si ta injorosh rojën që është ose i lig ose kokrra e budallës, si ta ushtrosh krejt qenien tënde që spiunin, që e di se thotë e shpif çdo gjë kundër teje pa asnjë shpërblim ose me premtimin që t’i falet një pjesë e dënimit, ta durosh me një indiferencë biblike, edhe kur çohet natën dhe përpiqet me e deshifru se çka po flet jerem apo kur ai bën edhe akrobacione të pabesueshme me t’i zhbirilu edhe ëndërrat e mëngjesit…), dhe liria e paanë për t’i hipur imagjinatës teposhtë e përpjetë, kudo nëpër tokë e, besa, edhe nëpër hemisferë; t’i lexosh librat e gazetat dhe t’i analizosh ato nga të gjitha këndveshtrimet e mundshme, të mendosh deri edhe në detajet më të vogla për çdo veprim tëndin paraprak, t’i analizosh ngjarjet dhe njerëzit pa komplekse dhe me paanësi absolute…

Pas vdekjes së Titos, në pritje të ndryshimeve të mëdha, sidomos Kosova ndodhej në një udhëkryq historik. Pyetja jetike ishte: kah me ia mbajtë?

Prandaj nuk duhej ndonjë zgjuarsi e veçantë për ta kuptuar se gjendja ishte eksplozive.

Temat kryesore që trajtoheshin për çdo ditë në medie ishin

– Ngjarjet në Poloni, dhe

– Përkeqësimi i gjendjes ekonomike

Kriza në Poloni, në thelb të së cilës ishte kundërshtimi i komunizmit dhe shtypjes ruse, e ushqente për çdo ditë pakënaqësinë e shqiptarëve në trojet e pushtuara, sepse analogjia ishte vërtetë e prekshme.

Në anën tjetër, gjendja ekonomike ishte e rëndë. Mediet, ani se maksimalisht të kontrolluara, megjithatë njoftonin për greva e protesta. Për shëmbull në Thertore, në Fushë-Kosovë: punëtoët kishin hyrë nëpër zyra dhe e kishin nxjerrë drejtorin si papazin, drejt e në në rrugë… Në Kroaci kishte greva për çdo ditë dhe shtypi i regjimit detyrohej ta pranonte se grevistët kishin të drejtë.

Në fillim të vitit 1981, në atë Republikë kishin marrë pjesë në greva mbi 4000 punëtorë.

Një serbo-malazez, kuadër i Kosovës në Federatë, më duket se quhej Ilija Kovaçeviq, në një intervistë thoshte se diferencat e zhvillimit ekonomik mes Kosovës dhe njësive të tjera të federatës po përthelloheshin dhe se kjo mund të ketë pasoja shumë të rënda politike…

* * *

Më 11 mars 1981, paradite, pas shumë kërkesave që të më çojnë te dentisti, më në fund më çuan. Para se të hipim në veturë, në korridorin e drejtorisë, i pashë nja dy-tre tipa që ishin fytyra të njohura; i kisha parë përmes dritares në zyrat e UDB-së përballë burgut.

Me mua erdhën dy roje dhe shoferi. Dentisti konstatoi se njëri dhëmb, ai që më dhimbte si me ma shti gjylpanën, më kishte shku për lesh, prandaj ma nxori, ndërsa tjetrin kishte mundësi ta shëronte. Kur më nxorën nga ambulanca e vërejta se ata tipat e UDB-së kishin qenë edhe aty, njëri prapa derës në korridor, ndërsa dy të tjerë, në veturë, te dera e jashtme. Kjo ishte një shenjtë se radarët e drejtorit, Svetës, nuk ishin ndalë. Vetë më vete, a mendoni ju se unë do t’ia ther kështu si garip? E more Sveto…, kur të iku unë ka me të kërsitë edhe tepja e kresë. Qe besa!

