Debati shqiptar për Amerikën

Shkruan:
Xhafer Shatri

1.

Një shkrim i Shqiptar Osekut, përmes të cilit ky kërkon nga shqiptaroamerikanët të mos e votojnë Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme u bë shkas për debat e polemika të nxehta à la shqiptarçe. Thua se u bë nami!

Unë konsideroj se debati është i domosdoshëm për shumëçka. Dhe që nga vetja jonë, familja, shoqëria, kombi e tutje. Por në debat të mirëfilltë ka, të paktën, dy ‘armë’ të lejueshme dhe të domosdoshme: gjakftohtësia dhe argumentet. Sidomos argumentet.

E di se nuk jam kompetent për të debatuar për problemet e brendshme të SHBA-së. Por mendja ma thotë se peshë vendimtare në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale kanë pikërisht problemet e brendshme të vendit dhe se debati mes shqiptarësh në rrjetet sociale për këtë çështje nuk çon peshë.

Ajo që më rezulton themelore është se në opinionin shqiptar mbizotëron bindja se shqiptarët kanë detyrime të mëdha ndaj Amerikës. Këtë bindje kam edhe unë dhe krejt familja ime. Madje do të shkoja edhe më larg dhe pa asnjë grimë patetike: në pikëpamjen time Amerikës i detyrohen edhe 1000 breza shqiptarësh, sepse KJO na e ka hequr Serbinë nga qafa. Një Zot e di se çka do të ndodhte me ne, nëse Amerika nuk do të ndikonte drejtpërdrejtë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

2.

Politika e jashtme e SHBA-së gjatë qeverisjes së Donald Drump ka ndryshuar dukshëm. Dhe nuk është për t’u çuditur. Sepse kanë ndryshuar edhe sfidat. Forcimi i Rusisë, Kinës, Indisë, Brazilit, Iranit e kanë detyruar Amerikën ta shqyrtojë edhe bashkëveprimin me Evropën Perëndimore e madje edhe funksionimin e Natos…

Në këto përballje Kosova nuk ka asnjë peshë. Dhe ne duhet të mësohemi të jetojmë me këtë fakt.

Në këtë vijë Amerika nënshkroi paqe me talibanët duke i dhënë fund një lufte të përgjakshme 18 vjeçare. Kjo do të ketë peshë serioze në zgjedhjet e ardhshme.

SHBA-ja po e shqyrton edhe tërheqjen e ushtrisë nga Kosova dhe, mendja ma thotë se, këmbëngulja e Washingtonit për t’i vënë një kapak konfliktit mes shqiptarëve dhe Serbisë lidhet edhe me këtë çështje.

Por qasja e administratës së presidentit Trump ndaj këtij konflikti krijon dilema serioze: së pari, anashkalimi i Departamentit të shtetit;

së dyti, retorika e Grenell, që një konflikt aq të gjatë dhe aq të përgjakshëm siç është ky në mes Kosovës dhe Serbisë, do ta zgjidhë me masa ekonomike, thënë më së buti nuk është bindës.

Në anën tjetër, këmbëngulja e ambasadorit Grenell që taksa 100% të hiqet menjëherë nuk është as reale dhe as qëllimmirë. Sepse taksa nuk i është vënë Serbisë rastësisht. Nuk ishte ky një akt i ngutshëm individual, por një vendim i domosdoshëm për t’i thënë Serbisë Stop.  Prandaj edhe nuk mund të hiqej me një të rënë të lapsit.

Kjo do të ishte njëjtë sikur dikush të kërkonte në mënyrë ultimative nga Amerika që t’ia heqë sanksionet Iranit…

Albin Kurti e bëri më të mirën e mundshme. Ai, duke respektuar premtimin elektoral dhe marrëveshjen e koalicionit, premtoi heqjen graduale dhe me kushte të taksës, tarifës 100%.

