ÇFARË THA ALBIN KURTI ‘OFF” NË TIRANË

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shpenzuar të dielën, një ditë të tërë në Tiranë, për të informuar krerët e shtetit, Presidentin, Kryeparlamentaren dhe Kryeministrin, si dhe një grupim të përzgjedhur gazetarësh, lidhur me marëveshjen Kosovë Serbi dhe mënyrën se si u zhvilluan negociatat në Bruksel (27 shkurt) dhe në Ohër (18 mars). Nga informacionet që Lapsi.al ka arritur të mbledhë, dy kanë qenë kryetemat e inkursionit sqarues të kryeministrit të Kosovës.

E para që të mos bihet në kurthin e Beogradit për ta paraqitur marrëveshjen vetëm si një pakt rreth asocacionit të komunave me shumicë serbe. “Draftet e para të aneksit që do paraqitej në Ohër kanë qenë të tmershme dhe ato vinin asocacionin në qendër, por falë këmbënguljes sonë u arrit që ai të trajtohet si një nga mbi 30 marrëveshjet e së kaluarës”, mësohet të jetë shprehur kryeministri. Shqetësimi që ai ka treguar është se Beogradi dëshëron të përqëndrohet këtu ndërkohë që katër nenet e para të dokumentit janë shumë të disfavorshme për të, gati “një njohje de facto” e pavarsisë së Kosovës.

Po të lexohen vërtet 4 nenet e para aty flitet

se dy vendet angazhohen për respektimin e sovranitetit territorial të tyre,
se do ti zgjidhin marrëveshjet vetëm në rrugë paqësore,
se Serbia heq dorë nga përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare,
se ajo nuk do ta pengojë antarësimin e saj në organizmat ndërkombëtare dhe

se si do njohë dokumentat e shtetit të pavarur.

Ishin pikërisht këto që e detyruan presidentin serb Vuçiç të mos nënshkruaj as në Bruksel as në Ohër. Këtu Albin Kurti ka rrëfyer një nga shumë sekretet e vogla të kurtheve që atij i janë ngritur gjatë negociatave. Kur palët kishin rënë dakord për të gjitha pikat atij i është ofruar që veçmas ta firmosë dokumentin. Ai ka qenë i gatshëm ta bëjë, por kur ka mësuar se Vuçiç nuk kishte ndërmend të kryente të njëjtin akt edhe vetë ka hequr dorë. Sepse ky dokument nuk ka qenë i ngjashëm me marrëveshjen e Uashingtonit, ku Avdullah Hoti dhe Vuçiç nënshkruan veçmas.

“Atëherë tekstet ishin të ndryshme dhe palët mund të nënshkruanin veç e veç, ndërsa tani teksti ishte i njëjtë dhe ose duhet të firmosnim të dy ose asnjëri”, ka rrëfyer Kurti.

Ai ka treguar edhe për qëndrimet e Vuçiç, që janë zbutur disi në takimet e fundit. Presidenti serb nuk provokon më dhe nuk flet më në serbisht gjatë takimeve, ai duket se nuk e pëlqen faktin se marëveshja e parë e 2013 për asocacionin (ajo që nuk është hedhur poshtë nga gjykata Kushtetuese e Kosovës), nuk është firmosur prej tij, por prej Daçiçit, që ishte atë kohë kryeministër.

E natyrisht, kthehesh nga ktehesh, sa do që Kurti të dojë ta reduktojë, biseda shkon tek asocacioni, që është kërcënimi më i madh që i kanoset Kosovës nga kjo marëveshje.

Albini i është rikthyer edhe njëherë asaj që ka thënë publikisht për tre propozimet që i ka bërë Vuçiçit në Ohër, duke propozuar që ta çonte që të nesërmen propozimin për themelimin e Shoqatës së komunave me shumicë serbe, nëse presidenti serb pranonte 3 parimet themelore, pra që mos ketë kompetenca ekzekutive, që të jetë në përputhje me kartën e këshillit të Evropës dhe me qëndrimet e SHBA (lexo këtu).

Kjo ka qenë pika ku Vuçiç është bërë gati të çohet nga tryeza dhe të ndërpresë bisedimet. “Unë nuk mund të bëj rolin e atij që sjell një propozim dhe i’a refuzojnë e kështu me radhë edhe me të dytin e të tretin. Palët duhet të dakordësohen fillimisht për parimet e më pas të servirin drafte. Nuk mund të ecet përpara pa pasur mirëkuptim për thelbin, ka treguar Kurti.

Ai ka rrëfyer se asi i vet nën mëngë ka qenë një letër që ish shefja e politikave të jashtme të BE-së, Frederika Mogherini, i ka dërguar Isa Mustafës në 2015, ku ajo angazhohej se asocacioni nuk duhet të kishte kompetenca ekzekutive.