Kishte shumë vjetë që nuk e kisha parë Kosovën ditën. Bënte një mot as-as. Fryente një erë e shkretë dhe i endte copat e letrës sa në një cep sa në cepin tjetër të rrugës. Ishte kufiri mes dy stinëve; dimrit që nuk pranon të ikë dhe të pranverës së ethshme për ta shtrirë “pushtetin“ e saj. Kishte diçka shpërthyese në atë atmosferë. Diçka që e shohim te filmat klasikë për Perëndimin e egër, kur, para se me fishkëllu plumbat, vërshëllon një erë e rrezikshme…

Te nesërmen dolëm në shëtitje. E pamë kur i sollën gazetat, por nuk na i dhanë.

Duhet të ketë ndodhur diçka sigurisht.

Kompletin e Kadaresë e kam përfunduar. Shkruan bukur. Kryeshtylla e gjithë krijimtarisë së tij është qëndresa e shqiptarëve përballë furtunave të historisë. Në disa prej veprave të tij hetohet ndikimi i Dostojevskit.

Shpresoj se javën e ardhshme do të ma sjellin kompletin e Shekspirit.

Çdo gjë që e bën njeriu në burg është ndryshe. Sidomos leximi kthehet ne një përjetim krejt të veçantë, që më shumë i gjason thithjes me tru…

Pas dite, kur na nxorën në shëtitje, derisa ishim te lokalet e toaletit, Bajraktari, krejt papritur, ia nisi të qajë me dënesë… “I kam lënë fëmijtë vetëm, nuk e di se çka do të ndodhë me ta. Djali është ushtar… Vëllau kujdeset për ta, por edhe ai jeton në skamje…“ Ishte tepër e rëndë ta shohësh një burrë 64 vjeç kah qante si fëmijë. Memzi e qetësova.

Kur na nxorën në oborr, Ismeti, kuzhinieri, po i qëronte do patate. Duke bërë rrathë, kur iu afrova pranë, më përshpëriti të vogël: “Dje ka qenë tollovi në Prishtinë…, studentët kanë demonstruar dhe e kanë bërë llom çdo gjë që u ka dalë përpara…“

Ishte lajm shumë i mirë.

Edhe në UDB ka shumë më tepër lëvizje. Më 15 mars, asaj zyrës që ishte pranë oxhakut dhe që e vetmja kishte grila, ia vunë një perde stofi. Tërë natën po punon dikush aty.

* * *

E enjte, 26 mars. Është një ditë shumë e bukur, taman pranverë. Kam fjetur shumë mirë, por u zgjova herët. Në të vërtetë më zgjoi një trio e këtushme: sorrat, pëllumbat dhe kumriat. Sikur bënin garë me njëra-tjetrën. Po të mos ishte krrokama e sorrave do të ishte një koncert i bërë për shpirtin…

Duke menduar për këtë, m’u kujtua poezia e Latif Berishes “Tri gotat“. Idhtësia i lëshon pikat e saj edhe në kulmin e një hareje. Kur mendoj për këtë profesor timin, më ndodhë ta pyes vetën, pse ky njeri i mirë e poet me shpirt e ka shkruar vetëm një përmbledhje me poezi? Në burg kam ardhur te përfundimi se atë duhet ta kenë arrestuar, duhet të kenë bërë presion mbi të, duhet të kenë kërkuar sqarime për çdo shkronjë e për çdo varg, dhe kështu ia kanë ngulfatë përgjithmonë frymëzimin. Si puna e kronit. Kam ndëgjuar se nëse preket burimi me rrëmihje e zhbirilime ai po ndalej… Ma merr mendja ,me të lëvizur gurët, mbyllet plasa dhe i zihet fryma, udha ujit…

Edhe sonte po punojnë në zyrën me perde. Mund të jetë kthinë për tortura dhe grilat ia kanë vënë që viktima, kur t’ia sjellin shpirtin te hunda, mos me pasë mundësi as me këcy për dritare e me ia shkurtu vuajtjet vetës… Por po të ishte kthinë për tortura, megjithatë do të ndëgjoheshin gjamët e viktimës.

Më parë do të thosha se aty është arkivi dhe tash kanë nevojë me i shfletu dosjet e reja e të vjetra…

Punë dreqi.

Për çudi të gjitha dritat në UDB janë ndezur sonte. Nëpër zyra ka plot njerëz.

