A kurohet mendësia?

Koha, thonë, shëron plagë. Bashkë me këtë është mirë të shërohet edhe mendësia, madje të imunizohet nga faktorët që e dëmtojnë aftësinë e adaptimit në realitete të reja. Shqiptarët, edhe kësaj radhe do të tregohen zemërgjerë dhe do të ofrojnë ndihmë falas për të gjitha ata që kanë nevojë të kalojnë nëpër kurime të tilla socio-psikologjike

Nga Emin AZEMI

Ndryshimet e fundit që ndodhën, që nga emri i shtetit, e deri te realitetet e reja politike e kulturore, e kanë gjetur tepër të papërgatitur shpirtërisht shoqërinë maqedonase. Kjo mospërgatitje po shihet çdo ditë dhe po vërehet në sytë e të gjithëve. Sidomos ka një shqetësim sa i përket implementimit të gjuhës shqipe. Ka plot maqedonas, të cilët nuk po munden ta marrin me mend se në këtë shtet po lind edhe një gjuhë tjetër zyrtare. Dhe nuk është problemi gjithaq te refuzimi i këtij realitetit të ri gjuhësor, sa është te konfuziteti që ata po e krijojnë teksa po ballafaqohen me këtë ‘shok’ kulturologjik të shqiptarëve.
Por, vetëm tani po e shohim se sa të paefektshme paskan qenë disa ngjarje e dokumente nga e kaluara e afërt, të cilat, siç po tregon realiteti, nuk paskan prodhuar kurrfarë ndikimi pozitiv në shoqëri, sidomos në atë që quhet maqedonase. Vetëm tani po e shohim se, Marrëveshja e Ohrit, bie fjala, qenka kuptua si një “recetë” mjeku, e cila nuk e paska pasur komponentën e urgjencës. Me fjalë të tjera, kjo i bie, që “pacienti” ka mundur të shërohet edhe pa terapinë e rekomanduar.

Çka ndodhi pastaj? Të gjithë e dimë. Disa mbetën gjatë gjithë kohës nëpër dyert e “emergjencës” për të kërkuar zgjidhje për gjuhën shqipe. Të tjerët, duke “përbiruar perin në gjilpërë”, në balancimin e temave etnike e eurointegruese.

Por, ata që nuk e lëvizën as gishtin e vogël të dorës ishin kojshitë tanë loçkamana, që para dite ishin sllavë, pasdite antikë, mirëpo gjithmonë esëll për të kundërshtua çdo gjë që i vije era shqipe.

Pra, problemi kryesor i mosbesimit ndërmjet komuniteteve etnike në Maqedoni, ishte mungesa e vullnetit për të qenë më afër ideve që ofrojnë zhvillim të përbashkët. Ky problem nuk ka mundur të zgjidhet vetvetiu, por ka qenë i domosdoshëm një angazhim më këmbëngulës dhe permanent i elitave politike, sidomos i atyre që kanë qenë në pushtet.

Në kapitullin e Marrëveshjes së Ohrit që flet për IMPLEMENTIMIN DHE MASAT PËR NDËRTIM TË MIRËBESIMIT, është aneksi C, i cili parashihte që “të vazhdojnë përpjekjet në projektet e destinuara për përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike”.

Sa projekte të destinuara për përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike u zhvilluan dhe u realizuan brenda këtyre 17,18 viteve? Nëse shteti në njërën anë ishte mjaft efikas në fabrikimin e realiteteve që përmbysnin periudha të tëra historike, e që nuk mund të bëhej edhe pa fonde milionëshe, teksa dominonte ‘disneylandi’ qesharak i figurinave shtazore dhe mitologjike, kjo, në anën tjetër, nuk mund të thuhet për një minimum interesimi institucional për ‘projekte të destinuara për përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike’.

Paradoksaliteti i politikës së deritanishme mbështetej në narrativin primitiv për shqiptarët si pakicë kombëtare, ndërkohë që nuk u realizuan parametrat kryesorë nga Marrëveshja e Ohrit që dilnin nga kapitulli ‘IMPLEMENTIMI DHE MASAT PËR NDËRTIM TË MIRËBESIMIT’, ku parashiheshin edhe objektiva konkretë në zhdukjen graduale të stereotipave ndëretnike.

Sikur të realizohej në tërësi ANEKSI C i Marrëveshjes së Ohrit, maqedonasit sot nuk do të përjetonin tërmet emocional kur dëgjojnë fqiun shqiptar të flet në gjuhën shqipe zëshëm, pa pasur nevojë të brengoset se me këtë do të lëndojë ndjenjat e bashkëqytetarëve maqedonas.

Sikur të realizohej në tërësi ANEKSI C i Marrëveshjes së Ohrit, maqedonasit sot nuk do të silleshin kaq hutueshëm nëpër zyra, të cilat i ndajnë me kolegët shqiptarë dhe janë të detyruar të dëgjojnë komunikimin në shqip me palët.
Koha, thonë, shëron plagë. Bashkë me këtë është mirë të shërohet edhe mendësia, madje të imunizohet nga faktorët që e dëmtojnë aftësinë e adaptimit në realitete të reja. Shqiptarët, edhe kësaj radhe do të tregohen zemërgjerë dhe do të ofrojnë ndihmë falas për të gjitha ata që kanë nevojë të kalojnë nëpër kurime të tilla socio-psikologjike.

Burimi: https://www.koha.mk/a-kurohet-mendesia/ (koha.mk)

 

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*