“Unë nuk mund të them se shteti i Kosovës nuk i njeh obligimet e tij të mëparshme, pavarësisht nga qëndrimi politik e personal që kam ndaj tyre. Kjo do të dëmtonte seriozitetin e shtetit dhe rrugën e tij drejt intergrimit në BE.

Këtë ma thonë shpesh dhe ndërmjetësuesit.

Por të njëjtën gjë i kam kujtuar edhe unë Borrellit, seriozitetin për të zbatuar obigimet e paraardhësve, pra letrën e Mogherinit, se asocacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”.

Ndonëse nuk u pëlqen, negociatorët e BE-së janë të detyruar të ruajnë të njëjtin standart, tregon Kurti, i cili përshkruan disi edhe rrugën që ka menduar për tu përballur me kërcënimin e asocacionit. E para një pjesë të marrëveshjes Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë. Ndërsa pjesën tjetër e ka delegjitimuar vetë Vuçiçi. Në marrëveshjen e para një dekade palët ishin dakordësuar për shkrirjen e strukturave paralele serbe në Kosovë dhe integrimin e tyre brenda shtetit të ri.

Por me ngjarjet e fundvitit të shkuar, kur Beogradi i urdhëroi policët, gjykatësit e të zgjedhurit lokalë të bojkotonin istitucionet, kjo mërëveshje u prish.

“Vuçiçi nuk mund të kërkojë ringjalljen e një marëveshjeje që ka kontribuar për ta deligjitimuar vetë”, është qëndrimi aktual i Prishtinës zyrtare.

Albin Kurti pranon se i ka parë me kujdes rreth 15 modelet e ndryshme të trajtimit të minoriteteve në Evropë që i janë servirur, por ai refuzon të shprehet për ndonjërin prej tyre.

“Në negociata nuk mund të tregosh që në fillim atë që synon”, thotë ai me të qeshur, rrëfeu për Lapsi.al një dëshmitar nga bisedat.

I pyetur gjatë bashkëbisedimit për mundësinë për të fituar kohë dhe për ta zvarritur punën e asocacionit, Kurti nuk është trguar shumë optimist për këtë rrugë.

“Gjithçka duhet të mbyllet brenda një viti” është përshtypja e tij e palëkundur ndonëse duket qartë se mundësia e një presidenti të një asocacioni të komunave serbe, që do ti bënte hije presidentes se Kosovës vazhdon ti’a prishë gjumin.

Jo i lehtë duket për të edhe zbatimi i nenit 7 të marëveshjes për zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Deri më tani ai ka mbajtur qëndrimin se këtë çështje nuk ka pse e negocion me Vuçiçin që është president i një republike laike që i ka të ndara punët e fesë nga ato të shtetit.

Ai ka kërkuar ta trajtojë atë me përfaqësuesit e kishës ortodokse serbe, që tani për tani rrefuzojnë të bisedojnë me të. Ai i ka kërkuar edhe drejtuesve të shtetit shqiptar, në veçanti Ramës, specialistë të aftë në çështjet e religjonit ortodoks dhe të jurisprudencës në këtë drejtim.

Pavarësisht nga marëdhëniet e tendosura, Rama i ka premtuar ta ndihmojë, ndonëse siç është i bindur dhe vetë Kurti, ai e ka të vështirë të bëjë gjëra që i bien fort ndesh Vuçiçit.

I pyetur lidhur me presionin ndërkombëtar, që u shpreh që të nesërmen e marëveshjes, për themelimin e asocacionit, Kurti nuk duket se ka ndonjë përgjigje të qartë.

Menjëherë pasi u pranua marëveshja për sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetmenaxhimit të komunitetit seb në Kosovë, edhe diplomatët amerikanë edhe ndërmjetësi Lajçak folën për themelimin e “asocacionit”, term që nuk përmendet asnjëherë në marëveshje.

“Eshtë e vërtetë që ka një mospërputhje të termave të dokumentit me gjuhën politike të përdorur për interpretimin e tij, por ndoshta kjo bëhet për të qetësuar atë që ka humbur më shumë, thotë Kurti.

Fakti që Vuçiç nuk nënshkroi dhe që ai është detyruar ta njohë “de facto” Kosovën, konsiderohen si fitore nga kryeministri i saj.

Sa për të tjerat, lufta e brendëshme politike, ku opozita ka filluar ta etiketojë si tradhëtar, duket se nuk e merakosin Albinin. Le të vazhdojnë ta bëjnë thotë ai me moskokëçarjen e njeriut që nuk i djeg miza nën kësulë.

Madje me radikalizëm “më ndihmojnë në negociata”, sot më shumë se kurrë “kemi nevojë për një kundërshti të fortë për çdo gjë që besohet se i bën dëm Kosovës” është qëndrimi i një njeriu që ndonëse ka mbyllur një marëveshje nuk ka shpëtuar nga presioni.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*