Dhe Ambasadori Grenell, në vend që ta përgëzonte një hap të tillë, e bëri të kundërtën. Madje duke e përdorur Hashim Thaçin si kamxhik, u përzi pafalshëm në kundërshtitë politike të Kosovës gjë që as një administratë amerikane nuk e ka bërë deri sot.

 3.

Ka shumë vjet që Hashim Thaçi po i dëmton haptas dhe me këmbëngulje interesat e Kosovës. Sipas të gjitha gjasave, Serbia ia ka nxjerrë përpara dosjen e trashë për gjëra të rënda që i ka bërë gjatë dhe pas Luftës sidomos kundër shqiptarëve dhe ky është dorëzuar. Përndryshe nuk mund të ketë shpjegim tjetër që një çështje të mbyllur (statusi i Kosovës ) edhe nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Hashim Thaçi, të marrë guximin dhe ta hapë si temë diskutimi jo vetëm me Serbinë por edhe me faktorin ndërkombëtar.

Është konstatuar se Hashim Thaçi ka shkuar aq larg me veprimet e tij shtetrrënuese sa që ka paguar edhe lobistë me parat e taksapaguesve që të lobojnë për ndarjen e Kosovës.

Ndërsa tash, pas zgjedhjeve të 6 tetorit dhe qeverisë Kurti, Thaçi ndihet dyfish i rrezikuar. Ai e di se çkapja e shtetit nuk ka alternativë dhe e di se edhe nëse i shpëton Gjykatës speciale, kurrë nuk do të mund t’i shpëtojë organeve të drejtësisë së Kosovës, para të cilave do të përgjigjet për shumë vrasje, për plaçkitjen e bugjetit të shtetit,  rrënimin e ekonomisë dhe mbi të gjitha për rrezikimin serioz të integritetit territorial të vendit.

Ky është shkaku pse ai nuk pranon të ulet me qeverinë e re dhe të bisedojnë normalisht për politikën e jashtme, për marrëdhëniet me aleatët dhe për një qëndrim të përbashkët përballë Serbisë.  Por përpiqet t’i krijojë hendeqe e kundërshti të shpifura në mes Qeverisë Kurti dhe administratës amerikane.

Por e ka kot, sepse të gjithë e dijnë se askush sa Hashim Thaçi nuk e ka keqpërdor Amerikën. Le t’i kujtojmë ato bisedat e turpshme telefonike të krerëve të prontomafisë, kur Hashim Thaçi thoshte me fjalorin e cubit: „ hajt se luaj koqe me ta (amerikanët) !“

Ai tash ka mbetur pa pushtet, pa mbështetje e pa autoritet dhe përpiqet të mbijetojë politikisht duke keqpërdor organet e shtetit dhe duke dëmtuar publikisht interesat jetike të vendit.

Por e ka kot, sepse Amerika ani se edhe mund t’i përdorë për nevoja ditore, megjithatë kurrë nuk i do dhe kurrë nuk i mbështetë ata që tradhtojnë vendin e vet.

4.

Shqiptarët në Amerikë, për më shumë se një shekull, e kanë ndihmuar shumë çështjen shqiptare dhe sidomos çështjen e Kosovës. Ata kanë bërë dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Ata e dijnë sigurisht se pse ndodhi përmbysja më 6 tetor 2019. Ata e dijnë gjithashtu se Hashim Thaçi përfaqëson kohën që po perëndon, ndërsa Albin Kurti e Vjosa Osmani të ardhmen e Kosovës.

Jam krejt i sigurt se shqiptaroamerikanët do të dijnë se si ta mbrojnë çështjen tonë të përbashkët përballë sfidave të mprehta të shkaktuara djallëzisht e në vazhdimësi nga Serbia dhe Rusia. Ata nuk janë vetëm, sepse në Amerikë, konkretisht në Kongres, në Senat dhe gjithandej në administratën amerikane kanë miq të dëshmuar e me ndikim që do të vazhdojnë ta mbrojnë çështjen e Kosovës. Do ta mbrojnë sepse është një çështje e drejtë, sepse shqiptarët dhe Amerika ndajnë vlera të përbashkëta.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*