Dashnorët e pabesë të Amerikës

Shkruan: Xhafer Shatri

Besoj se askund tjetër në botë njerëzit nuk e duan Amerikën si në Kosovë. Me të drejtë. Na e ka heqë Serbinë nga qafa. Na ka shpëtuar. Na i ka ndalur rrahjet e keqtrajtimet, vrasjet, plaçkitjet e përdhunimet. Na i ka ndalë burgimet. Na e ka nxjerrë UDB-ën nga shtëpia. Na i ka ngjallë shpresat dhe endërrave tona iu ka dhënë krah.

Këtë dashuri për Amerikën Shqiptarët e Kosovës, kudo që janë, e shprehin në të gjitha mënyrat: para disa vitesh, po e lexoja librin e Madeleine Albright “Madame la Secrétaire d’Etat” (Zonja Sekretare e Shtetit). Dhe Nëna ime qe, në pranverë i mbush 100 vjeç, më pyeti kush është kjo grua se po më duket e njohur. I tregova dhe shtova se kësaj Zonje Shqiptarët i detyrohen përjetësisht. “Zoti e ruajt”, më tha, “se ka qenë rrezik me më mbetë shpia shkret… dhe jo veç shpia jeme por krejt Kosova… !”

Më 5 shtator 2013, në ora 1 të mëngjesit, në Sheshin e Kombeve, para selisë së OKB-së, në Gjenevë, një Tamul, refugjatë në Zvicër e prind i tre fëmijeve (4, 6 e 10 vjeç), ishte lyer me benzinë dhe ia kishte vënë flakën vetës. Ishte i vetmi akt që i kishte mbetur për të tërhequr vëmendjen e botës për gjenocidin që ushtronin autoritetet srilankeze ndaj Tamulëve, kur me qindra-mijëra gra e fëmijë tamulë i hidhnin në detin e egërsuar. Vetëm pse kërkonin Liri. Para se t’i vinte flakën vetës, ai e kishte thirrë të atin në telefon për t’i thënë se atdheu i tyre shpejt do të jetë i lirë.

Pas një jave, Tamulët, në shenjë mirënjohjeje e respekti për të, kishin organizuar një manifestim në të njëjtin vend. Shkova me një Shoq të moçëm të solidarizohemi me ta. Ishte një tubim i trishtë deri te Zoti. Edhe fëmijët e martirit tamul kishin qenë aty. Qe të tre e mbanin në duar nga një fotografi të të atit… Kur i pa ai Shoqi jem fëmijët e tij i shpërtheu një vajë e papërmbajtshme. I dridhej krejt trupi. E kapa për krahu dhe u larguam. U përpoqa të përmbahem, por ishte e pamundur… Shkuam këmbë deri te Liqeni dhe vazhduam të ecim në pistën buzë tij. Ecëm gjatë dhe pa e thënë asnjë fjalë. Dikur ai u ndal dhe u khye prej meje. Sytë ende i kishte plot lotë dhe fytyra ia kishte marrë ngjyrën e akullit.

Dikur foli më zë të dridhur: “Po  të mos ishte Amerika edhe ne ende do të ishim si tamulët. Dhe një Zot e di deri kur !“

Nuk fola, sepse nuk kisha forcë. Vetëm e tunda kokën. Në fakt gjatë tërë rrugës që e bëmë bashkë më ishte ngulitë në kokë mendimi i zi, se po të mos kishte intervenuar Perëndimi në Kosovë, pikërisht ai që e kisha përballë dhe që ende, nga dhimbja, i dridhej trupi si thupër, një ditë do të vetëdigjej për Kosovën pa asnjë hezitim… Do të vetëdigjej nga trishtimi dhe nga pamundësia për të bërë më shumë për Atdheun tonë.

Janë këto detaje dhe plot të tjera si këto që ma shpojnë trurin si me thikë sa herë e dëgjoj Hashim Thaçin e Kadri Veselin me shokë të flasin për dashurinë e tyre për Amerikën, për detyrimet që Shqiptarët kanë ndaj saj, etj, etj…

Është e padurueshme dhe e neveritshme arroganca e tyre sidomos kur flasin për patriotizmin dhe për Amerikën, ndërkohë që tash 20 vjet nuk kanë lënë gjë të zezë pa bërë në Kosovë dhe kundër Kosovës: kanë vrarë njerëz për pikë të qejfit, kanë përdhunuar gra e vajza, e kanë plaçkitur dhe e kanë rrjepë Kosovën më zi se Serbia, ua kanë vjedhur ardhmërinë qindra mijëra të rinjve që i kanë detyruar të ikin nga Kosova si pa krye…

Dhe tash, pas të gjithave e ditën për diell, po duan edhe ta copëtojnë Kosovën.

Sa herë flasin për Amerikën këta cuba, në fakt fyejnë inteligjencën e çdo shqiptari sepse të gjithë e dijnë se nuk e kanë nga dashuria për Amerikën por nga dashuria për pushtetin. Për pushtetin që, për çdo ditë, po u rrëshqet nën këmbë. Dhe sa më shumë që u rrezikohet pushteti aq më shpesh thirren në dashurinë e tyre për Amerikën.

Kryecubat e Kosovës duke tradhtuar shumëherë Kosovën, po aq herë e kanë tradhtuar edhe Amerikën:

-E kanë tradhtuar duke u sjellur me shtetin tonë si kusarë ;

-E kanë tradhtuar kur, para 15 vitesh, bashkë me KOS-in serb (shërbimi sekret ushtarak serb), për të ardhur në pushtet, ia vunë flakën Kosovës dhe, për tri ditë, i hedhën në lumë të gjitha vuajtjet tona dhe të gjitha krimet që i ka kryer kundër nesh Serbia qe 150 vjet;

-E tradhtuan duke e sabotuar e zhagitur qëllimisht shpalljen e pavarësisë derisa të vinin vetë në pushtet;

-E tradhtuan Kosovën e Amerikën, kur deshën ta shfuqizojnë Ligjin për Gjykatën speciale, Ligjin që e kishin aprovuar vetë;

-E tradhtuan Kosovën dhe Amerikën kur i filluan bisedimet e fshehta me Serbinë e me Rusinë për copëtimin e Kosovës…

Ata që e njohin Amerikën e dijnë se serenatat e neveritshme të kryecubave të Kosovës nuk i ndëgjon askush, sepse Amerika i urren të gjithë ata që abuzojnë me besimin e saj e sidomos ata që e vjedhin dhe e shesin vendin e vet.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij

2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*