Sot pasdite e aktivizuan vrojtoren (karakollin), të cilin nuk e përdornin asnjëherë. Pasi e pastruan, e vendosën një karrigë e me të edhe një roje burgu me pushkë në krah.

Më 27 mars nuk na i sollën gazetat. Rojet e ndryshuan qëndrimin. Rrinin mërrolt, pos Demushit. Ky e sillte truçin e çelësave me gisht dhe na thoshte: Hajde delni pak me shëtitë se keni nevojë për ajër të pastër e për diell…

Në vrojtore ishte Hafizi. I kishte bërë sytë kapitash, prandaj nuk guxova të afrohem afër kuzhinës për ta pyetur Ismetin për gazeta. E pyeta Demushin kah na solli nga shëtitja: Sveta i ka marrë krejt gazetat dhe i ka lënë në zyrën e tij.

“E çka po i vyejnë -, i thash?”

U përpoq të më thotë diçka me sy, por kur e pa se nuk kuptova u afrua krejt pranë dhe më tha se: “Dje krejt Prishtina është kallë flakë…”

E diel, 29 mars 1981

Më thirrën në vizitë. Kur shkova, në sallë kishte qenë Nana Zojë, nëna e Binak Ulajt, dhe Nana ime. U gëzova shumë. Fillimisht nuk kishin dashur ta lëshojnë Nanën Zojë, sepse nuk ka qenë e shënuar si pjesë e ngushtë e familjes, por njëri prej gardianëve kishte thënë: Lëreni se qenka plakë dhe një zot e di a do ta shohë ma ndojherë…

Nana Zojë më tregoi për Binakun, po u fejoka këto ditë… Më tregoi edhe për familjen e Kadriut dhe të njohurit e përbashkët. Ajo që më bëri përshtypje ishte se edhe Kadri Osmanin e kishin sjellur në Kosovë, në Mitrovicë. Më shkoi mendja menjëherë se mos i kanë arrestuar Mjeshtrin (Mehmet Hajrizin) dhe të tjerët e tash duan të na nxjerrin në gjyq edhe njëherë, të gjithëve bashkë…
Xhavit Dërmaku po punoka në Obiliq. U gëzova për të.
E pyeta Nanën Zojë për Nezir Qosjen, më tha se është martuar dhe se aktualisht është ushtar.

Nëna më tha të vogël: krejt Kosova është në këmbë. Kurrë nuk ka qenë ma urrfije. Është mbushë Kosova me policë e me ushtarë.

* * *

E premte, 3 prill 1981

Mbrëmë, i mbyllën kuzhinierët pa rënë zilja për gjumë. Diçka e veçantë duhet të ketë ndodhur… Para se të na i ndalin dritat, hynë rojet nëpër të gjitha dhomat dhe i morën dyshekët e bataniet e tepërta. Pas mesnatës më doli gjumë, nga rrapëllima e dyerve. E sollën një truç me të burgosur.

U çudita shumë, sepse transferi zakonisht bëhej ditën.

Njëfarë Ilia që punon në kuzhinë, është bukur llafazan. Kur dolëm në shëtitje, në mëngjes, ishte duke e fshirë oborrin. “ A po mërzitesh?”- i thash të vogël (kjo është pyetja më e shpeshtë që të burgosurit ia bëjnë njëri-tjetrit).

“Po bogami… se e kam gruan sëmurë… – pushoi pak dhe pasi kqyri drejt vrojtores, vazhdoi: “Qe dy ditë krejt Prishtina është në këmbë. Sidomos dje ka qenë shumë rrezik. Punëtorët e Ramiz Sadikut dhe të Obiliqit, nuk ka mundur t’i ndalë as ushtria…“

Vetë me veti, oooh goja t’lumtë!

Vllada prej vrojtores i bërtiti serbisht, Ilisë: “Luje fshisën e mshele gojën…!“

Na futi brenda menjëherë.

Pasdite nuk na lëshuan fare në shëtitje, por na i dhanë gazetat.

Krejt faqja e parë e “Rilindjes“ po shkruan për demonstratat. Ishte edhe një deklarat e Xhavit Nimanit, permes së cilës kërcënohej se ndaj demonstranteve dhe “forcave armiqësore” do të ndërmirren masa të ashpra. Demonstrata paskesh pasur në Prishtinë dhe në qytete të tjera.

