20 vjet! Kush e dëshiron vazhdimin?

Shkruan:
Enver Robelli

Kur shërbimi sekret shndërrohet në bandë që kidnapon njerëz.
Kur milicia e fshehtë partiake vret njerëz të pafajshëm.
Kur në polici ka hetues që brenda 4 apo 5 viteve nuk kanë dorëzuar asnjë rast që kanë hetuar.
Kur vidhet dhoma e dëshmive të policisë.
Kur prokurorë e gjykatës nuk i arsyetojnë rrogat.
Kur prokurorë e gjykatës bëhen instrumente të politikanëve «të fuqishëm».
Kur gati secili «kumanir» ka nga një gurthyes dhe një lidhje me Zvonko Veselinoviqin dhe Millan Radojçiqin.
Kur mafia ndërtimore bëhet faktor politik, sepse spastron para të pista.
Kur «vëllazëria» kriptovalutore serbo-shqiptare në veri shndërrohet në model «bashkëjetese».
Kur liderë cinikë thonë: mos ua jepni votën këtyre se këta kanë vrarë njerëz dhe 5 minuta pas zgjedhjeve të gjithë bashkë, cinikë me letërnjoftim dhe vrasës të supozuar, përfundojnë në shtratin e përbashkët të grabitjes së vendit.
Kur në shërbimin konsullor gjeni tregtarë kufomash.
Kur në shërbimin diplomatik gjeni vjedhës të shtetit dhe shkelës ligjesh të vendeve mikpritëse.
Kur arka e shtetit vidhet për projekte private të politikanëve të korruptuar.
Kur gati askush për asgjë nuk jep përgjegjësi.
Kur brenda institucioneve të shtetit përparësi i jepet fisit, origjinës, bajrakut, «meritave të luftës», që tashmë janë shndërruar në valutë për të «arsyetuar» vjedhjet.
Kur bandat e organizuara paramediale pushkatojnë çdokënd në politikë që paraqet rrezik për modelin e tyre mafioz-biznesor.
Kur përfaqësuesi i shtetit bëhet shërbëtor oligarku.
Kur oligarku trajtohet si diplomat.
Kur agjenti serb shndërrohet në figurë publike dhe kur atij i dhurohen poste publike.
Kur politikani që ka përfunduar në plehun e historisë fyen qytetarët përse kanë votuar ashtu dhe jo kështu.
Kur asnjë nga partitë që e kanë sjellë Kosovën buzë humnerës nuk është distancuar kurrë dhe bindshëm nga trashëgimia e tyre, ndoshta është momenti që njerëzit në Kosovë të pyesin: a ka ende të interesuar që seria e tmerrshme e degradimit të shtetit – që u luajt për 20 vjet – të vazhdojë edhe më tutje?
Burim:https://www.facebook.com/enver.robelli/posts/10226976215892240

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*