Ajo që më shqetësoi ishte se, sipas shtypit, demonstruesit kanë përdorë armë kundër organeve të rendit. Nuk e besoj, por duhet të ketë të vrarë dhe regjimi e përdor këtë rrenë për t’i arsyetuar vrasjet.

Xhavit zeza po e pranon se në demonstrata kanë marrë pjesë edhe punëtorët, por Lidhja e Komunistëve paskësh vendosur t’i “ndihmojë ata që të mos mashtrohen nga forcat armiqësore…“

Vetë më vete: E di se si do t’i ndhmoni ju ata…, do t’i ndihmoni duke ua thyer brinjtë dhe duke i sjellur këtu, në burg, që t’u ndihmojë edhe më gjatë Gani Tara me shokë…

Qenka shpallur gjendje policore. Sekretari krahinor i Punëve të Brendshme paska lëshuar urdhëresën qe të mos shetiten më shumë se 5 njerëz bashkë…

Në shtyp paskeshin publikuar telegrame “perkrahëse” që “kolektivet punuese“ u paskeshin drejtuar organeve të shtetit. Çfarë hipokrizie! Taman metoda fashiste!

* * *

Rreth orës 2 pasdite i mbyllën kuzhinierët nëpër dhoma dhe nuk na lëshuan në shëtitje. S’vonoi shumë veç kur u dëgjuan brohoritjet e turmës. Vinin valë-valë si gjamët e detit.

Po bëhej demosntratë edhe në Ferizaj! Në vrojtore shkuan menjëherë dy roje: Muhameti dhe Hajrizi, që të dy me pushkë.

Tash dëgjoheshin parullat më qartë. Dominuese ishte “Kosova – Republikë“!

Dikur: Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me tutë apo me pushkë, nuk ndëgjohej bash qartë…
Kur erdhën afër burgut, ndëgjohej parulla Enver Hoxha, Enver Hoxha…
Pastaj u larguan, mirëpo nuk vonuan dhe u kthyen prapë afër burgut…
Kur u rikthyen të tretën herë, ia kanë dhënë burgut një batare me gurë e cunga sa që kërcisnin tjegullat si me qenë kobure, ndërsa dhomat e muret ushtonin!

Ishte kënaqësi e papërshkrueshme ta përjetosh rrahjen e burgut me gurë e me drunj! Burgut këtij personifikimi origjinal të regjimit.

Për dritare e shihnim duke rënë në oborr breshëri me gurë, me tulla e me cunga. Një gurë arriti deri te ndërtesa e UDB-së dhe e theu xhamin e shkallëve të saj.

Vrima që hapi guri në xhamin qorr, ka mbetur ashtu disa muaj rresht.

Jashtë ndëgjoheshin krisma armësh dhe shpërthime që i gjasonin bombave. Veç kur ia ka nisë të gjuajë me pushkë edhe ky Hajriz zeza nga vrojtorja. Në fakt ky e bënte prej tute. Sepse nga shtrati i sipërmë unë e shihja prej fillimit se si cacitej nëpër vrojtjoren e ngushtë dhe se si e kruante qafën. Ma çonte mallin e qenit të zhugavt kur e kulmisin grejzat. Ishte shumë gallatë!

Njëri prej prej të burgosurve në dhomë, e theu heshtjen: Vallaha burra, kijameti nuk mundet me kanë ndryshe!

Ndërsa Bajraktari ishte hipë në shtratin e sipërm, më shikonte me kënaqësi, e çonte dorën te zemra dhe i vizllonin sytë e i qaravesheshin mustaqet. Por kujdesej që të mos e shohin të tjerët. Dreqi!

Në ndërkohë u ndëgjuan zinxhirët e tankeve e menjëherë pastaj helikopterët, më duket se ishin dy. Dridheshin muret dhe ushtonte burgu.

Në mbrëmja ra heshtja, dikur, më vonë, ndëgjoheshin vetëm sirenat e policisë dhe herëpasherë helikopterët.

Në UDB shihej tollovi. Në një moment m’u duk se, në zyrën e ‘naçallnikut’, u futën tre ushtarakë.

* * *

Tashmë ishte bërë një çarje serioze në ngrehinën e regjimit dhe unë duhej të jem praktik. Së pari, i mblodha të gjitha shënimet që i kisha fshehur në fund të librave, mes kopertinave e vendlidhjes, i maskova në një pako cigaresh dhe, kur na dërguan në toalet, dikur vonë, i thash axhës Ali: Në këtë tollovi me mua mund të ndodhë gjithçka, prandaj po ta lë në besë këtë pako cigarësh…, në të e kam futur një letër për familjen time. Kur të dalësh shko te babai im dhe dorëzoja.

“Besa e Zotit t’koftë dhanë“, – më tha.

Tash ishin ndarë dhentë dhishë njëherë e përgjithmonë. Dhe unë vendosa që të mendoj vetëm se si me ia shkelë prej këtu sa më shpejtë. Nuk kisha më asnjë dilemë.

Pas tri ditësh i sollën demonstruesit që i kishin arrestuar. U mbush burgu plot e përplot.

Në dhomën pranë timës e sollën Ismet Sopin dhe plot të tjerë, ndërsa në dhomën 11 apo 15, s’më kujtohet saktësisht, Adem Salihajn, gazetar i Televizionit. Me Ademin njiheshim, sepse kishim qenë anëtarë të së njëjtës organizatë ilegale.

Pas nja një jave, në mbrëmje vonë, krejt papritur dhe në krejt burgun shpërtheu kënga:

Ushton gryka e Kaçanikut

morën zjarr k’ta gur’t e malit,
përmbi çallma t’Anadollit,
Ndizet huta e Shqiptarit!
Hej Kaçanik o shkëmbë e gurë,

Vritesh e pritesh për Flamur!

Kur e ndëgjova këtë kushtrim të rinisë së Kosovës, m’u çu’ zemra peshë!

Kurrë në jetën time nuk kam qenë aq i lumtur e aq krenar.
Vetëm për këtë çast magjik, ia ka vlejtë t’i kalojë, pa asnjë ligështim e pendesë, që të nëntë rrathët e ferrit.

Në këtë moment të papërsërishëm, ma çau shpirtin, si me thikë, keqardhja pse këto çaste heroike nuk mund t’i ndaja me Adem Demaçin, Kadri Osmanin, Rexhep Malën, Isa Kastratin dhe me shumë të tjerë.

* * *

Atë natë e tutje e braktisa leximin. Ushtroja rregullisht dhe e tirrja mendimin derisa pa e këputë.

Pas tre-katër ditësh e kristalizova qart idenë e daljes në Perëndim. Numri i madh i njerëzva tanë atje, krijonte mundësinë për hapjen e një fronti krejt tjetër, diçka ngjashëm si në kapërcyell të shekujve 19-20, disa vjet para Shpalljes së Pavarësisë…

Përfundim:

Kam pasur rastin të lexoj shumë shkrime për demonstratat e vitit 1981, por edhe të dëgjoj debate të ndryshme. Rrallë më ka ndodhur të lexoj ose të ndëgjojë analiza të sakta, të zhveshura nga çdo subjektivizëm.

Posaqërisht të padenjë më duken ata që mistifikojnë rolin e tyre në këto demonstrata dhe vjelin “merita“ nëpër ajr…

Por veçanërisht të neveritshëm më duken ata që asokohe ishin pjesë e nomenklaturës dhe tashti përpiqen t’u japin atyre ngjarjeve ngjyrim komplotist, duke shkuar aq larg sa të thonë se demonstratat i ka organizuar Moska, UDBA, KOSI apo dreqi e i biri, ndërkohë që e vërteta është aq e thjeshtë dhe krejt e dukshme:

Kosova ishte rritur, ajo po burrënohej për çdo ditë dhe, për pasojë, atë nuk po e zinin më teshat që ia kishin prerë dhe qepur të tjerët.

Përmes këtij shpërthimi historik ajo, krejt natyrshëm, kërkonte që teshat për trupin e saj, t’i presë e t’i qepë sipas kutit dhe shijes së vet.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*